Die. Mar 29th, 2026

Lajme nga Rajoni

Xhaferi: Kurti është dëshmi e qartë e një dështimi politik

Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka adresuar kritika ndaj kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për mungesë të përpjekjeve seriozre për krijimin e një shumice parlamentare për formimin e qeverisë.

Në një deklaratë për RTV21 deputeti Xhaferi tha se qasja destruktive e Kurtit po e dëmton jo vetëm politikën, por edhe shtetin tonë.

‘’Që nga fillimi zoti Kurti ka pas një strategji, pra zvarritjen dhe kalkulime politike. Asnjë përpjekje serioze, as për konstituimin e kuvendit apo krijimin e shumicës qeverisëse. Në vend që të tregojë përgjegjësi ai ka zgjedhur që të mbajë vendin të ambicieve të veta personale. Po të kishte vullnet real politik për krijimin e shumicës institucionale kjo situatë nuk do të zgjaste për muaj të tërë. Sot vendi ka nevojë për zgjedhje të reja. Pra, as për justifikime apo arsyetime politik. Pa aftësia e Albin Kurtit për të ndërtuar shumicën, ndonëse ka 48 deputetë është dëshmi e qartë e një dështimi të tij politik’’, tha Xhaferi

Një qasje destruktive që po e dëmton jo vetëm politikën, por edhe vet shtetin tonë, shtoi Xhaferi

Sejdiu: Qeveria në detyrë s’mund të propozojë dhe as të shtyjë përpara buxhetin, Kushtetuta nuk e lejon!

Njohësi i çështjeve ekonomike Dardan Sejdiu, ka thënë se Qeveria në detyrë nuk mund të propozojë, e aq më pak të shtyjë përpara Buxhetin e Republikës për vitin 2026.

Sejdiu ka thënë se këtë nuk e lejon Kushtetuta.

“Jo sepse dikujt nuk i pëlqen, por sepse Kushtetuta nuk e lejon. Jo sepse është debat politik, por sepse është çështje rendi kushtetues dhe rendi kushtetues nuk është formalitet, është themeli mbi të cilin ngrihet shtëpia jonë, Republika e Kosovës”, ka thënë Sejdiu.

Postimi i plotë i Sejdiut:

Sipas Kushtetutës së Kosovës, ndarja e pushteteve është parimi themelor:

•⁠ ⁠Kuvendi legjislon.

•⁠ ⁠Qeveria zbaton.

•⁠ ⁠Gjyqësori garanton.

Kjo ndarje nuk është teori, është garancia e vetme që sovraniteti mbetet te populli, përmes përfaqësuesve të tij në Kuvend, pra deputetëve të zgjedhur. Qeveria i përgjigjet popullit, pra Kuvendit. Kur Kuvendi ndryshon, legjitimiteti i qeverisë mbaron. Në momentin që zgjedhet legjislatura e re, qeveria e mëparshme humb të drejtën për të ushtruar pushtet të plotë, sepse ajo nuk ka më kontroll parlamentar.

Neni 93 i Kushtetutës përcakton se Qeveria “propozon projektligje dhe Buxhetin e Republikës së Kosovës”. Por ky autoritet është i vlefshëm vetëm për një qeveri që ka mandat politik aktiv dhe mbikëqyrje parlamentare. Një qeveri në detyrë që nuk ka më lidhje me Kuvendin e ri nuk mund të propozojë buxhetin e një viti që do ta menaxhojë një qeveri tjetër. Nëse ndodh e kundërta, Qeveria në detyrë përvetëson kompetenca që Kushtetuta nuk ia njeh.

Edhe Ligji për Qeverinë (08/L-117) është i qartë: një qeveri në dorëheqje mund të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme, dhe përjashtimisht mund të propozojë buxhetin, por vetëm nëse është ende nën mandatin e të njëjtit Kuvend. Ky përjashtim nuk vlen për qeverinë në detyrë, e cila ekziston vetëm si administratë teknike deri në formimin e qeverisë së re.

Nëse një qeveri në detyrë propozon Buxhetin 2026, ajo vepron jashtë çdo baze ligjore!

Tutje, sipas Nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, “Anëtari i Qeverisë që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para certifikimit të rezultateve.” Pra, një ministër që është njëkohësisht edhe deputet, nuk mund të propozojë si qeveri e të votojë si Kuvend. Kjo është shkelje e ndarjes së pushteteve dhe konflikt i pastër interesi.

Ndërkohë, Rregullorja e Kuvendit kërkon që buxheti të shqyrtohet në komisione parlamentare, të cilat japin raport dhe rekomandime përpara miratimit. Pa komisione, procesi është i paligjshëm. Asnjë afat procedural nuk mund të zëvendësojë fazat përmbajtësore të kontrollit parlamentar.

E gjitha kjo nuk është thjesht debat teorik. Është çështje thelbësore e rendit juridik dhe politik të Kosovës. Dhe nuk është vetëm mendim politik, është edhe qëndrim juridik tashmë i konfirmuar në praktikë edhe me vendimin e Gjykatës Supreme e cila ka theksuar se çdo institucion apo individ që vepron përtej kompetencës së përcaktuar me ligj, shkel rendin juridik dhe mund të përballet me ndjekje penale.

Pra, nuk është vetëm shkelje procedurale është veprim që prek kufijtë e përgjegjësisë penale.

Prandaj me i ra shkurt e trup kësaj pune:

•⁠ ⁠Kjo qeveri në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë Buxhetin 2026.

•⁠ ⁠Çdo projektbuxhet i tillë është i pavlefshëm ligjërisht.

•⁠ ⁠Çdo miratim pa komisione është nul procedurialisht.

•⁠ ⁠Dhe çdo ministër që është edhe deputet dhe voton, shkel Kushtetutën.

Kjo është çështje e qartë juridikisht. Por ajo që e bën serioze është motivi politik pas saj.

Një qeveri që e di se nuk ka më mandat, por përpiqet të diktojë buxhetin e vitit të ardhshëm, nuk po ruan stabilitetin, por po teston kufijtë e Republikës. Sepse kush kontrollon buxhetin, kontrollon prioritetet, politikat dhe zhvillimin. Një qeveri pa mandat që propozon buxhetin është si dikush që nënshkruan në emër të tjetrit pa autorizim.

Kjo është mënyra si fillon zbehja e Republikës, me një “përjashtim” që bëhet precedent, me një “veprim teknik” që bëhet zakon, me një “qeveri në detyrë” që s’ka më dëshirë të dorëzojë pushtetin. Jo me grusht shteti, por me arrogancë e zaptim administrativ.

Dhe këtu është thelbi:

Republika nuk e njeh pushtetin e pakufizuar. Ajo funksionon vetëm kur qeveria i nënshtrohet kontrollit të Kuvendit dhe ligjit. Në momentin që kjo lidhje këputet, shteti mbetet pa sovranitet demokratik. Pushteti kthehet në instrument për mbijetesë politike, jo për shërbim publik.

Nëse heshtim për këtë sot, nesër do të kemi një shtet që ende quhet “Republikë”, por që s’ka më republikë brenda. Sepse Republika e Kosovës edhe nëse është bërë me shpallje, ajo shuhet me heshtje dhe justifikime, me arsyetime se “nuk është gjë e madhe”. Por është. Në momentin që pushteti vepron pa mandat, ai nuk është më qeveri, është shkelje e rendit demokratik.

Qeveritë janë të përkohshme, parimet janë të përjetshme.

Hibrid: Sondazhet e rreme ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë zgjedhjeve lokale

Sondazhet e rreme kanë qenë ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë rundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.

Në raportin e publikuar nga Hibrid tregohet se 81 për qind e keqinformimit në mediat sociale, kanë qenë lajme tërësisht të rreme, ndërsa pjesa tjetër janë përbërë nga manipulime faktesh, teori konspirative dhe raportime të njëanshme. Po ashtu, në bazë të këtij raporti, nga zyrtarët dhe mediat serbe janë evidentuar 20 përmbajtje të keqinformimit, ndërkaq në mediat ruse 74 përmbajtje të keqinformimit.

Kontrolluesi i fakteve në Hibrid, Fatbardh Dema, tha se gjatë zgjedhjeve lokale kanë evidentuar 28 sondazhe të rreme, ndërkaq vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve më 12 tetor, janë evidentuar pesë sondazhe të rreme dhe dy exit-polle të fabrikuara në rrjetet sociale.

“Keqinformimi i brendshëm ose ai në gjuhën shqipe tregon se kategoria më e përdorur për dezinformatë ka qenë lajmi i rremë, duke përfshirë 81 për qind të përmbajtjes ose 30 prej 37 sa kanë qenë në gjuhën shqipe. Kjo dominancë e lajmeve të rreme tregon se një përqindje shumë e madhe e këtyre përmbajtjeve ka qenë tërësisht e fabrikuar. Dezinformatat, manipulimi i fakteve dhe teoritë konspirative kanë qenë në përqindje më të vogël nga pesë për qind secila. Një fenomen interesant kanë qenë sondazhet e rreme me gjithsej 28. Këto kryesisht janë publikuar në media sociale. Gjatë ditës së zgjedhjeve, një orë para se të mbyllet votimi, janë evidentuar pesë sondazhe të rreme dhe dy exit-polle të rreme të fabrikuara në media sociale. Faqet që vetëquhen si media, që e kanë një prapashtesë pikë com, pikë info, por që nuk dihet se kush qëndron prapa tyre. Këtu vërehet që ka pasur ndikim duke u bazuar në komente. Në media sociale kanë qenë 89 për qind e këtyre publikimeve, ndërkaq dy të tjera kanë qenë në media kredibile online – njëra ka qenë lajm i rremë, ndërkaq një tjetër raportim i njëanshëm. Sondazhet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara ku ka pasur veç grafika dhe pretendime se ky subjekt politik ose ai tjetri ka dalë më mirë, në fushatën e zgjedhjeve lokale në raundin e parë keqinformimi ka ecur në mënyrë më të sofistikuar”, tha ai.

Në lidhje me sondazhet e rreme, hulumtuesi tjetër në Hibrid, Festim Rizanaj, tha se të njëjtat kanë marrë shumë reagime nga qytetarët duke i marrë si të mirëqena. Ai bëri thirrje atyre që në zgjedhjet e raundit të dytë të 9 nëntorit, të mos t’i marrin për bazë sondazhet e rreme gjatë krijimit të një përshtypjeje se për kë të votojnë.

“Sondazhet e rreme kanë pasur shumë pëlqime, shpërndarje dhe komente duke e marrë si të mirëqenë atë sondazh. Ne shfrytëzojmë rastin t’i bëjmë thirrje audiencës që në rundin e dytë gjatë balotazhit, sondazhet që i shohin në mediat sociale të mos t’i marrin për bazë gjatë krijimit të një përshtypjeje se për kënd me votuar, pasi ato janë të rreme dhe të sajuara”, theksoi ai.

Në anën tjetër, ai përmendi keqinformimin edhe nga mediat dhe zyrtarët serbë, si edhe ato ruse, për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Ai tha se të njëjtit kanë shpërndarë narrativën serbe, duke u munduar ta paraqesin Kosovën si jo demokratike dhe se zgjedhjet po bëhen në kushte të papërshtatshme për komunitetin serb.

“Duke u munduar ta paraqesin Kosovën si jo demokratike dhe se zgjedhjet po bëhen në kushte jo të përshtatshme për komunitetin serb. Narrativa ka qenë se komuniteti serb i ka zgjedhjet për mbijetesën e tyre si luftë ekzistenciale. Po ashtu, është potencuar fakti i besnikërisë ndaj Vuçiqit, që vetëm ata janë garantuesit kryesorë të komunitetit serb në Kosovë. Viktimizimi i serbëve nga Prishtina është identifikuar si kërcënim ndaj të drejtave dhe sigurisë së komunitetit serb. Fitorja e Listës Serbe është identifikuar si garanci dhe unitet në kontroll të komunave me shumicë serbe. Lista Serbe është portretizuar si e vetmja përfaqësuese legjitime dhe zëri i vetëm autentik i serbëve në Kosovë. Kur kalojmë te narrativa e mediave ruse, të cilat veprojnë në Ballkanin Perëndimor në gjuhën serbe, ‘Sputnik Serbia’ ka publikuar 43 artikuj në lidhje me zgjedhjet, ndërsa ‘Russia Today’ 31 artikuj. Këta i kanë amplifikuar këto narrativa serbe, duke identifikuar zgjedhjet si formë ose luftë për mbijetesë kombëtare të komunitetit serb në Kosovë”, tha ai.

Raporti i Hibrid ka mbuluar periudhën 13 shtator-15 tetor 2025 dhe ka analizuar përhapjen e lajmeve të rreme, sondazheve jokredibile, rolin e mediave sociale dhe influencën e narrativave të jashtme

“53-milionëshi”, Ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit Pal Lekaj thotë se ishte kërkuar përpilimi i opinionit ligjor brenda afatit 24 orësh

Në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, të hënën është dëgjuar Argjend Zejnaj, ish-shef i kabinetit të ish-ministrit të Infrastrukturës- tani të akuzuarit Lekaj. Zejnaj deklaroi se u ishte kërkuar nga Zyra e Kryeministrit që ishte e nevojshme të përpilohet opinioni ligjor dhe më pas ishte njoftuar drejtori i Departamentit Ligjor në MI, Avdi Kamerolli.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zejnaj tha se me sa i kujtohet, përpilimi i opinionit ligjor u kërkua të bëhet brenda afatit 24 orësh.

Sipas tij, lidhur me çfarëdo mungese apo dokumenti që nuk e ka poseduar drejtori i Departamentit Ligjor, janë udhëzuar departamentet përkatëse të MI-së, që ta ndihmojnë me çdo dokument të nevojshëm.

Po ashtu, dëshmitari tha se i akuzuari Eset Berisha në cilësinë e këshilltarit politik, nuk ka pasur kompetencë ekzekutive dhe administrative.

Ndërsa, në pyetjen e prokurorit special Atdhe Dema, se për çka është kërkuar opinioni ligjor, Zejnaj tha se ka qenë përkitazi me temën e 53 milionë eurove.

I pyetur nëse ka qenë në dijeni për kompaninë mbikëqyrëse të kontratës “Hill International”, për autostradën në vlerë prej 600 milionë euro, kompani kjo sipas tij e paguar me mijëra euro për dhënien e opinioneve, dëshmitari tha se nuk ka njohuri për këtë dhe qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm.

Dëshmitari Zejnaj dekaroi se edhe Komiteti Ndërministror ka qenë në dijeni për lartësinë e kërkesës së Bechtel & Enkës, pasi që kjo e fundit kërkesën e 63 milionë euro e ka paraqitur vetë para Komitetit Ndërministror.

Ndër tjerash, Zejnaj tha se ka pasur diskutime nga anëtarët e Komitetit Ndërministror për zvogëlimin e kërkesës së operatorit Bechtel & Enka.

Në këtë seancë, kryetarja e trupi gjykues, Violeta Namani-Hajra, tha se sipas detyrës zyrtare do të angazhojë ekspertizë financiare sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Artan Qerkini tha se i kanë identifikuar edhe çështje tjera për të cilat duhet të angazhohet eksperti financiar.

Në anën tjetër, prokurori Dema tha se Gjykata e Apelit, në mënyrë të qartë ka potencuar detyrat e ekspertit financiar.

Ndërsa, trupi gjykues konstatoi se do të angazhohet grupi i ekspertëve i cili do të ofrojë përgjigjet sipas kërkesave të mbrojtjes dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

Seanca do të vazhdojë në sesionin e pasdites, me dëgjimin e dëshmitarit Valdrin Lluka, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.