Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Rama nga Parisi: Kosova është një shtet në të drejtën e vet

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nga Parisi tha se Kosova është një shtet në të drejtën e vet. Para të pranishmëve, Rama tha se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por për Serbinë jo dhe siç theksoi ai këtu qëndron problemi.

Ai deklaroi se të gjithë duhet të punojnë që qytetarët të kenë lirinë e lëvizjes, pavarësisht marrëdhënieve mes vendeve.

“Kemi një problem me Serbinë që është Kosova apo Kosovo siç i thonë ju këtu. Kosova është një problem sepse për ne është një shtet në të drejtën e vet. Por për Serbinë ose vende të tjera nuk është. Ky është një problem i madh ose do të vazhdonim të rrinim me kokën pas e të ndiznim tensione dhe energji negative dhe të dëmtonim veten dhe ekonominë tonë, jemi tregje të vogla, ose të jemi bashkë ose alternative tjetër ishte të mos binim dakord dhe të mos bashkëpunonim”, tha Rama nga Parisi.

Kurti në Paris flet për progres ekonomik të Kosovës që nga viti 2000 e këndej, i përmend edhe njohjet e fundit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ishte i ftuari i diskutimit “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes, i cili po mbahet në Paris.

Aty Kurti tha se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: “së pari, histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë” dhe “së dyti, si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah njëra-tjetrës”.

Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Siria, në këtë forum, Kurti foli edhe për njohjet e këtij viti për vendin.

“Duke u përgjigjur në pyetjet e audiencës, kryeministri Kurti foli edhe mbi forcimin e shtetësisë së Kosovës edhe ndërkombëtarisht dhe tri njohjet e fundit gjatë këtij viti si dhe aspiratat e vendit tonë për integrim në Bashkim Evropian dhe në NATO, krahas rëndësisë së bashkëpunimit rajonal”, bëri me dije zyra e kryeministrit.

Kurti theksoi se përgjatë “viteve me fuqizimin e shtetit, ulej prezenca ushtarake ndërkombëtare në vend ndërsa rritej progresi ekonomik|.

“Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008″.

Ai shtoi se Kosova duhet të shërbejë si shembull që “çlirimi dhe pavarësia, kanë edhe dividentë makroekonomike e sociale për të gjithë qytetarët”.

Kurti tha se secili mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta dhe jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e multilateralizmit, dialogut, negocimit, pajtueshmërisë dhe marrëveshjeve.

Në këtë kuptim, Kurti përmendi modelin e Bashkimit Europian, si projekt politik e proces historik të paqes dhe prosperitetit.

Hidhen poshtë ankesat e VV-së, s’ka rivotim në Malishevë e Han të Elezit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka hedhur poshtë ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje për rivotim të pjesshëm në Han të Elezit e Malishevë.

Në ankesë e VV-së, pretendohet se 13.26% të votave në Han të Elezit dhe 9.32% të votave në Malishevë janë hedhur në kutitë e votimit me asistencë, por PZAP-i ka konstatuar që këto ankesa janë të pasafatshme dhe nuk është marrë fare me pretendimet e palës ankuese.

Sipas LVV-së, janë 20 mijë e 465 vota të vlefshme, nga to, sipas Vetëvendosjes, 1 mijë e 908 vota me asistencë.

Zgjedhjet në Komunën e Malishevës me 52 për qind i ka fituar kandidati i NISMËS, Ekrem Kastrati njëherësh kryetar aktual.

Kandidati i LVV-së Valon Hoti, doli i treti.

“Përqindja e votave me asistencë në Komunën e Malishevës arrin në 9.32% të të gjitha votave të vlefshme, nga 20,465 vota të vlefshme në komunën e Malishevës, 1,908 janë vota me asistencë. Në vendvotime të ndryshme, të selektuara si dëshmi konkrete, përqindja e votave me asistencë arrin deri mbi 20%, me arsyetimin se në mbi 90% të rasteve votuesi/ja ‘nuk sheh’ dhe ‘nuk din’. Nga numri i përgjithshëm i vendvotimeve në komunën e Malishevës, në 37 vendvotime, që përbën rrafsh 50% të të gjitha vendvotimeve në këtë komunë, numri i votave me asistencë shtrihet nga mbi 10% deri në 21.30%”, thuhet në ankesë.

Tutje në ankesë, theksohet se në disa vendvotime përqindja e votave me asistencë është 1.3% e në disa të tjera 21.3%.

