Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Shtëpia e Bardhë e pranon, anija venezueliane u sulmua dy herë, por Hegseth nuk tha ”vritini të gjithë”

Shtëpia e Bardhë konfirmon pretendimet që kanë qarkulluar në media prej pak ditësh, sipas të cilave Pentagoni kishte urdhëruar një raund të dytë sulmesh kundër një anije të dyshuar me drogë venezueliane, pas goditjes fillestare.

Sulmi i dytë, që sipas Uashington post u urdhërua nga sekretari i Mbrojtjes Hegseth, pasi dy persona i mbijetuan sulmit ka nxitur zemërim në Kongresin amerikan dhe thirrje për llogaridhënie si nga demokratët ashtu edhe republikanët.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se Hegseth i kishte autorizuar vërtet sulmet por se nuk kishte dhënë urdhrin ‘’ për ti vrarë të gjithë’’ siç pretendoi Uashington Post.

Më shumë se 80 vetë janë vrarë në sulmet amerikane kundër anijeve me drogë në Karaibe që prej fillimit të shtatorit.

Mbi 100 turistë vrasës në “Sarajevo Safari”, fëmija i vrarë ishte trofeu më i kërkuar

Gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung ka publikuar një artikull me detaje të reja rreth “Sarajevo Safari” dhe fragmente nga një intervistë me gazetarin dhe shkrimtarin italian Ezio Gavazzeni.

Artikulli fillon me deklaratat e ish-marins dhe zjarrfikësit amerikan John Jordan, i cili dëshmoi për herë të parë për “snajperët turistikë” në shkurt të vitit 2007 para Tribunalit të Hagës, dhe një transkript i marrjes në pyetje është i disponueshëm në internet, raporton Deutsche Welle.

“Jordani pa disa herë në Sarajevë burra që i tërhoqën vëmendjen me rrobat, armët dhe faktin se udhëhiqeshin nga vendas. Disa prej tyre kishin pushkë, të cilat ishin më të përshtatshme për gjueti derrash të egër në Pyllin e Zi sesa për luftime në qytet. Ishte e qartë se ata nuk ishin të aftë të lëviznin nëpër rrënoja. E njëjta gjë, thotë ai, ia konfirmoi edhe një koleg nga zona e Mostarit.”

“Pas dëshmisë së Jordanit për “snajperët turistë” nuk erdhi asgjë. Ndoshta sepse historitë për kanadezë, rusë, gjermanë, zviceranë dhe italianë që erdhën në Sarajevë me pajisje gjuetie dhe paguan njësi paraushtarake serbe shuma të mëdha për të shkuar për të gjuajtur njerëz janë konsideruar prej kohësh legjenda urbane”, shkruan Frankfurter Sonntagszeitung (FAS).

Gazeta gjermane më pas hedh një vështrim në dosjen që gazetari italian Gavazzeni, me avokatin e tij Nicola Brigida dhe ish-gjyqtarin Guido Salvini, ia dorëzuan Zyrës së Prokurorit të Shtetit në Milano më 28 janar 2025, dhe të cilën FAS e mori për inspektim.

Aty thuhet se kishte të paktën njëqind “turistë lufte”, të cilët e quanin njëri-tjetrin “qitës” – megjithëse një term më i përshtatshëm do të ishte vrasës serialë.

Ata thuhet se paguan deri në 300,000 euro (në vlerën e sotme): “Fëmijët kushtojnë më shumë, pastaj burrat (mundësisht me uniformë dhe të armatosur), pastaj gratë dhe së fundmi të moshuarit mund të vriteshin falas.”

Dokumenti pohon se inteligjenca ushtarake italiane u informua për “turistët e luftës” në vitin 1993 dhe disa muaj më vonë njoftoi se kishte identifikuar pikën e fillimit të tureve dhe i kishte ndaluar ato. Por a është vërtet? “Jo, sot e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Udhëtimet në front vazhduan gjatë gjithë viteve 1994 dhe 1995”, tha Gavazzeni të mërkurën e kaluar në Milano, raporton gazeta gjermane.

Gavazzeni, i cili është autor i librave rreth vrasjeve të gjyqtarëve që gjuejnë mafien, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, si dhe vrasjes së Papa Gjon Palit II, pritet të publikojë librin e tij të fundit, “I cecchini del weekend” (“Snajperët e Fundjavës”) në shkurt. Ai është kontaktuar nga Netflix dhe Amazon për ta përshtatur librin, i cili do të publikohet nga Paper First.

Çfarë e tronditi më shumë? “Që fëmija i vrarë ishte padyshim trofeu më i kërkuar”, shkruan Frankfurter Sonntagszeitung, duke vazhduar: “Gjatë rrethimit të Sarajevës, i cili filloi më 6 prill 1992 dhe përfundoi më 29 shkurt 1996, u vranë 11,541 njerëz.”

