Die. Mar 29th, 2026

Lajme nga Bota

Tre të vrarë dhe 29 të plagosur nga sulmi rus në Kiev

Si rezultat i sulmit armik në kryeqytet, tre persona u vranë dhe 29 u plagosën, përfshirë shtatë fëmijë.

Kjo u raportua nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave (SES) në Telegram, siç citohet nga Ukrinform.

“Kryeqyteti është sulmuar nga armiku për herë të dytë gjatë 24 orëve të fundit. Tre persona u vranë”, thuhet në deklaratë.

Ekipet e shpëtimit po i përgjigjen pasojave të një sulmi me një dron në lagjen Desnianskyi, ku shpërthyen zjarre. Në një vend, një dron goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe; 13 persona u shpëtuan nga katet e sipërme.

Në një adresë tjetër, një dron goditi një ndërtesë 16-katëshe, duke thyer xhamat nga kati i 1-rë deri në të 9-tin.

Raportet tregojnë gjithashtu se një dron goditi një ndërtesë shumëkatëshe në lagjen Obolonskyi, megjithëse ekipet e shpëtimit nuk gjetën zjarr në vend.

Si pasojë e sulmit, 29 persona u plagosën, përfshirë shtatë fëmijë. Të gjitha viktimat po marrin ndihmë mjekësore.

Siç është raportuar më parë, shpërthime u dëgjuan në kryeqytet gjatë natës gjatë një sulmi me dron armik, dhe mbeturina u regjistruan duke rënë mbi ndërtesa banimi në lagjen Desnianskyi.

Macron i quan “pikë kthese” sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë

Vendimi i SHBA-së për të shtrënguar sanksionet kundër Rusisë ishte një pikë kthese, tha presidenti francez, Emmanuel Macron duke shtuar se kufizimet duhej të ndikonin në aftësinë e Moskës për të financuar luftën kundër Ukrainës, sipas BBC.

Gjatë fjalimit të tij në samitin e “Koalicionit të të Gatshmëve”, Macron theksoi se vendet anëtare të koalicionit duhet të vazhdonin të mbështesnin stabilitetin energjetik të Ukrainës dhe të rrisnin presionin ndaj Rusisë.

“Sanksionet amerikane janë qartësisht një pikë kthese. Efikasiteti i sanksioneve duhet të ndikojë në financimin e luftës për Rusinë”, tha Macron.

Sipas tij, koalicioni ka bërë progres të rëndësishëm në luftën kundër “flotës hije” të Rusisë.

Macron theksoi se ky ishte “një plotësues i përkryer” i sanksioneve.

Këtë javë, qeveria e SHBA-së vendosi sanksione të reja kundër Rusisë. Ato prekën kompanitë gjigante të naftes ruse “Rosneft” dhe “Lukoil”.

Erdogan: SHBA-ja t’i bëjë trysni Izraelit për zbatimin e armëpushimit në Gazë

Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të bëjnë më shumë për të detyruar Izraelin ta ndalë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Ai theksoi se ato madje duhet të përdorin mbase edhe sanksione apo ta ndalin shitjen e armëve në Izrael.

Turqia, anëtare e NATO-s dhe një nga kritiket më të zëshme të luftës së Izraelit në Gazë, i është bashkuar bisedimeve për armëpushim si ndërmjetëse, pasi më parë ishte përfshirë kryesisht tërthorazi.

Roli i saj i shtuar erdhi pas një takimi muajin e kaluar ndërmjet Erdoganit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta siguruar armëpushimin. Hamasi po e respekton armëpushimin dhe madje po e shpreh haptas zotimin e saj për këtë. Ndërkohë, Izraeli po vazhdon ta shkelë armëpushimin”, u tha Erdogan gazetarëve.

“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli i zbaton plotësisht armëpushimin dhe marrëveshjen”, tha ai, sipas një komunikate nga zyra e tij të premten.

“Izraeli duhet të detyrohet t’i mbajë premtimet e veta përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve”, sipas tij.

Ankaraja ka thënë se do t’i bashkohet një “task-force” që do ta mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit, dhe se forcat e saj të armatosura mund të shërbejnë në kapacitete ushtarake apo civile sipas nevojës.

Ajo gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në rindërtimin e enklavës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet të mërkurën se Izraeli e kundërshton çdo rol të forcave turke në Rripin e Gazës.

I pyetur për komentet e Netanyahut, Erdogani u përmbajt nga kritikat e zakonshme ndaj liderit izraelit dhe duket se zbuti angazhimin e tij të mëparshëm për një rol aktiv në terren në Gazë, duke thënë se bisedimet për këtë çështje janë ende në zhvillim.

“Bisedimet për task-forcën që do të punojë në Gazë janë ende duke vazhduar. Modalitetet e saj nuk janë ende të qarta. Meqë kjo është një çështje me shumë dimensione, po zhvillohen negociata gjithëpërfshirëse. Ne jemi gati t’i ofrojmë Gazës çdo lloj ndihme në këtë drejtim”, tha ai.

