Hën. Mar 30th, 2026

Lajme nga Bota

Kentucky: Mbi 7 të vdekur, pas eksplodimit të aeroplanit me mallra

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan mallrash doli nga pista dhe shpërtheu në flakë në Kentucky, të martën.

Avioni që po digjej, i cili operohej nga kompania amerikane e shpërndarjes UPS, goditi disa ndërtesa kur u rrëzua në mes të ngritjes. Zyrtarët kanë frikë se numri i të vdekurve dhe të plagosurve mund të rritet, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

Fluturimi 2976 i UPS, një aeroplan mallrash, u rrëzua gjatë ngritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Louisville-it rreth orës 17:15 sipas kohës lokale të martën, duke rrëshqitur nga pista dhe duke goditur ndërtesat aty pranë.

“Avioni shpërtheu në flakë dhe të paktën dy biznese pranë u goditën nga rrënojat”, tha guvernatori i shtetit, Andy Beshear.

Pamjet e paverifikuara të incidentit tregojnë se aeroplani ishte përfshirë nga flakët kur doli nga pista.

Flaka u përhap në disa ndërtesa afër pistës dhe zyrtarët nisën një operacion të madh për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Banorëve aty pranë iu urdhërua të qëndronin brenda nga frika e shpërthimeve të mëtejshme dhe ndotjes së ajrit. Aeroporti ndodhet në qytetin më të madh të Kentucky-t dhe disa lagje dhe zona biznesi e rrethojnë atë.

Të gjitha operacionet në aeroport janë ndalur.

Zyrtarët kanë konfirmuar shtatë vdekje deri më tani, por kanë paralajmëruar se numri pritet të rritet.

Njëmbëdhjetë persona të tjerë janë plagosur dhe po trajtohen në spital, por zyrtarët lokalë thonë se kjo shifër ka të ngjarë të rritet gjithashtu.

Një hetim paraprak është duke u zhvilluar, por zyrtarët kanë thënë se është shumë herët për të thënë se çfarë e shkaktoi rrëzimin.

Zyrtarët vunë re, megjithatë, se flakët masive ishin për shkak të sasisë së karburantit në bord të avionit, i cili po fillonte një udhëtim drejt Hauait.

Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të Louisville, Brian O’Neal, tha se sasia e karburantit të derdhur në vendin e rrëzimit e shkaktoi një situatë shumë të rrezikshme.

Shtatë alpinistë të vdekur pas një orteku në Nepal

Të paktën shtatë alpinistë, përfshirë pesë të huaj dhe dy nepalezë, kanë vdekur pasi u goditën nga një ortek në një majë të Himalajeve në Nepalin Verilindor, tha agjencia e ekspeditës Seven Summit Treks.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, incidenti ndodhi në orën 09:00 sipas orës lokale të hënën pranë kampit bazë të malit Yalung Ri në distriktin Dolakha.

Ekipet e shpëtimit gjetën dy trupa dhe ende po kërkojnë pesë të tjerët, që besohet se janë “varrosur” nga bora.

Pesë të tjerë janë kthyer në kampin bazë me lëndime jo kritike.

Të gjithë këta alpinistë ishin pjesë e një grupi që u nis më shumë se një orë para se të binte orteku, tha shefi i policisë së distriktit për BBC-i.

Trupat e pesë alpinistëve të tjerë të vdekur “mund të jenë 10-15 metra nën borë”, tha Mingma Sherpa, kryetar i Seven Summit Treks. “Do të duhet kohë për t’i gjetur ata”

Presidenti bullgar paralajmëron BE-në: Serbia synon territore nga Kosova, Bosnja, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka tërhequr vërejtjen BE-së lidhur me projektin “Bota Serbe”, duke vlerësuar se ky është një emërtim i ri i projektit “Serbia e Madhe”.

Ai ka theksuar se ka ardhur koha që të gjitha institucionet evropiane të angazhohen më seriozisht.

“Si e dini, Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë dhe gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar atje”, tha presidenti Rumen Radev në një pyetje nga agjencia bullgare, BGNES, për paralajmërimet e Bashkimit Evropian mbi rrezikun nga projekti “Bota Serbe” dhe si ky projekt i Beogradit ndikon në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

“Dhe mendoj se ka ardhur koha që të gjitha institucionet evropiane të angazhohen më seriozisht me këtë çështje. Ai është jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe për ne”, shtoi Radev.