Midis viktimave ishin 1,621 fëmijë. Çdo familje në qytet ka të paktën një viktimë të vrarë nga një granatë ose snajper. Sarajeva është e rrethuar nga male mbi dy mijë metra të larta, të cilat zbresin në kodra të buta. Snajperët ishin vendosur në këto lartësi, me pamje nga rrugët, sheshet, apartamentet. Ose ishin në rrokaqiej, me pamje nga “Rrugica e Snajperëve”. Njerëzit që duhej të dilnin jashtë për të marrë ujë ose ushqim vraponin përgjatë trotuareve ose strehoheshin pranë automjeteve të blinduara të OKB-së.

“Gavazzeni i porositi kriminologes Martina Radica një profil të autorëve të krimit. Ata ishin të pasur, “nga nivelet e larta të shoqërisë”, si “mjekë, gjyqtarë, avokatë, noterë dhe sipërmarrës”, të cilët ishin të dhënë pas gjuetisë. “E gjitha bazohej në kërkimin e adrenalinës. Ishte gëzimi i vrasjes; të ndjesh fuqinë për një herë të vetme për t’i dhënë fund jetës së një personi me të cilin nuk ke asgjë të përbashkët”, i thotë Gavazzeni gazetës gjermane.

Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetić pohon se presidenti serb Aleksandar Vuçiç në vitet 1992-1993 ishte gjithashtu një vit, si një njëzetvjeçar “bashkëpunoi me turistë që paguanin”, ndërsa ishte vullnetar i milicisë serbe të Bosnjës që mbante varrezat hebraike mbi Sarajevë.

Zëdhënësja e Vuçiçit i hodhi poshtë me vendosmëri këto akuza. FAS vazhdon: “E gjithë kjo tani duhet të verifikohet nga Zyra e Prokurorit të Shtetit të Milanos. Hetimet kanë filluar tashmë. Lëvizja Pesë Yje ka paraqitur një kërkesë parlamentare për të vënë në dispozicion dokumentet që shërbimet italiane të inteligjencës dyshohet se kanë në “Safari të Sarajevës”./Kosovapress

Policia bastis shërbimin diplomatik të BE-së e Kolegjin e Europës, arrestohet Federica Mogherini

Policia belge bastisi shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel të martën, së bashku me Kolegjin e Evropës në Bruges dhe shtëpi private, si pjesë e një hetimi mbi keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të BE-së.

Euroactiv raporton duke iu referuar njerëzve të njohur me hetimin dhe dëshmitarëve, se bastisje u zhvilluan në të gjithë Belgjikën në orët e para të mëngjesit.

Policia sekuestroi dokumente dhe arrestoi tre persona për t’i marrë në pyetje nën dyshimin për mashtrim me prokurimin, korrupsion dhe konflikt interesi kriminal.

Sipas mediave ndërkombëtare në mesin e të arrestuarve është edhe rektorja e kolegjit të Europës Federica Mogherini.

Rreth 10 oficerë të veshur me rroba civile hynë në selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në orën 7:30 të mëngjesit të së martës, tha një dëshmitar okular. Një zyrtar tjetër i BE-së nga shërbimi diplomatik i BE-së konfirmoi bastisjen.

Hetimi penal filloi pas akuzave se EEAS dhe Kolegji i Evropës, shkolla prestigjioze e trajnimit pasuniversitar për eurokratët, keqpërdorën paratë publike të BE-së në vitet 2021 dhe 2022, sipas katër personave me njohuri për hetimin.

Bastisjet janë skandali i fundit i madh që godet institucionet e BE-së dhe do të shtojnë presionin mbi Kolegjin e Evropës dhe rektoren e tij, Federica Mogherini, e cila dikur drejtonte EEAS-in dhe filloi një mandat të dytë pesëvjeçar në Bruges këtë vit.

SHBA-ja dhe Britania arrijnë marrëveshjen për heqjen e tarifave mbi barnat

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje të re tregtare që parandalon vendosjen e tarifave të larta amerikane mbi barnat britanike, një zhvillim që vjen pas disa muajsh tensioni mes dy qeverive.

Sipas marrëveshjes së njoftuar të hënën, SHBA-ja do të heqë tarifat për produktet farmaceutike britanike që eksportohen në tregun amerikan, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.

Në këmbim, Britania ka pranuar të ulë normën e kthimit të të ardhurave që kompanitë farmaceutike i paguajnë Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS). Rebati do të kufizohet në maksimum 15% në vitin 2026, krahasuar me nivelin aktual prej rreth 23%. Po ashtu, Britania do të rrisë çmimin neto që paguan për barnat e reja me rreth 25%.

Kjo marrëveshje u arrit vetëm pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA mund të vendoste tarifa deri në 100% për barnat e markës që importohen nga Britania, nëse kompanitë farmaceutike nuk do të merrnin në konsideratë ndërtimin e fabrikave në territorin amerikan. Paralajmërimi ngriti shqetësime të mëdha te prodhuesit kryesorë, pasi eksportet farmaceutike mbeten një nga sektorët më të fortë të ekonomisë britanike.