Marrëdhëniet midis dy ish-aleatëve, Izraelit dhe Turqisë, janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë luftës në Gazë, pasi Ankaraja e akuzon qeverinë e Netanyahut për “gjenocid”, një akuzë që Izraeli e ka mohuar vazhdimisht.

Ukrainë, rikthehet pas një muaji energjia elektrike në centralin bërthamor të Zaporizha

Energjia elektrike në centralin bërthamor të Zaporizha në Ukrainë është rikthyer pas një ndërprerjeje njëmujore që nga pushtimi rus, deklaroi DJE Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (AIEA).

“Rikthimi i energjisë elektrike në centralin e pushtuar nga forcat ruse, pas riparimit të një linje falë armëpushimit lokal, është një hap vendimtar për sigurinë bërthamore”, theksoi agjencia në një mesazh në X.

AIEA shtoi se vazhdon të punojë me Rusinë dhe Ukrainën për të mundësuar rivendosjen e një linje tjetër energjie.

Shmangia e një katastrofe bërthamore

AIEA njoftoi të shtunën fillimin e punës për riparimin e linjave te dëmtuara të energjisë.

Gjashtë reaktorët e centralit, te vendosur përgjatë lumit Dniepër pranë qytetit të Enerhodarit , të cilët prodhonin rreth një të pestën e energjisë elektrike të Ukrainës para luftës, u mbyllën pas marrjes nën kontroll nga Moska.

Megjithatë, centrali ka nevojë për energji elektrike për të mirëmbajtur sistemet e tij të ftohjes dhe sigurisë dhe për të shmangur një katastrofë.

Në fillim të tetorit, Moska konfirmoi se situata ishte nën kontroll në Zaporizha, pas shqetësimeve të shprehura nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Moska dhe Kievi kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për rrezikimin e një katastrofe bërthamore me sulmet pranë centralit.

Avioni ushtarak rus hyn në hapësirën ajrore të Lituanisë, ngrihen aeroplanët e NATO-s

Lituania, anëtare e NATO-s, ka thënë se dy avionë ushtarakë rusë hynë për pak kohë në hapësirën e saj ajrore sot.

Sipas mediave të huaja, dy aeroplanët, një luftarak Su-30 dhe një tanker furnizimi Il-78, qëndruan në hapësirën ajrore për 18 sekonda, ndërsa avionët spanjollë nga divizioni baltik i NATO-s u ngritën në ajër në përgjigje të incidentit, tha ushtria lituaneze.

Lituania, e cila ndan një kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit, është anëtare e NATO-s që nga viti 2004.

Kujtojmë se gjatë këtyre muajve, avionët rusë kanë kaluar disa herë në hapësirën ajrore të NATO-s, ç’ka sipas Perëndimit është një provokim nga ana e Putinit.

Nëntë të plagosur në një sulm rus me dronë në Kiev

Një sulm me dronë rusë gjatë natës në Kiev ka plagosur nëntë njerëz dhe ka shkaktuar dëme në ndërtesa në gjithë qytetin, tha të enjten një zyrtar i lartë në kryeqytetin ukrainas.

Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, theksoi se dhjetë zona të qytetit kanë pësuar dëme, dhe se dy ndërtesa banimi u goditën drejtpërdrejt.

Kryeqyteti ukrainas u përball me sulme ajrore nga Rusia natën e dytë radhazi.

Sulmet e mëparshme kishin si objektiv infrastrukturën energjetike, në atë që zyrtarët ukrainas e përshkruajnë si fushatë të Moskës për ta shkatërruar sistemin energjetik në prag të dimrit. Nuk është e qartë se cilat ishin shënjestrat e sulmit më të fundit.

Të paktën shtatë njerëz – gjashtë prej tyre në Kiev – u vranë në sulmet në gjithë Ukrainën të mërkurën, të cilat gjithashtu shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike, thanë zyrtarët, raporton rel.

Ushtria ukrainase njoftoi se Rusia i lëshoi 130 dronë në sulmet e fundit dhe se 92 prej tyre u rrëzuan.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte goditur infrastrukturën energjetike ukrainase në përgjigje të sulmeve ukrainase ndaj objektivave civile në Rusi. Moska thotë se objektet energjetike ukrainase janë objektiva të ligjshme ushtarake. Të dyja palët mohojnë se synojnë civilët.

Ukraina gjithashtu ka kryer sulme me dronë ndaj Rusisë.

Në sulmet më të fundit të tilla, zyrtarët rusë thanë se një objekt energjetik në rajonin Nizhni Novgorod pësoi dëme të lehta dhe se një ndërmarrje e paidentifikuar ishte përfshirë nga zjarri në rajonin Riazan.