Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.

Eksperti kishte deklaruar në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme.

Ai tha se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

Sot fillon Samiti i Bërdo-Brionit, Osmani përfaqëson Kosovën

Qyteti bregdetar i Durrësit sot pritet të mirëpresë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Iniciativës Bërdo-Brioni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të marrë pjesë në këtë samit të krerëve të shteteve të rajonit.

Samiti dyditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri, në Golem.

Në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.

Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.

Veç seancës plenare dhe konferencës për shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të “Brdo-Brijuni-t”, përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.

Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së

Skadon mandati i Avokatit të Popullit, s’mund të zgjidhet pa Kuvend të konsoliduar

Më 28 shtator 2020, Naim Qelaj mori votat e nevojshme nga Kuvendi i Kosovës për të ushtruar detyrën e Avokatit të Popullit për një mandat pesëvjeçar, ashtu siç parashihet me ligj.

Pesë vite më vonë, me përfundimin e mandatit të tij, Kosova përballet me një sfidë institucionale, mungesën e një Kuvendi të konstituuar për të proceduar me zgjedhjen e pasardhësit.

Si pasojë, prej 28 shtatorit 2025, institucioni i Avokatit të Popullit ka mbetur pa drejtues mandat plotë.

Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, procedura për zgjedhjen e kreut të ri duhet të nisë gjashtë muaj përpara skadimit të mandatit aktual. Megjithatë, Kosova as gjashtë muaj më parë nuk kishte një Kuvend funksional.

Gjithsesi, i njëjti ligj, respektivisht neni 14 i tij, parasheh një zgjidhje të përkohshme.

“Në rast të përfundimit të mandatit, Avokati i Popullit apo zëvendësi i tij/saj do ta ushtrojë funksionin e tij deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit” – Ligji për Avokatin e Popullit.

Megjithatë, njohësi i çështjeve juridike, Ardian Bajraktari, shprehet se kjo situatë është e brishtë dhe shqetësuese, sidomos duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm institucionesh udhëhiqen aktualisht nga ushtrues detyre.

“Besoj që kjo duhet të jetë një sinjal për përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvend që të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimet e tyre elementare. Fillimisht, duhet sa më parë të përmbyllin procesin e konstituimit dhe të fillojnë funksionalizimin e institucioneve të kësaj natyre”, ka deklaruar Bajraktari.

Avokati i Popullit mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme të pavarura të shtetit, i cili ka për mision mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të autoriteteve publike

Kosova në alarm – mbi 100 të arrestuar në vetëm një javë

Në shërbim të rendit, drejtësisë dhe sigurisë publike, Policia e Kosovës qëndron në vijën e parë të përballjes me shkelësit e ligjit, duke vepruar me vendosmëri dhe profesionalizëm për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët.

Vetëm gjatë javës së fundit, në të gjitha rajonet e Kosovës janë arrestuar 102 persona për vepra të ndryshme penale.

Sipas të dhënave nga raporti 24-orësh i policisë, për periudhën nga 29 shtatori deri më 4 tetor, numri më i madh i arrestimeve lidhet me rastet e dhunës në familje.

Pas kësaj vepre penale, prangat e policisë u përdorën më së shumti për personat që mbanin armë pa leje, sulme ndaj zyrtarëve policorë, për posedim të narkotikëve, e madje edhe për kalim ilegal të kufijve.

Po ashtu, në ditët e fundit të shtatorit dhe në fillim të tetorit, 65 persona të tjerë u dërguan në mbajtje për përfshirje në veprime të kundërligjshme.

Arrestimi i personave të dyshuar për vepra penale nuk është vetëm një akt i zbatimit të ligjit, por një mesazh i qartë se askush nuk është mbi ligjin. Përmes profesionalizmit dhe përkushtimit të saj, Policia e Kosovës vazhdon të dëshmojë se lufta kundër kriminalitetit nuk njeh kompromis.

Mbi 300 raste sivjet me kancer të gjirit, përfshirë 3 burra

Statistikat tregojnë se 1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit. Prandaj, është jetike informimi dhe ndërgjegjësimi për kontrolle. Të dhënat e regjistruara sivjet, nuk dallojnë shumë nga ato të vitit paraprak.

Në Klinikën e Onkologjisë këtë vit janë regjistruar mbi 300 raste me kancer të gjirit, 3 prej tyre janë burra.