Në kuadër të marrëveshjes së re, administrata amerikane është zotuar gjithashtu se nuk do të shënjestrojë praktikat britanike të çmimit të barnave në hetimet e ardhshme, gjatë gjithë mandatit të presidentit Trump.

Marrëveshja vjen në një periudhë kur disa kompani të mëdha farmaceutike kanë zvogëluar investimet në Britani, duke e konsideruar tregun britanik sfidues për shkak të politikave të rrepta të çmimit të barnave. AstraZeneca, për shembull, pezulloi një investim prej 200 milionë paundësh në qendrën kërkimore të Kembrixhit, ndërsa GSK-ja njoftoi një paketë investimesh prej 30 miliardë dollarësh në SHBA.

Frika nga Rusia, admirali i NATO: Po shqyrtojmë një sulm parandalues

NATO po shqyrton mundësinë e të qenit “më agresiv” në reagimin ndaj sulmeve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia.

Kështu ka bërë me dije oficeri më i lartë ushtarak i aleancës Admirali Giuseppe Cavo Dragone.

Në një prononcim për tha Financial Times Dragone tha se aleanca ushtarake perëndimore po shqyrton mundësinë e rritjes së reagimit të saj ndaj luftës hibride nga Moska.

“Po studiojmë gjithçka… Në lidhje me kibernetikën, ne jemi disi reaktivë. Të qenit më agresivë ose të qenit proaktivë në vend të reaktivëve është diçka për të cilën po mendojmë”, tha Dragone, i cili është kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s.

Dragone tha se një “sulm parandalues” mund të konsiderohet një “veprim mbrojtës”, por shtoi: “Është më larg mënyrës sonë normale të të menduarit dhe sjelljes.”

Joseph: Serbia është “Moskva” e Rusisë në Ballkan

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, ka thënë se anëtarësimi eventual i Serbisë në NATO do të përbënte “ekuivalentin ballkanik të fundosjes së Moskva-s”, duke e cilësuar Beogradin si “anijen luftarake” përmes së cilës Rusia projekton ndikimin e saj në Ballkan.

Në një intervistë për REL tha se nëse Serbia do të afrohej me NATO-n, kjo do të ishte një goditje strategjike për Moskën, por edhe për Pekinin, të cilët e shohin Beogradin si platformën kryesore të ndikimit në rajon.

Eksperti shtroi pyetjen se pse Serbia do të pranonte një hap të tillë, pavarësisht simpatisë së madhe të brendshme për Rusinë.

Ai renditi disa arsye të forta që, sipas tij, do ta bënin të vështirë për presidentin Aleksandar Vuçiq të refuzonte një ofertë të mundshme amerikane – sidomos nëse vjen nga ish-presidenti Donald Trump.

Së pari, Trump gëzon popullaritet të madh në Serbi dhe shihet si një figurë me ndikim të jashtëzakonshëm.

Eksperti kujtoi se Trump gjatë mandatit të tij të parë u përpoq të ndërmjetësonte normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj njohja e rajonit nuk do të ishte diçka e re për administratën e tij.

Së dyti, Vuçiq është i dobësuar politikisht. Protestat kundër qeverisë kanë vazhduar prej një viti dhe sipas ekspertit, pranim i një plani të tillë do të ndryshonte tërësisht dinamikën e brendshme, duke zhvendosur fokusin nga protestat drejt një “zhvillimi historik”.

Ai shtoi se, ndonëse një pjesë e opinionit prorus do ta konsideronte këtë si tradhti, një pjesë e madhe e opozitës do ta mbështeste, meqë anëtarësimi në NATO nënkupton reforma, afrim me BE-në dhe fund të politikës së “dy karrigeve”.

Eksperti theksoi se Serbia tashmë është e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s, si Bullgaria, Rumania, Kroacia e Mali i Zi, ndërsa edhe Bosnje e Hercegovina ka shprehur gatishmëri për anëtarësim dhe Kosova e dëshiron hapur këtë rrugë.

Ai kujtoi se Serbia ka marrëdhënie të qëndrueshme me NATO-n dhe SHBA-në dhe se bashkëpunimi ushtarak është i konsoliduar.

“Nëse do t’i pyesje privatisht gjeneralët serbë, shumica do të dëshironin anëtarësimin në NATO”, tha ai.

Në pjesën tjetër të analizës, eksperti u ndal edhe te njohja ndërkombëtare e Kosovës.

Sipas tij, Greqia pritet ta njohë Kosovën sapo të nënshkruhet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e lehtësuar më pas rrugën për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën.

Ai theksoi se këtyre shteteve nuk u kërkohet njohje e menjëhershme, por që të mos e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas analizës, brenda tre vjetësh situata në Ballkan mund të ndryshojë rrënjësisht, duke sjellë më pak tensione dhe më shumë bashkëpunim ekonomik e politik në rajon./REL.