Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafik

E diela e tretë e muajit nëntor, është Dita Botërore e përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor.

Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve.

Shpërthimi në hekurudhën Varshavë-Lublin, kryeministri polak: Akt sabotimi

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se një shpërthim në një linjë të madhe hekurudhore që shfrytëzohet për të transportuar mallra ushtarake dhe ndihmë për Ukrainën, u shkaktua nga një “akt i paparë sabotimi”.

– Advertisement –

Tusk shkroi në një postim në mediat sociale më 17 nëntor se shpërthimi ndodhi një ditë më parë, në një linjë që shkon nga Varshava në qytetin lindor polak të Lublinit – rreth 100 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

“Shpërthimi i binarëve hekurudhorë në linjën Varshavë-Lublin është një akt sabotimi pa precedent, i cili ka në shënjestër sigurinë e shtetit polak dhe të qytetarëve të tij”, tha Tusk, duke shtuar se hetimet janë në zhvillim e sipër.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme rreth shpërthimit ose kush mund të qëndronte pas tij, por tha se një tjetër vend me dëme u zbulua më tej në lindje, në të njëjtën linjë hekurudhore.

Zyrtarët polakë, si dhe ata të vendeve të tjera evropiane, prej kohësh akuzojnë Moskën për kryerjen e një fushate “hibride” të sabotimit dhe spiunazhit ndaj vendeve që ndihmojnë Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, në shkurt të vitit 2022.

Muajin e kaluar, autoritetet polake arrestuan tetë persona të dyshuar për spiunazh ose për planifikim sulmesh në emër të Rusisë.

Në janar, Tusk akuzoi Rusinë për planifikimin e sulmeve terroriste kundër disa objektivave të paspecifikuara, duke përdorur avionë.

Komentet e tij erdhën në një kohë kur po shtohej numri i incidenteve të dyshimta.

Disa prej tyre përfshinin linja ajrore ndërkombëtare dhe akuzat se Rusia po përpiqej të vendoste eksploziv të fshehtë në fluturimet e mallrave, ndërsa të tjerat kishin të bënin me anije që kishin ndërprerë kabllot nënujore.

Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Perëndimit për sulme terroriste, përfshirë zjarrvënie, depërtime të paligjshme, helmim dhe sulme ndaj individëve në Perëndim

Zelensky: Do të blejmë 100 aeroplanë luftarakë Rafale nga Franca

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti francez Emmanuel Macron nënshkruan sot një deklaratë qëllimi për të bashkëpunuar në sektorin e mbrojtjes.

Zelensky konfirmoi se Ukraina synon të blejë 100 aeroplanë luftarakë Rafale të prodhuar nga kompania franceze Dassault.

Bëhet fjalë për aeroplanë të gjeneratës 4.5 që konsiderohen si një nga aeroplanët më të përparuar evropianë.

Ndryshe, Zelensky zbarkoi në një bazë ajrore pranë Parisit më herët sot, ku u prit nga Macron para ceremonisë së nënshkrimit.

Gjatë vizitës së tij në bazën ajrore Villacoublay, Zelensky inspektoi armët e përparuara franceze, duke përfshirë aeroplanët luftarakë Rafale dhe sistemin e mbrojtjes ajrore SAMP/T.

Parisi ka qenë një aleat kyç i Ukrainës që nga shpërthimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022 dhe u ka dërguar ukrainasve aeroplanë luftarakë Mirage 2000, artileri, raketa SCALP me rreze të gjatë veprimi dhe të tjera.

Udhëtimi i Zelenskyt është pjesë e një turneu midis aleatëve evropianë, ndërsa ai kërkon të forcojë mbështetjen për Kievin përballë dimrit që po vjen dhe sulmeve ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës.

Gjermani, dy duar të prera gjenden në autostradë – nisin hetimet

Një pamje e tmerrshme tronditi shoferët në autostradën gjermane A45, kur pjesë të trupit të njeriut u gjetën në rrugë.

