Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Zgjedhjet, opsion i vetëm sipas analistëve

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po e vazhdon vizitën në Riad, me t`u kthyer në Kosovë, i bie t`i presë në takim liderët e partive politike në konsultime. Takimi i saj vjen pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, që t`i marrë votat e mjaftueshme për ta krijuar qeverinë. Tani presidentja Osmani e ka edhe një javë kohë, sipas diskrecionit të saj, nëse do të vendosë për mandatarin e dytë. Por, njohësit e zhvillimeve politike, zgjedhjet e jashtëzakonshme po i shohin të vetmin opsion.

Njohës të zhvillimeve politike theksojnë se bashkëqeverisja dhe partneriteti ndërmjet partive politike janë të domosdoshme për një bashkëqeverisje të qëndrueshme.

“Me gjasë zgjedhjet janë opsioni i vetëm që kanë mbetur, nuk do kemi një rezultat ndryshe nga kjo çfarë kishte ndodhur muaj më parë, nuk është arritur diçka për të përmbysur rezultatet e pritshme që do t’i kemi në vijim”, dekalroi analisti Dorajet Imeri.

“Besoj që bashkëqeverisja, partneriteti duhet t’i shtyjnë partitë politike të reflektojnë. Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet lokale po përfundojnë dhe diskursi polarizues i aplikuar së fundmi të zvogëlohet në mënyrë që të krijohen kushtet për një bashkëqeverisje stabile”, tha ai.

Hulumtuesit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi po ashtu i shohin zgjedhjet e reja si opsion të vetëm duke pasur parasysh mungesën e vullnetit politik nga partitë e tjera për formim të qeverisë.

“U pa edhe nga partitë e tjera opozitare të legjislaturës së 8-të, nuk janë të interesuar të formojnë një bashkësi politike prej këtyre partive në mënyrë që ta marrin mandatin nga ana e presidentes. U pa qartë që nuk ka vullnet politik edhe nga partitë PDK, LDK, AAK, Nisma që të ketë një qeveri tjetër për të cilën do mblidheshin të shkonin te presidentja dhe t’i thonë se i kemi 61 nënshkrime ose numrat e mjaftueshëm që presidentja me ua dhënë mandatin”, pohoi Naim Jakaj nga IKD.

Presidentja e shtetit Vjosa Osmani, e ka në diskrecionin e saj që ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh, sipas afatit kushtetues./rtk/

Policia kap mbi 200 kg drogë në dalje të Prishtinës

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është arrestuar S.J., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Në një komunikatë të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës thuhet se i dyshuari S.J., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në kamionin që e po drejtonte i është gjetur dhe sekustruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet të jetë mbi 200 kg.

Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

S.J., me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ritheksojnë angazhimin e tyre të vazhdueshëm në luftimin e kësaj dukurie, përmes ndjekjes penale të të gjithë kryesve të mundshëm të veprave penale ”, thuhet në njoftim./

Zbulimi i mbetjeve mortore në veri, dyshohet se janë nga periudha e luftës

Disa familjarë ishin duke e hapur një varr të ri te varrezat myslimane në Mitrovicën e Veriut, kur aksidentalisht zbuluan mbetje skeletore.

Nuk vonuan shumë dhe përgjegjësit e mirëmbajtjes së varrezave në bashkëpunim me qytetarët informuan policinë e Kosovës.

E menjëherë pas marrjes së informacionit në vendngjarje dolën zyrtarë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Dyshimet e para janë se këto mbetje mortore i takojnë periudhës së luftës.

“Vendndodhja e tyre dhe mënyra se si ishin varrosur këto mbetje kockore lë përshtypjen se mund t’i përkasin luftës së fundit. Ne tashmë kemi bërë tërheqjen e mbetjeve, dhe sipas analizave të para, mund të themi se bëhet fjalë për një individ. Ato janë dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku së shpejti do të fillojë ekzaminimi mjeko-ligjor dhe më pas marrja e mostrave për analizë të ADN-së”, tha Valon Hyseni – ekspert mjekoligjor.

Eksperti mjeko-ligjor, tregon se janë duke kryer gërmime edhe në disa zona të tjera brenda territorit të Kosovës.

“Sot kemi qenë në gërmime në fshatin Lismir të Komunës së Fushë Kosovës, por fatkeqësisht nuk kemi hasur në mbetje mortore. Ju e dini se javën e kaluar kemi pasur gjetje në varrezat e lagjes Hajvali në Komunën e Prishtinës, dhe ky proces ende nuk ka përfunduar”, shprehet Hyseni.

Sipas Hysenit, sfidat kryesore në procesin e kërkimit lidhen me mungesën e burimeve të sakta të informacionit, pasi ka kaluar një kohë e gjatë nga përfundimi i luftës. Shumë dëshmitarë tashmë nuk jetojnë, ndërsa disa të tjerë e kanë harruar vendndodhjen e trupave.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, mbi 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur./teve1/

Osmani nga Riadi: Njohja nga Siria nuk erdhi brenda natës, do të ketë shumë lajme të mira në muajt në vijim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas vendimit që Siria mori për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ka paraljmëruar se do të ketë “lajme tjera të mira për Kosovën”.

