Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Dy muaj nga vrasja e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij ende në arrati

Janë bërë dy muaj që kur Gjilani u trondit nga një vrasje e trefishtë në mes të ditës në qendër të këtij qyteti.

Nga të shtënat me armë zjarri, mbetën të vrarë tre persona dhe një tjetër u plagos. Si të dyshuar kryesor për këtë ngjarje të rëndë janë: Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra.

Që nga ajo kohë, ata janë bërë të pakapshëm për organet e rëndit.

IndeksOnline mëson së me rastin po merret Drejtoria e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Nga policia kanë thënë se janë duke punuar intensivisht në kapjen e autorëve, duke mos treguar se deri ku kanë arritur hetimet.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka bërë të ditur se për kapjen e Shkodrës dhe dy djemve të tij janë ndërmarrë hapa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

Kujtojmë që viktima të kësaj ngjarjeje të rëndë ishin babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, argjendarë të njohur në Gjilan, si dhe Abedin Hoxha.

Dyshohet se kjo vrasje e trefisht ka ndodhur për fajde

Ish-komandanti i logjistikës në Dukagjin, merr mbështetje të fuqishme nga Daut Haradinaj

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Asamblenë Komunale të Deçanit, Mustafë Selmanaj, ka marrë mbështetje të fuqishme nga deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

Deputeti Haradinaj vlerësoi lart figurën e Selmanajt, duke e cilësuar atë si një prej bashkëluftëtarëve të devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një njeri me integritet të lartë shoqëror e moral.

Mustafë Selmanaj, ish-komandant i logjistikës në zonën e Dukagjinit, në postimin e tij theksoi:

“UÇK-ja është gjaku dhe zemra jonë, trashëgimia më e shenjtë që na bashkon përgjithmonë. Falemnderit Gjeneral!”.

Hoxhaj: Beogradi satelit i Rusisë në Ballkan, Kosova të mbetet në boshtin euroatlantik

Sot shënohen 25 vjet nga rrëzimi i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, ngjarje kjo, shkroi Enver Hoxhaj, që shënon fundin e një epoke të errët në historinë e Ballkanit, por jo edhe mbylljen e plagëve që ai regjim la pas.

Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka kujtuar se regjimi i Millosheviqit shkaktoi luftëra, gjenocid dhe shkatërrim në gjithë rajonin, ndërsa ka theksuar se Serbia, në vend që të përballet me të kaluarën, sot vazhdon ta glorifikojë atë.

“Sot Serbia udhëhiqet nga figura që ishin pjesë e atij regjimi,” ka shkruar ai, duke shtuar se Beogradi po përpiqet të luajë rolin e satelitit të Rusisë në Ballkan dhe të sfidojë rendin euroatlantik.

Sipas Hoxhajt, përgjigjja e Kosovës ndaj këtyre përpjekjeve duhet të jetë forcimi i shtetit, sigurisë dhe institucioneve demokratike. Ai ka theksuar se partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët evropianë mbetet garancia e vetme për paqe, qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në rendin e ri ndërkombëtar.

Lidhja e Bizneseve: Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku sipas tyre, mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes e ka futur vendin në ngërç të plotë ekonomik.

Në reagim thuhet se ekonomia e vendit po stagnon, investimet po bien ndërsa qytetarët dhe bizneset po e ndjejnë barrën e papërgjegjësisë politike çdo ditë e më shumë.

“Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon më tej bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”.

“Mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat. Shumë borde dhe agjenci shtetërore kanë mbetur me ushtrues detyre, pa legjitimitet për të marrë vendime strategjike, duke paralizuar proceset ekonomike”, thuhet në reagim.

Tutje, Lidhja e Bizneseve tha se nga një vend që dikur Kosova ishte model për rajonin, sot është kthyer prapa me ekonomi të ngadalësuar dhe me mungesë të plotë të vizionit ekonomik.

“Mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore mbeten të bllokuara në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional. Këto mjete, që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim, sot qëndrojnë të palëvizshme, ndërsa bizneset përballen me vështirësi të mëdha në terren”.

“Kosova po përballet njëkohësisht me çmime të larta të energjisë dhe kosto të shtuara të prodhimit; mungesë investimesh të huaja dhe rreziku për largim të kapitalit ekzistues; ngadalësim të rritjes ekonomike dhe humbje të vendeve të punës; pezullim të dialogut strategjik Kosovë–SHBA, që dëmton rëndë imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit”.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës apelon për përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike, në mënyrë që vendi të rifitojë stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve”, thuhet tutje në reagim.

Lidhja e Bizneseve tha se bizneset në vend kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe klimë të qëndrueshme zhvillimore e jo bllokadë e pasiguri

Nesër bëhen bashkë udhëheqësit e Ballkanit, samiti Brdo-Brioni mbahet në Durrës

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës, për Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, me fokus kryesor perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Samiti, i cili mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviç, dhe drejtohet nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në thelb të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, shkruan rtsh.al.