Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Dhjetëra të vdekur nga një shpërthim me bombë, pranë një tubimi politik në Pakistan

Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën në një sulm me bombë pranë një tubimi politik në Pakistan.

Qindra anëtarë të Partisë Kombëtare të Balochistanit ishin mbledhur për një tubim në një stadium në Quetta, kur një bombë shpërtheu në zonën e parkimit.

Autoritetet thanë se numri i të plagosurve mund të rritet në vijim. Ndërsa Grupi militant i Shtetit Islamik deklaroi se kreu sulmin. Balochistani, i cili kufizohet me Afganistanin dhe Iranin është rajoni më i madh dhe më i varfër i vendit.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dënoi sulmin ndaj tubimit të BNP-së, të cilin ai e quajti “dëshmi e fortë të komplotit nga terroristët për të përhapur kaos në Balochistan”.

Putin falënderon Jong Un-in për luftën e koreanëve në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka falënderuar Kim Jong Unin për guximin e trupave të tij që kanë luftuar në Ukrainë, në anën ruse.

Të dy udhëheqësit u takuan të mërkurën në Pekin, ndërsa Kina mbajti një nga paradat më të mëdha ushtarake të të gjitha kohërave, e cila përkujtoi 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Azi, shkruan BBC.

Kjo shënoi herën e parë që udhëheqësi i Koresë së Veriut merr pjesë në një takim ndërkombëtar të liderëve botërorë. Ai rrallë largohet nga Koreja e Veriut dhe zakonisht takohet vetëm me udhëheqës kokë më kokë.

Putin tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë miqësore dhe se ushtria e Phenianit ndihmoi në çlirimin e rajonit Kursk.

“Ushtarët tuaj luftuan me guxim dhe heroizëm”, i tha Putin Kim-it gjatë bisedimeve të së mërkurës.

“Dua të theksoj se nuk do t’i harrojmë kurrë sakrificat që kanë pësuar forcat tuaja të armatosura dhe familjet e ushtarakëve tuaj.”

Kim shprehu mirënjohjen e tij për njohjen e udhëheqësit rus dhe tha se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve kishin “përparuar në të gjitha fushat”.

“Nëse ka ndonjë mënyrë për të ndihmuar Rusinë, sigurisht që do ta bëjmë si një detyrë vëllazërore.”

Autoritetet turke urdhërojnë arrestime të reja të zyrtarëve të opozitës

Autoritetet turke urdhëruan të mërkurën ndalimin e shtatë zyrtarëve nga bashkitë e drejtuara nga opozita në Stamboll, tha transmetuesi NTV.

Ndalimet vijnë pas shkarkimit të kryetarit të provincës së Stambollit të Partisë Republikane Popullore (CHP) kryesore të opozitës, Ozgur Celik, nga një gjykatë të martën për shkak të parregullsive të dyshuara në një kongres provincial të CHP-së në vitin 2023.

Policia turke arrestoi pesë punonjës nga Besiktas dhe dy nga Avcilar – dy bashki të Stambollit – të mërkurën, raportoi NTV.

Të arrestuarist e sotëm janë në mesin e 15 kryetarëve të bashkive të burgosur si pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion. Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali kryesor politik i Erdogan, është arrestuar gjithashtur, shkruan Reuters