Policia u njoftua nga një shofere femër e cila vuri re objekte të pazakonta në rrugë dhe, sipas informacioneve jozyrtare, ato ishin dy duar të prera të gruas, shkruan gazeta gjermane Bild .

Një patrullë policie u dërgua menjëherë në seksionin midis kryqëzimeve Olpe-Sud dhe Freudenberg, ku oficerët konfirmuan dyshimet e tmerrshme.

Autostrada është aktualisht e mbyllur në të dyja drejtimet dhe hetuesit e vrasjeve kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer një hetim dhe për të kontrolluar zonën më të gjerë.

Zyra e Prokurorit të Shtetit nuk po zbulon saktësisht se sa pjesë trupi u gjetën.

Mbetet e paqartë se si përfunduan ato në autostradë, por sipas informacioneve fillestare, hetuesit po përjashtojnë mundësinë që këto të jenë pasoja të një aksidenti rrugor.

Autostrada A45 u rihap për trafik në mëngjes, por hetimi për këtë rast të tmerrshëm vazhdon me intensitet të plotë.

Zelensky në Francë për të nënshkruar marrëveshje për mbrojtjen ajrore dhe avionët luftarakë

Pesidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të nënshkruajë të hënën marrëveshje me Francën për furnizimin me aftësi të mbrojtjes ajrore, avionë luftarakë dhe raketa, duke synuar të forcojë kapacitetin afatgjatë të ushtrisë së tij për të luftuar pushtimin e vazhdueshëm të Rusisë.

Zelensky është në Paris për bisedime me Presidentin francez Emmanuel Macron, ndërsa sulmet e rënda me dronë dhe raketa ruse ndaj Ukrainës janë shtuar në javët e fundit dhe Moska ka raportuar përparime të ndjeshme tokësore në rajonin juglindor të Zaporizhzhisë, shkruan reuters.

“Një marrëveshje historike është përgatitur gjithashtu me Francën – do të ketë një forcim të ndjeshëm të aviacionit tonë luftarak, mbrojtjes ajrore dhe aftësive të tjera mbrojtëse. Sipas orarit të vizitës, kjo do të zhvillohet të hënën”, tha Zelensky në një postim në X të dielën.

Trump: E kam marrë vendimin për veprimet e mundshme ushtarake në Venezuelë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se “në një farë mënyre ka marrë vendimin” nëse do të ndërmarrë apo jo veprime ushtarake kundër Venezuelës, në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pas dy muajsh operacione amerikane kundër anijeve të dyshuara për trafikun e drogës në Karaibe.

“Nuk mund t’ju tregoj se çfarë do të ndodhë, por në një farë mënyre e kam vendosur”, tha Trump, duke shtuar se SHBA ka bërë “shumë përparim” në pengimin e rrjedhës së drogës nga Venezuela.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në rajon aeroplanë F-35, anije luftarake dhe një nëndetëse bërthamore, si pjesë e një përforcimi të pranisë ushtarake që pasoi një seri sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve pranë brigjeve venezueliane. Po ashtu, grupi i sulmeve të aeroplanmbajtëses “Gerald Ford” është zhvendosur këtë javë në Amerikën Latine, duke sjellë mbi 75 aeroplanë dhe më shumë se 5,000 trupa shtesë.

SHBA vazhdon të mos e njohë Nicolas Maduron si president legjitim të Venezuelës, duke e konsideruar administratën e tij të paligjshme që prej marrjes së detyrës pas vdekjes së Hugo Chavez në vitin 2013. Departamenti i Shtetit ka shpallur një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që çon në arrestimin ose dënimin e Maduro-s, shumë kjo e rritur vazhdimisht që nga viti 2020.

Maduro ka akuzuar Trumpin për përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti, ndërsa presidenti amerikan ka mohuar vazhdimisht se synon ndryshim regjimi në Venezuelë.