Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga partitë parlamentare të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, Kushtetuesja ishte shumë e qartë se legjislatura e nëntë nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Duke folur për KosovaPress-in, ai bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të reja pasi, siç thotë ai, Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të shtyrë përpara proceset euroatlantike.

Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast që nuk kompletohen trupat e legjislativit.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Diplomati suedez thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, andaj duhet të respektohen vendimet e saj.

“Gjykata Kushtetuese ka dhënë një deklaratë shumë të qartë për këtë. Parlamenti nuk është konstituuar, por në vend të kësaj, duhet të procedohet me emërimin e një nënkryetari nga një prej komuniteteve jo-shumicë. Nuk kam ndonjë mendim për vetë përmbajtjen, por jam shumë i kënaqur që kjo është një deklaratë mjaft e qartë nga Gjykata Kushtetuese. Tani, mos harroni që Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe duhet t’i përmbahemi asaj dhe të respektohen të gjitha vendimet”, thekson ai.

Westerlund thotë se Kosovës i duhet një qeveri legjitime në mënyrë që vendi të përqendrohet në anëtarësimin në Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe NATO.

Duke e konsideruar të domosdoshme formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ambasadori përmend Shqipërinë dhe Malin e Zi, që sipas tij po ecin përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ne po shohim tani që Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara ndoshta për t’u bërë anëtarë të BE-së pas disa vitesh. Kosova duhet të nisë të njëjtin proces, të përqendrohet në këtë, të përqendrohet në anëtarësimin në BE, të përqendrohet në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të përqendrohet në anëtarësimin në NATO. Ata kanë mbështetjen tonë për këto aspirata, por me të vërtetë u duhet një qeveri dhe të përqendrohen në anëtarësimin në BE”, shton diplomati suedez.

Krahas kësaj, ambasadori i Suedisë në Kosovë flet edhe për fillimin e largimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Bashkimi Evropian, që nga muaji qershor i vitit 2025, ka nisur heqjen graduale të masave, ku kanë filluar takimet në kuadër të MSA-së dhe lirimin e disa fondeve në projekte si energjia dhe digjitalizimi.

Westerlund thotë se heqja e masave në formë graduale do të vazhdojë, por duhet të shohin të ardhmen se çfarë do të ndodhë në heqjen totale të masave.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të vendit.

“Ne tashmë kemi vendosur për një heqje graduale të masave, dhe ajo heqje graduale do të vazhdojë. Por do ta shohim në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”, potencon ai.

Nga ana tjetër, ambasadori Westerlund, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, deklaron se posa të formohet qeveria në Kosovë duhet të ketë diskutime serioze në Bruksel për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Ai shton se është shumë i kënaqur me emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si emisar i BE-së për dialogun, duke thënë se i njëjti po ndërmerr hapa përpara në procesin e normalizimit.

“Jam shumë i kënaqur që kemi një zë të ri të BE-së, që nga fillimi i këtij viti, Peter Sorensen. Ai po ndërmerr hapa përpara për procesin e normalizimit. Shpresoj që të mund ta përshpejtojmë procesin. Nuk kemi parë shumë progres këtë vit ende, ndaj shpresoj që të mund të kemi një qeveri në Kosovë dhe që të kemi diskutime më serioze në Bruksel mbi dialogun e normalizimit”, thekson ai.

Pavarësisht që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, në Bruksel janë mbajtur dy takime në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo që nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të dakorduar në vitin 2023.

Kosova nuk i ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Barduani: Ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura

Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it derisa thekson se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësua ndjeshëm që nga viti 1999, por ka shtuar se ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura,.

“Sigurisht, situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm që nga nisja e KFOR-it, dhe dëshmia më e prekshme për këtë është fakti që sot forcat e KFOR-it janë reduktuar në më pak se 10% të asaj që ishin në vitin 1999. Dhe kjo nuk është aspak një arritje e vogël. Megjithatë, ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe pikërisht për këtë arsye roli i KFOR-it mbetet kritik, si dhe thelbësor për t’u parë si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha ai ndër të tjera.

Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, përfundoi mandatin e tij si Komandant i KFOR-it, duke ia dorëzuar detyrën gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Özkan Ulutaş.

Von der Leyen në Kosovë më 15 tetor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë rajonin e Ballkanit Perëndimor në mes të muajit tetor, bëhet e ditur nga burime jozyrtare të këtij institucioni.

Ajo do të nisë vizitën më 13 tetor, ku do të takohet me udhëheqësit e secilit nga gjashtë shtetet e rajonit, teksa qëndrimi i saj në Prishtinë është paraparë për datën 15 tetor, raporton RTK.

Pritet që shefja e Komisionit Evropian të takohet si me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ashtu edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Vizita e von der Leyen në rajon do të shërbejë gjithashtu si një rast për të rikonfirmuar perspektivën evropiane për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Planet e saj për të vizituar kryeqytetet e shteteve të rajonit kanë bërë që të shtyhet publikimi i raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili zakonisht publikohet në tetor. Publikimi i këtij dokumenti është shtyrë për fillim të muajit nëntor.

Kjo lëvizje duket se synon që vizita të prezantohet si një sukses, edhe pse raportet vjetore, sipas të gjitha gjasave, nuk do të përmbajnë shumë vlerësime pozitive.

Përveç Shqipërisë, dhe deri diku Malit te Zi qe po avansojne në negociatat e anëtarësimit, shtetet e tjera nuk kanë lëvizur në procesin e integrimeve, madje në disa vende eshte shenuar zbrapsje.

Raporti për Kosovën pritet të dominohet nga ngerci institucional në vend; ai i Serbisë nga kriza e brendshme dhe protestat që po zhvillohen per gati nje vit; ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë situata konsiderohet – krizë shtetërore. Ndersa Maqedonia e veriut mbetet e bllokuar ne intergime per shkak te vetos bullgare.

Vrasja me thikë e 40-vjeçarit në Babrru, identifikohet autori. Detaje nga ngjarja

Zbulohet identiteti i autorit të dyshuar të vrasjes së Hajdar Ismajlgecit, 40 vjeç, i cili u gjet i vdekur mbrëmjen e së enjtes pranë shkollës “Azem Hajdari” në Babrru të Shqipërisë.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, autori është larguar nga vendngjarja në këmbë dhe ka qenë i përgjakur, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e kalimtarëve. Pikërisht këto detaje i kanë ndihmuar hetuesit të përqendrojnë kërkimet.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po punon për të rindërtuar lëvizjet e autorit përpara dhe pas ngjarjes.

Katër të arrestuar për përleshjen në Pejë, Policia: Dyshohet se është përdorur edhe arma e zjarrit

Katër persona janë arrestuar pasi ishin përfshirë në një rrahje në rrugën “Adem Jashari” në Pejë të enjten. Madje në këtë përleshje është përdorur edhe armë zjarri.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që janë përfshirë në një rrahje me disa persona të tjerë. Në rast dyshohet se është përdorur edhe arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës nëpërmjet raportit 24-orësh

Një shtetas serb sulmon zyrtarët policorë, arrestohet në Jarinjë

Një person është arrestuar në Leposaviq , ku dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.

Një nga policët e përfshirë në incident ka marrë trajtim mjekësor për lëndime të lehta. I dyshuari, shtetas i Serbisë, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet, thuhet në raportin e policisë.

“PKK Jarinjë, Leposaviq / 02.10.2025 – 04:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë pasi që ai ka sulmuar zyrtarët policorë. Një zyrtar policor ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.