Me fillimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, janë shtuar thirrjet për të gjitha vajzat dhe gratë për kujdes të shtuar dhe kontrolle mjekësore për të parandaluar këtë sëmundje.

Diagnostikimi i hershëm, sipas drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, e bën më të lehtë trajtimin.

“Shumica nga këta diagnostikohen për fat të mirë, mbi 50 për qind në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes gjë që e bën më të lehtë dhe më të suksesshëm trajtimin e kësaj sëmundjeje”, theksoi Kurtishi.

Statistikat tregojnë se 1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit. Prandaj, është jetike informimi dhe ndërgjegjësimi për kontrolle. Të dhënat e regjistruara sivjet, nuk dallojnë shumë nga ato të vitit paraprak.

“Është një shenjë e mirë që këtë vit, për 9 muaj kemi regjistruar rreth 320-330 raste me kancer të gjirit, prej tyre janë 3 meshkuj, ky numër është i njëjtë me vitin 2024 dhe mbas këtij trendi ne mendojmë që edhe fundi i këtij viti do ta gjejë Kosovën me shifrat e njëjta pra të mos kalohet shifra prej 450-460 pacientëve të cilët për herë të parë kanë këtë sëmundje”, tha Kurtishi.

Kanceri i gjirit mbetet një sfidë serioze shëndetësore për gratë në të gjithë botën. Fushata gjatë gjithë tetorit ka për qëllim vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve që me vetëkontrolle e kontrolle të rregullta mund të bëjnë hapin e parë për shpëtimin e jetës./RTK

Rama- Muratit: I ke bllokuar të hyrat vetanake që i paguajnë qytetarët e kryeqytetit, dhe po flet a

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar ministrit në detyrë Hekuran Muratit ku ky i fundit tha se në Rama është ankuar për buxhet dhe se në secalin vit të qeverisjes janë me dhjetëra miliona euro që i kanë tepru të pashpenzume dhe i ka kthy mrapa.

Rama përmes një postimi në facebook ka akuzuar Muratin për bllokimin e të hyrat vetanake që i paguajnë qytetarët e kryeqytetit.

Ndërsa ka shtuar se e gjithë kjo për t’ia hapur rrugën kolegut tuaj që ka bllokuar çdo projekt transformues në Prishtinë dhe që në fund doli të kandidojë për Kryeqytetin, të njëjtin qytet që e ka blloku për 4 vjet.

Tutje ka sqaruar të gjithë buxhetin që nuk është shfrytëzuar gjatë qeverisjes së tij.

“35 milionë euro të bllokuara nga Ministria e Financave janë mjete të aprovuara në Ligjin e Buxhetit për vitin 2025, duke përfshirë Grantin Qeveritar dhe të hyrat vetanake. Mbajtja peng e këtyre mjeteve është e pajustifikuar dhe dëmton investimet dhe shërbimet për qytetarët.

28.6 milionë euro të bartura nga viti paraprak nuk janë kaluar në Kuvend për miratim për shkak të mosvotimit nga LVV dhe PDK, ndonëse ne kemi dërguar disa herë propozimin për miratim. Kjo ka shkaktuar vonesa dhe ka penguar realizimin e projekteve të planifikuara për Kryeqytetin.

Të hyrat nga Policia dhe Gjykatat për tremujorin e fundit të vitit, nuk mund të pranohen nga Komunat para datës 31 dhjetor. Kjo është praktikë ligjore dhe administrative që ka ekzistuar ndër vite dhe nuk ka të bëjë me vonesa nga Komuna.

Mosalokimi i mjeteve vetanake sipas ligjit nuk është vetëm pengesë administrative, por edhe shkelje KUSHTETUESE, sepse cenon autonominë financiare të Komunës së Prishtinës dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike cilësore.

Këto janë fakte që tregojnë qartë se pengesat nuk vijnë nga Komuna e Prishtinës, por nga vendimet e padrejta dhe të vonuara të Ministrisë së Financave dhe nga bllokimi politik në Kuvend”, ka shkruar Rama.

Rama është shprehur se ka kërkuar disa herë që të respektohet Ligji për Buxhetin dhe të zhbllokohen menjëherë mjetet e Komunës, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kryeqytetit