Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Bota

Dodik pa sanksione: A po nis një kapitull i ri politik në Bosnje?

Shtetet e Bashkuara ia hoqën sanksionet Millorad Dodikut, por a është ky një kapitull i ri politik në Bosnje dhe Hercegovinë?

Adnan Qerimagiq, analist në Iniciativën Evropiane për Stabilitet në Berlin, konsideron se me këtë hap, SHBA-ja tregoi se “është ende në vendin e shoferit”, kur bëhet fjalë për angazhimin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Vendimi për heqjen e sanksioneve është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump, që kanë zgjatur prej disa muajsh, dhe lidhet me përpjekjet për të kontribuar në shtensionimin e situatës në Bosnje dhe Hercegovinë”, thotë Qerimagiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se vendimi për sanksionet është pasqyrim i “politikës transaksionale” të presidentit Donald Trump.

Po sipas tij, ky reagim i Departamentit amerikan të Shtetit tregon se pala amerikane sheh hapësirë për një “marrëdhënie të re” me aktorët në Bosnje dhe Hercegovinë, bazuar kryesisht në interesa të përbashkëta ekonomike.

Ish-presidenti i Republikës Sërpska, Dodik, dhe 48 individë dhe kompani u hoqën nga lista e zezë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 29 tetor.

Departamenti i Shtetit shpjegoi për Radion Evropa e Lirë se veprimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, e cila anuloi një sërë ligjesh jokushtetuese në seancën e saj më 18 tetor, ndikuan shumë në këtë vendim.

Në të njëjtën seancë, këshilltarja shumëvjeçare e Dodikut, Ana Trishiq Babiq, u zgjodh presidente e përkohshme e Republikës Sërpska, deri në zgjedhjet e parakohshme më 23 nëntor.

Dodikut iu hoq mandati i tij si president i entitetit në muajin gusht, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e dënoi me një vit burg dhe ndalesë gjashtëvjeçare në mbajtjen e posteve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Politikë e re amerikane ndaj Bosnje dhe Hercegovinës?

Redaktori i portalit “Buka”, Aleksandar Trifunoviq, thotë se Dodik e ka kuptuar mesazhin nga Uashingtoni, prandaj, prej kohësh, nuk ka folur më për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnje dhe Hercegovina apo për bashkimin me Serbinë.

“Amerika është e interesuar vetëm për një Bosnje dhe Hercegovinë të bashkuar dhe kjo është linja që [sekretari amerikan i Shtetit] Marco Rubio ka përmendur diku nga fillimi i këtij viti… se Amerika me siguri do të kundërshtojë çdo përpjekje për të destabilizuar shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës”, thotë Trifunoviq.

Qerimagiq, në anën tjetër, nuk pret që Shtetet e Bashkuara ta lënë pas dore kapitalin politik që zotërojnë, tani që sanksionet ndaj Dodikut janë hequr.

“Mendoj se do të përpiqen të tregojnë se gjithçka që kanë bërë deri më tani, çon në hapa të mëtejshëm konkretë, dhe nuk do të habitesha nëse bëhet fjalë për buxhetin ose disa dokumente të tjera”, thotë ai.

Profesori universitar nga Sarajeva, Enver Kazaz, beson se “SHBA-ja ka vendosur të shmangë ndikimin rus në Ballkan dhe t’u tregojë rusëve se kjo zonë është sfera e saj e interesit”.

“Me heqjen e sanksioneve dhe largimin e Dodikut nga të gjitha funksionet kryesore, ndikimi rus në Bosnje dhe Hercegovinë përmes partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), shuhet”, thotë Kazaz.

A do të vazhdojë SNSD-ja me pengesat?
Trifunoviq nuk dyshon se SNSD-ja do të ndihet më e fuqizuar pas heqjes së sanksioneve dhe se Dodik tani ka “një pozitë shumë më të mirë” sesa para disa muajsh, kur shumë politikanë e konsideronin si “të hedhur në koshin politik”.

“Në këtë kontekst, ai do të jetë shumë i rëndësishëm për çdo drejtim të ardhshëm që do të marrë Bosnje dhe Hercegovina drejt BE-së, NATO-s etj. Dhe, është e sigurt se do të jetë edhe më i ashpër se më parë”, vlerëson Trifunoviq.

Qerimagiq thotë se ekzistojnë dy mundësi – kthimi te “politikat shkatërruese” ose gjetja e një gjuhe të përbashkët.

Pse Bosnja është në krizë politike për muaj të tërë?
Koalicioni në nivel shtetëror u shemb në janar, kur deputetët e SNSD-së të Dodikut nuk votuan për dy ligje reformuese që supozohej se do ta çonin vendin më afër BE-së.

Përfaqësuesit e Treshes – tri partive nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës (Partia Socialdemokrate, Populli dhe Drejtësia, Partia Jonë), vlerësuan atëkohë se kjo ishte “shkelje e marrëveshjes së koalicionit” dhe e akuzuan Dodikun dhe partinë e tij për “minimin e paqes dhe sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe të rajonit, përmes veprimeve jokushtetuese”.

Pas kësaj, ata tentuan disa herë t’i shkarkonin zyrtarët e SNSD-së nga Këshilli i Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, por nuk ia dolën, për shkak të bllokadave të partisë së Dodikut në Kuvendin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Buxheti duhej të miratohej në tetor të vitit 2024, por për shkak të shpërbërjes së koalicionit dhe bllokadave politike, vendi e kaloi gjithë vitin me financim të përkohshëm.

Për këtë arsye, sindikatat e punëtorëve të administratës shtetërore dhe institucioneve publike kanë paraqitur kallëzime penale kundër anëtarëve të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Këshillit të Ministrave, pasi atyre u është premtuar më herët rritje pagash.

Mbretëria e Bashkuar: Dodik dhe Cvijanoviq mbeten nën sanksione
Në fund të shtatorit, pak para përfundimit të afatit, autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës miratuan Agjendën e Reformave – një listë reformash ekonomike dhe shoqërore që Bashkimi Evropian kërkon si kusht për të dhënë fondet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Bosnje dhe Hercegovina ishte e vetmja në rajon që vonoi gati dy vjet me miratimin e këtij dokumenti, dhe për shkak të kësaj vonese, shuma e parashikuar prej një miliard eurosh u ul për 108.5 milionë./REL/

Gjendet i vdekur në burg Faruk Fatih Ozer, bosi i “Thodex” i arrestuar në Shqipëri

Faruk Fatih Özer, i cili ndodhej në një burg të sigurisë së lartë në Tekirdagit, dyshohet se i ka dhënë fund jetës.

30-vjeçari është gjetur i varur me një çarçaf në derën e banjës, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet.

Trupi i bosit turk të kriptomonedhave u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Gazetarja Ceylan Sever shkroi në X: “Ai qëndronte i vetëm në një dhomë në Burgun e Tipit F të Tekirdagit. Rojet kryejnë numërime në orën 8:00 të mëngjesit dhe 8:00 të mbrëmjes.

Pas orës 8:00 të mbrëmjes, ai vari veten në derën e banjës me çarçaf. Kjo u vu re gjatë numërimit të mëngjesit. Ashtu si të gjithë të burgosurit dhe të paraburgosurit, ai mori mbështetje të herëpashershme nga njësia e mbështetjes psikologjike të burgut. Zyra e Kryeprokurorit Publik të Tekirdag po heton çështjen.” Faruk Fatih Özer, themeluesi i platformës së shkëmbimit të kriptovalutave Thodex, u arrestua në Shqipëri më 30 Gusht 2022, pasi u arratis nga Turqia, vend që e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bosi i shumekerkuar jetonte ne lagjen “5 Maji”, në Elbasan, por u kap ne nje nga plazhet ne Jug te vendit.

Faruk Fatih Özer dyshohet se ka mashtruar rreth 400 mijë persona nëpërmjet platformës “Thodex”, bursë kriptovalutash e themeluar në vitin 2017 në Turqi.

Prokuroria në Stamboll nisi hetimet kundër Özer, i cili dyshohet për krimin e “mashtrimit të kualifikuar”.

Raporti kundër tij thotë se ka pasur një problem me tërheqjen e parave në llogaritë bankare në bursë për shtatë ditë dhe se bursa u mbyll plotësisht më vonë.

Gjithashtu u theksua se faqja në internet “www.thodex.com” nuk është në dispozicion për dy ditë. Kjo ishte një faqe me rreth 400 mijë përdorues, përfshirë 390 mijë përdorues që tregtonin në mënyrë aktive kriptovaluta dhe financonin investime.

