Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Ministri gjerman i Mbrojtjes paralajmëron për konfrontim në Detin Baltik

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Pistorius paralajmëroi në Konferencën e Sigurisë në Berlin për kërcënim në rritje nga Rusia.

Deti Baltik gjithashtu po bëhet gjithnjë e më shumë një “zonë konfrontimi”, shkruan DW.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka bërë thirrje për aleatët evropianë në konferencën e sigurisë në Berlin që të zgjerojnë me shpejtësi kapacitetet mbrojtëse të kontinentit. Ai iu referua kërcënimit në rritje që paraqet Rusia.

“Deti Baltik, i cili prej kohësh është konsideruar një urë midis vendeve evropiane, po kthehet gjithnjë e më shumë në një zonë konfrontimi,” tha Pistoriusi. Sipas tij, ai është fusha e testimit e Putinit për kapacitetet evropiane të reagimit. Ai përmendi si shembuj kabllot nënujore të dëmtuara, shkeljet e hapësirës ajrore dhe fluturimet e dronëve.

“Nuk mund të flasim më për rastësi”

“Nuk mund të flasim më për rastësi. Është një strategji. Këto janë sinjale,” tha Pistoriusi. “Moska tashmë po kryen sulme hibride kundër të gjithëve ne me sulme kibernetike, spiunazh, sabotim dhe dezinformim,” tha ai.

Politikani gjerman nënshkroi një marrëveshje me homologun e tij suedez, Pål Jonson, për të forcuar bashkëpunimin ushtarak me vendin anëtartë NATO-s. Suedia është vendi partner për takimin e këtij viti.

Në kuadër të konferencës, holandezi Martin Bonn, ish-zëvendëskomandant i Divizionit të 10-të të blinduar, u gradua në gradën e gjeneral-majorit. Ai tani do të jetë zëvendës i komandantit gjerman të trupave luftarake, një zhvillim i ri në bashkëpunimin e thelluar.

Gjenerali i NATO-s kërkon reforma

Gjenerali i NATO-s, Ingo Gerhartz, i bëri thirrje Gjermanisë të dyfishojë përpjekjet e saj për të penguar një sulm të mundshëm rus. Për të kundërshtuar dhe parandaluar me sukses kërcënimet dhe sulmet hibride gjithnjë e më të shpeshta, është thelbësore të kryhet një reformë themelore e sistemit të prokurimit, të zbatohet shpejt shërbimi i ri ushtarak dhe të forcohet gatishmëria mbrojtëse në të gjithë shoqërinë, tha Gerhartz në fillim të konferencës.

“Gjermania në tërësi ende nuk ka arritur pjekurinë strategjike që kërkohet në kohën tonë,” tha gjenerali gjerman, i cili komandon selinë operative (“Komanda e Përbashkët e Forcave Aleate”) në Brunssum, Holandë. “Nëse Gjermania dëshiron të jetë një lojtar i avancuar në çështjet e sigurisë, i gjithë vendi duhet të kuptojë se investimet vetëm në kapacitete nuk mjaftojnë.” Gerhartzi iu referua mosmarrëveshjes mbi shërbimin ushtarak, e cila zgjati muaj me radhë dhe tani është zgjidhur.

Si të përballohen sulmet në zonën gri

Ai paralajmëroi se besueshmëria e aleancës së mbrojtjes nuk duhet të dëmtohet. NATO nuk mund të rregullojë frikësimin për Gjermaninë, por duhet të jetë në gjendje të “frikësojë përmes Gjermanisë”. Gjithashtu, ekziston nevoja për të diskutuar se si mund të funksionojë frikësimi në të ardhmen në ashtuquajturën zonë gri të sulmeve hibride dhe nën klauzolën për mbështetje reciproke të Nenit 5. Gerhartz kërkoi, “ne duhet ta rishikojmë qëndrimin tonë mbi frikësimin.”

Politikanë, përfaqësues ushtarakë dhe ekspertë ekonomikë do të diskutojnë përforcimin e mbrojtjes në Evropë në Konferencën e Sigurisë në Berlin deri të mërkurën. Në takimin dyditor, më shumë se 140 ekspertë do të flasin dhe do të marrin pjesë në diskutime panelesh. Ekspertët do të analizojnë se si mund të adresohen kërcënimet e ndryshme ndaj NATO-s dhe BE.

