Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Osmani: Dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë në themelimin e ECAD-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë evropianë në themelimin e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD).

Presidentja Osmani ka shkruar:

Dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë evropianë në themelimin e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD).

Përmes këtij mekanizmi, do të sigurohet koordinim më i gjerë evropian në luftën kundër trafikimit dhe abuzimit me drogë. Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj dhe ashtu siç kemi bërë deri tani, të luftojmë këto dukuri në mënyrë efektive. Do të punojmë ngushtë me partnerët tanë, në mënyrë që Evropa të mbetet e sigurt, e bashkuar dhe e vendosur përballë kësaj sfide.

Rama: Muzeu i Lundrimit do ta kthejë hyrjen e Shkodrës në një zonë të zhvilluar

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga punimet që po vijojnë për ndërtimin e Muzeut të Lundrimit në Shkodër.

Rama e cilëson këtë kantier si një tjetër hap konkret drejt zhvillimit dhe transformimit të qytetit verior, shkruan ATSH.

“Muzeu i Lundrimit në Shkodër, një investim që së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit, do ta shndërrojë hyrjen e qytetit në një zonë moderne e të zhvilluar, siç i ka hije Shkodrës”, thekson kryeministri.

Ky kompleks do të plotësohet edhe me sheshin e ri të eventeve, një hapësirë bashkëkohore e konceptuar posaçërisht për aktivitete kulturore dhe artistike.

Kjo vepër infrastrukturore, së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit, do ta kthejë hyrjen e Shkodrës në një zonë moderne dhe të zhvilluar.

Projekti i Muzeut të Lundrimit do të shërbejë për të vënë në pah kulturën dhe historinë e rajonit, duke e lidhur atë me zhvillimin urban.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci është shprehur se “kjo hapësirë moderne, e konceptuar për aktivitete kulturore, do t’i japë Shkodrës identitetin e një qyteti evropian, ku kultura, historia dhe zhvillimi urban ecin krah për krah”.

Me përfundimin e planifikuar në qershor 2026, zona pritet të kthehet në një qendër tërheqëse për banorët dhe vizitorët, duke i dhënë një identitet të veçantë hyrjes së qytetit.

Punimet në Muzeun e Lundrimit pritet të përfundojnë në qershor të vitit 2026.

Quni: LDK-ja është forca që mund të lidhë palët, jemi për stabilitet, jo për përçarje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, në një intervistë për IndeksOnline, ka folur për krizën politike që po kalon vendi, duke e cilësuar situatën në Kuvend si “thellësisht jofunksionale” dhe duke theksuar rolin kyç që deputetët duhet të luajnë në zhbllokimin e proceseve shtetërore.

Sipas Qunit, situata aktuale në legjislativ është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, ku deputetët duhet të luajnë rol parësor në rikthimin e funksionalitetit institucional.

“Roli i deputetit në një kuvend thellësisht jofunksional është në fakt më kritik dhe më sfidues se kurrë. Deputetët duhet të jenë zëri i arsyes dhe të garantojnë që, pavarësisht bllokadës, institucioni kryesor legjislativ të mos rrëzohet plotësisht dhe të shmangin vakumin total të pushtetit.
Detyra kryesore e deputetit është të gjejnë pika bashkuese dhe të punojnë aktivisht për të zhbllokuar proceset, duke vënë interesin shtetëror mbi atë partiak.Në vend që të jenë pjesë e problemit, ata duhet të jenë motori i zgjidhjes”, ka vlerësuar Quni.

Quni ka analizuar thellësisht faktorët që kanë çuar Kosovën në një situatë bllokimi politik.

Ai vlerëson se vendi po përballet me mungesë të konsensusit dhe dominimit të interesave afatshkurtra politike.

“Klasa politike është e ndarë në blloqe të ashpra, ku mungon vullneti themelor për t’u ulur dhe për të gjetur kompromis mbi çështjet kyçe. Debati shpesh kthehet në sulme personale dhe inate politike, duke lënë pas dore thelbin e punës. Vëmendja është zhvendosur nga qeverisja dhe mirëqenia e qytetarëve te lufta për pozita dhe ruajtja e pushtetit. Interesat afatshkurtra elektorale dominojnë vendimet afatgjata shtetërore. Ndryshimet e shpeshta të qeverive, zgjedhjet e parakohshme dhe mosarritja e shumicave të qëndrueshme kanë krijuar një cikël të pafund paqëndrueshmërie institucionale”, thekson tutje ai gjatë bisedes.

Duke folur për rolin e LDK-së në këtë klimë të tensionuar, Quni vlerësoi kontributin historik të partisë dhe pozicionin e saj si forcë konstruktive në drejtim të stabilizimit institucional.

“Si një prej subjekteve kryesore dhe me përvojë në skenën politike, LDK-ja mban një rol konstruktiv. Duke qenë se është një parti me traditë shtet-ndërtuese, LDK-ja ka potencialin të shërbejë si një urë lidhëse apo si një forcë balancuese. Ajo mund të ndërtojë koalicione të gjera për çështje jetike (p.sh., votimi i ligjeve të rëndësishme apo marrëveshjeve ndërkombëtare), duke detyruar palët të ulen dhe të bashkëpunojnë. Roli i saj eshte konstruktiv dhe i orientuar drejt stabilitetit”, ka deklaruar Quni për IndeksOnlinen.

