Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Arrestohen katër shtetas turq në Fushë Kosovë, kapen me sasi të madhe narkotikësh

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm në Fushë Kosovë, duke arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas raportit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur më 28 tetor 2025, rreth orës 18:15, kur gjatë kontrollit në vendbanimet e të dyshuarve – të gjithë shtetas të Turqisë – janë gjetur dhe sekuestruar: 1482 gram substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, 590 euro para të gatshme, 8 telefona mobil, një automjet (furgon), një laptop, si dhe disa gjësende të tjera që lidhen me rastin.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë

Tjetërsim i pronave në zonën e Lezhës, lëshohen 9 urdhër-arreste, mes tyre zyrtarë dhe policë

9 urdhër-arrest janë lëshuar në Lezhë, pasi akuzohen për tjetërsim pronash.

Mes personave që është kërkuar arresti janë zyrtarë publik dhe policë.

Me urdhër të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës, deri më tani janë ndaluar disa persona.

Bëhet fjalë për një hetim të nisur kohë më parë. Ende nuk ka detaje dhe emra të personave të përfshirë.

Kërkohen zgjidhje të mundshme ligjore, a mund të miratohet buxheti pa qeveri të re?

Më 26 tetor Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedh Qeverinë e re të Kosovës. Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti prezantoi kabinetin qeveritar, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë e re.

Mungesa e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, po rrezikon që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.

Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026, sipas vlerësimeve të deputetëve dhe ekspertëve, mund të çojë në pezullim të pagesave publike dhe të investimeve kapitale.

Pas dështimit për votimin e Qeverisë së re të dielën, tani përgjegjësia ka kaluar tek Presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet t’i ftojë partitë politike për konsultime. Në konsultat që do t’i ketë, Osmani do të të theksojë edhe rëndësinë e miratimit të buxhetit dhe Planit të Rritjes.

Kështu ka thënë të martën për gazetën online Reporteri.net këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kupina.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë të hënën ka komentuar çështjen e projektbuxhetit 2026, i cili tha se Ligji për Qeverinë i mundëson këtij ekzekutivi në detyrë të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës, ani se sipas tij, nuk do të thotë se puna mbaron aty.

Kurti tha se vendi nuk mund të ecë përpara pa këtë ligj.

Megjithatë, ai tha se rrethanat djeshme në seancën e jashtëzakonshme, ka të panjohura për rrugën përpara sa i përket buxhetit.

“Një vend pa buxhet, është një vend i cili nuk mund të ecë përpara. Ne kemi të drejtë që ta propozojmë buxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës në bazë të ligjit për Qeverinë, mirëpo në të njëjtën kohë do të na duhet të bëjmë shumë konsultime me juristët në mënyrë që të shohim se si është rruga përpara, meqenëse fakti që Qeveria miraton një propozim buxhet për vitin 2026, kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar, por vetëm sa ka filluar. Nuk janë ende komisionet parlamentare në Kuvend dhe gjithashtu cili do të ishte ai buxhet i cili do ta kishte mazhorancën prej 61 deputetëve, sepse në dy lexime do t’i duhet që të kalojë në kuvend në të cilin sic e pamë dje, qeveria ose kabineti që propozova unë i mori 56 vota. Kështu, ka shumë të panjohura për rrugën përpara dhe dita e djeshme i ka shtuar ato”, tha ai.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se nuk mund të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe buxheti si i tillë nuk mund të hyjë në rend të ditës pa u zgjedhur një qeveri e re.

Kështu ka deklaruar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Nuk mund të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe buxheti si i tillë nuk mund të hyjë në rend të ditës pa u zgjedhur një qeveri e re. Për atë arsye unë jam e hutuar me mungesën e urgjencës nga ana e presidentes, ajo do të duhej të ishte këtu që ditën e hënë t’i ftonte partitë politike në takim. Po e ripërsëris që shteti pos tjerash është edhe procedura, jo thjesht si formë por si instrument i ndarjes së pushteteve, kështu që në këto rrethana unë nuk e di sa do të ishte e mundur”, potencoi ajo në RTV 21.

Në një letër drejtuar Osmanit, 21 organizata të shoqërisë civile thanë se mungesa e buxhetit të ri do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë.

“E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike. Ne besojmë se përvoja, autoriteti dhe roli juaj unifikues si presidente mund të jenë përcaktues për të shmangur një krizë që do të prekte shumë familje në Kosovë”, thuhet në letër.

Këto organizata i propozuan presidentes, siç thanë, disa “rrugë të mundshme ligjore dhe të zbatueshme”.

Ato kërkojnë që Qeveria në detyrë ta dorëzojë në Kuvend projektligjin e buxhetit për vitin 2026, apo Kuvendi i tanishëm të paktën ta votojë një zgjatje të buxhetit të tanishëm deri në fund të muajit mars 2026.

Sipas Albert Krasniqit nga organizata Demokraci Plus Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.

“Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë. Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar”, shkroi ai.

Ai tha se duhet të bëhet i qartë dallimi mes Qeverisë në dorëheqje dhe Qeverisë në detyrë, duke shpjeguar se Qeveria në dorëheqje është ajo që gjatë mandatit të saj, pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit, vazhdon të ushtrojë funksionet deri në formimin e qeverisë së re, duke pasur ende Kuvend funksional, komisione të themeluara dhe kanale komunikimi Qeveri–Kuvend.

Ndërsa, sipas tij, Qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.

“Prandaj, sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë”, shtoi ai.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj Qeverie në detyrë.

“Qeveria në dorëheqje i referohet një qeverie që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar, e që vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, dhe jo në rastet kur Qeverisë i ka përfunduar mandati. Në rastin konkret, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj”, shkroi ai.

NLigji për Buxhetin e vitit 2026, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike do të duhej të dorëzohej në Kuvend më së largu më 31.10.2025 nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Kurti përfaqëson sot Kosovën, në Forumin e Paqes në Paris

Sot fillon Forumi i Paqes në Paris, një ngjarje ndërkombëtare vjetore që mbahet në Paris, e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në këtë forum, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit.

Ndërkaq, mbrëmë ishte i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.

Po ashtu Kurti zhvilloi një takim me Institutin Jacques Delors, një institut të respektuar me seli në Paris, i themeluar nga vetë Jacques Delors – një nga arkitektët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian – për një diskutim mbi gjeopolitikën dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

“E shfrytëzova këtë mundësi për të theksuar nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë ndaj zgjerimit të BE-së, si çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve të tanishme gjeopolitike. Diskutuam gjithashtu për investimet e Kosovës në mbrojtje, mbrojtjet kushtetuese dhe praktike të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe për lidhjen e pandashme midis agjendave ekonomike dhe parimeve demokratike”, deklaroi Kurti, pas takimit.

Mjeku në Vushtrri që u arrestua për ryshfet, kërkonte nga 10 deri në 50 euro për raporte mjekësore

Njësitë relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, kanë arrestuar një mjek në Vushtrri me inicialet A.V., nën dyshimin për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas raportit zyrtar, arrestimi është kryer më 28 tetor 2025, pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari, në cilësinë e mjekut, kërkonte dhe pranonte shuma nga 10 deri në 50 euro nga pacientët në këmbim të raporteve për pushime mjekësore.

Pas arrestimit, mjeku është intervistuar në prani të prokurorit të rastit, i cili ka vendosur masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur nëse në rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë./