Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

Rikthehet kalimi pa kontrolle i automjeteve në kufirin Kosovë-Shqipëri

02 Nëntor 2025 23:21

Është rikthyer lëvizja pa kontroll midis Shqipërisë dhe Kosovës. Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 nëntor dhe do të zgjasë deri në fund të muajit shkurt.

Kontrollet kufitare do të aplikohen vetëm për mjetet me targa të huaja, ndërsa automjetet me targa shqiptare dhe të Kosovës nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve.

Sipas ABC News.al, marrëveshja për lëvizje të lirë mes dy shteteve synon të lehtësojë qarkullimin, sidomos gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtimeve rritet ndjeshëm.

Midis dy vendeve janë përcaktuar dy periudha për kalim pa kontroll, nga 1 maji deri më 30 shtator, si dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt.

Në total, qytetarët e dy vendeve përfitojnë qarkullim pa kontroll për një periudhë 9-mujore.

Spanjollët pro integrimit të Kosovës në BE

Një sondazh i Eurobarometer tregon se shumica e qytetarëve në disa vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë pro anëtarësimit të saj në BE.

Në Spanjë, 53% e qytetarëve mbështesin integrimin evropian të Kosovës, ndërsa vetëm 27% janë kundër. Në Rumani, mbështetja është 52%, ndërsa kundërshtimi 36%.

Mbështetje më e ulët është regjistruar në Sllovaki (46%), Greqi (44%) dhe Qipro (40%). Mesatarja e pesë vendeve mosnjohëse tregon se 47% janë për anëtarësim, përballë 40% që janë kundër.

Rezultatet konsiderohen befasuese, veçanërisht në Spanjë, ku qytetarët shfaqin qëndrim më pozitiv ndaj integrimit të Kosovës sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është 43%.

Hykmete Bajrami: Vjosa Osmani nuk do zgjedhje, por t’i japë kohë Kurtit

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se vendi do të shkojë patjetër në zgjedhje, pasi sipas saj, asnjë parti politike nuk i ka 61 vota për të formuar qeverinë.

Ajo ka theksuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë bashkë pasi sipas saj, kjo e fundit ka qenë e interesuar t’i shmangë zgjedhjet, por përkundrazi i ka dhënë kohë Kurtit.

“E kemi balotazhin më 9 nëntor, në anën tjetër është i pashmangshëm procesi i zgjedhjeve nacionale sepse askush nuk i ka votat. Vjosa dhe Albini së bashku, u pa që janë bashkë sepse zonja doli dhe tha që detyrë e imja është që me i shmangë zgjedhjet, e si me i shmangë zgjedhjet?”, ka deklaruar Bajrami në emisionin Debat Plus.

“Kemi pritur që 9 muaj dhe askush nuk i ka 61 vota. Sikur Vjosa Osmani do të ishte me të vërtetë pro procesit të shmangies së zgjedhjeve, ajo do të dilte me një deklaratë në kohën kur LDK doli për qeveri të unitetit. Nuk ka pasur person që nuk e ka kritikuar idenë që e kemi propozuar ne. Vjosa Osmani nuk është e interesuar për zgjedhje, është e interesuar për t’i dhënë kohë Albin Kurtit. Kurti nuk është i interesuar për zgjedhje”, ka shtuar ajo.

Sipas Bajramit, afatet janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe nuk mund të zvarriten.

“Afate janë kushtetuese kur ka dikush që i ka numrat kur të gjitha partitë tregojnë që nuk i kanë numrat duhet me u shpallë data e zgjedhjeve edhe jo me thënë që Kurti nuk i ka numrat por të shohim mbase po ndodhë mrekullia dhe Kurti mund t’i ketë numrat brenda një afati të caktuar”, ka deklaruar Bajrami në Debat Plus.

Policia jep detaje për therjen me thikë në Istog

Një therje me thikë ka ndodhur pasiditën e sotme në një lokal në komunën e Istogut.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënës polici për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 18:35, Policia është njoftuar për një përleshje në një lokal në komunën e Istogut. Si pasojë e ngjarjes, dy persona janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog, ku dyshohet se janë therur me armë të ftohtë – thikë. Njësitë policore janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetime intensive për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat që kanë ndodhur në këtë rast”, ka thënë Gashi.

behet e ditur se ka ndodhur një përleshje mes dy të rinjëve V.Qekaj dhe Sh.Nicaj

Arrestohet 29-vjeçari për kalim ilegal të kufirit me Greqinë

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë, gjatë kontrolleve konstatuan në vendin e quajtur “Sorone” Xarë, një automjet me të cilin po transportohej një shtetas i huaj ilegal.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K. (29), banues në Karbunarë – Lushnjë, po transportonte një emigrant nga Pakistani kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonte ilegalisht kufirin në Greqi.

Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprën penale ndihma për kalim ilegal të kufijve.