Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Zjarr në depon e parfumeve në Turqi, 6 të vrarë dhe 4 të plagosur

Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën nga një zjarr në një depo parfumesh në Dilovasi të Turqisë veriperëndimore.

Një nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital, ndërsa zjarri është vënë nën kontroll, por ndërtesa është dëmtuar rëndë.

Flakët u përhapën në çatinë e ndërtesës ngjitur, por banorët njoftuan menjëherë zjarrfikësit që mbërritën në vendngjarje dhe punuan për shuarjen e zjarrit.

Pasi shuan zjarrin, zjarrfikësit hynë në ndërtesë dhe zbuluan trupat e gjashtë personave. Banorët aty pranë treguan për media se dëgjuan një shpërthim dhe njerëz që bërtisnin, por nuk mund të hynin t’i ndihmonin për shkak të flakëve.

Dy kate të ndërtesës që përdorej si depo parfumesh u dogjën nga flakët. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, por një hetim ka nisur për të zbardhur ngjarjen.

Ministri i drejtësisë tha se një zëvendëskryeprokuror, dy prokurorë dhe një panel ekspertësh po merren me hetimin.

Dilovasi, një qytet industrial i vendosur rreth 70 kilometra në juglindje të Stambollit, është shtëpia e shumë fabrikave dhe depove.

Një “pako e dyshimtë” pranë avionit të Trump, personat që e prekën u helmuan

Disa persona u sëmurën pas hapjes së një “pakete të dyshimtë” në bazën ajrore që shërben për operacionet e Air Force One në Shtetet e Bashkuara.

Një zëdhënës i Bazës së Përbashkët Andrews (JBA) në Maryland, pranë Washington DC-së, bëri me dije se ndërtesa ku u hap pakoja u evakuua dhe personat e prekur morën kujdes mjekësor, duke qëndruar në gjendje stabile.

Raportohet se paketa përmbante një pluhur të bardhë të panjohur, sipas burimeve të njohura me hetimin e incidentit, citon CNN. Bazë ajrore është vendi ku stacionohet aeroplani presidencial dhe mjetet mbështetëse, dhe është pika ku zakonisht nis presidenti amerikan për udhëtimet e tij.

Zëdhënësi i JBA njoftoi se ndërtesa ku ndodhi incidenti, si dhe një ndërtesë pranë saj, u evakuuan si masë paraprake dhe zona u rrethua me një kordon sigurie.

“Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë, verifikuan se nuk kishte kërcënime të menjëhershme dhe operacionet janë rikthyer në normalitet. Hetimi për incidentin vazhdon,” tha ai.

Sipas CNN, testet fillestare nga një ekip ‘Hazmat’ nuk gjetën rreziqe të menjëhershme. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu përmbajtjen politike të paketës. Ende nuk është bërë e qartë natyra ose shkalla e sëmundjes së personave të ekspozuar.

Ushtari rus dënohet me burgim të përjetshëm nga Ukraina

Një gjykatë ukrainase ka dhënë dënimin e parë me burgim të përjetshëm kundër një ushtari rus të akuzuar për vrasjen e një të burgosuri lufte ukrainas.

Dmitry Kurashov, 27 vjeç, u shpall fajtor për vrasjen e Vitalii Hodniuk-ut, një ushtar veteran 41-vjeçar ukrainas i cili ishte dorëzuar pas kapjes në vitin 2024.

Policia kombëtare e Ukrainës tha se “raportet e ekspertëve, dëshmitë e dëshmitarëve dhe pamjet video nga vendi i ngjarjes konfirmuan se ushtari rus vrau qëllimisht të burgosurin e luftës me urdhër të komandantëve të tij, të cilët i kishin udhëzuar trupat të mos merrnin robër ushtarë ukrainas”, raporton BBC-i.

Në një gjyq që zgjati disa muaj dhe që filloi më herët këtë vit, gjykata dëgjoi se si njësia e Kurashov sulmoi një pozicion ukrainas në rajonin e Zaporizhzhias mëngjesin e 6 janarit 2024

Zohran Mamdani emëron ekipin e tranzicionit, të gjitha janë gra

Kryetari i sapozgjedhur i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, njoftoi dje përbërjen e ekipit të tij të tranzicionit, vetëm pak orë pasi fitoi zgjedhjet në të cilat kandidoi si një fytyrë e re në skenën politike. Ekipi që ai paraqiti përbëhet ekskluzivisht nga gra dhe përfshin disa emra të njohur, veteranë nga administratat aktuale dhe të mëparshme demokratike të qytetit, si dhe nga administrata e ish-Presidentit Joe Biden, shkruan MSNBC.

Lina Khan, ish-shefe e FTC-së që luftoi kundër Amazon dhe Meta

Khan, i cili drejtoi Komisionin Federal të Tregtisë (FTC) gjatë administratës Biden, është e njohur për luftën kundër gjigantëve të korporatave, veçanërisht përmes zbatimit të ligjit antitrust, dhe për përpjekjen për të ulur çmimet e barnave me recetë.

Nën udhëheqjen e saj, FTC paditi Amazon dhe Meta, duke pretenduar praktika monopoliste dhe antikonkurruese. Veprimet e saj e bënë atë armiq midis miliarderëve si Elon Musk, bashkëthemeluesi i LinkedIn, Reid Hoffman, dhe kryetari i IAC dhe Expedia Group, Barry Diller.

Khan dha dorëheqjen pothuajse menjëherë pasi Donald Trump mori detyrën në fillim të këtij viti, dhe përfaqësuesi i saj konfirmoi se ajo e bëri këtë vullnetarisht.

Melanie Hartzog, ish-nënkryetare e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut

Hartzog, e cila do të shërbejë si bashkëkryetare dhe drejtoreshë e ekipit të tranzicionit, ka një kuptim të thellë të funksionimit të Bashkisë. Ajo u emërua nga ish-kryetari i bashkisë Bill de Blasio si zëvendësdrejtoreshë e shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore.

Më parë, ajo ishte drejtoreshë e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, ku mbikëqyrte buxhetin më të madh të qytetit në vend.

Elana Leopold, stratege politike

Leopold, gjithashtu një veterane e epokës de Blasio, ishte një këshilltare e lartë në fushatën e Mamdanit dhe tani do të marrë rolin e drejtoreshës ekzekutive të ekipit të tranzicionit.

Maria Torres-Springer, ish-nënkryetare e bashkisë

Torres-Springer ishte nënkryetare e parë e bashkisë në administratën e kryetarit aktual Eric Adams përpara se të jepte dorëheqjen këtë vit pasi u padit për ryshfet federal dhe shkelje të financimit të fushatave.

Adams u deklarua i pafajshëm dhe një gjykatës federal e pushoi çështjen me kërkesën e Departamentit të Drejtësisë.

Ashtu si Hartzog, Torres-Springer ka një përvojë të pasur në qeverisjen e qytetit, ku ka mbajtur pozicione si nënkryetare e bashkisë për strehimin, zhvillimin ekonomik dhe fuqinë punëtore dhe komisionere e Departamentit të Ruajtjes dhe Zhvillimit të Strehimit.

Grace Bonilla, presidente e organizatës jofitimprurëse

Bonilla është presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e United Way të Qytetit të Nju Jorkut. Ajo më parë ka mbajtur disa pozicione në administratat e Bill de Blasio dhe Michael Bloomberg.

De Blasio e emëroi atë drejtoreshë ekzekutive të një task force të re për barazi racore dhe përfshirje, ndërsa nën drejtimin e Bloomberg ajo shërbeu si zëvendëskomisionere për mbikëqyrjen e Zyrës së Çështjeve të Komunitetit dhe Shërbimeve për Imigrantët.

Forcat ruse avancojnë në Pokrovsk, Moska: Luftimet po zhvillohen shtëpi më shtëpi

Forcat ruse kanë avancuar në qytetin strategjik të Pokrovskit, ku luftimet po vazhdojnë shtëpi më shtëpi, në përpjekjen për të dëbuar forcat ukrainase.

Kështu pretendon ministria e mbrojtjes në Rusi. Moska thotë se Pokrovksi, i pagëzuar si porta e Donjetskut nga mediat ruse, do t’i jepte një platformë për të hyrë në Kramatorsk dhe Sloviansk, dy qytetet më të mëdha të kontrolluara ende nga Ukrainasit në rajonin e Donjetskut.

Rusia pretendon se ka kapur 64 godina në qytetin e Pokrovskit ku dikur jetonin 60 mijë njerëz. Blogerët e luftës në Rusi, thonë se trupat e Moskës kishin kontroll taktik të qytetit, por se në Mirnohradin fqinj forcat ukrainase ishin izoluar pas barrierave të forta.

Kievi ka pranuar se situata në Pokrovsk është bërë e vështirë ditët e fundit por mohon pretendimet se trupat e veta janë rrethuar.

