Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Rajoni

Qytetarët ankohen me rritjen e vazhdueshme të çmimeve

Çmimet e produkteve esenciale, si qumështi, djathi, vaji, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimorë në vendin tonë po vazhdojnë të shënojnë ngritje, e bashkë me to është shtrenjtuar edhe kostoja e shërbimeve tjera për qytetarët në Kosovë.

Qytetarët ankohen se me pagat që i kanë, çmimet aktuale janë të papërballueshme. Ndërsa ekspertë të ekonomisë thonë se ngritja e çmimeve po ndodh për shkak të mungesës së konkurrencës së drejtë në treg dhe importit të lartë të mallrave.

Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi 5 miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në shtator të këtij viti. Vlera e importit është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në këtë periudhë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në një mesatare në shtator shënuan rritje (inflacioni) prej 4.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Krahas të ardhurave mujore në Kosovë, sipas ASK-së, pensioni bazik në vendin tonë është 120 euro, paga minimale 350 euro bruto dhe paga mesatare 639 euro për vitin 2024.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke e cilësuar të papërballueshme për xhepin e tyre. Ata kërkojnë më shumë angazhim nga institucionet përkatëse për të kontrolluar tregun dhe çmimet.

Qytetari Bislim Bislimi thekson se këto çmime janë të larta krahasuar me të ardhurat mujore në Kosovë.

“Janë rritur të gjitha produktet, por nuk ka inspektorë. Katastrofë, rrogat e ulëta. Nuk ja vlen duke i krahasuar rrogat që i marrim këtu, me çmimet nuk janë askund, nuk përputhen”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa Mirsad Krasniqi vlerëson se rritja e çmimeve nuk është e arsyeshme dhe paraqet një barrë për buxhetin familjar.

“Jo të arsyeshme sipas meje dhe që domethënë një ngarkesë për buxhetin e qytetarëve”, potencon Krasniqi.

Një qytetar tjetër, theksoi se çmimet po rriten vazhdimisht dhe sipas tij, kjo është e papërballueshme për konsumatorët e vendit.

Përballë kësaj situate, njohës të çështjeve ekonomike po theksojnë mungesën e politikave konkrete për ta zbutur këtë trend negativ.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, deklaron për KosovaPress se ngritja e çmimeve po ndodh për shkak të mungesës së konkurrencës së drejtë në treg dhe varësisë së vendit nga importi i madh i mallrave.

Sipas tij, ka politika që mundet me ndërmarrë Qeveria në detyrë, që të lehtësohet barra e rëndë që mund ta paguajnë qytetarët apo konsumatorët.

“Në mungesë të konkurrencës së drejtë mes prodhuesit vendor dhe importit në mënyrë të vazhdueshme, sidomos me muajt e sezonit, i kanë ngritur çmimet. Natyrisht që konkurrenca vendore nuk është aq e përgatitur e aq e fortë sa t’i ballafaqohet drejtpërdrejt konkurrencës ndërkombëtare. Prandaj vazhdimisht i nënshtrohemi politikave të tregtarëve. Kosova është ekonomi e lirë e tregut dhe çmimet rregullohen sipas kërkesës dhe ofertës, nuk ka mekanizëm tjetër që mundemi me rregullua, por ka politika që mundet me ndërmarrë qeveria që të lehtësohet barra e rëndë që mund ta paguajnë qytetarët apo konsumatorët”, ka thënë Mulaj.

Nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku ka theksuar se përveç ndikimeve të jashtme, mungesa e planifikimit shtetëror e ka lënë konsumatorin pa mbrojtje.

“Tregtarët tjerë që janë importues, ata e kanë në dorë politikën e çmimeve të importit dhe kjo vërehet më së miri nëse bëjmë krahasimin e çmimeve të artikujve që ne i importojmë në vende prodhuese, te ne dhe te disa shtete tjera. Ato çmime si në shtetet e BE dhe tjerat janë më të ulëta se te ne në Kosovë.. Ne duhet të jemi të organizuar dhe të bëjmë një presion të kulturuar, demokratik të qeverisë, në mënyrë që qeveria mos t’i mbështes së tepërmi bizneset e t’i harrojë qytetarët sepse konsumi është komponenti kryesore sociale-ekonomike. Ne ndihemi si bonjak, sepse qeveria ndryshe sjellët me të tjerët, ndryshe me ne”, ka thënë Kaçaniku.

Ndërsa, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë deklaruar për KosovaPress nëse janë duke i monitoruar (inspektuar) çmimet në Kosovë.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit për muajin shtator 2025 ishte më i lartë, në një mesatare prej 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë 2024, ndërsa inflacioni mujor ishte -0,2 për qind në shtator 2025, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raport thuhet se rritja e çmimeve të konsumit vjen për shkak të ngritjes së çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet: pushime të organizuara 23,1%; bileta të fluturimeve 22,5%; energji elektrike 17,4%; kafe, çaj dhe kakao 14,2%; pemë 13,0%; mirëmbajtje dhe riparime të pajisjeve personale të transportit 12,8%; mish 12,1%.