Përdorues të shumtë të “Thodex” postuan në mediat sociale se nuk kishin qasje në bursë dhe se nuk kanë mundur të transferojnë paratë e tyre në llogari për disa kohë.

Policia turke ka vënë në pranga 62 persona në lidhje me hetimin për mbylljen e një platforme të tregtisë së kriptomonedhave dhe pas arratisjes së Faruk Fatih Özer, themeluesit të “Thodex”.

Pas vendimit të ekstradimit të Gjykatës së Apelit të Durrësit, Faruk Fatih Özer u dërgua në Turqi më 20 prill 2023.

Gjykata e Lartë Penale e Anadollit, e cila vendosi për çështjen më 7 shtator 2023, e dënoi 30-vjeçarin me 11.190 vite e 6 muaj burg për “krijim, menaxhim dhe anëtarësim në një organizatë”, “mashtrim të kualifikuar” dhe “pastrim pasurie”.

Pas vendimit, dosja iu paraqit Gjykatës Rajonale të Drejtësisë të Stambollit për apelim.

Dhoma e 22-të Penale, e cila shqyrtoi çështjen, rrëzoi vendimin e gjykatës liroi Faruk Fatih Özer nga akuzat për “krijim të një organizate kriminale”. Ai u urdhërua të mbetej në paraburgim për akuza të tjera.

Kievi e akuzon Rusinë për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve ndaj nënstacioneve elektrike

Kievi dhe autoritetet ndërkombëtare i kanë dënuar sulmet e Rusisë ndaj sektorit civil të energjisë, ndërsa Ukraina e ka akuzuar Moskën për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve në nënstacione që janë thelbësore për furnizimin e termocentraleve bërthamore me rrymë.

“Sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile të energjisë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sigurt të instalimeve bërthamore, bartin shenjat e terrorizmit bërthamor dhe përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës më 31 tetor.

Ministria iu referua një deklarate të një dite më parë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila përmendi sulme ushtarake që “kanë shkaktuar dëme në nënstacione jetike për sigurinë bërthamore në Ukrainë”.

Agjencia bërthamore e OKB-së tha se incidentet pranë termocentraleve bërthamore të Ukrainës jugore dhe Hmelnitski i kanë shkëputur këto objekte nga linjat e jashtme të energjisë elektrike.

Ajo shtoi se një stacion i tretë, ai në Rivne, ishte detyruar ta ulte prodhimin në dy nga katër reaktorët e tij për shkak të sulmeve.

“Rreziqet për sigurinë bërthamore mbeten shumë reale dhe të vazhdueshme. Edhe një herë bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake në afërsi të objekteve bërthamore”, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.

Tensione të larta rreth centralit të Zaporizhjas

Vëmendja kryesore është përqendruar në centralin bërthamor të Zaporizhjas, në juglindje të Ukrainës, ku po zhvillohen punime për riparimin e dëmeve nga sulmet e mëparshme.

“Ne po punojmë intensivisht për të krijuar kushtet e nevojshme që këto riparime shtesë të nisin. Rikthimi i kësaj linje të energjisë është thelbësor për përmirësimin e situatës së brishtë të sigurisë bërthamore në këtë vend”, tha Grossi.

Ky central – më i madhi në Evropë – është nën kontrollin rus që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Ai ka punuar me gjeneratorë rezervë me naftë që prej 23 shtatorit, kur u ndërprenë linjat e jashtme të energjisë.

Gjashtë reaktorët e centralit të Zaporizhjas janë të mbyllur tash e tri vjet dhe nuk prodhojnë më energji elektrike, por iu nevojitet rryma për sistemet e sigurisë, siç janë pompat ftohëse, për ta shmangur ndonjë aksident bërthamor.

Rusia mohon se e godet infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që e dëshmojnë të kundërtën. Ukraina i është kundërpërgjigjur Moskës duke goditur objekte me rëndësi ushtarake, shpesh thellë brenda territorit rus.

Më 31 tetor, Kievi njoftoi se kishte kryer rreth 160 sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës ruse gjatë vitit 2025, duke synuar një burim të rëndësishëm financimi për luftën e Moskës.

Vendet perëndimore kanë vendosur gjithashtu sanksione ndaj sektorit energjetik rus, duke e kufizuar më tej rrjedhën e parave drejt Kremlinit.

