Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

Hoxhaj: Me një qeveri më të përgjegjëshme, Kosova do të kishte arritur 150 njohje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova do të mund të kishte shumë më tepër njohje ndërkombëtare nëse do të kishte një qeveri më aktive dhe të përgjegjshme në politikën e jashtme.

Hoxhaj ka folur për procesin e njohjeve, duke përmendur rastet e fundit të Sirisë dhe Sudanit.

“Mendoj që njohja e Sirisë, për të cilën jam gëzuar shumë, pasi jam marrë gjatë me të si dikush që e ka pritur opozitën siriane në ministri, është një hap i rëndësishëm. Edhe njohja e Sudanit ka qenë afër, por patëm dështuar sepse komuniteti i deputetëve atje e kishte kundërshtuar”, tha Hoxhaj, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7.

Ai shtoi se këto zhvillime tregojnë se me pak përpjekje dhe angazhim diplomatik, Kosova mund të arrijë edhe më shumë suksese në arenën ndërkombëtare.

“Këto njohje tregojnë se nëse ka pak përpjekje, do të ketë njohje. Unë që nga dhjetori i vitit 2024 kam thënë se Siria do ta njihte Kosovën. Kjo tregon se nëse një qeveri do të ishte më e përgjegjshme, do të mund t’i kishim 150 njohje”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Sipas tij, disa shtete janë tashmë të gatshme ta njohin Kosovën, përfshirë Irakun, Libanin, Tunizinë dhe disa vende të tjera në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.

“Jam i bindur se Iraku mund ta njohë Kosovën, ashtu edhe Libani me qeverinë e re, si dhe Tunizia, ku kam qenë dy herë në vizitë zyrtare. Edhe Indonezia, një shtet i G20-ës, mund të jetë pjesë e një vale të re njohjesh. Ka disa shtete në Afrikë për shkak të rënies së ndikimit rus, por edhe në Amerikën Latine”, shtoi Hoxhaj.

Me bindje, Hoxhaj tha se me një qeveri të re dhe një politikë të jashtme më të fokusuar, Kosova do të mund të hynte në një “valë të re të njohjeve ndërkombëtare”.

Goditet Rrjeti i falsifikimit të pronave shtetërore, sekuestrohen prova dhe armë

Policia e Kosovës ka zbuluar një rrjet të falsifikimit të pronave shtetërore, pas disa muajsh hetime nga Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve.

Gjatë aksionit në disa lokacione janë sekuestruar dokumente, pajisje për falsifikim, një armë zjarri, fishekë dhe sende me vlerë, raporton IndeksOnline.

I dyshuari, i cili dyshohet se ka falsifikuar dokumente për tjetërsim pronash të AKP-së, është ndaluar për 48 orë.

Postimi i plotë:

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas disa muajsh hetime intensive ka zbuluar dhe dokumentuar veprimtari të dyshuar kriminale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore.

Gjatë hetimeve është konstatuar se i dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente që janë përdorur në procedura për bartje dhe legalizim të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me qëllim të ndryshimit të pronësisë dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në pronësi private. Pronat më pas janë shitur duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma të mëdha financiare me vlerë milionëshe.

Në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 01.11.2025, në dy rajone të vendit, policia ka realizuar kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar:

 dokumente që lidhen me rastin (kontrata shitblerjeje, regjistra të parcelave, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të paplotësuara të ish-RFJ-së);

 pajisje të përdorura për falsifikim (pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”);

 një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë;

 një telefon iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.

Bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e këtyre veprave penale:

 Falsifikim i Dokumenteve

 Legalizim i Përmbajtjes së Rreme

 Mashtrimi dhe

 Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet e drejtësisë mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës

“Ndodhi në garazh, arma që u përdor dyshohet se ishte e viktimës”- prokuroria jep detaje të reja për vrasjen në Drenas

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë lidhur me vrasjen e djeshme në Fushticë të Drenasit.

Prokuroria thotë se V.P. është arrestuar për veprat penale “Vrasje” dhe “Manipulimi me prova”.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës.

“Gjatë kontrollit në vendngjarje janë gjetur dhe siguruar një (1) gëzhojë dhe një (1) fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, një pistoletë e tipit “ZORAKI 917-T”, me numër serik A3YZR16YS01201411, është gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës.”

Në komunikatë thuhet se viktima ishte dërguar në QKMF’në në Komoran nga familjarët.

“Sipas informacioneve fillestare, viktima e rastit, R.Sh., ishte dërguar nga familjarët në QKMF Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se i njëjti ishte pa shenja jete.”

Po ashtu është kryer bastisje në shtëpinë e viktimës pasi dyshohet se arma që është përdorur ishte në pronësi të viktimës.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisja e shtëpisë së viktimës, pasi që dyshohet se arma me të cilën është kryer vepra penale ishte në pronësi të viktimës. Prokurori i Shtetit, brenda afateve ligjore, do të parashtrojëkërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P.”

………

Kujtojme se

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në Fushticë të Drenasit.

Mesohet se viktima është Ragip Shala.

Rreth rastit kanë reaguar edhe bashkëfshatarët e Shalës, të cilët përmes faqes në emër të fshatit kanë njoftuar për ceremoninë e varrimit.

“Njoftojmë gjithë bashkëfshatarët, miqët dhe dashamirët se ka vdekur tragjikishtë RAGIP (Rashit) SHALA i lindur më 25.04.1957.

