Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

20 të vdekur nga rrëzimi i avionit ushtarak turk në Gjeorgji

Një avion ushtarak turk i tipit C-130 Hercules është rrëzuar në territorin e Gjeorgjisë, afër kufirit me Azerbajxhanin, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 20 pjesëtarëve të ushtrisë turke që ndodheshin në bord. Lajmin e ka konfirmuar qeveria e Turqisë të martën.

Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, avioni ishte nisur nga Azerbajxhani dhe ishte në rrugën e kthimit për në Turqi kur ndodhi aksidenti.

Pamjet e transmetuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë momentin kur aeroplani humb kontrollin në ajër dhe lë pas një gjurmë të gjatë tymi të bardhë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u shpreh se është “thellësisht i pikëlluar” dhe dërgoi ngushëllime për familjet e viktimave.

Edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i shprehu ngushëllimet homologut të tij turk, duke thënë se Azerbajxhani ndan dhimbjen me popullin vëllazëror të Turqisë.

“U pikëlluam thellë nga lajmi tragjik për humbjen e ushtarëve në rrëzimin e avionit transportues të Forcave Ajrore Turke, i cili u nis nga Ganja dhe u rrëzua në territorin gjeorgjian,” shkroi Aliyev.

Një operacion kërkim-shpëtimi është nisur në bashkëpunim me autoritetet gjeorgjiane dhe azerbajxhane, ndërsa Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë njoftoi se avioni u rrëzua në komunën Sighnaghi, pranë kufirit me Azerbajxhanin.

Një hetim është hapur për të sqaruar shkaqet e aksidentit.

Avionët C-130E Hercules përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura turke për transport të personelit dhe për operacione logjistike.

Anijet e dyshuara për drogë, Britania nuk ndan më informacione me SHBA-në

Mbretëria e Bashkuar nuk po ndan më informacione me SHBA-në në lidhje me anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe, sepse nuk dëshiron të jetë bashkëpunëtore në sulmet ushtarake amerikane dhe beson se sulmet janë të paligjshme, kanë thënë për CNN burime të njohura me çështjen.

Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shënon një shkëputje të madhe nga aleati i saj më i ngushtë dhe partneri i saj për ndarjen e informacioneve dhe nënvizon skepticizmin në rritje mbi ligjshmërinë e fushatës së ushtrisë amerikane rreth Amerikës Latine.

Për vite me radhë, Mbretëria e Bashkuar, e cila kontrollon një numër territoresh në Karaibe ku i bazon asetet e inteligjencës, ka ndihmuar SHBA-në të gjejë anije të dyshuara për transportimin e drogës në mënyrë që Roja Bregdetare e SHBA-së të mund t’i ndalojë ato, kanë thënë burimet.

Inteligjenca zakonisht dërgohej në Task Forcën e Përbashkët Ndëragjenciale Jug, një task forcë e vendosur në Florida që përfshin përfaqësues nga një numër vendesh partnere dhe punon për të zvogëluar tregtinë e paligjshme të drogës.

Por, menjëherë pasi SHBA-ja ka nisur sulmet vdekjeprurëse kundër anijeve në shtator, Mbretëria e Bashkuar u shqetësua se SHBA-ja mund të përdorë inteligjencën e ofruar nga britanikët për të zgjedhur objektivat. Zyrtarët britanikë besojnë se sulmet ushtarake amerikane, të cilat kanë vrarë 76 persona, shkelin të drejtën ndërkombëtare, kanë thënë burimet.

Ndërprerja e ndarjes së inteligjencës ka nisur më shumë se një muaj më parë, kanë thënë burimet.

Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Türk, ka thënë muajin e kaluar se sulmet shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe përbëjnë “vrasje jashtëgjyqësore”. Mbretëria e Bashkuar pajtohet me këtë vlerësim, kanë thënë burimet për CNN.

Trump kërcënon me paga kontrollorët e trafikut ajror

Në një postim në faqen e tij të mediave sociale “Truth Social”, presidenti amerikan, Donald Trump u foli drejtpërdrejt kontrollorëve të trafikut ajror që nuk kanë marrë paga për javë të tëra.

Ata duhet të “kthehen në punë, tani!” tha Trump, pasi disa punëtorë kanë deklaruar pushime mjekësore pasi kanë kaluar javë të tëra pa paga.

Në postimin e tij, Trump tha se “nuk ishte i kënaqur” me punëtorët që morën pushim gjatë asaj që ai e quajti “Mashtrimi i Mbylljes Demokratike”, shkruan BBC.