Kriza e qeverisë/ SHBA-ja pezullon 10% të fluturimeve

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, njoftoi të mërkurën se do të urdhërojë kufizim me 10% të fluturimeve në 40 aeroportet kryesore të Shteteve të Bashkuara, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e trafikut ajror, ndërsa mbyllja e qeverisë federale ka hyrë në ditën e saj të 36-të – më e gjata në historinë e vendit.

Plani i ri, që hyn në fuqi brenda pak ditësh, detyron linjat ajrore të bëjnë shkurtime të menjëhershme në oraret e tyre. Pasagjerët kanë mbingarkuar linjat e ndihmës së kompanive me ankesa dhe pasiguri për udhëtimet në ditët e ardhshme, raporton Reuters.

Presion për t’i dhënë fund bllokimit politik

Duffy tha se kufizimet mund të hiqen nëse Demokratët bien dakord të rihapin qeverinë.
“Na u desh të bënim një reflektim të thellë për detyrën tonë. Detyra jonë është të marrim vendime të vështira për të mbajtur hapësirën ajrore të sigurt”, tha ai.

Mbyllja ka detyruar 13,000 kontrollorë ajrorë dhe 50,000 agjentë të sigurisë (TSA) të punojnë pa pagesë. Administrata Trump po shton presionin mbi demokratët, duke paralajmëruar pasoja të rënda në transportin ajror nëse nuk arrihet marrëveshja për financimin e qeverisë.

Demokratët ndërkohë fajësojnë republikanët, duke i akuzuar se po refuzojnë të negociojnë për subvencionet e sigurimeve shëndetësore që janë pjesë e projektligjit të buxhetit.

Reduktimet do të përshkallëzohen

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), uljet do të nisin me 4%, do të rriten në 5% të shtunën, 6% të dielën dhe do të arrijnë 10% javën e ardhshme.
Fluturimet ndërkombëtare do të përjashtohen nga masat.

“Kur shohim presion të madh në këto 40 tregje, nuk mund ta injorojmë”, theskoi administratori i FAA-së, Bryan Bedford. “Veprojmë tani për të mbajtur sigurinë në nivel maksimal”, tha ai.

Edhe pse qeveria nuk publikoi listën e aeroporteve, pritet që kufizimet të prekin 30 aeroportet më të ngarkuara në vend, përfshirë Nju Jorkun, Uashingtonin, Çikagon, Atlantën, Los Anxhelesin dhe Dallasin.

Sipas të dhënave të firmës Cirium, kjo mund të ndikojë në rreth 1,800 fluturime dhe mbi 268,000 vende pasagjerësh çdo ditë.

Reagimet e linjave ajrore

Kompania United Airlines tha se do të ruajë fluturimet ndërkombëtare dhe ato ndërmjet qendrave kryesore (hub-to-hub), ndërsa do të shkurtojë fluturimet rajonale dhe ato më pak fitimprurëse.
CEO i kompanisë, Scott Kirby, premtoi fleksibilitet për klientët.

“Çdo pasagjer që udhëton gjatë kësaj periudhe mund të kërkojë rimbursim, edhe nëse fluturimi i tij nuk është anuluar”, theksoi ai.

American Airlines njoftoi se shumica e klientëve të saj nuk do të përjetojnë ndërprerje të mëdha, ndërsa Southwest Airlines, operatori më i madh i fluturimeve brenda SHBA-së, po vlerëson ndikimin dhe u bëri thirrje ligjvënësve “të zgjidhin menjëherë bllokimin”.

Shoqata e Stjuardesave të Fluturimeve (AFA-CWA), që përfaqëson 55,000 punonjës, e quajti mbylljen “sulm mizor ndaj të gjithë amerikanëve”.

Pasojat ekonomike

Mbyllja e qeverisë, që filloi më 1 tetor, ka lënë pa ndihma ushqimore shumë familje me të ardhura të ulëta, ka mbyllur shërbime federale dhe ka pezulluar rreth 750,000 punonjës publikë.

Duffy paralajmëroi se, nëse bllokimi vazhdon edhe një javë, mund të sjellë “kaos masiv” dhe të detyrojë qeverinë të mbyllë pjesë të hapësirës ajrore kombëtare.

Aksionet e United dhe American Airlines ranë me rreth 1% në tregun pas orarit të zakonshëm.
FAA paralajmëroi gjithashtu se do të kufizojë nisjet hapësinore (raketa, satelitë) në orare të caktuara dhe do të vendosë kufizime për fluturimet private.