Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Bllokada në Kuvend godet 17 institucione të pavarura

Kriza institucionale e krijuar tash gati gjashtë muaj ka goditur një numër institucionesh të pavarura, ndër to institucionin e Avokatit të Popullit katër anëtarë të së cilit përfshirë edhe vetë avokatin, u ka kaluar mandati si dhe Komisioni i Pavarur i Mediave organ ky tashmë me bord jofunksional si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit.

Por jo vetëm Avokati i Popullit e KPM-ja. Nga bllokada në Kuvend pësuan edhe një numër institucionesh të tjera.

Në listën e institucioneve të pavarura të cilat funksionojnë me mungesa të anëtarëve ose janë jofunksionale bëjnë pjesë edhe Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, RTK-ja, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e të tjera.

Grafika: Institucionet që pësuan nga bllokada në Kuvend

Gjykata Kushtetuese
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës
RTK-ja
Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e të tjera.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi paralajmërojnë rritje të numrit institucioneve jofunksionale në rast se vazhdon bllokada në Kuvend.

“17 institucione të pavarura janë duke funksionuar me përbërje jo të plotë, katër prej tyre janë jofunksionale, në pamundësi të marrjes së vendimeve. Nëse vazhdon kjo situatë mund të rritet numri i institucioneve që s’mund të marrim vendime”, tha Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Drejtori i Oda Consulting, politologu Erblin Hoxha ndërkaq thotë se me mosfunksionim të Kuvendit shumë institucione të pavarura kanë mbetur edhe pa mbikëqyrje.

“Mungesa e mbikëqyrjes së këtyre institucioneve mund të çojë në keqpërdorime të ndryshme”, tha Hoxha.

Gjykata Kushtetuese së fundmi konstatoi se në mungesë të një nënkryetari Kuvendi nuk është konsistuar derisa deputetët kanë afat vetëm, 12 ditë për zgjedhjen e nënkryetarit serb nga hyrja në fuqi e aktgjykimit. /RTV21

Bora e hershme në kryeqytet, rrëzohet një lis pranë objektit të RTK-së

Një lis është rrëzuar sot pranë objektit të Radio Televizionit të Kosovës, (RTK), ku dyshohet se ka zënë një lokal.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë siguruar perimetrin. Nuk raportohet për të lënduar.

Ky nuk është rasti i vetëm, edhe disa ditë më parë, në të njëjtin vend ishte rrëzuar një tjetër lis, i cili kishte shkaktuar dëme materiale pasi kishte zënë një veturë.

Gara e armatimit në Ballkan/ Kosova sheh nga NATO, Serbia nga Kina e Rusia

Një miniaturë e rivaliteteve globale. Kështu e cilësojnë analistët rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sfidat e sigurisë janë prezente edhe 25 vjet pas luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Sikundër e gjithë Europa, edhe vendet e Ballkanit nuk bëjnë përjashtim nga gara e armatosjes në kontekstin e rritjes së sfidave e kërcënimeve, por mënyra se si po e bëjnë këtë, është e ndryshme dhe reflekton qartë orientimin e secilit prej tyre.

Kosova dhe Serbia përbëjnë kontrastin më të qartë: ndërsa Kosova synon integrim më të thellë në NATO, Serbia ndërvepron edhe me Pekinin dhe Moskën. Beogradi ka shpenzuar në 5 vitet e fundit më shumë se çdo vend tjetër i rajonit për armatim, përcjell A2.

Vetëm në 2024, shpenzimet arritën 2,2 miliardë dollarë, pesë herë më shumë se Shqipëria që është anëtare e NATO-s dhe mbi dhjetë herë më shumë se Kosova. Kjo, sipas ekspertëve, të cituar nga Evropa e Lirë, duhet të jetë një sinjal alarmi. Si arsyetim për armatosjen e Serbisë, Vuçiç shpesh përmend “kërcënimet nga fqinjësia”, pa specifikuar se prej kujt.

