Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Murati: Neni i UA-së për veteranët ishte miratuar më 2015

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Supremja sot shfuqizoi një nen të udhëzimit administrativ për veteranët e UÇK-së.

Murati thotë se udhëzimi administrativ ishte miratuar në vitin 2015 dhe jo në qeverinë Kurti, teksa ka ftuar mediat të mos e prezantojnë si vendim të qeverisë aktuale.

“Në fakt, ishte pikërisht kryeministri Kurti ai që paralajmëroi se kufizimi i punësimit për veteranët e luftës së UÇK-së do të hiqet.

Çka parashihte neni i kontestuar i Udhëzimit Administrativ?

Ai nen parashihte që për të aplikuar për benefitin e veteranit të UÇK-së, ndër tjera duhej dorëzuar edhe dëshminë nga ATK që veterani nuk ishte i punësuar” u shpreh Murati.

Ky është postimi i plotë i tij:

Gjykata Supreme sot ka publikuar Aktgjykimin për shfuqizimin e një neni të një Udhëzimi Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, udhëzim ky i miratuar në vitin 2015 në kohën e Qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-LDK.

Pra nuk bëhet fjalë për shfuqizim të ndonjë Udhëzimi Administrativ të miratuar përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Prandaj ftoj edhe mediat të përmbahen nga raportimet tendencioze që gabimisht tentojnë ta prezantojnë këtë si vendim të Gjykatës që shfuqizon ndonjë akt nënligjor të Qeverisë Kurti.

Në fakt, ishte pikërisht Kryeministri Kurti ai që paralajmëroi se kufizimi i punësimit për Veteranët e Luftës së UÇK-së do të hiqet.

Çka parashihte neni i kontestuar i Udhëzimit Administrativ?

Ai nen parashihte që për të aplikuar për benefitin e Veteranit të UÇK-së, ndër tjera duhej dorëzuar edhe dëshminë nga ATK që Veterani nuk ishte i punësuar.

Pse e shfuqizoi Gjykata Supreme këtë nen të Udhëzimit Administrativ?

Sepse Gjykata e konsideroi që bie ndesh me Nenin 16A të Ligjit të ndryshuar/plotësuar për Veteranët e Luftës së UÇK-së. Ky ndryshim/plotësim ishte bërë në vitin 2017, poashtu gjatë kohës kur vendi qeverisej nga koalicioni PDK-LDK.

Neni 16A parashihte kategorizimin e Veteranëve në tri kategori, sipas periudhës së pjesëmarrjes në luftë, dhe pas përfundimit të këtij kategorizimi parashihte edhe mundësinë që Veteranët që punonin jashtë sektorit publik të mund të përfitojnë 50% të shumës së benefitit sipas kategorisë përkatëse.

Interpretimi mbizotërues i deritanishëm në lidhje me këtë paragraf që mundëson përfitimin e benefitit edhe për ata që punojnë jashtë sektorit publik ka qenë që, parakusht i zbatimit të këtij paragrafi është përmbyllja e kategorizimit të Veteranëve sipas paragrafit 4 të nenit në fjalë.

Ne do të analizojmë me zyrën ligjore në MFPT nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik, edhepse kategorizimi i paraparë sipas Nenit 16A nuk është bërë deri më tani, apo nëse ka nevojë për ndryshime ligjore shtesë të cilat edhe ashtu kanë qenë në plan.

Sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë.

KQZ-ja pa buxhet për zgjedhje të jashtëzakonshme, Elezi: Do të kërkojë fonde për organizimin e tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i duhet të kërkojë buxhet nga Qeveria e Kosovës nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare pas dështimit të formimit të Qeverisë po shihet si një rrugë e pashmangshme, por për organizimin e tyre institucioni i zgjedhjeve nuk ka buxhet në llogari.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonline se në raste të tilla kur ndodhin zgjedhje të paplanifikuara, ky institucion do të veprojë si në rastet e kaluara.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, nëse do ketë zgjedhje, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi.

Në anën tjetër, Elezi ka treguar se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për të përmbushur mandatin kushtetuese nëse do të shpallen zgjedhjet.

“Lidhur me diskutimet për zgjedhje të reja për Kuvendin e Kosovës, KQZ ka bërë të ditur qëndrimin se ashtu siç kemi thënë çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi.

Ai kujtoi se aktualisht KQZ është e angazhuar në përmbyllen e zgjedhjeve të 12 tetorit dhe organizimin e raundit të dytë.