“Në VV 3005/01, nga 277 vota, janë 59 me asistencë, apo 21.30% ! Në po të njëjtën Komunë me rrethana të ngjashme ekonomike, shoqërore, gjeografike, arsimore e shëndetësore, kemi VV 3010/01 me 306 votues nga ta 4 me asistencë, apo 1.30%, sikurse edhe VV 3021/01 me 310 vota të vlefshme me vetëm 4 me asistencë, çka bën 1.29% që mund të jenë afër logjikës së shëndoshë, edhe pse edhe në këto vendvotime arsyetimi është i kundërligjshëm dhe kundër kushtetues. Nuk ka asnjë shpjegim shkencor, shoqëror, politik apo statistikor që mund të arsyetojë votimin me asistencë për shkak se ‘nuk sheh’, ‘nuk di shkrim lexim’”.

“Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, Paneli vlerëson se, ankesa e ankuesit është paraqitur pas afatit ligjor, kjo pasi që, pretendimet ankimore të palës ankuese kanë të bëjnë me parregullsitë që kanë ndodhur ditën e zgjedhjeve të mbajtura më datë 12.10.2025 për shkak të numrit të lartë të asistimit të votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe se qendra e votimit është mbyllur më 12.10.2025, ku pala e cila ka pretenduar se i janë shkelur të drejtat e tij në rastin e votimit të asistuar, ka pasur të drejtë të paraqesë ankesë brenda 48 orësh nga momenti i mbylljes së qendrës së votimit, ndërsa ankesa është dorëzuar më datë 27.10.2025, e në anën tjetër parregullsia për të cilin pretendon pala ankuese është bërë më datë 12.10.2025, që do të thotë se ankesa është dorëzuar pa afatit të paraparë ligjor”.

Njëjtë, Lëvizja Vetëvendosje, pati ankesë edhe për zgjedhjet në Han të Elezit, të cilat i ka fituar kandidati i Partisë Demokratike, Mehmet Ballazhi me 134 vota diferencë nga Rufki Suma – kandidat i pavarur, për të cilin është ankuar Vetëvendosja në PZAP.

“Nga gjithsej 5,015 vota të vlefshme, 665 vota evidentohen me asistencë apo 13.26%. Derisa dallimi mes kandidatit të parë, fitues i garës zgjedhore pa balotazh dhe kandidatit të dytë është vetëm 134 vota, atëherë del se numri i votave me asistencë është 5 herë më i madh se dallimi i votave (134) mes dy kandidatëve në garë”.

Në vendim, PZAP-i ka theksuar se ankesa është e bërë pas afateve të parapara ligjore.

“Pretendimet e tjera të parashtruesit të ankesave PZAP-i nuk i ka shqyrtuar, sepse fillimisht ankesa ekzaminohet në drejtim të lejueshmërisë dhe afatshmërisë dhe nëse rezulton se është e palejueshme apo e pasafatshme, Paneli e hedh poshtë pa u lëshuar në përmbajtje të ankesave dhe pretendimeve ankimore sikurse në rastin konkret”.
Në Malishevë LVV-ja ka kërkuar rivotim në gjysmën e vendvotimeve, e në Han të Elezit në 11 nga 15 vendvotimet sa i ka komuna gjithsej./KlanKosova/

Koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, ekstradohet nga Italia i shumëkërkuari

Një shtetas i shpallur në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal është ekstraduar nga Milano.

I ekstraduari Erind Lasku akuzohet se koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Ndaj tij GjKKO, në muajin prill 2025, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Të akuzuarit për 400 kg kokainë sillen në gjykatë nën masa të rrepta sigurie

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vazhdon gjykimi për njërin ndër rastet më të mëdha të narkotikëve në vend, atë të sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë në komunën e Lipjanit, transmeton IndeksOnline.

Të akuzuarit janë sjellë në sallën e gjyqit nën masa të rrepta sigurie, ndërsa pranë tyre është vendosur një kordon i ngushtë i pjesëtarëve të njësive të sigurisë.

Në seancën e sotme, po shqyrtohen provat materiale të konfiskuara gjatë operacionit policor, si dhe dëshmitë e oficerëve të përfshirë në rastin e koduar nga Policia e Kosovës.

Rasti i njohur si “400 kg kokainë në Lipjan” është ndër operacionet më të mëdha antidrogë të realizuara në Kosovë, ku lënda narkotike ishte zbuluar e fshehur në një ngarkesë me mallra të importuara.

Gjykimi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa siguria e lartë rreth gjykatës dhe brenda sallës tregon rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij procesi gjyqësor