Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Abdixhiku: U deklaruam të gjitha partitë, nuk mund të bëhet asnjë qeveri

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani,

Abdixhiku ka deklaruar se nuk ka shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Në këtë takim u bë e qartë që nuk ka shumicë parlamentare, tani i takon presidentes deri të mërkurën me datë 5 të caktojë se a ka shumicë a jo. Pat pretendime nga Kurti, që ndoshta duhet provuar dhe njëherë. U diskuta për planin e rritjes dhe trajtimin e një faze kalimtare të buxhetit. Një mundësi e vazhdimit të buxhetit të vjetër. Por sa më heret i caktojmë zgjedhjet, me herët bëhet qeveria e re dhe bëhet buxheti. Ne u deklaruam se s’kemi mundësi, as legjitimitet të bëhet Qeveria. Për pak ditë duhet të percaktojmë datën e zgjedhjeve ”, tha Abdixhiku

Veliaj në Kushtetuese: Kjo është një betejë që e bëj edhe për Ogertën, Florin e Arlindin

Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, aty ku po shqyrtohet ankimimi për shkarkimin e tij si të ligjshëm apo jo nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, u shpreh se kjo është që betejë që ai është duke e bërë edhe për ata që do të vijnë pas tij.

Gjithashtu, Veliaj bëri edhe një analogji me kryetarin e Bashkisë së Tropojës dhe kërkoi të njëjtin trajtim, shkruan A2 CNN.

“Për analogji, doja të përmendja një rast po në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Tropojës ka qenë 11 muaj në arrest shtëpie, nuk ka qenë në zyrë, por në shtëpinë e tij. Tani lind pyetja, a janë të gjithë qytetarët e barabartë. Pse është ndryshe një qytetar i Tiranës nga një qytetar i Tropojës dhe pse toleranca në Tropojë është 11 muaj dhe në Tiranë është dy javë, 3 muaj dhe 7 muaj? Këtu kemi një disbalancë totale.

Dy gabime nuk prodhojnë më shumë drejtësi. Për të gjithë ata që kanë argumentin, po për qytetarët? Po patjetër, por së pari kam unë një betim dhe një kontratë të lidhur me qytetarët që duhet ta mbrojë. Së dyti, edhe për ata që po kandidojnë. Po sikur nesër t’ja bëjnë këtë Ogertës, Florit, Arlindit?! Kaosi që kemi tani nuk është gjë hiç me kaosin që mund të krijohet nëse kjo do të kthehet në standard. Kështu që kjo është edhe një betejë për ata që do të vijnë pas meje kurdo qoftë ajo ditë”, tha Veliaj.

Instituti GAP: Votimi i Projektligjit për Buxhet nga Qeveria në detyrë përbën shkelje kushtetuese

Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme, ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026.

E pas ksëaj ka reaguar Instituti GAP, sipas së cilit veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë, e cila procedoi dhe miratoi projektligjin për buxhetin, bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Si vazhdimësi e Letrës dërguar Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu, dhe marrë parasysh mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, duam të sqarojmë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës. Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në Letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet”, thuhet në reagimin e GAP-it.

Reagimi i plotë:

𝐑𝐄𝐀𝐆𝐈𝐌 𝐦𝐛𝐢 𝐏𝐫𝐨𝐜𝐞𝐬𝐢𝐧 𝐞 𝐕𝐨𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭ë 𝐏𝐫𝐨j𝐞𝐤𝐭𝐥𝐢𝐠j𝐢𝐭 𝐩ë𝐫 𝐁𝐮𝐱𝐡𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐐𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐚 𝐧ë 𝐃𝐞𝐭𝐲𝐫ë

Si vazhdimësi e Letrës dërguar Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu, dhe marrë parasysh mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, duam të sqarojmë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në Letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet.

Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartëcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë. Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vet ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot.

Në këta fazë të ndjeshme politike, respektimi i rendit kushtetues dhe vendimeve gjyqësore është thelbësor për te ruajtur stabilitetin institucional dhe për të garantuar që procesi i miratimit të buxhetit mbetet i ligjshëm. Çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Për nga përmbajtja, projektligji dhe pakot e propozuara vërehet se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike. Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme.