“Aktualisht, KQZ është duke u angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe duke zhvilluar përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave që do të mbahet më 9 nëntor”, tha ai.

AAK e VV bëhen bashkë në Junik, Nezir Kraki “dëshmitar” i marrëveshjes

Të nderuar qytetarë Junikas,
Sot, në Junik, kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Kjo marrëveshje është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat në dobi të qytetarëve tanë, me synimin për të krijuar një qeverisje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme.
Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak.
Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt një kulture të re bashkëpunimi politik në komunën tonë — një bashkëpunim që ka në qendër të vetmin qëllim: zhvillimin dhe mirëqenien e Junikasve.
Me këtë marrëveshje, ne po dëshmojmë se kur ka vullnet dhe vizion të përbashkët, bashkimi bëhet për të mirën e përbashkët.
Me respekt
Leonard Llolluni
Kryetar i degës së AAK-së në Junik

Dëshmia e Gjeneralit: Për çka do të flasë Wesley Clark në Hagë?

Clark pritet të fillojë dëshminë me 18 ose 19 nëntor.

Nën prezencën e përfaqësuesve të Pentagonit e Departamentit Amerikan të Shtetit, ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, kishte dhënë intervistë 11 faqëshe për avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit.

Siç bëhet e ditur përmes një shkrese të mbrojtjes, kjo intervistë e tij do të elaborohet më gjerësisht dhe do të përdoret si provë edhe në dëshminë e tij që do ta jap fizikisht në gjykatoren e Hagës, në anën e UÇK-së.

Ndër shumë çështje, Clark aty flet për 78 ditët e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999, intervenim ky që çoi në kapitullimin final të Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.

Dëshmia e Clark do të orientohet gjithashtu në përshkrimin e përpjekjeve të NATO-s për zbatimin e marrëveshjes mes Richard Holbrook e Slobodan Millosheviq të tetorit të vitit 1998.

Pjesë qendrore e rrëfimit të Clark janë edhe ndërveprimet që ai ka pasur me UÇK-në si dhe delegacionin e Kosovës në Rambuje, e posaçërisht me Hashim Thaçin. Siç sqarojnë avokatët, ai paraqet vëzhgimet dhe përshtypjet e tij lidhur me mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së, si dhe mungesën e çdo komande apo kontrolli funksional.

Përveç të tjerash, ai sqaron edhe mungesën e kontrollit që Hashim Thaçi kishte mbi UÇK-në, të cilin e përshkruan si “figurë politike pa përvojë ushtarake”, që “ishte e padrejtë që sjelljet e gabuara të të tjerëve t’i atribuoheshin atij”.

Clark në intervistimin e tij fillestar ka mohuar se krerë të UÇK-së kanë qenë të përfshirë në përpjepje për koordinim të sulmeve kundër civilëve serbë apo pakicave tjera në verën e vitit 1999, pas çlirimit të Kosovës.

Dëshmia 11 faqëshe e Clark do të detajohet përgjatë ditëve të nëntorit kur ai do të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes, prokurorisë dhe gjykatësve për rrethanat e përshkruara nga vetë ai.

Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.

Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.

Osmani takon në Riad princin e Jordanisë, zotohen për thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, po qëndron në Riad ku ka zhvilluar një takim të frytshëm me Princin e Kurorës së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Lartmadhërinë e Tij Hussein bin Abdullah al-Hashimi.

Në njoftimin e saj, Osmani shkroi se Kosova dhe Jordania gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, të bazuara në miqësi, mirëbesim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

“Gjatë takimit, konfirmuam gatishmërinë për thellimin e partneritetit dhe diskutuam mënyrat për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, përfshirë mbrojtjen, tregtinë dhe teknologjinë e informacionit (ICT)”, ka shkruar Osmani

Kliko ketu per postimin e plote

Gjykata Supreme shfuqizon nenin e udhëzimit administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve: L.S.,N.Q.,T.S., dhe S.M., të paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), dhe ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 14.A, par.1, nënpar.5 të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025 (MPMS) për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr.06/2012 për Procedurat e Aplikimit në Skemën e Pensioneve dhe Beneficioneve të Përcaktuara në Ligjin nr.04/L-054 për Statutin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, Ligji Nr.04/L-172 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054 për Statutin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, dhe me Ligjin Nr.04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më datë 09.10.2015.

Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor.”
Nga interpretimi i kësaj dispozite, Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.

Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.

Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore. Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj.