Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Rajoni

Njohja e Kosovës nga Siria, ambasadori i Gjermanisë përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani, dhe popullin kosovar, për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Siria.

Pos tjerash, përmes një postimi në “Blusky”, ambasada gjermane thotë se janë të lumtur për këtë dinamikë të re njohjesh për Kosovën.

“Jemi shumë të lumtur me këtë dinamikë të re pasi është njohja e tretë këtë vit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, të mërkurën Siria u bë shteti i 120-të që njeh sovranitetin e Kosovës.

Aksion i antidrogës në Pejë/ Arrestohen tre persona për kultivim narkotikësh në Sverkë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Luftimin e Narkotikëve, ka ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion policor që rezultoi me arrestimin e tre personave të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, transmeton portali IndeksOnline.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është vazhdim i hetimeve të rastit të koduar “Vera 2024”, që lidhet me plantacionet e zbuluara gjatë vitit të kaluar në fshatin Sverkë të komunës së Pejës, ku ishin sekuestruar rreth 3,000 bimë narkotike dhe afro një ton marihuanë.

Arrestimet e sotme janë ekzekutuar nga Njësiti Special Intervenus në rajonet e Pejës dhe Gjakovës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa janë sekuestruar edhe dy automjete, tre telefona mobil dhe një shumë parash në kesh.

Prokuroria njofton se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

Ndërkohë, në lidhje me këtë rast, më herët janë arrestuar edhe tetë persona në Republikën e Shqipërisë për veprën e njëjtë penale, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar për luftimin e kultivimit të narkotikëve

Ekipet e ujësjellësit në terren, ja cilat rrugë të Prishtinës preken sot

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” sh.a ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të zhvillojnë sot intervenime në disa zona të Prishtinës, shkruan IndeksOnline.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga kompania, punimet do të zhvillohen në këto rrugë:

Rr. “UÇK”

Rr. “Tutini”

Rr. “Shemsi Mramori”

Rr. “Azem Bejta”

Rr. “Beteja e Llapashticës”

Rr. “Xheladin Hana”

Rr. “Musli Gashi”

Rr. “Smajl Hajdaraj”

Rr. “Tirana”.

Me kërkesë të prokurorit, anulohet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë-Kosovë

Me kërkesë të prokurorit të rastit Armend Hamiti, është anuluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë.

Anulimi i seancës u konfirmua nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Gazmend Bahtiri, ku u tha se prokurori Hamiti kërkoi anulimin e seancës për arsye personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Paga minimale, Murati sot takohet me përfaqësuesit e bizneseve

Ministri në detyrë i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve për të diskutuar çështjen e rritjes së pagës minimale.

Takimi është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Në emër tê Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, ju ftojmë tê merrni pjesë nẽ takimin ku do tẽ diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale”, thuhet në ftesën e Ministrisë së Financave.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro.

Arrestohet djali, rrahu nënën e tij

Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi që kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 28.10.2025. Me 29.10.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ai me datën e cekur ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës -nënës së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë