Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

A po përgatitet Evropa për konflikt? KE shqyrton mënyrat për lëvizjen e pajisjeve ushtarake në rast lufte

Evropa po i rrit shpenzimet e saj për mbrojtjen. Por, një çështje është lënë kryesisht pas dore: mënyra e lëvizjes së pajisjeve ushtarake nga një vend në tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur në rast lufte.

Një “Shengen ushtarak”, që do të nënkuptonte një zonë në të cilën armët dhe trupat mund të lëvizin rreth bllokut po aq lehtë sa mund të lëvizin zakonisht civilët brenda zonës Shengen pa pasaporta, është diskutuar ndër vite, por deri tani ka mbetur i parealizuar si nga BE-ja, ashtu edhe nga NATO-ja, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Më 19 nëntor, Komisioni Evropian do ta paraqesë përpjekjen e tij më të fundit për ta arritur këtë synim deri në fund të dekadës.

Një kopje e avancuar, e parë nga Radio Evropa e Lirë (REL), flet për dy mënyra për ta arritur këtë: së pari, investime të mëdha në qindra “pika ngushtimi” nëpër kontinent, si linja hekurudhore, porte dhe ura, duke përfshirë edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE, si Ukraina dhe Moldavia, të cilat dokumenti i cilëson thelbësore për t’i integruar në strukturat e transportit ushtarak të BE-së.

Dhe, së dyti, ulja e burokracisë, pasi legjislacionet e ndryshme kombëtare dhe procedurat burokratike besohet se e pengojnë çdo përpjekje për t’i lëvizur shpejt dhe lehtësisht pajisjet ushtarake nga një vend i BE-së në tjetrin.

Ideja e një “Shengeni ushtarak” është diskutuar në Bruksel prej kohësh. Qysh në vitin 2017 u bë një “fushë prioriteti” dhe plane veprimi mbi këtë temë u hartuan nga Komisioni në vitet 2018, 2022 dhe 2024. Por, përparimi ka qenë i vogël.

Diplomatët e BE-së, duke folur në kushte anonimiteti për REL-in, kanë theksuar se kjo temë zakonisht është afër të jenë në krye të agjendës kur diskutohet bashkëpunimi BE-NATO, por se asnjëra organizatë nuk e ka përqafuar plotësisht.

NATO-ja ka shpresuar për kohë të gjatë se Bashkimi Evropian do të kushtojë më shumë fuqi ligjvënëse dhe fonde për lëvizshmërinë ushtarake, sidomos tani kur 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së janë gjithashtu pjesë e aleancës ushtarake, dhe lufta në Ukrainë ka krijuar urgjencë më të madhe për të intensifikuar të gjitha çështjet e lidhura me mbrojtjen.

Njëkohësisht, në BE ka pasur pakënaqësi se NATO-ja është përqendruar shumë te shpenzimet për pajisje të shtrenjta ushtarake dhe shumë më pak në mënyrën se si t’i lëvizë ato ose t’i vërë në dispozicion të anëtarëve të tjerë të aleancës.

Qëllimi i ri i NATO-s për të arritur 3.5% të PBB-së në pajisje ushtarake deri në vitin 2035 dhe 1.5% shtesë në investime joushtarake, si lëvizshmëria ushtarake, e adreson disi këtë problem.

Por, ende mbetet në duart e vendeve individuale, siç e thekson dokumenti i Komisionit.

“Derisa Shtetet Anëtare mbeten të lira të vendosin nëse do të lejojnë forca të armatosura të huaja të kalojnë territorin e tyre si pjesë e sigurisë dhe mbrojtjes së tyre kombëtare, BE-ja duhet të ketë një kornizë për lëvizshmërisë ushtarake që baraspeshon nevojat ushtarake dhe civile”, thuhet në dokument.

Qëllimi i këtij Komisioni Evropian, mandati i të cilit përfundon më 2029, është të “krijojë një Zonë Lëvizshmërie Ushtarake në gjithë BE-në deri në fund të vitit 2027, si hap i parë drejt arritjes progresive të një ‘Shengeni Ushtarak’ në dimensionet rregullatore, infrastrukturore dhe të kapaciteteve”.