Aeroporti i Berlinit pezulloi përkohësisht fluturimet, shkak droni në hapësirën ajrore!

Aeroporti i Berlinit ndaloi për rreth dy orë të gjitha fluturimet gjatë natës të së premtes, pas raportimeve për një dron në zonë, sipas shërbimit të gjurmimit të fluturimeve.

“Fluturimet u pezulluan midis orës 20:08 dhe 21:58 sipas orës lokale, ku një “seri e tërë uljesh” u devijuan në qytete të tjera gjermane gjatë mbylljes”, tha një zëdhënës, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.

Policia e Brandenburgut konfirmoi se kishte marrë një raportim për një pamje të një droni dhe tha se një makinë patrullimi dhe një helikopter ishin vendosur në aeroport.

Udhëheqësit gjermanë kanë ngritur vazhdimisht alarmin për një kërcënim në rritje nga dronët pas një serie shikimesh të mjeteve ajrore pa pilot (UAV) në aeroporte, si dhe në vende ushtarake brenda këtij viti.

Aeroportet në Danimarkë, Norvegji dhe Poloni kanë pezulluar gjithashtu kohët e fundit fluturimet për shkak të dronëve të paidentifikuar, ndërsa Rumania dhe Estonia e kanë drejtuar gishtin nga Rusia, e cila i ka hedhur poshtë akuzat. Sakaq, edhe Gjermania e ka fajësuar në mënyrë të ngjashme Moskën.

Ndërkohë,në muajt e fundit janë raportuar pamje të shumta të UAV-ve mbi baza ushtarake, vende industriale dhe infrastrukturë të tjera në Gjermani.

Në fillim të tetorit, u identifikuan dron mbi qytetin jugor të Mynihut, ku mbyllën dy herë aeroportin e qytetit.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i ka bërë thirrje Gjermanisë të “gjejë përgjigje të reja ndaj këtij kërcënimi hibrid”, duke përfshirë aftësi më të mëdha për të zbuluar, vlerësuar dhe për të rrëzuar dronët.

Letonia, shteti i parë në BE që tërhiqet nga Konventa e Stambollit

Parlamenti i Letonisë ka votuar për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit për mbrojtjen e grave nga dhuna. Pas disa orësh debati, parlamenti në Riga votoi në favor të tërheqjes së shtetit baltik anëtar të BE-së dhe NATO-s nga marrëveshja e Këshillit të Evropës.

Kundërshtarët dhe kritikët e Konventës së Stambollit argumentojnë se traktati promovon një ideologji që minon vlerat tradicionale familjare në Letoni.

Ligji që autorizon tërheqjen duhet të miratohet edhe nga presidenti Edgars Rinkevics.

Konventa e Stambollit është një marrëveshje e Këshillit të Evropës që mbron gratë dhe vajzat nga forma të ndryshme të dhunës.

Konventa e Stambollit e klasifikon dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut. Ajo gjithashtu përcakton masat politike dhe ligjore me anë të të cilave shtetet nënshkruese duhet të krijojnë një kornizë uniforme në të gjithë Evropën për parandalimin, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale.

Kritikët e konventës në Letoni argumentuan se ajo promovonte teoritë “gjinore”

Zbulohet arsyeja pse Trump anuloi takimin me Putinin

SHBA-të kanë anuluar një samit të planifikuar midis Presidentit Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin pas qëndrimit të vendosur të Rusisë ndaj kërkesave të ashpra në lidhje me Ukrainën, raportoi të premten Financial Times (FT).

Vendimi erdhi pas një bisede telefonike të tensionuar midis diplomatëve më të lartë të të dy vendeve, raportoi Financial Times, duke cituar njerëz të njohur me çështjen.

Reuters nuk mundi ta konfirmonte raportin e FT. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment dhe zyrtarët e qeverisë ruse nuk ishin menjëherë të disponueshëm.

Planet për një samit në Budapest këtë muaj midis Trump dhe Putin u shtynë pasi Moska i qëndroi besnike kërkesave të saj, duke përfshirë që Ukraina të lëshonte më shumë territor si kusht për një armëpushim. Trump mbështeti thirrjen e Ukrainës për një armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijave aktuale të frontit.

Disa ditë pasi Trump dhe Putin ranë dakord të takoheshin në kryeqytetin hungarez për të diskutuar se si t’i jepnin fund luftës së Rusisë në Ukrainë.