Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

OKB: Izraeli po zbaton një politikë ‘de facto’ të torturës

Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër torturës thotë se ka prova që Izraeli po zbaton një “politikë shtetërore de facto të organizuar dhe të përhapur të torturës”.

Komiteti rishikon rregullisht të dhënat e të gjitha vendeve që kanë nënshkruar konventën kundër torturës, duke marrë dëshmi nga qeveritë e tyre dhe nga grupet e të drejtave të njeriut.

Siç shkruan BBC, gjatë rishikimit të Izraelit, si grupet izraelite ashtu edhe ato palestineze të të drejtave të njeriut dhanë detaje tronditëse mbi kushtet në qendrat e paraburgimit izraelite. Pretendohet se mijëra palestinezë janë arrestuar nga Izraeli që prej sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

Sipas ligjeve izraelite për paraburgimin administrativ dhe për “luftëtarët e paligjshëm”, të dyshuar që nuk mund të klasifikohen si të burgosur lufte, ata mund të mbahen për periudha të gjata pa akses te avokatët apo familjarët.

Shumë familje palestineze thonë se kanë pritur me muaj për të mësuar se një i afërm i tyre ishte arrestuar, gjë që komiteti i OKB-së e cilësoi si “zhdukje e detyruar”.

Komiteti ishte veçanërisht kritik ndaj përdorimit të raportuar nga Izraeli të ligjit për “luftëtarët e paligjshëm” për të arrestuar grupe të tëra palestinezësh, përfshirë fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar.

Por janë kushtet e raportuara në paraburgim ato që përbëjnë pjesën më të rëndë të konkluzioneve të komitetit, të publikuara sot.

Sipas provave, palestinezët shpesh privohen nga ushqimi dhe uji, dhe i nënshtrohen rrahjeve të rënda, sulmeve nga qentë, elektroshokut, “waterboarding”-ut dhe dhunës seksuale. Disa pretendohet se mbahen të lidhur vazhdimisht, u mohohet e drejta për të përdorur tualetin dhe detyrohen të mbajnë pelena.

Komiteti i OKB-së përfundoi se trajtime të tilla “përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”. Ai tha se provat e një “politike shtetërore de facto të organizuar dhe të përhapur të torturës” nga Izraeli përbëjnë një nga aktet që përbën krimin e gjenocidit sipas ligjit ndërkombëtar.

Izraeli i ka mohuar vazhdimisht akuzat se po kryen gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza.

Një anëtar i komitetit, Peter Vedel Kessing nga Danimarka, tha se ai dhe kolegët e tij ishin “thellësisht të tmerruar” nga ato që dëgjuan. Anëtarët e komitetit shprehën gjithashtu shqetësim për mungesën e hetimeve apo ndjekjeve penale mbi akuzat për torturë. Ata i bënë thirrje Izraelit të nisë hetime të pavarura dhe të sigurojë që përgjegjësit, përfshirë oficerë të lartë ushtarakë, të mbahen përgjegjës.

Izraeli, i cili prej kohësh e akuzon OKB-në për paragjykim ndaj tij, nuk komentoi publikisht sot mbi gjetjet e komitetit, por gjatë seancave ambasadori Daniel Meron, i cilësoi akuzat për torturë si “dezinformim”.

Ai tha se Izraeli është “i përkushtuar të respektojë detyrimet tona në përputhje me vlerat dhe parimet morale, edhe përballë sfidave të shkaktuara nga një organizatë terroriste”.

Në përfundimet e tij, komiteti i OKB-së dënoi pa ekuivok sulmin e Hamasit të tetorit 2023 dhe pranoi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Izraeli. Por paralajmëroi se shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga njëra palë nuk justifikojnë që pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë. Sipas konventës, ku Izraeli është palë, ndalimi i torturës është absolut: nuk lejohet në asnjë rrethanë

Siria u bën thirrje OKB-së dhe vendeve arabe të veprojnë kundër sulmeve të Izraelit

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Assad al-Shaibani bëri thirrje që OKB-ja dhe vendet arabe dhe islame të ndërmarrin veprime kundër sulmeve të përsëritura të Izraelit në territorin e vendit të tij, duke dënuar sulmin izraelit në fshatin Beit Jinn pranë Damaskut si një sulm të qëllimshëm ndaj civilëve.

Al-Shaibani kritikoi sulmin izraelit ndaj Beit Jinn-it, duke thënë se “sulmi qëllimisht kishte në shënjestër civilët e pafajshëm”.

Ai paralajmëroi se vazhdimi i një agresioni të tillë kërcënon paqen dhe sigurinë rajonale, shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.

“Sulmet e vazhdueshme kërkojnë përgjigje të fortë ndërkombëtare. Heshtja nga bashkësia ndërkombëtare vetëm sa e inkurajon agresorin të kryejë krime të mëtejshme kundër civilëve”, tha Al-Shaibani.