Po ashtu sipas ASK-së rritja vazhdon te shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 10,4%; qumësht, djathë dhe vezë 8,8%; shërbime hoteliere 8,3%; shërbime ambulantore 7,3%; vajra dhe yndyrna 6,8% dje perimet 5,8%).

Inflacioni dhe pasiguria politike janë dy shqetësimet kryesore për qytetarët kosovarë, thuhet në një hulumtim të Valicon i titulluar “New Normal Study”, i përfunduar në periudhën 18 deri 21 gusht të këtij viti në shtete të rajonit, përfshirë edhe vendin tonë.

Ky hulumtim nxjerrë në pah gjithashtu se 40 për qind e kosovarëve kanë theksuar se jeta e tyre është më e keqe sot sesa pesë vjet më herët.

Qeveria në detyrë, dje mori vendim për rritjen e pensioneve në 150 euro, si dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor i këtij viti. Po ashtu, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

Familja Thaçi e ngushëllon familjen e Nanos në emër të ish-presidentit Hashim Thaçi: Pëkrahja që i dha çështjes së Kosovës, historike

Familja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, ka ngushëlluar edhe në emër të tij për vdekjen e ish-kryeministrit shqiptar tashmë të ndjerë, Fatos Nano.

Familja Thaçi ka thënë se përkrahja që Nano “i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare”.

“Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik”, thuhet në telegramin e familjes Thaçi.

Telegrami i plotë:

E nderuar Familje Nano,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.

Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.

Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Me respekt të thellë,

Familja Thaçi

Shefi i EULEX-it: Është jashtëzakonisht e rëndësishme që prokuroria të jetë e pavarur dhe të mos ndikohet nga politika

Shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano, ka marrë pjesë sot në konferencën vjetore të Prokurorëve të Kosovës. Barbano ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që prokuroria të jetë e pavarur dhe e pandikuar nga politika.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që prokuroria të jetë e pavarur dhe të mos ndikohet nga politika. Ne shpresojmë që anëtari i sapozgjedhur i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPC) do të tregojë ndershmëri dhe profesionalizëm, në mënyrë që të forcohet besimi i qytetarëve në sistemin prokurorial”, ka thënë ai.

Murati u kërkon deputetëve ta lënë anash inatin politik e ta votojnë buxhetin për 3 komuna

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë buxhetin për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

“Thirrje deputetëve që ta votojnë buxhetin e vitit 2025 për Komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut. Tash që Kuvendi i Kosovës është i konstituuar, deputetët mund ta miratojnë edhe buxhetin e vitit 2025 për Komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, dhe të krijohet mundësia që komunat të paguajë faturat e grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit. Qeveria dje ia ka përcjellë Kuvendit të konstituuar materialin buxhetor të vitit 2025 për tri komuna që s’kishin arritur ta votonin buxhetin për vitin 2025 brenda afatit ligjor (Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku). Përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë buxhetet e këtyre komunave për vitin 2025 dhe të hapet rruga për pagesën e faturave që janë grumbulluar qysh javën që vjen”, ka shkruar Murati.

Ai ka bërë thirrje që deputetët e opozitës ta lënë anash inatin politik.

“Uroj që deputetët e opozitës të lënë anash inatin politik e të bëjnë veprimin e duhur, fillimisht duke themeluar komisionet parlamentare, e pastaj edhe duke votuar për buxhetet e këtyre komunave”, ka shkruar Murati në “facebook”

Osmani: S’kishte gatishmëri për procedim të buxhetit, propozova zgjatje të atij të vjetrit për të mos mbetur pa paga

Presidentja Vjosa Osmani tha se në takimin që zhvilloi me liderët partiakë s’pa gatishmëri nga shumica për procedimin tutje të buxhetit të miratuar sot nga qeveria në detyrë.

Prandaj, ajo tha se ka propozuar zgjatje buxhetore për të shmangur një situatë ku punonjësit e sektorit publikë mbesin pa paga.

“Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit që sot ishte miratuar nga qeveria. Megjithatë, unë propozova që të shiqojmë mundësi tjera kushtetuese dhe një prej tyre është që të miratohet zgjatja buxhetore, pra që nuk është buxhet i ri, por zgjatje e buxhetit të vjetër në mënyrë së së paku deri më 31 mars 2026 që qytetarët tonë të mos përballen ku nuk kanë paga e mirëqenie”.

Osmani tha se këtë mund ta iniciojë ajo si nismë legjislative meqë tha se i jep të drejtë Kushtetuta.

“Propozimi im ishte që të gjejmë rrugë përpara, kishte shqetësime rreth procedurave, prandaj edhe propozimi im ishte që sipas nenit 79 të Kushtetutës, që nëse ata s’dakordohen që këto iniciohen si nisma legjislative nga qeveria atëherë atë detyrim ta marr unë dhe si presidente t’i procedoj edhe zgjatjet buxhetore edhe Planin e Rritjes si ligje në Kuvend meqenëse nuk i kam të drejtat e kufizuara dhe një gjë e tillë njihet si e drejtë e presidentes. Kjo çështje nga disa u shqyrtua dhe do të jem në kontakt me partitë politike në ditët në vijim për të parë nëse ekziston një mundësi e tillë që të procedojmë sipas kësaj metode që të parandalojmë një krizë që është e mundshme”.