Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Putin thotë se Rusia do ta marrë të gjithë rajonin Donbas të Ukrainës

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia do të merrte kontrollin e plotë të rajonit Donbas të Ukrainës me forcë, nëse forcat ukrainase nuk tërhiqen, diçka që Kievi e ka refuzuar kategorikisht.

Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, pas tetë vitesh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

“Ose i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore”, tha Putin për India Today përpara një vizite në New Delhi, sipas një klipi të shfaqur në televizionin shtetëror rus.

Ukraina thotë se nuk dëshiron t’i dhurojë Rusisë territorin e saj që Moska nuk ka arritur ta fitojë në fushën e betejës, dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se Moska nuk duhet të shpërblehet për një luftë që e ka filluar vetë.

Rusia aktualisht kontrollon 19.2% të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80% të Donetskut, rreth 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë, dhe pjesë të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.

Rreth 5,000 km katrorë të Donetskut mbeten nën kontrollin ukrainas.

Në diskutimet me Shtetet e Bashkuara mbi skicën e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës, Rusia ka thënë vazhdimisht se dëshiron kontroll mbi të gjithë Donbasin – dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin në mënyrë jozyrtare kontrollin e Moskës.

Rusia në vitin 2022 deklaroi se rajonet ukrainase të Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhzhisë tani ishin pjesë e Rusisë pas referendumeve që Perëndimi dhe Kievi i hodhën poshtë si një mashtrim. Shumica e vendeve i njohin rajonet – dhe Krimenë – si pjesë të Ukrainës.

Putin priti të martën në Kremlin të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhe tha se Rusia kishte pranuar disa propozime të SHBA-së për Ukrainën dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA e Rusisë citoi Putinin të ketë thënë se takimi i tij me Witkoff dhe Kushner kishte qenë “shumë i dobishëm” dhe se ishte bazuar në propozimet që ai dhe Presidenti Donald Trump kishin diskutuar në Alaska në

Bisedimet për paqe, Shtëpia e Bardhë konfirmon takimin me negociatorët ukrainas

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, sot do të takohet me kreun e këshillit të sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, për bisedime në Miami.

Lajmin e ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.

Takimi vjen pasi Witkoff kaloi pothuajse pesë orë me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të martën, negociata për të cilat Kremlini tha se nuk prodhuan “asnjë kompromis” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan BBC.

Presidenti i SHBA-së, Trump, tha se bisedimet – ku mori pjesë edhe dhëndri i tij, Jared Kushner – ishin “mjaft të mira”, por shtoi se ishte shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhte.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybhia, tha se Rusia duhet t’i japë fund gjakderdhjes dhe akuzoi Putinin se po “humb kohën e botës”.

Më herët të mërkurën, Zelensky kishte thënë se një takim midis negociatorëve amerikanë dhe ukrainas do të zhvillohej “në ditët në vijim”.

Edhe pse nuk u dhanë më shumë detaje, të paktën dy pika kryesore mosmarrëveshjeje mbeten midis Moskës dhe Kievit – fati i territorit ukrainas të konfiskuar nga forcat ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Anulohet takimi Witkoff–Kushner me Zelenskyn

Takimi i parashikuar në Bruksel midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner është anuluar, pasi të dërguarit janë kthyer drejt Washingtonit, raporton Kyiv Post.

Zelensky po kthehet në Ukrainë.

Kremlini deklaroi se Witkoff dhe Kushner kishin “premtuar” Putinit se do të fluturonin drejtpërdrejt për në Washington pas bisedimeve në Moskë.

Arsyeja e anulimit nuk është bërë publike. Anulimi vjen një ditë pas bisedimeve rreth pesë orëshe mes Rusisë dhe SHBA-së mbi përfundimin e luftës në Ukrainë.

Edhe pse palët nuk arritën kompromis, këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, i përshkroi diskutimet si “konstruktive dhe të dobishme”.

