Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

KQZ tregon se si duhet të votohet me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve(video)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar video se si duhet votuar me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave që do të mbahen me 9 nëntor.

KQZ tutje ka njoftuar se zarfi duhet të dërgohet më së largu deri më 8 nëntor 2025.

Postimi i plote

Kliko ketu per faqen e KQZ

Plagoset për vdekje një person në Drenas, nisin hetimet

Një person ka ndërruar jetë sot në Fushticë të Drenasit, si pasojë e plagëve të marra nga një plagosje.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti pohoi se policia u njoftua për rastin rreth orës 13:30.

“Viktima është dërguar menjëherë në QMF Komoran, ku nga ana e stafit mjekësor është konstatuar vdekja e tij.

Njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u marrë me hetimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin” deklaroi Ahmeti.

Ende nuk dihen motivet e këtij rasti.

I mori jetën kolegut, zbulohen detaje të reja nga krimi në Tiranë

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e ndodhur pak ditë më parë në Komunën e Parisit, ku Filip Shehu goditi me thikë kamarierin 34-vjeçar, Indrit Ismaillari.

Teksa ai është lënë në burg, zbulohet se ka deklaruar në gjykatë se viktima e ka fyer dhe ngacmuar.

Filip Shehu është shprehur se për vdekjen e kolegut e ka mësuar një ditë më pas, kjo pasi fillimisht e dinte që 34-vjeçari kishte mbetur thjesht i plagosur.

Më parë ai ka deklaruar se konflikti ka qenë i çastit vetëm për punën, por ka shtuar se kanë pasur marrëdhënie konfliktuale të gjata me të.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson se dëshmia bie ndesh me atë që ka thënë stafi tjetër i lokalit. Ata kanë deklaruar se viktima Indrit Ismaillari, nuk ishte një njeri problematik dhe nuk grindej me asnjë njeri.

Viktima prej 5 vitesh ishte pjesë e këtij restoranti, ndërsa autori ishte pjesë e stafit prej disa muajsh.

Nuk kanë pasur debate të ashpra, teksa autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi duke treguar se “ndjehesha i kërcënuar, cënuar, kishim konflikte të vazhdueshme”, por kjo gjë nuk konfirmohet nga stafi i biznesit.

Sa i përket dinamikës së ngjarjes, gjithçka ka nisur për një proshutë. Autori kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën viktima i ka thënë të mos e marrë.

Fillimisht kanë nisur një debat verbal e më pas Filip Shehu ka marrë thikën dhe e ka goditur në qafë, duke i prekur arterien kryesore. Kjo plagë i mori edhe jetën 34-vjeçarit.

Autori, ka qëndruar i qetë duke pritur policinë, ndërkohë që pritet t’i bëhet një ekzaminim psikologjik. Ai ka probleme sociale, prej muajsh jetonte i vetëm dhe kishte probleme me familjen.

34-vjeçari Indrit Ismaillari, kamerier në lokalin në zonën e Komunës së Parisit, ka mbetur viktimë pasi është goditur me thikë nga Filip Shehu, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes.

Mijëra euro subvencion nga ministria e Pecit për Agron Kuçin, toka djerrinë

Kjo tokë është një pemishte prej mbi 11 hektarësh në Komunën e Junikut, ani pse nga mirëmbajtja vetëm e tillë nuk duket.

Të mbjellat i kanë mbuluar bari, bimët janë vyshkur e madje, një pjesë e tokave është djegur në viti 2022.

Këta hektarë janë në pronësi të familjes Kuçi, specifikisht ish-kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi dhe të vëllezërve të tij, raporton Dukagjini.

Pavarësisht mosmirëmbajtjes së tokave dhe djegies së një pjese të tyre, vëllai dhe gruaja e Kuçit, kanë përfituar nga viti në vit subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Në vitin 2022 kur ka ndodhur djegia e pemëve, Mërgim Kuçi dhe Leonita Kuçi kanë përfituar gjithsej 5 mijë euro, apo nga mbi 2 mijë e 500 euro secili.

Të njëjtën shumë si subvencion e kanë përfituar edhe në vitet 2023 dhe 2024.

Të dy kanë të regjistruara biznese të ndara, me nga dy punëtorë, derisa ai Mërgim Kuçit, si numër kontakti ka lënë atë të ish-kryetarit Kuçi.

