Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Rajoni

KQZ-ja shpall rezultatet për kryetar në tri komuna dhe certifikon 35 të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, e cila do të fokusohet kryesisht në shpalljen dhe certifikimin e rezultateve të ndryshme zgjedhore.

Sipas njoftimit për media, mbledhja do të nisë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Prishtinë, Mamushë dhe në Junik.

Këto tri komuna nuk ishin përfshirë në shpalljen e rezultateve më 25 tetor, për shkak të ankesave që ishin dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si edhe në Gjykatën Supreme.

Pas këtij procesi, KQZ-ja do të kalojë në certifikimin e rezultateve për zgjedhjet e kryetarëve të 35 komunave të tjera, rezultatet e të cilave ishin publikuar në mbledhjen e muajit tetor.

Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje pritet të shpallen edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për 38 kuvende komunale në vend.

Aksident me fatalitet në Rahovec, humb jetën një motoçiklist pas përplasjes me një veturë

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur ditën e djeshme në Rahovec ku kanë qenë të përfshira një veturë me traga vendi dhe një motoçikletë me drejtues mashkull kosovar.

Si pasojë e aksidentit drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime trupore i cili ndihmën e parë mjekësore e ka marrë në QKMF Rahovec, pastaj për shkak të lëndimeve të rënda është dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë ku edhe ka ndërruar jetë.

Lidhur me rastin vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent, ndërsa drejtuesi i veturës i dyshuari mashkull kosovar ka pësuar lëndime është dërguar për trajtim mjekësor dhe ndaj tij prokurori ka lëshuar vendim për masën e ndalimit 48 orë.

Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

AVONET dorëzon padi ndaj qeverisë në detyrë

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka njoftuar se të hënën, më 3 nëntor 2025, do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative, siç thuhet në komunikatën për media për anulimin e vendimit të qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës (nr. 02/273, datë 31.10.2025), që ka të bëjë me aprovimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Sipas njoftimit, së bashku me padinë do të dorëzohet edhe propozimi për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë, me qëllim pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi. Dorëzimi do të bëhet në Pallatin e Drejtësisë, në Departamentin për Çështje Administrative, me fillim nga ora 10:30.

Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET-it, Kenan Gashi, do të mbajë një deklaratë për media, ku do të shpjegojë qëllimin e kësaj padie, e cila, sipas njoftimit, lidhet me respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për qeverinë, si edhe parimet e ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.

Njoftimi i plotë:

Dorëzimi i padisë ndaj qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për anulimin e vendimit mbi Projektligjin për ndarjet buxhetore 2026

Të nderuara media,

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ju fton të merrni pjesë në aktivitetin mbi dorëzimin e padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative, për anulimin e vendimit të qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës (nr. 02/273, datë 31.10.2025), për aprovimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026, si dhe së bashku me padi do të dorëzohet edhe propozimi vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.

Dorëzimi i padisë do të bëhet në:

Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative (Pallati i Drejtësisë), Hajvali, Prishtinë;

E hënë, 3 nëntor 2025, me fillim nga ora 10:30

Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET-it, Kenan Gashi do të mbajë një deklaratë për media, ku do të shpjegojë qëllimin e kësaj padie, e cila lidhet me respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për qeverinë, si dhe parimet e ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.

Pjesëmarrja dhe përcjellja e këtij aktiviteti nga ana juaj do të kontribuonte në informimin e drejtë të publikut dhe transparencën për një çështje me interes të lartë publik.

Bajrami: Shkuarja e Kurtit në opozitë është nderi më i madh që i bëhet Kosovës

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ndryshon dhe se largimi i tij nga pushteti do të ishte “nderi më i madh që i bëhet vendit”.

“Albin Kurti nuk ndryshon është i pandryshueshëm dhe LDK duhet të bëjë përpjekje maksimale që me arrit një rezultat të mirë në zgjedhje dhe me qenë partnere në një koalicion qeverisës i cili ka 80 numra që është në gjendje me zgjedh edhe presidenten me një qeveri pa Albin Kurtin”, ka deklaruar Bajrami në Debat Plus.

Ajo ka theksuar se marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë dëmet më të mëdha politike që i ka shkaktuar vendit Albin Kurti.

“Unë besoj që largimi i Albin Kurtit, shkuarja e tij në opozitë është nderi më i madh që i bëhet vendit, marrëveshja e Brukselit dhe Ankesi i Ohrit janë dëmet më të mëdha, kolosale politike që i ka shkaktu Albin Kurti”, ka deklaruar Bjarami.

Analistët: Zgjedhjet e reja, opsioni më i mirë pas dështimit të mandatarit

Deri më 5 nëntor do të mund të shihet se çfarë do të veprohet tutje pas takimit që do të ndodhë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me atë se a do të shkoj vendi në zgjedhje apo do të ketë një mandatar tjetër për krijimin e qeverisë. Analistët kosovarë përderisa kërkojnë unitet mes subjekteve politike, ka edhe mendime se kjo legjislaturë nuk mund të prodhojë asgjë.

Kanë mbetur edhe 3 ditë afat kushtetues që presidentja të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo të mandatojë dikë për të formuar qeverinë e re.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se pas dështimit të mandatarit të parë, që t’i sigurojë votat në Kuvend për formim të qeverisë, opsioni më i mirë janë zgjedhjet e reja.

“Kjo legjislaturë e dalë nga zgjedhjet e shkurtit nuk prodhon zgjidhje të problemeve dhe nuk prodhon qeveri stabile, prandaj unë mendoj se edhe pas datës 5 nëntor, nuk besoj që edhe kandidati tjetër të bëj 61 numra për një qeveri stabile dhe më pas ose të zgjidhet presidenti në afatet kohore ose të shkohet në zgjedhje të reja”, tha Sadik Zeqiri.

Sipas tyre, partitë politike duhet të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë drejtë një qeverie stabile që do ta nxirrte vendi nga kriza institucionale.

“Partitë politike në Kosovë duhet që të bëjne një zgjidhje që e kërkon interesi nacional, përmes një bashkëveprimi të arsyeshëm sepse do të ishte fort e rëndësishme që të formohej qeveria, të procesohej projektbuxheti I vitit të ardhshëm, të funksionalizohen shumë institucione të tjera që janë peng i mosfunksiomit dhe të përgatitemi pastaj për një fazë të re që me gjasë do të jenë përsëri zgjedhjet”, tha Dorajet Imeri.

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh, sipas afatit kushtetues, rrjedhimisht deri më 5 nëntor.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja pas takimit me presidenten deklaruan se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa kreu i LVV-së, Albin Kurti i ka kërkuar presidentes sërish takim para 5 nëntorit.

Sot nis fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale

Sot, më 3 nëntor nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Kjo fushatë do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit më 9 nëntor në orën 07:00.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në 17 komuna.

Gara e balotazhit dhe fushata zgjedhore po zhvillohet në një situatë të ndjeshme politike, pas dështimit të formimit të Qeverisë së re ku mund të kemi edhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, e të cilat do të mund të mbahen në muajin dhjetor.