Rutte deklarohet për situatën në Ukrainë, pak para takimit të Brukselit

Ministrat e jashtëm të NATO-s po mbërrijnë për një takim në Bruksel, për të diskutuar bisedimet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur shkurtimisht me shtypin pas mbërritjes, shefi i NATO-s Mark Rutte thotë se ndërsa është mirë që bisedimet e paqes po vazhdojnë, NATO-ja duhet të sigurohet që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm, shkruan BBC,

Ai thotë se zyrtarët do të diskutojnë “mbajtjen e Ukrainës sa më të fortë të jetë e mundur në luftë”, por edhe “të jenë në pozicionin më të fortë të mundshëm kur bisedimet e paqes të fillojnë vërtet të zhvillohen në një mënyrë që kjo të mund të çojë në rezultate”.

Rutte shton se mënyra më e mirë për të ushtruar presion mbi Rusinë është të sigurohet që armët të vazhdojnë të rrjedhin në Ukrainë dhe se Rusia ndjen “kafshimin” nga sanksionet efektive ekonomike.

Lirohet Mogherini, pas dyshimeve për mashtrim dhe korrupsion

Federica Mogherini, ish-përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, u lirua mbrëmë rreth orës 1 të mëngjesit, pas arrestimit të saj të martën si pjesë e një hetimi për mashtrim dhe korrupsion.

Dy të ndaluarit e tjerë, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, u liruan gjithashtu nga Policia Federale Gjyqësore belge.

Sipas gjyqtarëve, të tre individët u morën në pyetje dhe u informuan për akuzat zyrtare, të cilat lidhen me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, shkruan TCH-ja.

Ata u liruan pasi nuk konsideroheshin të rrezikshëm për arratisje, duke vazhduar hetimet nën masat ligjore të përcaktuara nga autoritetet belge.

Hetimi ka të bëjë me transaksione dhe prokurime brenda Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Evropës, duke ndezur interes të madh publik në lidhje me menaxhimin e fondeve dhe praktikave administrative të institucioneve evropiane.

Pesë orë bisdedime në Kremlin, nuk ka marrëveshje të paqës Rusi-Ukrainë

Pesë orë bisedime midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe negociatorit të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, duket se nuk kanë arritur të sjellin ndonjë përparim në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje – për Ukrainën.

Një zëdhënës i Kremlinit tha se takimi në Moskë ishte “konstruktiv”, por pjesë të planit mbetën të papranueshme për Rusinë, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, morën pjesë në bisedime pas disa javësh diplomacie intensive që synonin përfundimin e luftës.

Ekipi amerikan nuk ka komentuar takimin, që kur është larguar nga Moska.

Më herët të martën, Putin tha se ndryshimet e propozuara nga Kievi dhe Evropa, në një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, ishin të papranueshme, duke shtuar se nëse Evropa “dëshiron të shkojë në luftë dhe e fillon një të tillë, ne jemi gati tani”.

Ukraina dhe aleatët e saj kanë lobuar te SHBA-ja për të ndryshuar draft-marrëveshjen e paqes, për të cilën Shtëpia e Bardhë është përpjekur të sigurojë një marrëveshje të shpejtë dhe Kremlini më parë ka lënë të kuptohet se është i hapur.

Ky plan, i cili u pa gjerësisht si i favorshëm për Rusinë pasi u publikua në media në nëntor , ka pësuar disa ndryshime në javët e fundit.

I pyetur në lidhje me propozimin pas takimit në Moskë, ndihmësi i lartë i Putinit, Yuri Ushakov, tha se Kremlini “u pajtua me disa pika… por disa gjëra i kritikuam”.

Ai shtoi: “Nuk kemi dalë ende me një version kompromisi… Na pret shumë punë përpara.”

Mosmarrëveshjet kryesore midis Moskës dhe Kievit mbeten, duke përfshirë edhe çështjen e Ukrainës që pranon të lëshojë territorin që vazhdon ta kontrollojë, si dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga Evropa.