Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Bota

Një ditë pasi sulmet vranë 104 persona,Izraeli thotë se do të respektojë armëpushimin në Gaza,

Ushtria izraelite tha të mërkurën se do t’i përmbahet një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza, pasi zyrtarët e shëndetësisë në enklavë thanë se sulmet ajrore kishin vrarë 104 persona, me Izraelin dhe Hamasin që shkëmbenin faj për shkeljet e marrëveshjes.

Izraeli nisi sulme ajrore në Gaza të martën vonë, duke thënë se veproi pasi një sulm nga militantët palestinezë vrau një ushtar, në sfidën e fundit ndaj një armëpushimi tashmë të brishtë, shkruan Reuters.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se do të vazhdojë të mbështesë marrëveshjen e armëpushimit dhe do të përgjigjet me vendosmëri ndaj “çdo shkeljeje”.

Shëmbet një ndërtesë në Stamboll, raportohet për disa persona nën rrënoja

Është shembur një pallat 7-katësh në zonën Mevlana Mahallesi të qytetit Gebze në Turqi. Autoritetet turke kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e personave të bllokuar në rrënoja.

Shembja ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në rrugën Isikgel, ndërsa shkaqet ende nuk dihen. Policia, zjarrfikësit, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe ekipet e shpëtimit kanë nxituar në vendngjarje, shkruan euronews.

Hetimet për shkaqet e shembjes po vazhdojnë në ndërsa një familje është bllokuar nën rrënoja. Sipas informacioneve fillestare, pesë persona vlerësohet të jenë të bllokuar.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya tha se operacioni i shpëtimit po koordinohet nga prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Gebzes, ndërsa zyrtarë të lartë të AFAD-it janë në vendngjarje.

Ai tha se në operacion po marrin pjesë 147 ekipe shpëtimi, përfshirë 80 zyrtarë të AFAD-it, si dhe anëtarë të organizatave vullnetare dhe të bashkisë. Po përdoren dy qen kërkimi të trajnuar, tetë pajisje zbulimi të personave të bllokuar, dy dronë dhe 52 automjete.

🚨A residential building collapsed in the suburbs of Istanbul — people may be trapped under the rubble

Local media report that two families, a total of seven people, lived in the building. It’s still unclear whether they were inside at the time of the collapse.

The tragedy… pic.twitter.com/8DoIbLvUZN

— NEXTA (@nexta_tv) October 29, 2025
🔴LIVE: Building collapses in Istanbul – ops underway to rescue trapped persons https://t.co/rrZ8rtpjxh

— Rudaw English (@RudawEnglish) October 29, 2025

Koreja e Veriut teston raketa para vizitës së Trump në Korenë e Jugut

Koreja e Veriut kreu një provë rakete tokë-det pranë bregut të saj perëndimor, përpara vizitës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Korenë e Jugut, raportuan mediat shtetërore të Phenianit.

Raketat u lëshuan vertikalisht dhe fluturuan për më shumë se dy orë.

Agjencia e lajmeve KCNA sqaroi se prova u mbikëqyr nga Pak Jong Chon, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Koresë së Veriut, dhe jo nga Kim Jong-un, të cilin Trump ka shprehur interes ta takojë këtë javë.

Izraeli sulmon Gazën, thotë se Hamasi shkeli marrëveshjen e armëpushimit

Izraeli ka sulmuar sot Gazën në një tjetër bombardim të arsyetuar me shkelje të marrëveshjes së armëpushimit nga ana e Hamasit.

Siç raporton BBC, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar trupat ushtarake që menjëherë të zhvillojnë sulme “të fuqishme”.

Ka kohë që Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, raporton IndeksOnline.

Nga sulmi i sotëm izraelit raportohet të kenë vdekur tre palestinezë, teksa dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Megjithatë, shifrat ende nuk janë konkrete, pasi numri i të përfshirëve në këtë sulm mund të jetë shumë më i madh.

Në një deklarim, Hamasi mohoi pretendimet e Izraelit për një sulm, duke thënë se qëndrojnë të përkushtuar ndaj marrëveshjes.

Zelensky thotë se ka nevojë për mbështetjen evropiane dhe për “dy-tre vjet luftime”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij ka nevojë për ndihmë financiare të Evropës për të vazhduar luftën kundër forcave ruse për dy apo tre vjet të tjera.

Kievi është varur kryesisht nga mbështetja ushtarake dhe financiare e aleatëve për të mbajtur nën kontroll ushtrinë e Moskës, e cila nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

“Unë e theksova këtë përsëri për të gjithë udhëheqësit evropianë. U thashë atyre se ne nuk do të luftojmë për dekada, por ju duhet të tregoni që për një kohë do të mund të siguroni mbështetje të qëndrueshme financiare për Ukrainën”, tha Zelensky në komente të publikuara të martën.

“Dhe pikërisht për këtë ata kanë këtë program në mendje – 2-3 vjet”, tha Zelensky, duke iu referuar planeve të Brukselit për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Kievin.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e ngarkuan Komisionin Evropian të vazhdojë me opsionet për financimin e Ukrainës për dy vjet të tjerë, duke lënë hapur mundësinë për një kredi të madhe që do të përdorte disa dhjetëra miliarda euro nga asetet shtetërore ruse që Brukseli i ka ngrirë.