Pyetja është nëse këtë herë fondet do të jenë të mjaftueshme. Në buxhetin e fundit shumëvjeçar të BE-së (2021-2027), rreth 1.7 miliard euro u caktuan për infrastrukturë transporti me përdorim të dyfishtë civil/ushtarak, duke u fokusuar në 95 projekte në 21 vende.

Por, siç thekson dokumenti: “kërkesa për financim nga BE-ja tejkaloi ndjeshëm fondet e disponueshme dhe të gjitha thirrjet ishin të mbingarkuara”.

Për buxhetin e ardhshëm afatgjatë (2028–2034), Komisioni Evropian ka propozuar 17.65 miliardë euro për infrastrukturën e transportit me përdorim të dyfishtë, duke u fokusuar në 500 “projekte kritike”, ku transporti i pajisjeve ushtarake duhet të bëhet më i shpejtë dhe më i rrjedhshëm.

Por, pyetja është nëse kjo do të pranohet, pasi shtetet anëtare zakonisht e ulin propozimin fillestar të Komisionit dhe preferojnë të ridrejtojnë fondet e BE-së në “fitues votash” si bujqësia, peshkimi dhe shpenzime të tjera sociale.

Hekurudha është gjithashtu mënyra e transportit ku janë shpenzuar më shumë para për lëvizshmërinë ushtarake. Dhe, kjo pritet të vazhdojë. Më herët këtë vit BE-ja ra dakord për katër korridore të prioritetit të lartë për lëvizshmërinë ushtarake, veriore, jugore, lindore dhe qendrore.

Korridori verior, që lidh kryesisht Holandën me Gjermaninë e Poloninë dhe më tej me Ukrainën, është për arsye të qarta më i avancuari.

Dokumenti vë në pah një shtrirje hekurudhore 22 kilometra, që lidh Ukrainën Perëndimore me Sllovakinë dhe pjesën tjetër të Evropës Qendrore me gjerësinë standarde evropiane të shinave, e cila u hap në shtator 2025.

Gjithashtu, ai thekson se “punimet përgatitore janë në zhvillim për të vendosur gjerësinë standarde të shinave evropiane në Korridoret Evropiane të Transportit që lidhin Moldavinë dhe Ukrainën me Shtetet Anëtare të BE-së”.

Ideja është që e gjithë BE-ja, duke përfshirë vendet kandidate, të operojë me gjerësinë standarde të shinave në të ardhmen.

Komisioni Evropian dëshiron gjithashtu të investojë në elementë të tjerë që janë jetikë për lëvizjet ushtarake por që përshkruhen si “të pakët” në klub; avionë të mëdhenj transporti, tragete me përdorim të dyfishtë dhe veçanërisht vagonë për trena, në të cilët mund të transportohen pajisjet më të rënda ushtarake si raketat dhe tanket.

Megjithatë, në fund, ndryshimet më të mëdha që BE-ja mund t’i bëjë janë në legjislacion për të lehtësuar lëvizjen e trupave dhe pajisjeve.

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Problemi paraqitet qartë në dokument: “Rregullat e BE-së nuk zbatohen për transportin ushtarak ose nuk zbatohen në mënyrë koherente, rregulloret kombëtare ndryshojnë dhe transporti ushtarak nuk merr prioritet të mjaftueshëm”.

Teksti vë në dukje se ndonjëherë duhen 45 ditë për të marrë leje për transport ushtarak për të kaluar nga një vend i BE-së në tjetrin. Synimi i vendosur nga Brukseli është tri ditë.

Në mënyrë të habitshme, rregullat e harmonizuara të BE-së për transportin e mallrave të rrezikshme nuk zbatohen për transportin ushtarak, që do të thotë se shpesh duhen marrëveshje ad hoc. Kjo pritet të ndryshojë.

Dhe, Komisioni Evropian synon të kërkojë më shumë. Lejet për të lëvizur pajisjet ushtarake mes shteteve anëtare nuk do të duhet të rinovohen më çdo vit. Ato do të mbeten të vlefshme derisa të tërhiqen.

Edhe vendet joanëtare të BE-së mund të jenë pjesë e këtij ndryshimi.

