Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Rikthehet në funksion njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit Kosova B është rikthyer në punë.

Në njoftimin e KEK-ut, thuhet se njësia B2 është rikthyer në operim dje, rreth orës 12:00 dhe aktualisht njësia është duke operuar me një kapacitet prej rreth 290 MWh, pasi ishte ndalur më 26 tetor 2025, si rezultat i rrjedhjeve të evidentuara në kaldajë.

Menjëherë pas krijimit të kushteve të nevojshme për ndërhyrje, siç thuhet të gjitha ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit janë mobilizuar plotësisht dhe kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve të paraqitura, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të njësisë në funksionim normal.

Korporata Energjetike e Kosovës po ashtu ka dalë edhe me një sqarim për opinionin publik se ndaljet e njësive gjeneruese në termocentrale të këtij tipi janë procese të zakonshme teknike që ndodhin si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldaja, ku janë të vendosura mbi 500 kilometra gypa.

“Duke marrë parasysh kohën e gjatë të shfrytëzimit të këtyre pajisjeve, rrjedhjet e tilla janë të pashmangshme dhe adresohen rregullisht nga ekipet tona profesionale.

Është e rëndësishme të theksohet se edhe operatorët e tjerë të sektorit energjetik në vend përballen me defekte të natyrave të ndryshme teknike, madje edhe në baza ditore, dhe këto situata asnjëherë nuk alarmohen në publik.

Prandaj, keqinterpretimet dhe keqinformimet që lidhen me ndaljen e përkohshme të njësive i konsiderojmë të dëmshme si për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), ashtu edhe për sistemin energjetik të vendit në tërësi.

Në mënyrë të veçantë, dëshirojmë të theksojmë se ndaljet e zakonshme teknike nuk kanë asnjë lidhje me projektin madhor të modernizimit të turbinave në Termocentralin “Kosova B”, një projekt që përfaqëson një nga investimet më të mëdha dhe më të suksesshme të dekadave të fundit në KEK”, rthuhet në njoftim.

Korporata Energjetike e Kosovës siguron opinionin publik se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme teknike dhe operacionale për garantimin e stabilitetit të prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit të qëndrueshëm për konsumatorët

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, mungojnë përfaqesuesit e AAK-së e të Listës Serbe

Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Në mbledhje po mungojnë përfaqesuesit e AAK-së e të Listës Serbe

Në rend dite janë dy pika. Anëtarët e Kryesisë do të zhvillojnë konsultim për funksionalizimin e trupave punuese të Kuvendit.

Ata gjithashtu do të diskutojnë rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit si dhe atë të Zubin-Potokut.

Ministri i Jashtëm i Sirisë: Njohja e Kosovës u arrit me mbështetjen e Turqisë

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ka konfirmuar se njohja e Republikës së Kosovës është bërë “nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë”.

Në një shkrim në “X”, Al-Shaibani ka theksuar se Siria e njeh Kosovën si shtet të pavarur, duke riafirmuar “respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”.

“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Damasku shpreh respekt për vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës dhe pret me interes zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Damaskut dhe Prishtinës, në mënyrë që të promovohen stabiliteti dhe respekti i ndërsjellë mes kombeve”, thuhet në shkrimin e tij.

Siria është bërë shteti i 120-të që njeh pavarësinë e Kosovës.

Krasniqi e Haradinaj konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Osmani

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Zyrtarë të këtyre dy partive kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin që do të mbahet nesër në ora 12:00 në presidencë.

Ky takim po mbahet pas dështimit për formimin e qeverisë Kurti 3 nga ana e partisë fituese të zgjedhjeve të fundit parlamentare

KE: Masat hiqen, nëse në veri arrihet transfer i rregullt i qeverisjes

Komisioni Evropian ka qëllim të heqë më tej masat financiare ndaj Kosovës, nëse pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në veri arrihet një transfer i rregullt i qeverisjes dhe deeskalimi mbetet i qëndrueshëm. Kjo thuhet në draftraportin e progresit për Kosovën, të cilin Komisioni Evropian pritet ta publikojë, më 4 nëntor.

Sipas burimeve diplomatike, kjo nënkupton bartje të qetë të pushtetit dhe marrje të detyrës nga kryetarët e rinj të komunave në veri.

Raporti i progresit, dokumenti më i rëndësishëm që përpilon Komisioni Evropian për vendet e zgjerimit, në rastin e Kosovës nuk evidenton përparime të rëndësishme. Përkundrazi, ai konstaton progres të kufizuar apo përparim të pjesshëm në shumicën e fushave – vlerësime që konsiderohen përgjithësisht të ulëta.

Sa i përket situatës në veri, raporti kritikon veprimet e autoriteteve të Kosovës, të cilat, siç thuhet, kanë qenë në kundërshtim me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian dhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, raporton RTK-ja.

Sipas gjetjeve të dokumentit, dialogu ka qenë i penguar për shkak të situatës politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Në këtë kuadër përmendet se Serbia nuk ka ndërmarrë masa ndaj autorëve të sulmit në Banjskë, ngjarje që ka shënuar përshkallëzimin më të madh të sigurisë.

Në kapitullin politik, drafti vëren se viti i kaluar është karakterizuar nga përçarje të brendshme politike dhe fushatë konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Po ashtu, theksohet se kjo situatë është ndjekur nga ngërçi politik, si pasojë e mungesës së vullnetit apo paaftësisë së partive politike për të gjetur zgjidhje drejt krijimit të institucioneve.

Kosova gjithashtu kritikohet në fushën e lirisë së shprehjes, ku, sipas draftit, nuk është shënuar asnjë përparim. Raporti përmend sfidat lidhur me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërinë e tyre financiare, si dhe sulmet ndaj gazetarëve, përfshirë pengimin në kryerjen e detyrës dhe sulmet verbale nga zyrtarë të lartë qeveritarë.

Çeku sot mban një tubim në Kolovicë dhe Dardani

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hajrulla Çeku, po vazhdon takimet me qytetarët në disa lagje dhe fshatra të Prishtines, duke theksuar entuziazmin dhe përkushtimin e qytetarëve për një kryeqytet më të mirë.

“Këto ditë kemi qenë në disa lagje e fshatra, e shumë të tjera tubime e takime na presin në ditëve në vijim. Ju jam falënderues për mbështetjen, mobilizimin dhe entuziazmin që vërehet qartë në zemrat e secilit”, tha Çeku.

Ai gjithashtu përmendi dy tubimet e sotme që do të mbahen në dy lagje të Prishtinës, në shkollën “Xhavit Ahmeti” të Kolovicës dhe në shkollën “Xhemajl Mustafa” të Dardanisë. Kandidati Hajrulla Ceku njoftoi se sonte do të jetë i ftuar në televizionin ATV, në orën 20:30. Këtë mesazh, Çeku e përmbylli me thirrjen se intensiteti i punës vazhdon me përkushtim të plotë në të gjithë Prishtinën: “Lagje për lagje, fshat për fshat, për Prishtinën tonë.”