Polonia akuzon Rusinë, për shpërthimin në linjën hekurudhore

Polonia dyshon se shërbimet e inteligjencës ruse qëndrojnë pas shpërthimit në një linjë të madhe hekurudhore polake, që përdoret për transportimin e pajisjeve ushtarake dhe ndihmë për Ukrainën, një akt që kryeministri Donald Trusk e quajti “akt të paprecedent sabotimi”.

Në komentet e para ku një zyrtar polak sugjeroi se Moska qëndronte pas sulmit gjatë fundjavës, Jacek Dobrzynski, zëdhënës i Ministrit të Shërbimeve Speciale të Polonisë, tha se shpërthimi ishte një përpjekje “për të destabilizuar” dhe “përhapur frikë”.

Në një fjalim para ligjvënësve polakë pas takimit të jashtëzakonshëm, Tusk tha se Polonia kishte identifikuar dy persona përgjegjës për sabotimin në hekurudhën e saj.

Ai shtoi se të dyshuarit janë shtetas ukrainas që kanë bashkëpunuar me inteligjencën ruse dhe janë arratisur në Bjellorusi.

“Informacioni më i rëndësishëm është se… kemi identifikuar personat përgjegjës për aktet e sabotimit”, tha Tusk gjatë një fjalimi para ligjvënësve në Varshavë.

“Në të dy rastet jemi të sigurt se tentativa për të hedhur në ajër shinat dhe shkelja e infrastrukturës hekurudhore kanë qenë të qëllimshme dhe synimi i tyre ka qenë shkaktimi i një katastrofe në trafikun hekurudhor”.

Tusk shtoi se Polonia po rrit nivelin e gatishmërisë së sigurisë në disa pjesë të vendit dhe po harton plane që ushtria të mbrojë infrastrukturën kyç, përfshirë hekurudhat.

Zvicra “hap dyert”, 85 mijë vende pune për të huajt me paga deri në 6.500 euro

Zvicra po përgatitet të marrë mijëra punëtorë të huaj pas mungesës së vazhdueshme të stafit të kualifikuar që prej vitit 2020.

Spitalet, hotelet dhe zyrat e inxhinierisë janë në krye të listës së sektorëve që kërkojnë urgjentisht profesionistë me përvojë, por edhe të sapodiplomuar.

Autoritetet paralajmërojnë se hendeku i fuqisë punëtore mund të zgjerohet edhe më shumë muajt e ardhshëm, duke rritur presionin për rekrutim nga jashtë.

Qeveria zvicerane planifikon të punësojë rreth 85 mijë persona nga vende të tjera, duke ofruar paga që nisin nga 3.500 euro në muaj dhe mund të arrijnë deri në 6.500 euro, varësisht nga profesioni. Kërkesat më të mëdha regjistrohen në fushën shëndetësore, turizëm e hoteleri, si dhe në profesionet teknike, informatike dhe inxhinierike, shkruan A2 CNN.

Ndër profesionet më të kërkuara renditen mjekët, inxhinierët, specialistët e teknologjisë, personeli i restoranteve, punëtorët e kualifikuar, mësuesit, personeli i kontrollit, informaticienët, përfaqësuesit e shitjeve dhe punonjësit shtëpiakë. Në disa sektorë kërkesa është e menjëhershme, veçanërisht në shëndetësi, ku një nga katër mjekë është mbi 60 vjeç, duke krijuar nevojë për zëvendësim urgjent.

Një prej rrugëve më të shpejta për punësim është aplikimi përmes agjencive zvicerane të burimeve njerëzore.

Përparësi të madhe kanë kandidatët që zotërojnë gjuhën gjermane, italiane.

Një milionë euro për ekzekutimin e prokurorit belg, arrestohen tetë persona, pjesë e klanit shqiptar të drogës

Tetë persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e një klani shqiptar të përfshirë në trafikun e drogës, janë vënë në pranga në Belgjikë pasi dyshohen për një komplot ndaj prokurorit të Brukselit Julien Moinil.

Le Soir shkruan se këtë të martë janë kryer 18 bastisje në kuadër të hetimeve për kërcënimet me vdekje ndaj Prokurorit të Mbretit në Bruksel, Julien Moinil.