Ajo ka thënë se të gjithë atë që kanë pyetur se pse ndodhet në Arabinë Saudite në këtë kohë, tash e kanë përgjigjen.

E para e vedit ka thënë se në këtë vizitë përveç forcimit të partneritetit me Arabinë Saudite dhe finalizimin e njohjes nga Siria, ka zhvilluar takime me zyrtarë të shteteve tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe siç ka thënë ajo frytet tjera të kësaj vizite do të shihen në të ardhmen.

“E di se shumë kanë pyetur pse jeni në Riad në këto momente, tash besoj e dini pse, ka qenë një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme një vizitë që ka fuqizuar partneritetet tona në radhë të parë me Arabinë Saudite por tani edhe me njohjen nga Siria, por edhe shumë shtete që kemi takuar, përfshirë edhe ato jo-njohëse dhe rezultatet e gjitha këtyre diskutimeve do t’i shihini në të ardhmen”, ka thënë Osmani në një deklarim që e ka bërë në Facebook.

Osmani ka thënë se njohja e Kosovës nga Siria është një lajm i jashtëzakonshëm . Ky akt i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe akti i njohjes ndërmjet Kosovës dher Sirisë, siaps Osmanit është më shumë se sa njohje e sovranitetit shtetëror , është njohje e sakrificës së gjatë të popujve tanë për liri dhe shprehje e përkushtimit tonë të fortë që të punojmë bashkë me Sirinë që të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit.

“Sot sollëm lajmin e mirë për Kosovën, që Siria e ka njohur Republikën tonë. Êshtë lajm i jashtëzakonshëm sepse bënë bashkë dy shtete në krijimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ndërshtetërore. Dy shtet eqë kanë buajtur shumë nga luftrat e tmerrshme, dy shtete që kanë humbur shumë. Dy shtet që kanë sakrifikuar shumë dhe n]ë qoftëse është një popull që e ka njohur vërtetës akrificen e popullitë së sirisë për liri, është populli i Kosovës”, ka thënë Osmani.

“Sot ky akt i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe akti i njohejs ndërmjet Kosovës dher Sirisë , është më shumë se sa njohje e sovranitetit shtetëror , është njohje e sakrificës së gjatë të popujve tanë për liri dhe është shprehje e përkushtimit tonë të fortë që të punojmë bashkë me Sirinë që të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit”, ka thënë Osmani.

Gruda: Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të procedojë buxhetin në Kuvend

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar vendimin e qeverisë në detyrë për të dërguar projektbuxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se kjo është jashtë kompetencave ligjore.

“Buxhetin kjo qeveri nuk ka drejtë me procedu në Kuvend të Kosovës sepse kjo është qeveri në detyrë dhe jo qeveri në dorëheqje. Ministri i Financave e di këtë shumë mirë, mirëpo ka vendosur ndryshe. Jemi në një moment kur Kushtetuta dhe ligji nuk llogariten fare në veprimet e Qeverisë së Kosovës,” ka deklaruar Gruda në Debat Plus.

Ai ka shtuar se qeveria aktuale, si qeveri në detyrë, nuk ka të drejtë të procedojë ligje apo dokumente në Kuvend, dhe ka aluduar se dërgimi i buxhetit mund të ketë edhe motive elektorale.

“Nuk ka drejtë të procedojë ligje në Kuvend as dokumente tjera as të ketë ndonjë kontakt me Kuvendin aktual të Kosovës. Për me dërgu këtë buxhet është përmes një ligji kështu që kjo qeveri nuk ka drejtë ta bëj këtë, nuk e di pse insistojnë. Ka mundësi që këta e bëjnë këtë, premtojnë najsen në atë buxhet me i josh njerëzit për vota, edhe thonë se opozita nuk e votojë”, ka deklaruar deputeti Gruda në Debat Plus.

Nga debati në polici, eskalon situata mes kandidatëve për kryetarë të Vushtrrisë

Gjatë mbrëmjes së djeshme ka ndodhur një incident mes dy kandidatëve për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sylejman Mehollit të VV-së.

Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga Ferit Idirizi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Ai është shprehur se pas një debati të zhvilluar në RTV Dukagjini me Jeta Xharrën, ka qenë objekt i një kërcënimi.

Më tutje ai tha se tashmë rasti është paraqitur tek organet kopetente.

Postimi i plotë:

Pas debatit të sotëm në RTV Dukagjini me Jeta Xharrën, kam qenë objekt i një kërcënimi nga kandidati tjetër.

Bashkë me dëshmitarët tjerë, sapo kemi dhënë dëshminë në stacionin e policisë në Prishtinë. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse.

E dënoj këtë akt dhe ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh.

Unë do të vazhdoj të përfaqësoj secilin qytetar me përgjegjësi dhe dinjitet.

Faleminderit nga zemra për secilën thirrje dhe mesazh!