Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Osmani ia përmend KFOR-it sfidat e sigurisë në veri nga kërcënimet e Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një takim me Admiral Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

Presidenca e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë takimit, Osmani vlerësoi lartë rolin e KFOR-it dhe angazhimin e pareshtur për garantim të paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës, ndaj në këtë kontekst, ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend.

“Presidentja theksoi gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, duke ndërtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke përmbushur të gjitha zotimet ndaj Aleancës”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, Osmani vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it si faktor i rëndësishëm për parandalimin e eskalimeve dhe ruajtjen e paqes.

Poashtu, Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe vendosmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm dhe aktiv i botës demokratike

“Prishtina përtej pritjeve që kushtojnë me jetë”: Përparim Rama prezanton projektin “STROK”, pacienti nuk humb kohë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar projektin “STROK”.

Rama ka bërë të ditur se tash, pacienti nuk humb kohë në emergjenca, por shkon drejt në klinikën e Neurologjisë, në afat rekord.

“Për herë të parë, urgjenca e kryeqytetit ka nisur programin “STROK”. Pacienti nuk humb kohë nëpër emergjenca, shkon drejt në klinikën e neurologjisë në kohë rekorde” ka shkruar Rama.

“Prishtina përtej pritjeve që kushtojnë me jetë”, tha ai

Pas vendimit të Kushtetueses, Rashiq: Nuk pres të më votojnë, zgjedhjet janë afër

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku ende nuk është zgjedhur asnjë nënkryetar nga radhët e Listës Serbe.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi të konstituohet plotësisht brenda 12 ditësh, përfshirë zgjedhjen e nënkryetarit nga komunitetet jo-shumicë, siç parashihet me Kushtetutë.

Por Rashiq ka shprehur rezerva ndaj qartësisë së këtij vendimi, veçanërisht për sa i përket mundësisë së kandidimit nga ndonjë subjekt tjetër përveç Listës Serbe.

“Ky aktvendim i Gjykatës Kushtetuese nuk është krejt i kompletuar. Nuk e kam parë që është krejt i qartë, në veçanti për Listën Serbe, sepse nuk ceket në asnjë vend a do të mundësohet ose jo një kandidim tjetër përveç listës më të madhe, që është Lista Serbe”, deklaroi Rashiq.

I pyetur nëse do të propozohet sërish për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe nëse do të mund t’i sigurojë votat e nevojshme, ai shprehu skepticizëm.

“Sinqerisht, nuk e di a do t’i marr ato pesë votat. Kësaj here nuk kam shpresë”, tha ai në tëvë1.

Rashiq foli edhe për mosvotimin e tij në seancën e kaluar, duke theksuar se një veprim i tillë nuk përbën shkelje të Kushtetutës.

“Unë, siç e kam pasur argumentin edhe më herët, besoj që votimi i tillë nuk është kundër Kushtetutës. Edhe ky vendim i Gjykatës nuk thotë që ka qenë kundër Kushtetutës. Nuk hyj në detaje nëse ka qenë kundër rregullave për ndarjen, por një votim i tillë nuk është i paligjshëm”, theksoi ai.

Në fund, Rashiq nuk e përjashtoi mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, duke deklaruar:

“Unë mendoj 80% është e sigurt që do të shkojmë në zgjedhje”, përfundoi ai.

Arrestohet ish-asamblisti i PDK-së në Prizren, sulmoi fizikisht një punonjës shëndetësor

Ish-asamblisti i PDK-së në Prizren, Bardhi Avdaj, u arrestua sot, pasi sulmoi fizikisht një punonjës shëndetësor.

Burime të IndeksOnline pohojnë se Avdaj sulmoi kryeinfermierin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, D.B.

Për sulmin, Avdaj u ndalua për 48 orë, pas intervistimit.

“Pas një mosmarrëveshjeje të lidhur me punën, një person i dyshuar ka sulmuar një qytetar dhe ka shkaktuar dëmtime materiale në zyrë. Të dy palët janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u trajtuar për hetim të mëtejshëm”, kanë pohuar nga policia.

Avdaj ishte asamblist në Kuvendin Komunal të Prizrenit në mandatin e kaluar.

Kosova dhe Turqia thellojnë partneritetin strategjik në mbrojtje

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Gjeneralin Selçuk Bayraktaroğlu, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë.

Gjatë këtij takimi u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për zhvillimet aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit.

Maqedonci në Facebook ka shkruar se e vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe theksoi se ky partneritet strategjik është rezultat i bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet dy ministrive dhe forcave të armatosura, si dhe lidhjeve të forta kulturore dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Maqedonci dhe Gjenerali Bayraktaroğlu theksuan rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, përfshirë trajnimin dhe ngritjen profesionale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse, si dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes përmes bashkëpunimit me kompaninë shtetërore turke MKE dhe kompani të tjera relevante.

Gjenerali Bayraktaroğlu rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Turqisë për të vazhduar mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Të dy palët u dakorduan se Kosova meriton vendin e saj në NATO dhe se procesi i transformimit të FSK-së po e orienton vendin drejt rolit të një aleati të besueshëm dhe kontribuues në sigurinë rajonale dhe globale

Gjeneral Jashari e pret Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, premtohet thellim i bashkëpunimit me FSK-në

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroglun.

Gjeneral Jashari e uroi Bayraktaroglun për emërimin e tij në këtë pozitë, teksa bëhet e ditur se të dy folën për bashkëpunimin e deritanishëm në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë.

Gjatë takimit, sipas njoftimit, të dy gjeneralët folën edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

“Gjithashtu Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi Gjeneralin Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë forcës sonë në ngritjen e kapaciteteve profesionale”.

“Nga ana e tij, Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim u tha se të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.