Por, ish-kryetari Kuqi mohon se ka marrë subvencione edhe për pjesën e tokës së djegur.

“E kem bashkë me vëllezër atë tokë, akoma nuk e kemi ndarë. Kemi apliku, i kemi pas marrë ato grante, kemi pas mjellë molla, i kemi marrë ato subvencione…diçka tjetër, s’di ç’ka me iu thanë juve. Jo, i kanë rrëzu subvencionet. Jo, për pjesën e djegur nuk i kemi marrë, e kanë rrëzu” – Agron Kuçi – Ish-Kryetar i Junikut

Në mesin e granteve të fituara nga familjarët e Kuçit ishte edhe ai prej 160 mijë eurosh në vitin 2020 për ndërtimin e pendës së ujitjes që gjendet pak më lart sesa hektarët e lartcekur.

Televizioni ka siguruar pamje të gjendjes aktuale të kësaj pende, e cila shihet se aktualisht është jofunksionale.

Sipas ish-kryetarit Kuçi, ajo ishte rregulluar në fillim, por u dëmtua nga bora.

“Digën e kemi rregullu, e kemi punu. Po, ka përfundu diga krejt, po sivjet s’kemi punu as me digën se e prishi (reshjet) gjithçka e prishi”.- Agron Kuçi, Ish-Kryetar i Junikut

Kuçi nuk ka ofruar ndonjë dëshmi të prodhimit nga këto toka përgjatë viteve që pranoi subvencione, ndonëse thotë se të njëjtat, i ka shitur në treg.

Në vitin 2016, familjarët e Agron Kuçit kishin përfituar rreth 133 mijë e 600 euro për ngritjen e kësaj pemishte.

Mashtronin qytetarët në emër të Postës Shqiptare, arrestohen dy kinezë

Dy shtetas të huaj, janë arrestuar nga policia e shtetit shqiptar, pas njoftimeve të qytetarëve për mesazhe mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare me qëllim përfitimi i të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve.

Në pranga ranë C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç, të dy shtetas kinezë.

Sipas njoftimit të policisë, këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare, shkruan rtsh.

Gjatë kontrollit të ambienteve ku qëndronin, u sekuestruan: 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme. Hetimet treguan se ata kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare për të mashtruar qytetarët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale: “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, ndërsa vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Policia e Shtetit apelon qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe u bën thirrje atyre që i janë përgjigjur mesazheve mashtruese të paraqiten menjëherë për ndihmë.

Sindikatа e punëtorëve të RTK-së paralajmëron protestë

Sindikatа e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës ka paralajmëruar protestë.

Ata kanë kërkuar që të zgjidhet me urgjencë çështja e pagave të punëtorëve.

”Aktualisht, rreth 700 familje të punëtorëve të RTK-së kanë mbetur pa të ardhura, duke u përballur me detyrime të mëdha financiare dhe vështirësi jetike.” thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Sindikatа e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës – SPERTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës, partitë politike, si dhe të gjithë aktorët vendimmarrës në vend, po ashtu edhe nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së, që me urgjencë të zgjidhin çështjen e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Në të kundërtën, SPERTK do të detyrohet të protestojë për të drejtat dhe pagat e merituara të punëtorëve të RTK-së, të garantuara me ligj.

Aktualisht, rreth 700 familje të punëtorëve të RTK-së kanë mbetur pa të ardhura, duke u përballur me detyrime të mëdha financiare dhe vështirësi jetike.

Në kohën kur në institucionet e shtetit po flitet për rritje pagash, punëtorët e RTK-së nuk i kanë marrë as pagat bazë që u takojnë ligjërisht.

RTK është pjesë e shtetit të Kosovës, dhe punëtorët e saj janë taksapagues të rregullt të këtij vendi. Prandaj, kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme institucionale për ta zgjidhur këtë situatë të padrejtë dhe të papranueshme.

Nëse kërkesa jonë nuk gjen zgjidhje në një afat të shkurtër kohor, SPERTK do të nisë protestat, të cilat më pas do të pasohet nga greva e përgjithshme, përfshirë bojkotimin e çdo ngjarjeje publike që zhvillohet në vendin tonë.

Kjo gjendje është e patolerueshme dhe ka mundur të parandalohet me një planifikim të përgjegjshëm institucional.