Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Serwer takoi Thaçin në Hagë, nuk tregon se çka bisedoi me të

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka treguar arsyet se pse e ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje nga biseda e tij me Thaçin, por ka thënë ka thënë takimi ishte i ngrohtë.

Në një intervistë për Tëvë1, ai ka thënë se me Thaçin gjithnjë ka pasur raporte të mira.

“Vendosa të shkoj sepse unë dhe presidenti Thaçi kishim pasur shumë biseda të mira ndër vite. Ai ishte treguar shumë i sjellshëm me mua kur e vizitova në Prishtinë, dhe gjithashtu jemi takuar shpesh në Uashington. Ne njiheshim që menjëherë pas luftës. Edhe pse kemi pasur mospajtime të forta lidhur me çështjen e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, mendova se kishte ardhur koha për të ripërtërirë marrëdhëniet me të dhe gjithashtu të mësoja më shumë për tribunalin”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

“Po ashtu, kalova pak kohë me përfaqësuesin për çështje publike të gjykatës. Presidenti Thaçi ishte shumë miqësor dhe mikpritës. Në fakt, ai duhej ta kërkonte vetë takimin. Fillimisht e kërkova unë, por gjykata më informoi se kërkesa duhej të vinte prej tij. Kështu që ai e bëri këtë, dhe unë nuk do të diskutoj se çfarë thamë me njëri-tjetrin. Do të them vetëm që ishte një bisedë shumë e ngrohtë, që pasqyronte marrëdhënien e thellë dhe të qëndrueshme që kemi pasur ndër vite”, është shprehur Serwer.

Osmani pret në takim liderët politik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të pres në një takim sot krerë e partive politike parlamentare.

Ky takim vjen pasi qeveria e propozuar nga Albin Kurti nuk mori votat e nevojshme për kabinetin e ri qeveritar.

Takimi do të mbahet në ora 12:00.

PDK-ja dhe LDK-ja kanë deklaruar se nuk do të kërkojnë mandatin për formimin e qeverisë dhe se duhet hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Mbyllet përkohësisht gjysma e tunelit në Dardani për aktivitete kulturore

Sot do të jetë e mbyllur përkohësisht gjysma e tunelit/rrugës nga segmenti që shpie drejt shkollës “Xhemajl Mustafa” deri te hyrja e tunelit në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Kryeqyteti Prishtina ka njoftuar se mbyllja bëhet për shkak të zhvillimit të aktiviteteve kulturore të organizuara nga “Kultura House”.

“Për nevoja teknike dhe për sigurinë e qytetarëve, do të mbyllet përkohësisht gjysma e tunelit/rrugës, nga segmenti që shpie drejt shkollës ‘Xhemajl Mustafa’ deri te hyrja e tunelit, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit deri pas përfundimit të aktivitetit dhe pastrimit të hapësirës publike” .

“Pjesa tjetër mbetet e lirë për qarkullim. Aktivitetet kulturore do të nisin nga ora 20:00, me performanca muzikore dhe artistike duke sjellë një atmosferë festive në Dardani”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë e Kulturës, ka pohuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e ngjarjes dhe sigurinë e pjesëmarrësve./

Mbahet seanca gjyqësore ndaj Sveçlës, Zybës e Pacollit, lidhur me hedhjen e gazit lotësjellës

Gjatë ditës së sotme duke filluar nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët bashkë me ish-deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

Lidhur me këtë Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 shtator 2025 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Kjo urdhëresë është lëshuar pasi Sveçla, Zyba dhe Pacolli-Dalipi munguan në seancën e 16 shtatorit 2025.

Për tre të akuzuarit, gjyqtari Sabit Sadikaj në atë seancë tha se janë ftuar sipas procesverbalit të seancës paraprake dhe nuk kishte kërkesë për shtyrje të seancës.

Mblidhet Qeveria në detyrë, pritet të merren këto vendime

Qeveria e Kosovës në detyrë sot në ora 9:30 do ta mbaj mbledhjen e radhës.

Sipas rendit të ditës, kabineti qeveritar do të shqyrtojë këto pika:

Shqyrtimi dhe miratimi i ekstraktit të procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Qeverisë (270, 271 dhe 272).
Shqyrtimi i Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Shqyrtimi i propozim-vendimit për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të institucioneve qendrore të sigurisë, në komunat Prizren dhe Malishevë.
Shqyrtimi i kërkesës së komunave Prishtinë, Gjilan dhe Zubin-Potok për aprovimin e Buxhetit, pas miratimit të tij për vitin 2025 nga kuvendet komunale.
Shqyrtimi i Draft-Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë, për vitin 2024.
Të ndryshme

Cakolli: Nuk ka sens që Kurti të rikandidohet

Eugen Cakolli nga KDI, në emisionin “Click” të RTV21 tha se kryministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka më legjitimitet të rikandidohet për mandatar të qeverisë së re.

“Në kuptimin praktik nuk ka sens që i njëjti kandidat (Albin Kurti) që para 10 ditësh nuk i ka marrë votat në Kuvend pa i marrëveshje tjetër t’i propozohet sërish Kuvendi”, tha Cakolli.

Ai për situatën me të cilën Kosova po ballafaqohet pa qeveri të re, tha se që nga 15 prilli kur ka qenë seanca e parë konstituive deri më tani kanë qenë metoda të përdorura nga Vetëvendosje.

“Besoj që nisur nga seanca konstitutive e nisur më 15 prill, në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, vonesat e qëllimshme dhe shkelja e qëllimshme e kushtetutës, duke e ditur që lënda do të përfundoj në Gjykatë e gjykata do t’i kthej pas. Në mënyrë që të përfshihet edhe vetë gjykata si palë kanë qenë metoda të përdorura nga LVV përgjatë muajve të fundit në mënyrë që të vinë në pikën ku jemi sot”, deklaroi ai.