“Ne nuk do të prekim askënd, vetëm do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë”, deklaroi në fillim të shtatorit në Pekin. Beogradi blen armatim nga Perëndimi dhe Lindja: avionë luftarakë Rafale nga Franca, dronë CH-92A dhe sistemet raketore FK-3 nga Kina. Ushtria serbe zhvillon stërvitje të përbashkëta me vendet anëtare të NATO-s në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe”, por gjithashtu forcon bashkëpunimin me Kinën dhe Hungarinë.

Përpjekjet e tij për të ruajtur balancat mes të gjithëve, përfshirë Kinën dhe Rusinë, në një moment të caktuar mund t’i kthehen boomerang. Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kina kërkon pikëmbështetje në Evropë dhe Serbia, me nevojat e saj ekonomike dhe me lëkundjet e vazhdueshme mes Lindjes e Perëndimit, është partnere tërheqëse.

Shea nuk e përjashton mundësinë që Vuçiç, për shkak të trazirave të brendshme dhe tensioneve rajonale, të ndjekë një qasje më konfrontuese edhe ndaj fqinjëve.

“Pamë deklarata të pasakta në media gjatë kohëve të fundit”, Specialja arsyeton mbajtjen e katërshes së UÇK-së në paraburgim

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nëpërmjet zëdhënësit të tyre kanë theksuar se arsyeja se pse katër të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim, është se ka rrezik që ata të ndikojnë në dëshmitarë ose të pengojnë procedurat.

“Arsyeja përse secili nga të katër të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore po mbahet ende në paraburgim, është se gjykatësit kanë vlerësuar se për secilin prej të akuzuarve ekziston rreziku që të pengojë ecurinë e procesit dhe të kryejë vepra penale të tjera, në veçanti kundër personave që kanë dhënë dëshmi ose që pritet të japin dëshmi para Dhomave të Specializuara”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.

Ndërsa, sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë, Doyle ka thënë se gjykata ka mekanizma që garantojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sa i takon të drejtës për gjykim të drejtë, është me rëndësi të theksohet se gjykata ka mekanizma që garantojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në të gjitha çështjet gjyqësore, përfshirë mundësinë që t’i paraqesin kërkesë referuese Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese dhe përmes procesit të rregullt të apelit, përmes të cilit vendimet e një paneli gjykatësish mund të kundërshtohen nga një panel i pavarur i përbërë nga gjykatës të tjerë”, tha ai.

Këtë sqarim, Doyle tha që po e bëjnë pasi kanë parë një numër deklaratash të pasakta kohët të fundit në media lidhur me proceset gjyqësore.

“Përveç përditësimit të rregullt mbi statusin e çështjes gjyqësore, sot dëshirojmë të shfrytëzojmë rastin të vëmë në dukje një numër deklaratash të pasakta në media kohët e fundit në lidhje me proceset gjyqësore, dhe të sqarojmë disa aspekte”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet në këtë rast, përveç që tregoi se këtë javë përfundoi dëshminë James Peter Covey– dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Thaçit, Doyle tha se është miratuar një kërkesë e mbrojtjes për t’u liruar nga detyrimet për nxjerrjen e informacionit në lidhje me disa redaktime të kufizuara që u bënë në tri dokumente.

“Këto redaktime u bënë nga subjekti që i dha dokumentet. Sipas Rregullës 107 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, në qoftë se Zyra e Prokurorit ka në ruajtje ose kontroll informacion që i është dhënë në mënyrë konfidenciale dhe vetëm për mbledhjen e provave të reja, një informacion i tillë dhe burimi përkatës mbrohen sipas Ligjit dhe nuk nxirret pa pëlqimin e dhënësit. Në këtë rast, trupi gjykues vë në dukje se pasi Prokuroria i përsëriti kërkesën dhënësit të dokumenteve, më 12 shtator 2025 dhënësi nuk pranoi që ato të nxirreshin plotësisht”, tha ai.

Në anën tjetër, duke folur për rastin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit në lidhje me akuzat për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve, Doyle tha se më 29 shtator, Prokuroria njoftoi gjykatësen e procedurës paraprake për faktet për të cilat janë pajtuar palët në këtë çështje.

