Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Balotazhi më 9 nëntor/ Sa do të zgjasë fushata për rundin e dytë, flasin nga KQZ-ja

Vetëm 10 ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërsa balotazhi në ato komuna ku asnjëri nga kandidatët nuk fiton 50% të votave, do të mbahet më 9 nëntor.

Por, sa do të zgjasë fushata për rundin e dytë të votimeve?

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë për IndeksOnlinen se kohëzgjatja e fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të caktohet me vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi të certifikohen rezultatet e raundit të pare, i cili do të mbahet më 12 tetor 2025.

“Secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet rundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.

Sot është dita e 20 e fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Partitë politike kanë dinamizuar takimet me qytetarët anekënd vendit.

Moti i keq pezullon lundrimet në Detin Adriatik, anulohen lëvizjet detare Durrës-Bari

Autoriteti Portual Durrës ka njoftuar se, për shkak të kushteve të motit në Detin Adriatik, lundrimet e parashikuara për ditën e sotme në linjën Durrës–Bari dhe Bari–Durrës janë anuluar.

Ndërkohë, trageti i linjës Ankona–Durrës do të niset sipas programit pasditen e sotme nga Ankona, me mbërritje në Portin e Durrësit ditën e nesërme.

Autoriteti Portual Durrës do të vijojë të informojë për çdo ndryshim të orareve të lundrimeve.

Përfundon dëshmia e Jock Covey në Hagë

Pas tre ditësh, ka përfunduar dëshmia e ish-zëvendësit të Bernard Kouchner, Jock Covey në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pak para përfundimi, Covey foli për takimet me udhëheqës të UÇK-së, e për të cilat nuk i kujtohej nëse Hashim Thaçi ishte pjesë.

“Këto ishin takime që Mike Jackson i thërriste, dhe ato kishin një qëllim të veçantë, të arrihet një marrëveshje angazhuese. Nuk më kujtohet nëse zotëri Thaçi ka marrë pjesë në takime, përveç një takimi të fundit të cilin e kam shpjeguar në hollësi”, deklaroi Covey.

Në fund, dëshmitari amerikan falënderoi të gjithë për mundësinë e dhënë.

Osmani shpreh mirënjohjen për kryeministren daneze

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për kryeministren daneze Mette Frederiksen për mikpritjen në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë.

“Mirënjohëse Kryeministres daneze Mette Frederiksen për mikpritjen e ngrohtë në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, i cili edhe këtë herë fokusohet në sfidat e sigurisë dhe në thellimin e bashkëpunimit për t’i tejkaluar ato”, ka shkruar Osmani.

Kurti për vendimin e Kushtetueses: Po e presim aktgjykimin

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se po presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstitutimit të kuvendit.

“Po e presim aktgjykimin”, ka thënë shkurti në detyrë Albin Kurti.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese me 30 shtator 2025 ka nxjerrë vendim me të cilin ka konstatuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat e moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe. Deputetët obligohen që ta përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 12-ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Në vendimin e marrë më 30 shtator 2025, Kushtetuesja e shpalli të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Igor Simiqi dhe nëntë deputetë të tjerë, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të aeancës konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025.

Në njoftimin e gjykatës, thuhet se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me Kushtetutën.

“TË KONSTATOJË, që Seanca konstituive e kuvendit, e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË URDHËROJË, që seanca konstituive e kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas aktgjykimit të gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, deputetët urdhërohen që gjatë procedurës që zgjedhjes së nënkryetarit të kuvendit nga pakica serbe, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit.

“TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e qeverisjes dhe Ndarja e pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit”, thuhet më tej.

Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur që të vazhdojë masën e përkohshme deri në hyrjen e këtij aktgjykimi në fuqi.

“TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi; T’UA KUMTOJË këtë aktgjykim palëve; TA PUBLIKOJË këtë aktgjykim në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, njofton Kushtetuesja.

Supremja merr vendim për rregulloren për organizim dhe sistematizim të vendeve të punës në AKPPM

Gjykata Supreme e Kosovës në çështjen juridike në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësve: L.F., A.V., A.L.Z., Xh.I., P.Gj., L.B., H.S., M.R., A.I., S.T., të cilët i përfaqëson Ardian Bajraktari, avokat, sipas autorizimit, kundër të paditurës: Zyra e Kryeministrit dhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), përfaqësuar nga Ministria e Drejtësisë – Avokatura Shtetërore, avokat Bedri Krasniqi, me bazë juridike: shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Rregulloren (ZKM) Nr.04/2025 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, me kërkesë për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit, në shqyrtimin gjyqësor publik, të mbajtur në praninë e palëve ndërgjyqëse, më datë 22 shtator ka aprovuar pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësve në fjalë.

Është shpallur e paligjshme dhe është shfuqizuar Rregullorja (ZKM) Nr.04/2025 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, e publikuar në Gazetën Zyrtare më datë 18.04.2025.

Pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësve është refuzuar, si në pikën I, me të cilën kanë kërkuar që të detyrohet e paditura: Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), me seli në Prishtinë, që të nxjerrë aktin nënligjor normativ në përputhje me dispozitat ligjore.

Po ashtu, është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me të cilën paditësit kanë kërkuar ndalimin e prodhimit të pasojave juridike të Rregullores, deri në vendosjen meritore sipas kërkesëpadisë.

Bashkëngjitur linku i aktgjykimit të publikuar: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__12_2025_SQ.pdf