“Nëse lufta përfundon brenda një muaji, do t’i shpenzojmë këto para për rikuperim. Nëse nuk përfundon brenda një muaji, por pas një kohe, atëherë do t’i shpenzojmë për armë. Thjesht, nuk kemi zgjedhje tjetër”, shtoi Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas po ashtu bëri thirrje që presidenti amerikan, Donald Trump, që t’i ushtrojë presion homologut kinez, Xi Jinping, që të ndërpresë mbështetjen për Rusinë kur të takohet me të më vonë këtë javë.

“Mendoj se kjo mund të jetë një nga lëvizjet e forta të [Trumpit], veçmas nëse, pas këtij hapi vendimtar të sanksioneve, Kina është gati të reduktojë importet” nga Rusia, tha Zelensky për gazetarët, përfshirë AFP, gjatë një konference për gazetarë, komentet nga e cila u publikuan më 28 tetor.

Javën e kaluar, Trump vendosi sanksione ndaj dy kompanive kryesore të naftës ruse dhe udhëheqësi amerikan ka bërë thirrje që blerësit e energjisë ruse – konkretisht Kina dhe India – të ndalin blerjet, pasi të ardhurat nga energjia, sipas Uashingtonit dhe Kievit, po e financojnë luftën kundër Ukrainës.

“Epoka e artë” e aleancës SHBA-Japoni, arrihet marrëveshja për mineralet e rralla

Kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, lavdëruan “epokën e artë” të raporteve mes vendeve gjatë vizitës së udhëheqësit amerikan, në Tokio. Dy shtetet nënshkruan një marrëveshje që synon t’i sigurojë Uashingtonit minerale të rralla.

Takaichi – gruaja e parë kryeministre në Japoni – lavdëroi Trumpin dhe njoftoi se do ta nominojë atë për çmimin “Nobel” për paqe, tha Shtëpia e Bardhë, përcjell A2-shi.

Në këmbim, Trump, i cili u takua për herë të parë me Takaichin gjatë turneut të tij në Azi, tha se Uashingtoni është aleat “i nivelit më të fortë të mundshëm”.

“Është një nder i madh të jem me ju, veçanërisht kaq herët në atë që mendoj se do të jetë një nga kryeministret më të mira”, i tha Trump Takaichit në pallatin shtetëror Akasaka.

Takaichi e lavdëroi Trumpin për përpjekjet e tij drejt një armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias dhe për “arritjen e tij historike dhe të paprecedent” të marrëveshjes për Gazën.

“Do të doja të realizoja një epokë të re të artë të aleancës Japoni-SHBA, ku si Japonia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara do të bëhen më të forta dhe më të begata”, tha ajo.

Të dyja palët gjithashtu nënshkruan një marrëveshje që synon “forcimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike dhe elemente të rralla tokësore”, u tha në deklaratë.

Pekini këtë muaj njoftoi kufizime të gjera në industrinë e elementeve të rralla, gjë që e shtyu Trumpin që të paralajmëronte se si kundërpërgjigje do t’i vendosë tarifë prej 100 për qind importeve nga Kina.

Pas takimit me kryeministren Takaichi, presidenti Trump u takua me familjarët e japonezëve të rrëmbyer nga Koreja e Veriut dekada më parë, ku tha se “SHBA qëndron plotësisht me ta”, teksa ata kërkuan ndihmë për gjetjen e më të dashurve të tyre.

Pasi për vite të tëra e mohoi, Koreja e Veriut e pranoi më 2002 se kishte dërguar agjentë për të rrëmbyer 13 shtetas japonezë, të cilët u përdorën për të trajnuar spiunë për gjuhën dhe zakonet japoneze. Japonia thotë se janë rrëmbyer edhe persona të tjerë.

Trump arriti në Japoni të hënë dhe gjatë turneut në Azi pritet të takohet edhe me homologun kinez, Xi Jinping, takim që mund të ndihmojë në tejkalimin e luftës tregtare mes dy vendeve.

Negociatorët nga Uashingtoni dhe Pekini kanë konfirmuar se është arritur një “marrëveshje kornizë” mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

Sa i përket sigurisë, Japonia gjithnjë e më shumë po merr një qëndrim më të fortë ushtarak, teksa raportet me Kinën janë përkeqësuar.

Takaichi, që javën e kaluar u bë gruaja e parë kryeministre në Japoni, ka thënë se Qeveria e saj do të arrijë synimin që të shpenzojë 2 për qind të GDP-së në mbrojtje – dy vjet sesa parashikimet paraprake.

SHBA-ja, që ka rreth 60 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak në Japoni, dëshiron që Tokio të shpenzojë edhe më shumë në mbrojtje, potencialisht të arrijë në 5 për qind, ashtu siç ishin zotuar anëtarët e NATO-s në qershor.

Përveç takimit me Takaichin, Trump do të mbajë edhe një fjalim në aeroplanmbajtësen amerikane, USS George Washington, që është ankoruar në bazën detare amerikane Yokosuka.

Gjatë qëndrimit në Japoni, ai do të takohet edhe me udhëheqës të biznesit.