“Bota Serbe është emërtimi i ri i projektit ‘Serbia e Madhe’. Ai ka për qëllim të kontrollojë shtetet fqinje, përfshirë edhe përmes bashkimit me Serbinë të territoreve nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Instrumenti kryesor për realizimin e tij është Kisha Ortodokse Serbe”, ka nënvizuar presidenti bullgar, Radev.

Kallas: Koha për të përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë, por pas forcimit të kapaciteteve vendore

ërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha në Sarajevë se ka ardhur koha që mbikëqyrja ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë të përfundojë.

Ajo shtoi se kjo mund të ndodhë vetëm kur vendi t’i ketë kapacitetet e nevojshme për të marrë vendime vetë.

Kallas ndodhet të hënën në një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, gjatë së cilës vizitoi kampin Butmir pranë Sarajevës, ku janë të vendosur pjesëtarët e Misionit të BE-së për Paqe, EUFOR.

EUFOR-i ka mandat edhe për të përdorur forcën, në rast se “mjedisi i sigurt dhe i qëndrueshëm kërcënohet seriozisht” apo “strukturat ekzistuese të sigurisë janë në rrezik të shemben”.

Kallas tha se ngjarjet e fundit në Kuvendin Popullor të Republikës Serbe paraqesin një mundësi të re për të qetësuar tensionet politike.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të rivendosin besimin tek autoritetet lokale. Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës meritojnë një shans për stabilitet dhe një shans për të marrë frymë lirshëm”, tha Kallas.

Kuvendi i Republikës Serbe miratoi më 18 tetor Ligjin për shfuqizimin e ligjeve që Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës i kishte shpallur të pavlefshme.

Bëhet fjalë për Ligjin për pasurinë e paluajtshme që përdoret për funksionimin e pushtetit publik, Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, Ligjin zgjedhor të Republikës Serbe, Ligjin për ndalimin e veprimtarisë së institucioneve jashtëkushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, Ligjin për plotësimin e Kodit penal të Republikës Sërpska, si dhe Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Serbe.

Kallas tha se Bashkimi Evropian iu përgjigj kërcënimeve ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës në mars, duke forcuar trupat evropiane në këtë vend.

Ajo iu referua edhe zgjatjes së mandatit të EUFOR-it më 31 tetor, për ç’gjë votoi Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Bota e ka pranuar se ata e bëjnë Bosnje dhe Hercegovinën të sigurt, dhe se BE-ja ka bërë gjithçka që nga Dejtoni deri më sot për ta bërë Bosnje dhe Hercegovinën të sigurt”, shtoi ajo.

Kallas foli edhe për Programin e reformave që ka miratuar Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës dhe që duhet t’i sigurojë këtij vendi mbi një miliard euro nga Plani i rritjes i BE-së.

Bosnjë e Hercegovina ishte e vetmja në rajon që vonoi gati dy vjet me miratimin e këtij dokumenti, dhe për shkak të kësaj vonese, shuma e parashikuar prej një miliard eurosh u ul për 108.5 milionë

Iraku dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për projektet e infrastrukturës ujore

Iraku nënshkroi një marrëveshje me Turqinë të dielën, sipas së cilës projektet e infrastrukturës ujore që do të kryhen nga firmat turke do të financohen me të ardhurat nga shitjet e naftës, tha një zyrtar turk.

Zyra e kryeministrit irakian tha në një deklaratë se të dy vendet kishin nënshkruar një marrëveshje mbi një mekanizëm zbatimi për një marrëveshje bashkëpunimi për ujin që ata nënshkruan vitin e kaluar. Ajo nuk dha detaje mbi mekanizmin.

Qeveria e Irakut do të krijojë një komitet për projektet e infrastrukturës ujore dhe do të ftojë kompanitë turke të paraqesin oferta për to, me pagesat për projektet që do të financohen nga të ardhurat nga shitjet e naftës irakiane në Turqi, tha zyrtari turk.

Grupi fillestar i projekteve që priten sipas marrëveshjes përfshin tre projekte digash për mbledhjen e ujit dhe tre iniciativa për bonifikimin e tokës, tha një zyrtar irakian.

