Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Ukraina thotë se është arritur ‘mirëkuptim’ mbi planin e paqes të SHBA-së

Ukraina deklaroi se ka arritur një marrëveshje të përbashkët me Shtetet e Bashkuara, për një marrëveshje paqeje që synonte t’i jepte fund luftës me Rusinë.

Propozimi bazohet në një plan prej 28 pikash që Shtetet e Bashkuara ia paraqitën Kievit javën e kaluar, mbi të cilin zyrtarët amerikanë dhe ukrainas punuan gjatë bisedimeve të fundjavës në Gjenevë.

Në një postim në mediat sociale, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se plani origjinal ishte “përmirësuar, me kontribut shtesë nga të dyja palët”.

Ai tha se kishte udhëzuar të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, të takohej me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë javën e ardhshme, ndërsa sekretari i ushtrisë i SHBA-së, Dan Driscoll, pritet të takohet me udhëheqësit ukrainas këtë javë, shkruan BBC.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën se ishte gati të takohej me Trumpin për të diskutuar “pikat e ndjeshme” të pazgjidhura, me administratën e tij që synon një takim para fundit të muajit.

“Unë mbështetem në bashkëpunim të mëtejshëm aktiv me palën amerikane dhe me presidentin Trump. Shumë varet nga Amerika, sepse Rusia i kushton vëmendjen më të madhe forcës amerikane”, tha ai.

Një ditë më parë, Zelensky tha se plani me 28 pika ishte zvogëluar, me disa dispozita të hequra.

Trump shkroi në rrjetet sociale se mezi priste të takohej me presidentët Zelensky dhe Putin “së shpejti, por vetëm kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të jetë përfundimtare ose, në fazat e saj përfundimtare”

Rusia sulmon me dronë në banesat e Kievit, vritet një person

Forcat ruse sulmuan kryeqytetin ukrainas Kiev herët të martën, duke shkaktuar zjarre në të paktën dy ndërtesa banimi dhe duke vrarë një person, tha një zyrtar i lartë.

Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, tha se një person u vra dhe shtatë u plagosën në sulmet ajrore, të nisura pas orës 1 të mëngjesit, shkruan Reuters.

Njësitë e mbrojtjes ajrore ishin në veprim rreth kryeqytetit dhe administrata ushtarake tha se ishin vendosur si dronët ashtu edhe raketat. Një alarm i ri ajror u shpall në kryeqytet pas orës 5 të mëngjesit

OKB: Një grua vritet nga partneri ose i afërmi i saj çdo 10 minuta

Jo më pak se pesëdhjetë mijë gra dhe vajza u vranë nga të afërmit e tyre në vitin 2024. Pra një grua humbi jetën çdo dhjetë minuta, tregojnë shifrat e publikuara nga OKB-ja sot. OKB denoncon mungesën e progresit të vërtetë në luftën kundër femicidit . Vitin e kaluar, 83,000 gra dhe vajza u bënë viktima të vrasjeve të ndodhura në të gjithë botën.

Nga këto, 60% u vranë nga partneri i tyre ose një anëtar i familjes, sipas një raporti i përpiluar nga UN Women dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Drogave dhe Parandalimin e Krimit, i publikuar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Rreth 50,000 gra dhe vajza u vranë ose nga partneri i tyre ose nga një i afërm i ngushtë (babai, xhaxhai, vëllai, madje edhe nëna). Me fjalë të tjera, 137 u vranë çdo ditë, ose një çdo dhjetë minuta.

Ky vlerësim, bazuar në një analizë të statistikave nga 117 vende, është më i ulët se ai i vitit 2023 (51,100), por “ndryshimi nuk tregon një rënie të vërtetë”, sipas raportit, i cili ia atribuon ndryshimin thjesht vendeve të ndryshme që mbajnë statistika në mënyra të ndryshme.

Izraeli vret zyrtarin më të lartë të Hezbollahut në sulmin e parë në Bejrut pas disa muajsh

Ushtria izraelite ka vrarë një anëtar të lartë të grupit militant Hezbollah në një sulm ajror në periferitë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, pavarësisht një armëpushimi.

Ajo e përshkroi Haitham Ali al-Tabtabai, shefin e shtabit të Hezbollahut, si një veteran të grupit i cili kishte mbajtur një sërë pozicionesh të larta.

Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se të paktën pesë persona u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën në sulmin, i cili goditi një ndërtesë apartamentesh në lagjen me popullsi të dendur Dahieh.

Hezbollah konfirmoi vdekjen e Tabtabai, duke shtuar se Izraeli kishte kaluar një “vijë të kuqe” në kryerjen e sulmit

ShBA dhe Ukraina thonë se ka përparim në planin e paqes pas bisedimeve në Gjenevë

Negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë hartuar një “kornizë paqeje të përditësuar dhe të rafinuar” dhe planifikojnë të vazhdojnë punën “intensive” mbi një plan paqeje gjatë ditëve në vijim.

Një deklaratë e përbashkët tha se bisedimet mbi një plan të mbështetur nga ShBA në Gjenevë kishin qenë “shumë produktive”, raporton BBC.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se ka pasur “jashtëzakonshme përparim” në përsosjen e një plani i cili është mirëpritur me kujdes nga Rusia, por jo nga udhëheqësit në Kiev dhe Evropë, të cilët e shohin atë si shumë të favorshëm për Kremlinin.

Rubio tha se kishte “ende punë për t’u bërë”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kishte “sinjale se ekipi i Presidentit [Donald] Trump po na dëgjon”.

Aleatët e Perëndimit kundër planit amerikan për paqen Rusi-Ukrainë: Jemi ende larg rezultatit pozitiv

Aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë kundërshtuar publikisht planin e propozuar për një marrëveshje paqeje, duke theksuar se ai mund të lërë Ukrainën të ekspozuar ndaj sulmeve.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar gjatë samitit të G20 në Afrikën e Jugut, udhëheqësit e disa vendeve të rëndësishme kanë kërkuar përmirësime në propozim për të siguruar stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë e Ukrainës dhe Evropës.

Deklarata, e firmosur nga liderë të vendeve si Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japonia, dhe të tjera, thekson se propozimi mund të dëmtojë sigurinë e Ukrainës dhe të cenojë stabilitetin e rajonit.

Ata kanë theksuar se plani përmban elementë “thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, por kërkon “punë shtesë”, përfshirë shqetësime mbi ndryshimet kufitare dhe kufizimet në kapacitetin ushtarak të Ukrainës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, theksoi se çdo plan paqeje duhet të sigurojë sigurinë e të gjithë Evropës dhe nuk mund të jetë një “propozim amerikan”.

Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, theksoi se “jemi ende mjaft larg një rezultati të mirë për të gjithë” dhe nënvizoi nevojën për një konsensus të gjerë që të përmbushë interesat e Ukrainës dhe të sigurojë stabilitetin e kontinentit.

Kundërshtimet nga aleatët perëndimorë janë të fokusuar në dy aspekte kryesore: rreziku i cenimit të integritetit territorial të Ukrainës dhe kufizimet në mundësitë ushtarake të saj, që mund të dobësojnë aftësinë e saj për të mbrojtur veten.