“Për ta bërë procesin më të shpejtë, Rregullorja përcakton se gjykatësi evidenton çdo pikë faktike ose juridike për të cilën pajtohen Prokuroria dhe Mbrojtja para fillimit të gjykimit. Kujtojmë se gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi se ajo synon t’ia kalojë çështjen trupit gjykues në gjysmën e parë të nëntorit 2025, në varësi të vendimeve mbi mocione paraprake që do të jepen nga Paneli i Gjykatës së Apelit”, tha Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Nga Barduani tek Ulutash – Nga sot KFOR-i bëhet me komandant të ri

Sot në Kamp Film City në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it. Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’i dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Özkan Ulutas.

Ndryshe dje në selinë e KFOR-it, në Kampin Film City (Prishtinë), u mbajt inaugurimi simbolik i stemës dhe ngritja e flamurit të KFOR-it, për të shënuar vazhdimësinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Kjo është një traditë e hershme në historinë e KFOR-it. Ajo paraqet kalimin pa ndërprerje ndërmjet dy komandantëve të KFOR-it dhe dëshmon përkushtimin dhe lidershipin e komandantit që përfundon mandatin, si dhe gatishmërinë e komandantit të ri për të marrë përgjegjësitë e reja. Po ashtu, kjo simbolizon trashëgiminë e KFOR-it dhe përkushtimin e palëkundur për të vazhduar kontributin në siguri afatgjatë në Kosovë dhe stabilitet rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.

Ngjarja u zhvillua në sheshin Sir Michael Jackson – së fundmi i emëruar me emrin e komandantit të parë të KFOR-it.

Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Gjeneral Major Özkan Ulutaş, kryesuan ceremoninë.

KFOR është misioni më i gjatë i NATO-s dhe aktualisht më i madhi në historinë e Aleancës Atlantike.

Ai mbetet plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.

Kuvendi jofunksional, njohësit paralajmërojnë pasoja serioze

Njohës të politikës paralajmërojnë pasoja serioze nëse vendimi i kushtetueses nuk gjen zbatim. Sipas tyre, ka mëdyshje nëse do të vazhdohet me rivotim në pako të nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë apo do të vazhdohet për ta zgjedhur nënkryetarin e pakicës serbe.

Njohës të së drejtës kushtetuese ngrenë mëdyshje rreth vijimit të seancës së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deri në fillim të javës së ardhme, sipas tyre, Kushtetuesja do ta publikojë aktgjykimin për të kuptuar se si do të rrjedhë më tutje kjo procedurë.

“Ka paqartësi, ka dilema se a do të vazhdohet me rivotim në pako për dy propozimet e ofruara nga radhët e komuniteteve jo shumicë apo gjykata do ta sqarojë nëse e ka legjitimuar procesin e deritanishëm të zgjedhjes së nënkryetarëve dhe kryetarit të kuvendit dhe mbetet vetëm që deputetët brenda një afati 12 ditor pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit, ta zgjedhin edhe nënkryetarin që përfaqëson komunitetin serb”, tha Vullnet Bugaçku, njohës i së drejtës kushtetuese IKD.

“Vendimi i Gjykatës është kristal i qartë: Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa nënkryetarin nga pakica serbe. Kjo nuk është kohë për patriotizëm folklorik, por për patriotizëm kushtetues”, tha Artan Muhaxheri, analist politik, raporton RTK.

Sipas njohësve të së drejtës dhe analistëve politikë, mosrespektimi i Kushtetutës mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimeve ndërkombëtare të vendit, përfshirë rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s.

“Nëse deputetët nuk e zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kjo është shkelje e rendit kushtetues. Një veprim i tillë mund të ketë pasoja të menjëhershme për Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare”, theksoi Bugaçku.

“Kushdo që respekton Kushtetutën, duhet të angazhohet për zhbllokimin e kësaj situate. Kjo krizë institucionale është e padurueshme dhe e dëmshme për shtetin e Kosovës”, shtoi Muhaxheri.

Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës mbetet jashtë funksionit.