Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Prokuroria s’e kundërshton pranimin e deklaratës së Clark-ut: Përmban prova me opinione që lidhen me çështje të rëndësishme

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një parashtrese ka thënë se në parim nuk kundërshton që deklarata e Gjeneralit Wesley Clark të pranohet në prova materiale për sa kohë ajo i plotëson kërkesat sipas Rregullës 154.

Po ashtu, në parashtresën e prokurorisë, theksohet po ashtu se nuk e kundërshtojnë as ndryshimin e listës së provave të mbrojtjes së Thaçit në mënyrë që të përfshihet edhe kjo deklaratë e po ashtu as masat e propozuara sipas Rregullës 107.

Në përgjigje të kërkesës së mbrojtjes lidhur me këto pika, prokuroria thotë se nga fakti që deklarata e propozuar e Clark-ut përmban prova me opinione që lidhen me çështje të rëndësishme, ata nuk e kundërshtojnë pranimin e saj sipas Rregullës 154.

Megjithatë, prokuroria vlerëson se nëse ky material pranohet, duhet kujdes i duhur në vlerësimin e peshës së kësaj dëshmie.

“Për arsyet e mësipërme, ZPS-ja nuk kundërshton: (i) pranimin e provave të propozuara në Kërkesë, me kusht që të plotësohen kriteret e Rregullës 154; (ii) kërkesën për ndryshimin e listës së provave; ose (iii) masat e propozuara të Rregullës 107”, thuhet në parashtrimin e prokurorisë.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-s dhe pas 20 qershorit të 1999-s.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Zogaj, Muratit: Burokracia qendrore që po e mban peng zhvillimin e Prishtinës

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj i është përgjigjur ministrit në detyrë Hekuran Murati për deklaratën e tij për “paratë e tepruara të Prishtinës”.

Zogaj ka thënë se në financat publike nuk ekziston koncepti i “parave të tepruara”, kur ato janë të ndara për projekte konkrete.

“Deklaratat e ministrit të Financave për “paratë që i kanë tepruar Prishtinës ndër vite” janë mashtruese dhe të pavërteta.
Në financat publike nuk ekziston koncepti i “parave të tepruara”, kur ato janë të ndara për projekte konkrete. Çdo euro në buxhetin e Komunës se Prishtinës është e planifikuar sipas projekteve, kontratave, procedurave dhe fazave të zbatimit.
Nëse një projekt nuk ekzekutohet brenda vitit, mjetet barten me vendim të Ministrisë së Financave në vitin pasues, praktikë e rregullt ligjore dhe e domosdoshme për projekte shumëvjeçare si rrugët, ndriçimi publik, apo parqet.
Në të vërtetë, pikërisht Ministria e Financave ka vonuar bartjen e këtyre mjeteve, duke penguar përparimin e projekteve në kohë. Nuk është komuna ajo që “i lë paratë pa i shpenzuar”, por burokracia qendrore që po mban peng zhvillimin e Prishtinës për motive politike.
Në vend se të manipulojë opinionin, ministri duhet të sqarojë pse ka bllokuar buxhetin dhe bartjen e fondeve të Prishtinës”, shkruan Alban Zogaj në reagim

Osmani dhe zyrtarët sauditë flasin për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2030

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad është takuar me guvernatorin e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, Yasir Al-Rumayyan, si dhe kryeshefin ekzekutiv të EXPO 2030 Riad, Talal Almarri.

Pas vizitës, Osmani shkroi:

Gjatë vizitës në Riad, kam takuar guvernatorin e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, Yasir Al-Rumayyan, si dhe kryeshefin ekzekutiv të EXPO-s 2030 Riad, Talal Almarri.

Në këto takime të ndara, diskutuam për investime strategjike, projekte zhvillimore dhe pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2030 që do të mbahet në Riad, ku vendi ynë do ta ketë mundësinë ta prezantojë potencialin e jashtëzakonshëm në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

OVL e UÇK-së paralajmëron protestën e radhës, në përkrahje të ish-krerëve të luftës

Protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, më 16 nëntor.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, derisa kërkoi pjesëmarrje masive në protestë theksoi nevojën për drejtësi.

“Kemi vendosur që protestën e radhës ta organizojnë më 16 nëntor para Asambalesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg”, tha ai në konferencë për media të mërkurën.

Kujtojmë se protesta e fundit në përkrahje të ish-krerëve që po gjykohen në Hagë ishte në Tiranë, më 17 tetor.