“Do të keni një notë negative, të paktën sipas mendimit tim, në dosjen tuaj. Nëse doni të largoheni nga shërbimi në të ardhmen e afërt, ju lutem mos hezitoni ta bëni këtë, PA ASNJË pagesë ose ndërprerje të çfarëdo lloji!” thotë ai.

Presidenti sirian largohet nga Shtëpia e Bardhë pas bisedimeve historike me Trump

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa u largua nga Shtëpia e Bardhë të hënën pas gati dy orësh bisedimesh me homologun e tij amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të lartë.

Kjo ishte vizita e parë e një udhëheqësi sirian në Shtëpinë e Bardhë që kur Siria fitoi pavarësinë 79 vjet më parë, raporton KosovaPress.

Sharaa dhe Trump pritej të përqendroheshin në heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-të gjatë sundimit të regjimit të Bahasr al-Assad që shkatërruan ekonominë siriane, përpjekjet për ta futur zyrtarisht Damaskun në koalicionin anti-ISIS dhe bisedimet e mundshme për normalizimin me Izraelin – një nga qëllimet e deklaruara të Trump.

Shtëpia e Bardhë nuk dha menjëherë asnjë deklaratë zyrtare të takimit.

Emisari special i SHBA-së për Sirinë dhe ambasadori në Turqi, Tom Barrack, tha javën e kaluar në Bahrejn se Sharaa pritet të nënshkruajë një dokument me Trump që Siria t’i bashkohet koalicionit anti-ISIS. Nuk është e qartë nëse është arritur një marrëveshje pas dyerve të mbyllura.

Zelensky: Rusia mund të nisë front edhe ndaj një vendi tjetër para se të përfundojë lufta në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ngritur së fundi alarm rreth mundësisë se Rusia edhe mund të fillojë agression ndaj ndonjë vendi tjetër evropian edhe para se të mbarojë lufta e saj kundër Ukrainës.

Në një intervistë për “The Guardian”, që u publikua të dielën, Zelensky tha se Putin mund ta bëjë këtë.

“Unë besoj se po. Ai mund ta bëjë këtë. Duhet të heqim dorë nga skepticizmi se Putini do të pushtojë Ukrainën dhe pastaj mund të shkojë diku tjetër. Ai mund të bëjë të dyja njëkohësisht”.

Zelensky sugjeroi se Kremlini po zhvillon një “luftë hibride kundër Evropës” dhe po teston kufijtë e NATO-s. Ai lidh rritjen e aktiviteteve keqdashëse në Evropë, si përdorimi i dronëve mbi Poloni dhe më vonë mbi aeroportet e Kopenhagenit, Mynihut dhe Brukselit, me dështimet e Rusisë në fushën e betejës.

“Putini është në një situatë të ngërçit, pa arritur sukses të vërtetë. Këto dështime mund ta shtyjnë të kërkojë territore të tjera. Po mbrojmë veten”, tha Zelensky.

Ai theksoi se Rusia, si një shtet i madh dhe agresiv, ka nevojë për një armik të jashtëm për të mbajtur unitetin e brendshëm dhe se Putini i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin si kundërshtarët e tij. “Ukraina është shumë më afër SHBA-së se Rusia”, theksoi ai.

Sipas Zelenskyt, në Pokrovsk, Rusia ka vendosur 170,000 trupa dhe luftimet në Donetsk janë bërë më të ashpra. “Nuk ka sukses rus atje dhe shumë viktima,” shtoi ai, duke përmendur se në tetor humbjet ruse arritën në 25,000 të vrarë dhe të plagosur.

Po ashtu, Ukraina dhe BE-ja po përgatisin paketën e 20-të të sanksioneve, duke propozuar të shtojnë individët dhe kompanitë ruse që përfitojnë nga burimet energjetike

Dy trena përplasen kokë më kokë në Sllovaki, raportohet për shumë të lënduar

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Sllovaki, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë në linjën Pezinok–Bratislavë.

Policia njoftoi në rrjetet sociale se në orën 19:31, është marrë raporti për përplasjen e trenave në seksionin Pezinok – Bratislavë, ndërsa në vendngjarje janë dërguar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Sipas mediave lokale, treni REX 1814, që udhëtonte në itinerarin Nitra–Bratislavë, është përplasur ballë për ballë me trenin Ex 620, pak minuta pasi ishte larguar nga stacioni i Pezinok.

Raportohet për shumë persona të lënduar, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat.

Kompania Hekurudhore Sllovake (ZSSK) ka deklaruar se incidenti do të hetohet plotësisht, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta.

“Do të publikojmë më shumë detaje sapo të lejojë rrjedha e hetimit,” thuhet në njoftimin e kompanisë.