Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Rudolph dhe Maqedonci flasin për kapacitetet aktuale të FSK-së

Ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, u takua sot me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Rudolph u prit nga Maqedonci në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, teksa bashkë biseduan rreth çështjeve aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, shkruan IndeksOnline.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, si edhe besimin e thellë që ky bashkëpunim dhe me ambasadorin Rudolph do të vazhdojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dy shtete që ndajmë interesa të përbashkëta”, u shpreh Maqedonci.

Ky i fundit e njoftoi Rudolph për kapacitetet aktuale të FSK-së, po ashtu.

Ky është postimi i plotë i tij:

Ishte kënaqësi që sot të pres në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Në këtë takim diskutuam mbi situatën e sigurisë në vend, për stabilitetin e sfidat e vendit dhe rajonit në një periudhë sfiduese për sigurinë, ndërsa e informova dhe për kapacitetet aktuale të FSK-së.

Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, si edhe besimin e thellë që ky bashkëpunim dhe me ambasadorin Rudolph do të vazhdojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dy shtete që ndajmë interesa të përbashkëta.

Spiunja serbe në Kosovë mbetet prapa grilave në Kroaci, medium kroat jep detaje!

Gjykata e Qarkut në Split ka refuzuar kërkesën për lirimin nga paraburgimi të Ana Murganiq, ish-punonjëse e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, e cila dyshohet për përfshirje në një aferë spiunazhi që ka tronditur Ministrinë kroate të Mbrojtjes (MORH).

24sata.hr raporton se kërkesa e mbrojtjes është rrëzuar për shkak të rrezikut të arratisjes, ndërsa partneri i saj, ish-pjesëtar i kontingjentit kroat në misionin KFOR në Kosovë është liruar, transmeton Indeksonline

Hetimet kanë zbuluar se gjatë kontrollit të telefonave të tyre, është gjetur komunikim që tregon për transmetim të informacioneve të ndjeshme ushtarake drejt përfaqësuesve politikë serbë.

Dyshohet se A.M. ka marrë nga partneri i saj të dhëna për lëvizjet dhe planet e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat më pas i ka përcjellë drejt strukturave të “Listës Serbe”, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që bashkëpunon ngushtë me Beogradin.

Hetuesit kanë evidentuar të paktën katër raste të rrjedhjes së informacionit sekret, përfshirë ato që lidhen me tensionet në Zubin Potok dhe arrestimin e ish-policit kosovar Dejan Pantiq në dhjetor 2022.

Burime të tjera tregojnë se A.M. kishte punuar më parë në misionet EULEX dhe UNMIK, ku kishte krijuar kontakte me zyrtarë gjyqësorë dhe figura politike serbe.

Ajo do të mbetet në paraburgim deri në përfundim të fazës hetimore, ndërsa autoritetet kroate nuk përjashtojnë zgjerimin e hetimeve ndaj personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e dyshuar të spiunazhit.

Përparim Rama: Koalicioni ynë është me qytetarët

Kandidati për kreytar të Komunës së Prishtinës, njëherit edhe kryetar, Përparim Rama i pyetur për ndonjë koalicion të mundshëm, ka thënë se i vetmi koalicion i tyre është me qytetarët. Ai më tej ka deklaruar se është në mesin e një procesi transformues të kryeqytetit, i cili, sipas tij, kërkon edhe një mandat të dytë për t’u përmbyllur plotësisht. Ai tha se programi qeverisës që ka nisur është afatgjatë dhe kërkon vazhdimësi për të realizuar projektet që tashmë janë në zhvillim.

“Kemi pasur takime me të gjithë, unë po them edhe publikisht – i kam kërkuar të gjithëve që t’i bashkohen vizionit tonë transformues. Kërkesa ime qysh para katër vjetësh ka qenë një proces tetëvjeçar transformues, programi ynë është tetëvjeçar. Kemi ardhur tash në mes me projekte transformuese në kryeqytet. Jemi duke punuar në të gjitha pjesët, në të gjitha sferat, dhe tash kërkojmë edhe mandatin tjetër katërvjeçar që ta rrumbullakojmë transformimin e kryeqytetit”, tha Rama.

I pyetur nëse ka diskutuar me ndonjë parti politike në Prishtinë për të lidhur ndonjë koalicion për balotazhin, Rama theksoi se vizioni i tij është i hapur për të gjithë qytetarët që besojnë në zhvillimin e kryeqytetit.

“Koalicion me qytetarët dhe të gjithë ata që besojnë në vizionin tonë”, u shpreh ai.

FSK-ja gati për çdo mision, veshmbathje të re për ekipet e kërkim-shpëtimit

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që shërbejnë në njësitë e kërkim-shpëtimit do të pajisen me veshmbathje të re.

Ministria e Mbrojtjes ka finalizuar ditë më parë kontratën e radhës për furnizim, duke përmbyllur procedurat e tenderit për këtë qëllim, transmeton IndeksOnline.

