Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Arian Tahiri thotë se ka marrëveshje edhe me LDK-në për Mitrovicën

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri ka konfirmuar se ka marrëveshje me LDK-në për balotazh.

Në një intervistë në Kanal10, Tahiri ka thënë se janë pajtuar me LDK-në dhe AAK-në për të garuar bashkë në balotazh, i cili do të mbahet me 9 nëntor, raporton IndeksOnline.

“Me LDK-në dhe AAK-në jemi dakorduar që të garojmë bashkë në balotazh”, ka thënë Tahiri.

S’ka pajtueshmëri, dështon themelimi i komisioneve parlamentare

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të enjten të themelojë komisionet parlamentare. Në mbledhjen e parë të Kryesisë pas konstituimit të legjislaturës së nëntë, partitë parlamentare nuk u pajtuan për funksionalizimin e trupave të Kuvendit pa formimin e qeverisë së re.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat ndodhet vendi, e ka parë të nevojshme funksionalizimin e Kuvendit, pavarësisht mos formimit të qeverisë së re.

Ai theksoi se bindja e tij është se themelimi i komisioneve parlamentare s’ka asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese përkundër mos formimit të qeverisë së re.

Madje, Basha para mediave tha se kishte planifikuar që nesër të thërrasë seancë të jashtëzakonshme, pasi po rrezikohet buxheti për RTK-në, buxheti shtetëror 2026, si dhe buxheti për 2025 për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun.

Përkundër këtyre, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se nuk mund të themelohen komisionet parlamentare pa u formuar qeveria e re.

Ajo tha se aktualisht në Kosovë s’ka shumicë parlamentare dhe se nuk dihet se kush është pozita dhe kush opozita, andaj seanca e vetme që mund të thirret është ajo për votimin ose jo të qeverisë së re, e jo votimin e çfarëdo projektligji.

Por këto deklarata, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, i quajti qasje destruktive.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e LDK-së nuk u deklaruan për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Lulzim Basha paraqitet në SPAK

Lulzim Basha, ish-kreu i Partisë Demokratike dhe aktualisht kryetar i Partisë Demokratët Euroatlantik, është paraqitur sot në ambientet e SPAK.

Lajmi është konfirmuar nga Top Channel.

Ish-kreu i PD-së është thirrur nga prokurori Alfred Shehu, si deklarues për hetimet e 21 janarit.

Në protestën e 21 janarit 2011 mbetën të vrarë katër protestues në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në Tiranë.

Më 21 janar humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” .

Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi hetimet.

Arrihet koalicioni, komuniteti turk në Mitrovicë e mbështet Arian Tahirin për kryetar

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri ka bërë të ditur se ka lidhur koalicion me komunitetin turk në Mitrovicë.

Në njoftimin e bërë në Facebook, Tahiri tha se koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që, siç u shpreh, çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mire.

“Një hap tjetër i rëndësishëm për të ardhmen e Mitrovicës. Me mikun tim, Ergin Kanin, Kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, sot nënshkruam marrëveshjen e koalicionit dhe mbështetjes për mua në zgjedhjet e 9 nëntorit për Kryetar të Mitrovicës”.

“Koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Faleminderit të gjithë qytetarëve të Mitrovicës për besimin dhe mbështetjen! Mitrovica është shtëpia jonë e përbashkët”, ka shkruar ai

Nesër mbahet seanca gjyqësore ndaj Sveçlës, Zybës e Pacollit, lidhur me hedhjen e gazit lotësjellës

Gjatë ditës së nesërme duke filluar nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët bashkë me ish-deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

Lidhur me këtë Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 shtator 2025 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Kjo urdhëresë është lëshuar pasi Sveçla, Zyba dhe Pacolli-Dalipi munguan në seancën e 16 shtatorit 2025.

Për tre të akuzuarit, gjyqtari Sabit Sadikaj në atë seancë tha se janë ftuar sipas procesverbalit të seancës paraprake dhe nuk kishte kërkesë për shtyrje të seancës.

Falsifikim në tenderin e SHSKUK-së: Interlab përjashtohet pasi dorëzoi dokument të rremë nga prodhuesi kinez

Një tjetër rast shqetësues ka ndodhur në prokurimin publik, në sektorin shëndetësor. Kompania Interlab, në pronësi të Betim Sadriut, është përjashtuar nga tenderi i shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) në vlerë prej 250 mijë euro, pasi ka dorëzuar autorizim të falsifikuar nga prodhuesi kinez Comen Medical.

Tenderi kishte për qëllim furnizimin me pajisje mjekësore për njësitë përbërëse të SHSKUK-së, ndërsa kompania Interlab ishte ndër ofertuesit kryesorë në këtë proces.

Sipas njoftimit zyrtar të SHSKUK-së, gjatë verifikimit të dokumenteve është zbuluar se autorizimi i dorëzuar nga Interlab për produktin “Defibrillator with Monitor, AED and External Pacemaker” nuk ishte i lëshuar nga prodhuesi origjinal. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht nga vetë kompania Comen Medical në Kinë, duke vërtetuar se dokumenti ishte i falsifikuar.

“Ju në ofertën e juaj për ITEM A05 keni prezantuar autorizim të falsifikuar nga prodhuesi Comen Medical nga Kina. Kjo është vërtetuar nga vet prodhuesi,” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së drejtuar kompanisë Interlab.

Ky rast ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si disa kompani po përdorin dokumente të manipuluara për të fituar kontrata publike në sektorë jetikë si shëndetësia. Falsifikimi i dokumenteve në tenderë jo vetëm që cenon konkurrencën e ndershme, por edhe rrezikon cilësinë dhe sigurinë e pajisjeve mjekësore që përfundojnë në spitale publike.

SHSKUK thekson se procedura është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik Nr. 04/L-042, ndërsa kompania e eliminuar ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik.

Ky nuk është rasti i parë kur tenderët në sektorin e shëndetësisë në Kosovë përfshijnë dokumente të dyshimta apo të falsifikuara, por mbetet të shihet nëse rastet e tilla do të kenë pasoja konkrete ligjore apo do të kalojnë pa përgjegjësi.