Propozime të tjera përfshijnë mundësinë për të përjashtuar transportin ushtarak nga disa rregulla civile, si ndalimet e trafikut gjatë festave dhe rregullat e kabotazhit në BE – legjislacion specifik që favorizon kompanitë kombëtare të transportit kundrejt atyre nga shtetet e tjera të BE-së.

Çelësi do të jetë një “Sistem Evropian i Reagimit të Përforcuar për Lëvizshmëri Ushtarake (EMERS)” i cili mund të aktivizohet brenda 48 orësh pas një propozimi nga Komisioni Evropian ose një shtet anëtar të BE-së.

Kur të aktivizohet, në rast të një emergjence të mundshme ushtarake, transporti ushtarak ndërkufitar do të kërkojë vetëm një njoftim me një afat të shkurtuar paraprak të lëvizjes ushtarake dhe shmangien e procedurave standarde, përveç formaliteteve doganore.

Të gjitha këto propozime do të duhet të miratohen mes shteteve anëtare të BE-së, shpesh duke kërkuar njëzëshmëri.

Duke pasur parasysh urgjencën në rritje që BE-ja ta forcojë fuqinë e saj ushtarake mes luftës në Ukrainë, kjo mund të jetë mundësia më e mirë për të arritur “Shengenin ushtarak”./REL

OKB: Izraeli ka kaluar kufirin me Libanin, duke ndërtuar një mur

Një studim i kryer nga Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban muajin e kaluar zbuloi se një mur i ndërtuar nga ushtria izraelite kalon vijën blu, kufirin de-facto.

Kështu deklaroi një zëdhënës i OKB-së, shkruan Reuters.

Vija Blu është një vijë e hartuar nga OKB-ja, që ndan Libanin nga Izraeli dhe Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli.

Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, tha se muri prej betoni në formë T, i ngritur nga IDF-ja, ka bërë më shumë se 4,000 metra katrorë të territorit libanez të paarritshëm për popullsinë vendase.

Një pjesë e një muri shtesë, i cili gjithashtu ka kaluar vijën blu, po ndërtohet në juglindje të Yaroun, tha ai, duke cituar paqeruajtësit.

Dujarric tha se UNIFIL-i informoi ushtrinë izraelite për gjetjet e saj dhe kërkoi që muri të hiqet.

“Prania dhe ndërtimi izraelit në territorin libanez janë shkelje të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit,” tha UNIFIL në një deklaratë të veçantë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite mohoi se muri kaloi vijën blu.

“Muri është pjesë e një plani më të gjerë të IDF-së, ndërtimi i të cilit filloi në vitin 2022. Që nga fillimi i luftës, dhe si pjesë e mësimeve të nxjerra prej saj, IDF ka avancuar një sërë masash, duke përfshirë përforcimin e barrierës fizike përgjatë kufirit verior”, tha zëdhënësi.

UNIFIL, i themeluar në vitin 1978, vepron midis lumit Litani në veri dhe vijës blu në jug. Misioni ka më shumë se 10,000 trupa nga 50 vende dhe rreth 800 staf civil, sipas faqes së saj të internetit.

Lajçak pranon komunikimin me Epstein: Ka qenë brenda detyrave të mia diplomatike…

Ish i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka pranuar se më parë ka pasur komunikim me financierin pedofil Jeffrey Epstein, por insiston se gjithçka ka qene brenda detyrave të tij diplomatike.

Lajçak mbrohet me pretendimin se vetëm pas arrestimit të Epsteinit, u bë plotësisht e njohur shkalla “ e veprimeve të tij të papranueshme”.

Si diplomat, thotë zyrtari europian, kam kontaktuar me shumë njerëz që kishin influencë, por qëndrimi im ka qenë professional.

Lajçak këmbëngul se e ka ndërgjegjen të pastër dhe nuk ka dalë për asgjë jashtë kornizave të normales. Diplomati sllovak argumentoi gjithashtu se njeriu në jetë “merr vendime bazuar në informacionin që ka për momentin, dhe jo mbi gjëra të cilat ende nuk i di”.

Kreu i Partisë Popullore Sllovake, Andrej Danko, megjithatë ka kërkuar nga Lajçak të japë shpjegime publike për natyrën dhe përmbajtjen e komunikimit, sidomos pasi dokumentet e fundit nga Shtetet e Bashkuara janë bërë publike.

Komiteti për Mbikëqyrjen e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së publikoi më 12 nëntor mijëra faqe dokumentesh që lidhen me rastin e financierit të vdekur amerikan. Në dokumente përfshihet edhe komunikimi me email, për të cilin thuhet se ka ndodhur midis atëhershëm ministrit të Jashtëm Lajçak dhe Epsteinit.

Nga dokumentet që publikoi qeveria amerikane rezulton se Epstein në mars të vitit 2018 i ka dërguar Lajçakut një lidhje për një artikull të portalit Daily Beast, në të cilin thuhet se atëhershëm presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte pranë një kolapsi mendor.

Ish-shefi i diplomacisë sllovake i ka përgjigjur më pas, përmes adresës së tij zyrtare të email-it të ministrisë, duke thënë se gjatë ditës kishte dëgjuar “mjaft dëshmi” për këtë temë. Po kështu, sipas dokumenteve Epstein i drejtohej atij në mënyrë të ngrohtë, me emrin “Miro”, dhe kishte sugjeruar se mund të udhëhiqte ndonjë “projekt evropian”.

Më tej, shtonte se qeveria sllovake së shpejti do të bjerë, “sipas planit”. Një javë pas dërgimit të këtij email-i, qeveria e Robert Fico-s ra.

Të paktën gjashtë të vdekur në aksidentin me autobus në Stokholm

Të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pasi një autobus goditi një stacion autobusi në qendër të Stokholmit, tha sot policia suedeze, duke shtuar se nuk kishte informacione që tregonin se ky incident mund të ishte një sulm, sipas CNN, shkruan ATSH.

“Në incident pati gjashtë viktima”, tha një zëdhënës i shërbimeve të shpëtimit të Stokholmit. Zëdhënësi tha se nuk kishte patur pasagjerë në autobus.

“Po hetohet si vrasje e pavullnetshme. Shoferi i autobusit është arrestuar, por kjo është një rutinë në një incident të tillë”, tha një zëdhënës i policisë, duke shtuar se nuk kishin informacione që tregonin se ishte një sulm.

Policia tha se për momentin nuk do të komentonte për numrin, gjininë ose moshat e të vrarëve ose të plagosurve.

Macron pret të hënën në takim Zelenskyn

Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy në Paris më 17 nëntor për të riafirmuar mbështetjen afatgjatë të Francës për sigurinë e Ukrainës.

Kështu janë deklaruar nga zyra e Macron të premten.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin dypalësh në fusha të tilla si energjia, ekonomia dhe mbrojtja në takimin e tyre, raprton Reuters

Pushtuesit izraelitë i vënë zjarrin xhamisë në Palestinë, dogjën dhe Kuranë

Izraelitët po bëhen gjithnjë e më agresivë ndaj palestinezëve. Kolonët izraelitë kanë djegur xhaminë Hajja Hamida, e cila ndodhet midis qyteteve Kafr Haris dhe Deir Istiya, në Bregun Perëndimor.

Në një deklaratë, Autoriteteti Palestinez thekson se “krimi i pushtuesve përbën një shkelje të hapur të shenjtërisë së vendeve të adhurimit dhe një shprehje flagrante të racizmit të thellë që tani rregullon sjelljen e kolonëve nën kujdesin e qeverisë pushtuese”.

Autorët e sulmit kanë vandalizuar xhaminë duke shkruar grafite kërcënuese dhe ofenduese ndaj palestinezëve, ndërsa kanë djegur edhe disa kopje të kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve, shkruan A2.

Autoriteti Palestinez theksoi se ky krim përfaqëson një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një vazhdim të sulmeve sistematike dhe të përhapura izraelite kundër palestinezëve dhe vendeve të shenjta islamike dhe të krishtera.

“Është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i politikave të nxitjes dhe ekstremizmit të miratuara nga qeveria izraelite dhe degët e saj të ndryshme, të cilat kërkojnë të riformësojnë peizazhin fetar në territorin e pushtuar palestinez për t’i shërbyer projektit të saj kolonial dhe terrorizimit dhe zhvendosjes së popullit palestinez”, lexohet në deklaratë.

Palestina i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, të marrin masa të menjëhershme dhe detyruese për të mbrojtur vendet e adhurimit.