Marrëveshja origjinale kornizë për ujin u nënshkrua në prill 2024 gjatë një vizite në Bagdad nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, e cila shënoi një fazë të re të marrëdhënieve më të mira midis dy fqinjëve pas viteve të marrëdhënieve të tendosura.

Burimet e pakta të ujit në Irak kanë qenë prej kohësh një problem midis dy vendeve, me rreth 70% të burimeve ujore të Irakut që rrjedhin nga vendet fqinje, veçanërisht nëpërmjet lumenjve Tigër dhe Eufrat. Të dy rrjedhin nëpër Turqi, shkruan Reuters

Forcat ukrainase thonë se po mbahen në Pokrovsk mes luftimeve të ashpra

Autoritetet ushtarake të Ukrainës kanë këmbëngulur se forcat e tyre po mbahen fort në qytetin e vijës së parë, Pokrovsk, në lindje të vendit.

Ndërkohë, forcat ruse dhe ato ukrainase kanë kryer sulme me raketa dhe dronë në disa zona gjatë natës midis 1 dhe 2 nëntorit.

Derisa luftimet po vazhdojnë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një takim midis presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara “nuk është i nevojshëm tani për tani”.

Komentet e tij, të publikuara nga agjencia TASS më 2 nëntor, janë shenjë shtesë se Moska është e vendosur ta vazhdojë pushtimin e plotë, pothuajse katërvjeçar, të Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja.

“Çfarë nevojitet tani është një punë shumë e kujdesshme për të shtjelluar hollësi specifike të problemit” tha Peskov, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Sulmet me raketa gjatë natës në Ukrainë

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi më 2 nëntor se Rusia kishte lëshuar raketa balistike të tipit Iskander-M dhe 79 dronë sulmues gjatë natës.

Një sulm me dronë rusë në qytetin ukrainas të Odesës vrau dy persona dhe plagosi një tjetër, sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleh Kiper, i cili tha se “infrastruktura civile” ishte dëmtuar.

Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë raportoi për një sulm në një ndërtesë banimi në Zaporizhja. Askush nuk u plagos në këtë incident, por tre persona u lënduan gjatë sulmeve të tjera në qytet.

Ndërkohë, Ukraina goditi një cisternë nafte dhe objekte të tjera në portin rus të Detit të Zi, Tuapse, në rajonin Krasnodar.

Zyrtarët lokalë thanë se “fragmentet e [dronëve] ranë mbi një cisternë nafte, duke dëmtuar pjesën e sipërme të strukturës së anijes. Një zjarr shpërtheu në bord dhe ekuipazhi u evakuua”.

Ky vend ka qenë shpesh herë në shënjestruar të dronëve ukrainas gjatë vitit të fundit.

Beteja për Pokrovskun

Në vijën e frontit, autoritetet ushtarake ukrainase raportuan luftime të vazhdueshme në shumë zona më 2 nëntor, por vëmendja kryesore mbetet tek Pokrovsk, ku forcat ukrainase përballen, sipas raporteve, me rreth 170.000 trupa ruse.

Analistët paralajmërojnë se rënia e Pokrovskut, i cili para luftës kishte rreth 70.000 banorë, mund ta hapë rrugën për trupat ruse drejt perëndimit, në rajonin Dnipropetrovsk, duke rrezikuar zonat jugore të Ukrainës.

“Ne po e mbajmë Pokrovskun”, shkroi në Facebook komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 1 nëntor.

“Një operacion i gjerë për të shkatërruar dhe dëbuar forcat armike nga Pokrovsku është në zhvillim e sipër”, shtoi ai, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti betejën për qytetin pothuajse të shkatërruar “prioritet” për Ukrainën.

Pas raportimeve nga mediat perëndimore, Kievi konfirmoi se ka dërguar forca speciale në këtë qytet strategjik, pasi ushtria ruse pretendoi se kishte rrethuar ushtarët ukrainas atje.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë gjithashtu pretendoi se forcat e saj kishin vrarë të 11 anëtarët e një ekipi të forcave speciale ukrainase që kishin zbarkuar në qytet me helikopter.

Situata në terren mbetet e paqartë dhe nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Vlerësimet sugjerojnë se midis 200 dhe 400 ushtarë rusë ndodhen tashmë brenda lagjeve lindore të qytetit, duke përdorur terrenin urban, bodrumet dhe veshje civile për të mos rënë në sy të ushtrisë ukrainase. /rel