Die. Mar 29th, 2026

Lajme nga Rajoni

Berisha për 21 janarin: Njeriu i vetëm që ka penguar hetimet është Rama

Njeriu i vetëm që ka penguar hetimet për 21 Janarin është Edi Rama.

Kështu u shpreh kreu i partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK-u.

Ish-kryeministri i kohës tha se ish-kryeprokurorja Ina Rama refuzoi prokurorin ndërkombëtar të ardhur nga SHBA-ja për hetimet.

“Tani, do të sqaroj shqiptarët se nga viti 2013 gjer në vitin 2025, njeriu që ka penguar çdo hetim të asaj dosje ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Shqiptarët e dinë mirë, se unë nuk kam pasur, përkundrazi një armiqësi të hapur me Ina Ramën, e cila në qoftë se ky është sivëlla me Troplinin, Ina është simotër e Troplinëve. Mësoje nga unë këtë. Përveç të tjerash. Por Ina Rama, e cila refuzoi prokurorin ndërkombëtar që unë kërkova, se erdhi prokurori ndërkombëtar, se nuk është e vërtetë që nuk erdhi, ka ardhur prokuror amerikan, nuk hetonte dot sepse i dilte Edi Rama. Dhe kërkesa zyrtare e Qeverisë amerikane është kjo: të hetohet nga polici i thjeshtë tek organizatori kryesor’’, ka thënë Berisha

Kjo kërkesë ka ardhur këtu nga Thomas Countryman që erdhi i posaçëm për këtë krizë, shtoi ai.

Jashari pret në takim komandantin e KFOR-it, diskutojnë për situatën e sigurisë në vend e rajon

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Të dy bashkë kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë e rajon dhe për zhvillimin e FSK-së.

“Fillimisht Gjeneral Jashari shprehu mirëseardhje Gjeneral Major Ulutash dhe e uroi për detyrën komandantit të KFOR-it, duke i dëshiruar sukses në këtë detyrë të rëndësishme. Gjatë takimit ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat, operacionet dhe aktivitetet e tjera të saj. Po ashtu, u fol edhe për situatën aktuale të sigurisë vendore dhe rajonale, si dhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur së në këtë takim mes Jasharit e Ulutash u diskutua edhe për bashkëpunimin e deritanishëm në mes të FSK-së dhe KFOR-it, si dhe u theksua rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi, i cili, sipas Forcës, do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë si në Kosovë, ashtu edhe në rajon.

KQZ: Tërheqja e kandidatit nuk ndikon në mbajtjen e balotazhit në Kllokot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësisht se një nga kandidatët për kryetar komune të Kllokotit ka njoftuar për tërheqjen nga gara, në këtë komunë do të mbahet rundi i balotazhit.

Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” njoftoi më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe, parti nga e cila ka qenë kundërkandidati i tij në zgjedhjet lokale në Kllokot dhe është tërhequr nga gara e 9 nëntorit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë “nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore”.

“Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi.

Sipas një njoftimi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan kësaj partie, duke shtuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Sipas rezultateve preliminare, në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale Spasiq do të përballet me kandidatin e Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq.

Spasiq tha se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe, që tha se është “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.

“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që ta kontaktojë Spasiqin për koment, por deri më tani ai nuk është përgjigjur.

Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe që ka shkuar në balotazh, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe ka fituar qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 12 tetor.

Sipas rezultateve, në rundin e parë në Kllokit, Bozhidar Dejanoviq fitoi 893 vota apo 41.38 për qind të votave, ndërkaq Sreqko Spasiq 674 vota apo 31.23 për qind.

Lidhja e Kosovës më 28 tetor tha se në rundin e dytë do të mbështeste Spasiqin. Kjo parti në rundin e parë mori 73 vota. Po të njëjtën ditë, nga nisma e Spasiqit thanë se 9 nëntori “është datë që do të hyjë në histori”, me parullën “Të gjithë së bashku për një fitore”.

Lista Serbe e ka mirëpritur vendimin e Spasiqit për tërheqje nga gara dhe bashkim në këtë subjekt, duke e cilësuar si “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, iniciativa e Spasiqit gjithashtu kishte arritur të futej në rundin e dytë në Kllokot, por në fund fitoi Lista Serbe.

Atë botë, para rundit të dytë Nisma Qytetare “Bashkimi Popullor” e Sasa Mirkoviqit e mbështeti Listën Serbe, ndonëse Sreqko Spasiq pretendonte se kishte “marrëveshje parimore” me të.