Dikasteri që udhëhiqet nga ministri Ejup Maqedonci ka nënshkruar kontratën për furnizimin me veshmbathje për ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së, përfshirë njësinë K9 (SUFSK 1001).

Sipas njoftimit zyrtar, kohëzgjatja e kontratës është paraparë të jetë 36 muaj, ndërsa furnizimi do të bëhet në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit.

Qëllimi i kontratës, siç theksohet, është rritja e operacionalitetit dhe efikasitetit të FSK-së në përmbushjen e misionit të saj.

Fillimisht, vlera e parashikuar e kontratës ishte 105,000 euro, por pas përfundimit të procedurave të prokurimit, kontrata u nënshkrua për shumën 103,910 euro.

Tenderi është fituar nga operatori ekonomik “Sodex Group Sh.P.K.”, që do të jetë përgjegjës për realizimin e furnizimeve gjatë periudhës trevjeçare.

“Kemi pasur konflikte”, dëshmitë e stafit të lokalit nxjerrin “zbuluar” autorin e vrasjes së kolegut/ Gjithçka nisi për pjatën e proshutës, më pas…

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me dëshminë e 41-vjeçarit Filip Shehu, autorit të vrasjes së kolegut në orarin e punës.

Ai ka deklaruar se konflikti ka qenë i çastit vetëm për punën, por ka shtuar se kanë pasur marrëdhënie konfliktuale të gjata me të.

Gazetarja e Top Channelit, Dorjana Bezat, mëson se dëshmia bie ndesh me stafin tjetër të lokalit, i cili ka deklaruar se viktima Indrit Ismailllari, nuk ishte një njeri problematik dhe nuk grindej me asnjë njeri.

Viktima prej 5 vjetësh ishte pjesë e këtij restoranti, ndërsa autori ishte pjesë e stafit prej disa muajsh.

Nuk kanë pasur debate të ashpra, teksa autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi duke treguar se “ndjehesha i kërcënuar, cënuar, kishim konflikte të vazhdueshme”, por kjo gjë nuk konfirmohet nga stafi i biznesit.

Sa i përket dinamikës së ngjarjes, gjithçka ka nisur për një proshutë. Autori kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën viktima i ka thënë të mos e marrë.

Fillimisht kanë nisur një debat verbal e më pas Filip Shehu ka marrë thikën dhe e ka goditur në qafë, duke i prekur arterien kryesore. Kjo plagë i mori edhe jetën 34-vjeçarit.

Autori, ka qëndruar i qetë duke pritur policinë, ndërkohë që pritet t’i bëhet një ekzaminim psikologjik. Ai ka probleme sociale, prej muajsh jetonte i vetëm dhe kishte probleme me familjen.

34-vjeçari Indrit Ismaillari, kamerier në lokalin në zonën e Komunës së Parisit, ka mbetur viktimë pasi është goditur me thikë nga Filip Shehu, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes.

Kryeziu i cilëson të palogjikshme koalicionet në balotazh mes partive që armiqësohen në qendër

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i ka cilësuar pazare dhe të palogjikshme disa koalicione që po arrihen në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

“Koalicionet për komuna po bëhen kush me kë po mundet — varësisht prej pazareve. Komunat janë nivel tjetër i qeverisjes, pajtohemi. Por partitë nuk mund ta ndajnë me thikë qeverisjen kombëtare nga ajo lokale. Cila është logjika politike nëse në nivelin kombëtar përçahen, armiqësohen dhe nxisin pothuaj përplasje civile, ndërsa në nivel lokal sillen sikur janë bashkëpunuese “për të mirën e qytetarit”, ka shkruar Kryeziu në Facebook. “Nuk mund t’i lësh qytetarët një vit pa institucione, pa kuvend e pa qeveri funksionale, e pastaj të thuash se në komuna po bashkëpunojmë për nevojat e tyre. Sepse edhe në nivel kombëtar politika bëhet për të njëjtët qytetarë. Nuk bëhet për kunguj”!

Në disa komuna janë arritur tashmë marrëveshje mes subjekteve që synojnë të marrin nën udhëheqje komunat në raundin e dytë. Në disa raste janë arritur koalicione mes subjekteve që në muajt e fundit kanë refuzuar të bashkëpunojnë në nivelin qendror. Të martën, u zyrtarizua koalicioni VV-AAK në Prizren dhe Junik. Po ashtu është arritur ditë më parë edhe koalicioni PDK-LDK në Fushë-Kosovë. Ndërsa LDK-ja nuk e miratoi një marrëveshje të kandidatit të saj në Vushtrri me kandidatin e VV-së.

E të dielën, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti dështuan në formimin e qeverisë pasi nuk arritën asnjë marrëveshje me partitë tjera për të siguruar shumicën në kuvend. Partitë opozitare po ashtu kanë mohuar mundësinë e një koalicioni për të marrë mandatarin e dytë.

Balotazhi mbahet më 9 nëntor.