Pak ditë më parë mediat investigative ndërkombëtare raportuan se për kokën e të cilit, mafia shqiptare kishte vënë një çmim prej 1 milion euro.

Kontrollet janë kryer kryesisht në Bruksel, por edhe në Leuven. Tetë persona janë ndaluar dhe aktualisht po merren në pyetje.

Pas marrjes në pyetje, gjykatësi do të vendosë nëse ata do të mbeten në paraburgim,” shton prokuroria

Gjatë muajit korrik 2025, prokuroria federale është informuar nga policia gjyqësore federale e Brukselit për një komplot të mundshëm për të kryer një atentat ndaj Prokurorit të Mbretit në Bruksel.

“Të dyshuarit kryesorë duket se kanë të kauar kriminale lidhur me trafikun e organizuar të drogës. Dyshohet se ata janë aktivë brenda rrjeteve kriminale shqiptare,” thekson ministria publike.

“Gjatë muajve të fundit, policia gjyqësore federale e Brukselit, nën drejtimin e një gjyqtari të ngarkuar me çështjen nga prokuroria federale, ka kryer një hetim të thelluar mbi të gjitha informacionet.

Policia federale është angazhuar për disa muaj me radhë në këtë drejtim. Edhe brenda Prokurorisë Federale, disa prokurorë janë ngarkuar me ndjekjen e kësaj çështjeje.”/TCH

BE kushtëzon Serbinë, Kos: Zgjidhja e “Banjskës” vendimtare për hapjen e grupit të tretë të negociatave

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar në Bruksel se Serbia ka plotësuar kriteret teknike për hapjen e grupit të tretë të kapitujve negociues, por se progresi i saj drejt BE-së mbetet i kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve politike të parashtruara nga vendet anëtare – në qendër të të cilave është zgjidhja e plotë e rastit “Banjska”.

Në një takim me gazetarë në kuadër të Forumit të Zgjerimit të BE-së, Kos u shpreh se zbatimi i detyrimeve të mbetura është vendimtar.

“Ne po ofrojmë një dorë. Nëse Serbia e përmbush këtë, nëse nuk ka pengesë dhe nëse ka zhvillim pozitiv në fushën e medias së lirë dhe lirisë akademike, atëherë ne do të ecim përpara,” tha ajo.

Ajo theksoi se zgjidhja e rastit të sulmit në Banjskë, miratimi i ligjeve për median, pastrimi i listës së votuesve dhe reformat në REM janë kërkesat kryesore të vendeve anëtare që duhet të përmbushen para çdo hapi të ri në negociata.

Kos shprehu kritika të forta ndaj politikës së dyfishtë të Serbisë, duke thënë se për BE-në është e papranueshme që Beogradi të ruajë orientime paralele drejt Rusisë dhe Bashkimit Evropian, sidomos në kohën kur Rusia po zhvillon luftë në Ukrainë.

Ajo përmendi edhe rastet e dhënies së shtetësisë serbe disa qytetarëve rusë të sanksionuar dhe pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në stërvitjen ushtarake ruse “Perëndimi”.

“Nëse merrni pjesë në veprimin e ushtrisë që vret njerëz në Ukrainë, harroni procesin e pranimit… Një vend i tillë nuk mund të bëhet anëtar i BE-së,” tha Kos.

Komisionerja theksoi se liderët serbë duhet të ndalojnë retorikën anti-evropiane dhe të rifitojnë besimin e qytetarëve në procesin e integrimit, pasi sipas saj, publiku sot i beson BE-së më pak se më parë.

Në lidhje me krizën energjetike dhe sanksionet ndaj kompanisë NIS, Kos tha se BE është e gatshme ta ndihmojë Serbinë financiarisht dhe në transformimin e sistemit energjetik, por nënvizoi se shkëputja nga varësia ndaj Rusisë është e pashmangshme.

Kos tha se procesi i zgjerimit po kthehet tek rrënjët e tij – tek ruajtja e paqes dhe stabilitetit në kontinent – duke kujtuar se “dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor në të kaluarën po paguhet sot”.