Sreqko Spasiq ka qenë më parë kryetar i komunës së Kllokotit nga radhët e Listës Serbe, por e kishte braktisur këtë parti në vitin 2017, kur i biri i tij, Strahinja Spasiq, kandidat për kryetar komune, mbeti pa mbështetjen e partisë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Në atë kohë, Lista Serbe njoftoi se kandidati i saj për rundin e dytë ishte Bozhidar Dejanoviq, i cili në rundin e parë kishte garuar në emër të Iniciativës Qytetare “Kllokot–Vërbovc”, dhe jo me Sreqko Spasiqin.

Më pas u njoftua se Dejanoviq, bashkë me të gjithë anëtarët e nismës së tij, i ishte bashkuar Listës Serbe dhe u bënë thirrje qytetarëve ta mbështesin në rundin e dytë të zgjedhjeve.

Më pas, Dejanoviq fitoi me 50.24 për qind të votave, ndërsa Strahinja Spasiq mori 49.76 për qind. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Dejanoviq fitoi si kandidat i Nismës Qytetare “Kllokot–Vërboc”, ndërsa Strahinja Spasiq garoi në emër të Listës Serbe.

Megjithatë, Dejanoviq deri më tani e ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kllokoti si përfaqësues i Listës Serbe.

Kllokoti është një nga katër komunat me shumicë serbe në rajonin e Anamoravës, ku jetojnë rreth 30 mijë serbë. /REL/

Rriten kërkesat për azil, bie numri për heqje dorë nga shtetësia

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka publikuar të dhënat për periudhën korrik–shtator 2025, të cilat tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare dhe lëvizje të migrantëve.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë pranuar 76 aplikacione për mbrojtje ndërkombëtare në Qendrën e Azilit. Nga to, 55 aplikues janë meshkuj dhe 21 femra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur ishin vetëm 41 aplikime, vihet re një rritje prej 81%.

Sa i përket shtetësisë, shtetasit e Palestinës kryesojnë me 29% të kërkesave, të pasuar nga Egjipti me 25%, Jordania me 17%, ndërsa pjesa tjetër u takon shteteve të tjera me përqindje më të ulët.

Në të njëjtën periudhë, është regjistruar edhe një ulje e kërkesave për heqje dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Janë parashtruar 128 kërkesa për lirim nga shtetësia dhe janë marrë gjithsej 217 vendime, prej tyre 213 pozitive dhe 4 negative. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (268 vendime), shënohet një rënie prej 19%.

Në mesin e shteteve që kanë garantuar shtetësinë për qytetarët e Kosovës prinë: Austria me 56%, Sllovenia me 29%, Gjermania me 4.7%, Kroacia me 3.2%, ndërsa shtetet e tjera përbëjnë 7%.

Nga aplikuesit, 51% janë meshkuj, ndërsa 49% femra. Në Qendrën e Pritjes së Përkohshme për Migrantë (QPPM), gjatë periudhës Korrik–Shtator 2025 janë pritur dhe akomoduar 247 migrantë, që paraqet një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2024 (238 migrantë).

Sipas të dhënave, numri më i madh i migrantëve që kanë qëndruar në këtë qendër vjen nga Maroku, Egjipti, Siria, Palestina dhe Algjeria. Ky raport reflekton trendet në rritje të migrimit dhe kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe interesin e qytetarëve të Kosovës për të përfituar shtetësi në vendet e Bashkimit Evropian

Një grua arrestohet për mosrespektim të urdhrit mbrojtës në Skenderaj

Një grua është arrestuar në fshatin Abri e Poshtme të Skenderajt, pasi ka shkelur urdhrin mbrojtës të lëshuar nga gjykata ndaj viktimës, një mashkull kosovar.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mëngjesin e 2 nëntorit 2025, rreth orës 08:00. E dyshuara, pavarësisht vendimit gjyqësor, nuk ka respektuar kushtet e urdhrit mbrojtës dhe për këtë arsye është arrestuar nga njësitë policore.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje, ndërsa më pas, me rekomandim të mjekut kujdestar, është transferuar për trajtim në QKUK – Psikiatri.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është në procedurë hetimore dhe do të trajtohet sipas ligjeve në fuqi.

Dy të arrestuar për posedim dhe shitje narkotikësh në Prizren

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.

Sipas raportit të policisë, gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 51.57 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, një peshore digjitale, 180 qese plastike të zbrazëta që shërbenin për paketimin e narkotikëve, para të gatshme dhe dy celularë.

Po ashtu, si pjesë e provave materiale është konfiskuar edhe një veturë me targa vendi, e cila dyshohet se është përdorur për transportimin e substancave të ndaluara.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme hetimore.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së tyre nëpër qytete.