Në emër të fshatit iu shprehim ngushllime familjes SHALA dhe gjithë farefisit!

Allahu e shpërbleftë me Xhenet!

Njëkohësisht ju njoftojmë se varrimi bëhët nesër më: 03.11.2025 ( e hëne ) në ora 14:00 në varrezat e fshatit Fushticë e Poshtme..”, thuhet në njoftim.

Kurse sot policia ka bërë të ditur se është arrestuar edhe i dyshuari

Rezistuan 6 orë ndaj forcave serbe, familjarët përkujtojnë heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

Në 36-vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, familjarët e tyre theksuan se sakrifica e këtyre dy figurave të shquara të çështjes kombëtare mbetet frymëzim për brezat dhe pjesë e identitetit të lirisë së Kosovës.

Në homazhet e mbajtura në Velani të Prishtinës, motra e heroit Afrim Zhitia, Sadete Zhitia tha se tha se ndihet e lumtur që ëndrrat dhe ideali i heronjve po bëhen realitet në shtetin e Kosovës.

“Është njëri nga ata të cilët punuan vazhdimisht, ishin nëpër burgje, dolën, vazhduan luftuan dhe ranë dhe sot kur po vijmë në përkujtime, po jemi të lumtur për arsye se pavarësisht ankesave që mund t’i kemi, shteti jonë po zhvillohet, po ecë me hapa të sigurt dhe sidomos kohëve të fundit jemi shumë të lumtur që shteti ka shtrirë sovranitetin e vet anekënd vendit, ushtria është forcuar dhe po e shohim që po duket që jemi drejt finalizimit të atyre ëndrrave të vërteta të gjithë heronjve”, tha Zhitia.

Ndërsa, nipi i Fahri Fazliut, Fahri Fazliu i ri, u shpreh se ndjenja e sotme është një përzierje krenarie dhe përgjegjësie për trashëgiminë e të rënëve, raporton Kp.

“Sot po bëhen 36 vjet ku ranë heroikisht Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia në një luftë të pabarabartë me forcat serbe. Sot me shumë mall dhe krenari e kujtojmë atë ditë dhe falënderojmë të gjithë qytetarët anekënd trojeve shqiptare, që kanë ardhur sot të na respektojnë dhe t’i nderojnë dëshmorët e kombit.. Është një peshë, krenari, por edhe përgjegjësi e madhe”, tha Fazliu.

Bashkëveprimtari i Zhitisë e Fazliut, Ramadan Avdiu kujtoi kohën e burgut dhe veprimtarinë ilegale duke theksuar heroizmin e tyre gjatë rënies më 2 nëntor 1989.

“Bashkë jemi dënuar nga tetë vjet burg, pas daljes nga burgu, kemi vazhduar veprimtarinë tonë në kuadër të organizatës së fshehtë Lëvizja Popullore e Kosovës, kemi organizuar demonstrata gjatë vitit ‘89. I kujtojmë me shumë krenari shokët tanë, të cilët u ndodhën të rrethuar në mesditën e 2 nëntorit 1989 dhe me dy armë që kishin ata rezistuan për gjashtë orë kundër forcave të shumta të policisë. Ranë heroikisht duke u bërë shembulli i sakrificës”, tha Avdiu.

Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht më 2 nëntor 1989, pas një përballjeje të pabarabartë me forcat serbe në Bregun e Diellit në Prishtinë, duke hyrë përgjithmonë në historinë e lirisë së Kosovës.

Me karafila të bardhë dhe tingujt e ‘I did it my Way’, Fatos Nano përcillet për në banesën e fundit

Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është përcjellë ditën e sotme për në banesën e fundit.

Qindra qytetarë hodhën karafila të bardhë, mbi arkivolin e liderit historik të PS. Nano u përcoll në banesën e fundit me nderimet më të larta shtetërore.

Po ashtu, homazhet për të u shoqëruan edhe nga tingujt e muzikës ‘I did it my Way’ të the Betales, këngë të cilën Fatos Nano e pëlqente shumë.

Kujtojmë se në homazhet në nder të ish-kryeministrit morën pjesë figurat më të larta shtetërore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe krerët e besimeve fetare në vend.

​Parashikimi i moti për javën e ardhshme 03.11-07.11.2025

Java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të ndryshueshme meteorologjike. Të hënën dhe të martën priten reshje shiu, me intensitet më të theksuar gjatë ditës së hënë, ndërsa të martën reshjet do të jenë më të dobëta dhe nuk do të përfshijnë tërë territorin e vendit.

Këto reshje do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve hidrologjike dhe do të kenë ndikim pozitiv në sektorin e agrometeorologjisë.

Mëngjeset pritet të jenë relativisht të ftohta, me mundësi për paraqitje të mjegullës në orët e para të ditës. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit dhe juglindjes.

E hënë

Moti kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Temperaturat minimale do të variojnë nga 4 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale 15-18 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi një deri në shtatë metra në sekondë.

E martë

Moti i vranët dhe me interval diellore. Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 10 deri në 13 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi një deri në pesë metra për sekondë.

E mërkurë

Moti me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të variojnë nga 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 13 deri në 16 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi një deri në pesë metra për sekondë.

E enjte

Mot kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të ndryshojnë nga 0 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale 13 deri në 15 gradë Celsius. Era do të fryjë nga juglindja, me shpejtësi një deri në tri metra për sekondë.

E premte

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen nga 0 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale 13 deri në 15 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi,

thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës