Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Maduro apel SHBA-së: Lëreni Venezuelën të qetë

“Venezuelianët do të luftojnë për atdheun e tyre, askush nuk duhet të ndërhyjë në punët tona dhe imperializmit i themi: Largohuni që këtej, lëreni Venezuelën të qetë”.

Këto janë deklaratat e fundit nga Presidenti Venezuelan Nicolás Maduro në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, ndërsa tensionet me SHBA-në rriten me mbërritjen në ujërat e Karaibeve të USS Gerald Ford, aeroplanmbajtëses më të madhe nën komandën e Uashingtonit.

“Vendi dëshiron vetëm të punojë, të ketë paqen e përjetshme të ëndërruar nga Liberatori (Simón Bolívar) dhe ne do ta ruajmë atë”, shtoi Maduro

SHBA dhe Ukraina fillojnë prodhimin e përbashkët të dronëve interceptues

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Kievi ka filluar prodhimin e përbashkët të dronëve interceptues me SHBA-në, duke e quajtur përpjekjen e re thelbësore ndërsa vendi përballet me vështirësi financiare në rritje dhe presion në fushën e betejës.

“Prodhim, bashkëprodhim amerikano-ukrainas”, tha Zelensky në një intervistë për “Bloomberg”.

“Shpresoj se në të ardhmen do të kemi më shumë”, shtoi ai.

Zelensky tha se iniciativa ka për qëllim të forcojë aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe të kompensojë vonesat në ndihmën e jashtme.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të BE-së të kapërcejnë përçarjet e brendshme mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse.

“Shpresoj, Zoti na bekoftë, se do ta marrim këtë vendim”, tha ai duke shtuar se pa qasje në asete, “do të duhet të gjejnë alternativë, është çështje e mbijetesës”.

Ndryshe, BE-ja ka shtyrë deri në dhjetor një vendim nëse do të shfrytëzojë asetet e ngrira ruse për të ofruar kredi në vlerë prej 140 miliardë eurosh.

Zelensky argumentoi se të ardhurat nga asetet e ngrira ruse do ta ndihmojnë Kievin të ketë më shumë sisteme perëndimore të mbrojtjes ajrore dhe të zgjerojë prodhimin vendas të dronëve.

EUROPOL-i arreston pjesëmarrës në komplotin për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar të drogës

Agjencia Evropiane e Policisë [EUROPOL] ka bërë të ditur se më 12 nëntor ka ofruar ndihmë në një hetim të kryer nga gjermanët, lidhur me një grup mercenarësh, të angazhuar nga një rrjet kriminal, me qëllim të kidnapimit të kreut të një bande rivale shqiptare për trafikim droge.

Kreu i kësaj bande shqiptare – emri i të cilit nuk është bërë i ditur – dyshohet se e ka orkestruar vjedhjen e disa tonëve të kanabisit, në vlerë të miliona eurove.

Aksioni i koordinuar është fokusuar në shtetas të Letonisë, disa prej të cilëve ishin me prapavijë në Legjionin e Huaj Francez.

EUROPOL-i ka thënë se në operacion janë përfshirë autoritetet për zbatim të ligjit prej Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Këta individë shumë të trajnuar kanë qenë të pajisur me pajisje profesionale dhe kanë qenë aktivë në emër të grupit të krimit të organizuar”.

Në ditën e operacionit policor janë arrestuar katër individë në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri të Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, që janë arrestuar në tetor të vitit 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykatat.

Mercenarë me pagesë

EURPOL-i ka thënë në njoftim se ky operacion është i lidhur me fenomenin e ashtuquajtur “Dhuna si shërbim”, që do të thotë se kryesit e krimit ofrohen për t’i kryer aktet e dhunshme në emër të rrjeteve tjera kriminale.

Për organizatën evropiane, ky është një trend shqetësues, i cili është edhe rezultat i luftës në Ukrainë.

“Ukrainasit e trajnuar nga forcat amerikane, legjionarët dhe mercenarët rusë, të gjithë ish-ushtarë të zonave të luftës, po kthehen nga fronti dhe po i shfrytëzojnë aftësitë e tyre për krim të organizuar. Teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet, Evropa mund të përballet me numër në rritje të këtyre individëve të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Prandaj, EUROPOL-i ka bërë thirrje që të vëzhgohen këto veprimtari dhe të bëhen përgatitje për sfidat që mund t’i sjellin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Rusia thotë se është e gatshme për bisedime paqeje me Ukrainën

Rusia është e gatshme për negociata paqeje me Ukrainën, në Stamboll, citohet të ketë thënë zyrtari i Ministrisë së Jashtme ruse, Alexei Politchuk.

Sipas mediave ndërkombëtare, përfaqësuesit e të dy palëve nuk janë takuar ballë për ballë që takimi në Stamboll, mbajtur më 23 korrik.