Ai u bën thirrje OKB-së, Këshillit të Sigurimit dhe të gjitha vendeve arabe dhe islame të “marrin përgjegjësitë e tyre” dhe të përballen me sulmet e përsëritura izraelite.

Të paktën 13 persona u vranë, përfshirë gra dhe fëmijë dhe 24 të tjerë u plagosën sot herët në sulmin e Izraelit ndaj Beit Jinn-it dhe rrugës që çonte në të dhe në zonat rurale përreth kryeqytetit Damask, njoftuan mediat zyrtare siriane.

Ushtria izraelite në një deklaratë tha se gjashtë ushtarë izraelitë u plagosën, përfshirë tre në gjendje kritike, gjatë sulmit. Ushtria pretendon se ka ndaluar anëtarë të “Jaama Islamiya”, duke pretenduar se ata “vepruan në zonën e Beit Jinn-it në Sirinë jugore dhe përparuan në sulme kundër civilëve izraelitë”.

Ushtria izraelite kreu 47 bastisje në Sirinë jugore gjatë nëntorit. Të dhënat qeveritare tregojnë se që nga dhjetori 2024, Izraeli ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe më shumë se 400 bastisje ndërkufitare në provincat jugore.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke kapur zonën e demilitarizuar tampon, një veprim që shkeli marrëveshjen e vitit 1974 me Sirinë.

Tërmet me magnitudë 6.6 godet Indonezinë

Një tërmet me magnitudë 6.6 është regjistruar në një ishull pranë brigjeve të Sumatrës, në Indonezinë perëndimore, nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara.

Tërmeti goditi ishullin Simeulue në orën 11:56 sipas kohës lokale në një thellësi prej 25 kilometrash.

Indonezia tronditet shpesh nga tërmetet pasi ndodhet në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit.

Kjo, një zonë me aktivitet të fortë sizmik ku kryqëzohen pllakat tektonike dhe që shtrihet nga Japonia përmes Azisë Juglindore përgjatë pellgut të Oqeanit Paqësor.

Zjarri në pallatet shumëkatëshe në Hong Kong: Shkon në 44 numri i viktimave

Ka shkuar në 44 numri i viktimave nga zjarri që përfshiu pallatet e larta të banimit në Hong Kong. Ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Tre persona janë arrestuar me dyshimin për “vrasje të qëllimshme”. Një grup pune i ekspertëve dhe policisë së Hong Kongut po heton për të zbuluar edhe shkakun e kësaj ngjarje të rëndë.

Ndërkohë të paktën 29 persona janë në gjendje kritike për jetën, pas plagëve të marra.

Qëllohen me armë zjarri dy anëtarë të gardës ushtrarake në SHBA

Dy anëtarë të Gardës Kombëtare janë qëlluar me armë në Uashington, vetëm disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë,

Kështu ka bërë të ditur Sekretarja së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem.Një i dyshuar është arrestuar, sipas Policisë Metropolitane të Uashingtonit.

Më tutje është bërë e ditur se vendi i ngjarjes është siguruar.

Një i dyshuar është në paraburgim.Rrethanat e të shtënave nuk janë bërë të qarta

Von der Leyen thotë se Moska nuk ka qëllim të vërtetë për t’u angazhuar në bisedime paqeje

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përshkruar situatën rreth luftës në Ukrainë si “të paqëndrueshme” dhe “të rrezikshme”, dhe e ka akuzuar Rusinë se nuk ka “qëllim të vërtetë” për t’u angazhuar në bisedime paqeje.

Komentet e saj erdhën pak para se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të thoshte se ishte “e parakohshme” të flitej për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

Von der Leyen tha se Ukrainës do t’i duheshin garanci të forta sigurie, të afta për të penguar çdo sulm të mëtejshëm, duke argumentuar se Rusia ende mbante një mentalitet pas Luftës së Dytë Botërore dhe e shihte kontinentin evropian si një “sferë ndikimi”.

Ajo po i drejtohej Parlamentit Europian në Strasburg, ndërsa SHBA-të shtuan përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Kievit dhe Moskës.

Bisedimet në Gjenevë dhe më pas në Abu Dhabi kanë rezultuar në rënien dakord të Ukrainës për “thelbin” e një marrëveshjeje paqeje, pasi u bënë ndryshime në një plan fillestar prej 28 pikash.

Në fjalimin e saj para ligjvënësve të Bashkimit Evropian, von der Leyen tha: “Dua të jem e qartë që në fillim: Evropa do të qëndrojë me Ukrainën dhe do ta mbështesë atë në çdo hap të rrugës.”

Ajo iu referua gjithashtu çështjes së aseteve të ngrira ruse me vlerë 210 miliardë euro, të mbajtura në institucionet financiare evropiane.