Në vijim të intervistës, Quni ka paralajmëruar për efektet afatgjata që ngërçi politik ka në shoqëri dhe ekonomi, duke vënë në dukje se ky nuk është thjesht një problem institucional, por krizë me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët.

“Një ngërç i zgjatur politik nuk është thjesht një problem i klasës politike; ai shkakton pasoja të rënda dhe të pakthyeshme në të gjitha fushat. Instabiliteti politik largon investitorët e huaj dhe frenon zhvillimin ekonomik. Bllokimi i Kuvendit nënkupton mosmiratimin e ligjeve të rëndësishme, buxhetit apo marrëveshjeve ndërkombëtare, duke dëmtuar direkt financat e vendit. Bllokada tregon mungesë pjekurie dhe gatishmërie për reforma. Kjo përkthehet në stagnim në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vonesa në përmbushjen e kritereve të nevojshme. Mungesa e adresimit të problemeve sociale (shëndetësia, arsimi, punësimi) shkakton zhgënjim masiv te qytetarët dhe nxit emigracionin. Më e rëndësishmja, ajo shkatërron besimin e publikut te institucionet demokratike”.

Në përfundim të intervistës deputeti Anton Quni ka bërë një thirrje të qartë për rikthim te përgjegjësia institucionale, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për të dalë nga kriza

Uran Ismaili në “Arbëri”: “Problemet e Prishtinës janë thelluar, më 12 tetor ia kthejmë investimet qytetit tonë!”

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur dje tubimin e radhës në lagjen “Arbëria”, ku para një numri të madh qytetarësh prezantoi planin e tij për Prishtinën dhe projektet konkrete për këtë lagje.

Ai tha se gjendja në kryeqytet, nga viti 2021 e deri sot, është përkeqësuar në vend se të përmirësohet. Sipas tij, qytetarët janë më të zhgënjyer dhe më të dëshpëruar se kurrë, pasi vota e tyre nuk është kthyer në investime apo përmirësim real të jetës së përditshme. “Ama duhet me ju kallëzu që nuk e kanë më fuqinë mbi neve. Kanë mujtë mos me na i sjell investimet; veç kësaj here, me 12 tetor, do i marrim investimet vetë ne. Me 12 tetor po angazhohemi edhe zhvillimin po e kthejmë në Prishtinë” tha Ismaili.

Duke e cilësuar Prishtinën si qytetin që i ka dhënë shumë secilit prej qytetarëve, ai shtoi se ka ardhur koha që edhe qyteti të marrë zhvillimin që meriton. “Një Prishtinë e kemi, për këtë Prishtinë jemi duke garu. Ky qytet na ka dhënë shumë, këtij qyteti duhet me i dhënë zhvillim”, theksoi kandidati për kryetar.

Plani i Ismailit për Arbërinë përfshin:

Ndërtimin e çerdhes për fëmijët e lagjes;
Ndërtimin e një shkolle të re;
Lidhjen e shkallëve emblematike të “Arbërisë” me parkun;
Integrimin e stacionit të trenit dhe vijës hekurudhore me korridore për këmbësorë;
Linja të reja të trafikut urban që mbulojnë tërë lagjen;
Dy terrene sportive për futboll dhe basketboll;
Park të ri për lagjen, me kënde lojërash për fëmijë.
Rregullimi i varrezave të qytetit
Ismaili tha se “Arbëria” është një lagje me karakter dhe identitet, prandaj nuk duhet të mbetet me premtime të mëdha që nuk realizohen, por të ketë projekte konkrete që ndryshojnë jetën e banorëve.

Reshjet e borës lënë pa rrymë disa rajone të Kosovës

Si pasojë e reshjeve të borës, në disa rajone të Kosovës janë shkaktuar prishje në rrjetin elektrik shpërndarës, duke lënë një numër të caktuar të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike.

Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS).

Sipas njoftimit të KEDS, rajonet më të prekura janë Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Mitrovica, ku bazuar në informacionet e kompanisë, disa dalje janë jashtë funksionit.

“KEDS-i ka mobilizuar ekipe shtesë edhe nga rajone të tjera, të cilat, pavarësisht rrethanave të vështira në terren, po përkushtohen që të eliminojnë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet, dhe në një afat sa më optimal konsumatorëve tanë të afektuar t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike, për çka kërkojmë mirëkuptim”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Gërvalla pret në një takim delegacionin e drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit nga Iowa

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në një takim delegacionin e drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit nga Iowa që po viziton Kosovën.

Ministrja Gërvalla njoftoi delegacionin nga Iowa për progresin e vazhdueshëm të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit në të gjithë territorin, i konfirmuar edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare, të cilat e vendosin Republikën e Kosovës në krye të renditjeve në Evropë dhe në botë sa i takon sigurisë.

Duke iu referuar rezultateve konkrete që janë arritur në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Iowas deri tani, ministrja Gërvalla shprehu mbështetjen e plotë për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit, si një komponent i rëndësishëm dhe me potencial në këtë aspekt.

Ministrja Gërvalla theksoi poashtu mirënjohjen e përhershme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për mbështetjen e gjithanshme të institucioneve qendrore e lokale, si edhe të miqve të shumtë të Kosovës në Iowa dhe më gjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke falënderuar përzemërsisht gjeneralmajorin (në pension) Timothy Orr, i cili ishte i pranishëm në takim, për përkushtimin e tij, ministrja Gërvalla shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për Gardën Kombëtare të Iowas për përkrahjen e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve, bashkëpunimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.