Sipas mediave të huaja zyrtari rus tha se zyrtarët turq kanë sugjeruar vazhdimisht rifillimin e bisedave të paqes.

Ndërkohë Ukraina hedh poshtë akuzat ruse se është përgjegjëse për mungesën e përparimit në procesin e paqes.

Gjermania dërgon oficerë të paarmatosur në territoret palestineze

Gjermania ka dërguar disa oficerë policie të paarmatosur në territoret palestineze – për të ndihmuar në stabilizimin e situatës dhe forcimin e mëtejshëm të forcave lokale të sigurisë civile, raportuan sot mediat vendase.

“Një forcë policore funksionale është e domosdoshme për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, për agjencinë gjermane të lajmeve (DPA), duke shtuar se për këtë arsye ai vendosi të dërgojë një ekip të nivelit të lartë nga Policia Federale në Kuds.

Oficerët po mbështesin rikonstruimin e policisë dhe forcave të sigurisë në territoret palestineze nga atje dhe janë të vendosur në Zyrën për Siguri (OSC), tha Dobrindt.

Ekipi, që fillimisht përbëhet nga katër oficerë policie, ka mbërritur në territoret palestineze rreth dy javë më parë, sipas agjencisë së lajmeve.

Sipas medias gjermane, misioni i ekipit është të zhvillojë më tej kontributin e Gjermanisë në forcimin e forcave të sigurisë civile në territoret palestineze, duke u bazuar në më shumë se 15 vjet mbështetje policore gjermane tashmë ekzistuese.

Sipas DPA-së, misioni i BE-së “EUBAM Rafah” është riaktivizuar që nga fillimi i vitit 2025. Detyra e tij kryesore, sipas agjencisë, është të ruajë një prani neutrale në pikën kufitare Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit. Aktualisht, megjithatë misioni ndodhet në gjendje pezullimi.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Gjermania aktualisht po merr pjesë në këtë mision me dy oficerë policie, të dy të vendosur në Ramat Gan, Izrael. Detyrat e koordinimit dhe administrimit kryhen nga Ramat Gan.

Ministria shtoi se pjesëmarrja gjermane në misionin EUPOL COPPS, i cili ka për mandat zhvillimin e mëtejshëm të policisë palestineze dhe zbatimit të ligjit në Bregun Perëndimor, pritet të rifillojë në janar të vitit të ardhshëm. Një oficer gjerman policie ishte i vendosur atje deri në fund të tetorit.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura Gjermane aktualisht kanë tre oficerë shtabi në jug të Izraelit si pjesë e të ashtuquajturit proces stabilizimi në Rripin e Gazës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarët janë të veshur me uniformë por të paarmatosur dhe të vendosur në Qendrën e Koordinimit Civilo-Ushtarak (CMCC) të udhëhequr nga SHBA-ja.

Të sëmurët me diabet dhe obezët mund të mos lejohen në SHBA, Trump njofton rregullat e reja për emigrantët

Të huajt që kërkojnë viza për të jetuar në Shtetet e Bashkuara mund të refuzohen nëse kanë disa gjendje të caktuara shëndetësore, përfshirë diabetin ose obezitetin, sipas një udhëzimi të publikuar të enjten nga administrata Trump.

Udhëzimi, i përfshirë në një kabllogram që Departamenti i Shtetit u ka dërguar ambasadave dhe zyrave konsullore, dhe që është shqyrtuar nga KFF Health News, udhëzon zyrtarët e vizave që të shpallin të papërshtatshëm për hyrje në SHBA aplikantët për disa arsye të reja, si mosha apo mundësia që ata të varen nga përfitimet publike.

Dokumenti thekson se persona të tillë mund të konsiderohen si një “barrë publike”, pra, një ngarkesë e mundshme për burimet e SHBA-së, për shkak të problemeve shëndetësore ose moshës së tyre.

Megjithëse vlerësimi i gjendjes shëndetësore të aplikantëve ka qenë për vite pjesë e procesit të aplikimit për vizë, duke përfshirë kontrollin për sëmundje ngjitëse si tuberkulozi dhe verifikimin e historikut të vaksinimeve. Ekspertët thonë se udhëzimet e reja zgjerojnë ndjeshëm listën e gjendjeve shëndetësore që do të merren në konsideratë dhe u japin më shumë pushtet zyrtarëve të vizave për të marrë vendime mbi bazën e gjendjes shëndetësore të aplikantëve.

Ky udhëzim është pjesë e fushatës përçarëse dhe agresive të administratës Trump për të dëbuar emigrantët që jetojnë pa leje në SHBA dhe për të dekurajuar të tjerë që synojnë të emigrojnë drejt vendit. Fushata e Shtëpisë së Bardhë për kufizimin e emigracionit ka përfshirë arrestime masive të përditshme, ndalime për refugjatët nga disa vende të caktuara, si dhe plane për të kufizuar ndjeshëm numrin total të personave që lejohen të hyjnë në SHBA.