Ajo paralajmëroi edhe rritjen e fushatave hibride në Evropë dhe tha që strategjia e re “Mburoja Demokratike” synon të mbrojë demokracitë si brenda BE-së, ashtu edhe në vendet kandidate.

Në përfundim, Kos theksoi se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për anëtarë të rinj, por edhe të garantojë se zgjerimi do ta bëjë BE-në më të fortë, jo më të brishtë./Telegrafi/

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miraton rezolutën për planin e Trumpit për Gazën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën në orët e vona një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila e mbështet planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Rezoluta gjithashtu autorizon një forcë ndërkombëtare për stabilizim në enklavën palestineze.

Izraeli dhe grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, Hamas, u pajtuan muajin e kaluar për fazën e parë të planit 20-pikësh të Trumpit për Gazën – një armëpushim në luftën e tyre dyvjeçare dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Por, rezoluta e OKB-së shihet si thelbësore për ta legjitimuar një organ të përkohshëm qeverisës dhe për t’iu ofruar garanci vendeve që po shqyrtojnë dërgimin e trupave në Gazë.

Teksti i rezolutës thotë se shtetet anëtare mund të marrin pjesë në Bordin e paqes të kryesuar nga Trumpi, i konceptuar si një autoritet tranzitor që do ta mbikëqyrte rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Gazës.

Ai gjithashtu autorizon forcën ndërkombëtare të stabilizimit, e cila do të siguronte procesin e çmilitarizimit të Gazës, përfshirë shkatërrimin e armëve dhe infrastrukturës ushtarake.

Hamas, në një komunikatë, e përsëriti se nuk do të çarmatoset dhe argumentoi se lufta e tij kundër Izraelit është qëndresë legjitime.

“Rezoluta vendos një mekanizëm të kujdestarisë ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet tona e kundërshtojnë”, tha Hamas në komunikatën e lëshuar pas miratimit të rezolutës.

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Mike Waltz, ambasadori amerikan në OKB, tha se rezoluta, e cila përfshin planin 20-pikësh të Trumpit si aneks, “hap një rrugë të mundshme drejt vetëvendosjes për palestinezët … ku në vend të raketave do të ketë degë të ullirit dhe ku ekziston mundësia për t’u pajtuar për një horizont politik”.

Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, e kishte lënë të hapur më herët mundësinë e kundërshtimit, por u përmbajt nga votimi, duke lejuar që rezoluta të kalojë.

Ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në OKB, që gjithashtu u përmbajtën, u ankuan se rezoluta nuk i jep OKB-së rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

“Në thelb, këshilli po i jep bekimin e tij një nisme amerikane bazuar në premtimet e Uashingtonit, duke i dhënë kontroll të plotë mbi Rripin e Gazës Bordit të Paqes dhe ISF-së (forcës ndërkombëtare të stabilizimit), modalitetet e të cilave nuk i dimë ende”, tha ambasadori rus Vasily Nebenzya pas votimit.

Autoriteti Palestinez e përshëndeti rezolutën dhe tha se është i gatshëm të marrë pjesë në zbatimin e saj.

Diplomatët thanë se mbështetja e autoritetit për rezolutën javën e kaluar ishte vendimtare për të parandaluar veton ruse.

Trump e festoi votimin si “një moment me përmasa vërtet historike” në një postim në rrjetet sociale.

“Anëtarët e Bordit dhe shumë njoftime të tjera emocionuese do të bëhen publike në javët në vijim”, shkroi ai.

Rezoluta është bërë e diskutueshme në Izrael sepse përmend mundësinë e shtetësisë palestineze në të ardhmen.

Teksti i rezolutës thotë se “mund të jenë krijuar më në fund kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”, pasi Autoriteti Palestinez të ketë zbatuar një program reformash dhe rindërtimi i Gazës të ketë shënuar përparim.

“Shtetet e Bashkuara do të krijojnë dialog midis Izraelit dhe palestinezëve për të arritur pajtueshmëri për një horizont politik për bashkëjetesë paqësore dhe të begatë”, thuhet në dokument.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nën presion nga anëtarët e krahut të djathtë të Qeverisë së tij, tha të dielën se Izraeli vazhdon të jetë kundër një shteti palestinez dhe premtoi se do ta çmilitarizojë Gazën “në mënyrën e lehtë ose të vështirë”./rel