Duam të ritheksojmë se miratimi i buxhetit është jetik për funksionimin normal të shtetit dhe pa një buxhet të miratuar, në rast të një ngërçi të përsëritur institucional, mund të hyjmë në një destabilitet të thellë financiar por edhe të funksionimit të përgjithshëm të shtetit. Qeveria në detyrë kishte një mundësi ligjore për t’a proceduar ligjërisht procesin e miratimit të këtij buxheti, por mënyra e cila u aplikua sot shkel në thelb Kushtetutën, legjislacionin dhe aktgjykimet e deritanishme.

Sinqerisht,

Instituti GAP

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)

Community Development Fund (CDF)

SHL-Kosova

YMCA Kosova

TOKA

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI)

Balkan Green Foundation (BGF)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Community Building Mitrovica (CBM)

Advocacy Training and Resource Center (ATRC)

Memli Krasniqi: “Babadimri” i Kurtit s’mund t’i blejë votat me premtime boshe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të qeverisë në detyrë për rritjen e pensioneve, pagës minimale dhe shtesave për fëmijë, duke i cilësuar ato si “mashtrime elektorale” në prag të zgjedhjeve.

“Thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur e as me ble votën për balotazh apo zgjedhje parlamentare”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se gjithçka që qeveria “Kurti” po premton sot, për pesë vjet nuk është realizuar, por do të bëhet “më mirë, më shumë e më shpejt – me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin dhe pa Vetëvendosjen”.

Në fund të reagimit të tij, kryetari i PDK-së e përmbylli me një paralajmërim simbolik:

“Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”

LDK: Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se vendimin se sotëm për miratimin e buxhetit për vitin 2026, e konsideron si një akt të paprecedent politik dhe institucional.

Përmes një komunikate për media, LDK-ja po ashtu thotë se këtë miratim e sheh edhe si një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, transmeton Klankosova.tv.

“Në objektin e qeverisë, një grup deputetësh që sillen edhe si ekzekutiv, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimet e fundit të Gjykatës Supreme, kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike. Kjo sjellje arbitrare, jashtë çdo norme demokratike, përbën uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake”.

“Buxheti i ri është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të hartohet dhe miratohet nga një qeveri e re, legjitime dhe e dalë nga vullneti i qytetarëve, jo nga një qeveri në largim që ka humbur mbështetjen popullore, moralin politik dhe autoritetin institucional. Asnjë qeveri në detyrë nuk mund të marrë vendime kaq madhore e afatgjata që prekin rëndë stabilitetin financiar dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e partisë.

LDK mes tjerash deklaron se çdo tentim për të përdorur buxhetin e shtetit si instrument elektoral është i papranueshëm.

“Çdo tentativë për të përdorur buxhetin e shtetit si instrument elektoral është i papranueshëm. Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare dhe asnjë vendim i marrë në këtë fazë nuk mund të ketë legjitimitet demokratik”.

“Këto veprime të qeverisë në ikje përbëjnë abuzim me pushtetin, shkelje të etikës institucionale dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale, duke cenuar rëndë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve”.

LDK-ja rikujton se mirëqenia sociale dhe rritja e mbështetjes për qytetarët duhet të jenë rezultat i politikave të qëndrueshme, planifikimit afatgjatë dhe qeverisjes së përgjegjshme e jo spektakël populist i orëve të fundit për të mbuluar dështimet.

Partia u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre, siç i quan ajo, e tentativave mashtruese.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre tentativave mashtruese. Kosova meriton institucione të ndershme, qeverisje me përgjegjësi dhe transparencë, jo improvizime të dëshpëruara dhe keqpërdorim të parasë publike”.

“LDK-ja mbetet e vendosur për të mbrojtur rendin kushtetues, integritetin e institucioneve dhe interesin publik. Ne do të punojmë pa kompromis për rikthimin e besimit qytetar, normalitetit institucional dhe një qeverisjeje dinjitoze e të përgjegjshme në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj”.