Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

BE-ja bllokon edhe disa asete ruse

Bashkimi Evropian ka njoftuar bllokimin e disa aseteve ruse.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se ky bllokim do të jetë për një kohë të pacaktuar, shkruan IndeksOnline.

“Kjo siguron që deri në 210 miliardë euro fonde ruse të qëndrojnë në tokën e BE-së, përveç nëse Rusia i paguan plotësisht dëmshpërblimet Ukrainës për dëmet që ka shkaktuar.

Ne vazhdojmë të rrisim presionin mbi Rusinë derisa ajo t’i marrë seriozisht negociatat” deklaroi Kallas.

Nga ana tjetër, Këshilli Evropian, në një takim javën e ardhshme, do të mblidhet për të siguruar nevojat financiare të Ukrainës për vitet e ardhshme

Shtëpia e Bardhë përcjell zhgënjimin e Trumpit me Ukrainën dhe Rusinë: Mjaft me fjalë, duhen veprime

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur zemërimin e madh ndaj të dyja palëve të përfshira në luftën Ukrainë-Rusi, duke theksuar se situata kërkon veprime konkrete dhe jo thjesht biseda diplomatike.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila foli përpara gazetarëve dhe transmetoi qëndrimin e liderit amerikan.

“Ai është i lodhur nga takimet që bëhen vetëm për hir të takimeve. Mjaft me fjalë, tani na duhen veprime”, ka deklaruar Leavitt, duke përcjellë mesazhin e fortë të Trumpit.

Sipas Leavitt, presidenti ka theksuar se situata ka tejkaluar fazën e diskutimeve dhe kërkon vendime konkrete që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet në terren.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij mbi kohën e humbur në biseda pa rezultate dhe ka nënvizuar rëndësinë e veprimeve strategjike për të adresuar krizën. Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022

Zelensky: SHBA-të propozuan Donbasin për një ‘zonë të lirë ekonomike’

Ukraina i dorëzoi dje SHBA-së versionin e saj të përditësuar të planit të paqes, konfirmoi Volodymyr Zelensky.

Sipas mediave të huaja, Zelensky thotë se çështjet territoriale mbeten ende “nën diskutim” dhe shtoi që ukrainasit duhet të kenë të drejtë fjale për çdo lëshim toke nëpërmjet një referendumi.

Zelensky thotë se SHBA-të kanë propozuar krijimin e një “zone të lirë ekonomike” në zonën e Donbasit nga e cila duan që Ukraina të tërhiqet.

Ai shton se po diskutohen edhe tërheqjet ruse nga copëza toke në rajonet Kharkiv, Sumy dhe Dnipro.

Gjithashtu Zelensky mohon ekzistencën e një afati të imponuar nga SHBA-të për Krishtlindje, duke thënë në vend të kësaj se Uashingtoni dëshiron vetëm një “mirëkuptim mbi statusin” deri atëherë.

Dorëhiqet Qeveria bullgare pas protestave masive

Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqje më 11 dhjetor pas javësh protesta kundër korrupsionit.

Mijëra persona kanë protestuar në Bullgari kundër planeve buxhetore të qeverisë, duke e detyruar më pas ekzekutivin që të heqë dorë nga to. Më pas, protestuesit kërkuan kërkuar dorëheqjen e kabinetit qeverisës.

Zhelyazkov njoftoi për dorëheqjen e tij përmes një deklarate të transmetuar nga televizionet, disa minuta para se parlamenti ishte paraparë që të votonte për një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.

Dorëheqja e qeverisë vjen pak para se Bullgaria t’i bashkohet eurozonës më 1 janar 2026./REL/

Fluksi i ndihmave në Gaza bie nën nivelin e parashikuar nga marrëveshja e armëpushimit

Dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës po mbeten shumë larg sasisë së përcaktuar në marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, sipas një analize të Associated Press mbi të dhënat zyrtare të ushtrisë izraelite.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se mungesat e mëdha po godasin rëndë popullsinë prej rreth 2 milionë banorësh në territor. Sipas marrëveshjes së arritur në tetor midis Izraelit dhe Hamasit, Izraeli ishte zotuar të lejonte hyrjen e 600 kamionëve me ndihma çdo ditë në Gaz, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Megjithatë, të dhënat që vetë Izraeli ka publikuar tregojnë se nga data 12 tetor – kur rifilloi qarkullimi i ndihmave – deri të dielën, në Gaza kanë hyrë mesatarisht vetëm 459 kamionë në ditë. Shifrat u siguruan nga COGAT, organi ushtarak izraelit që koordinon qasjen e ndihmave.

Ndihmat nuk arrijnë nivelin e përcaktuar nga armëpushimi

COGAT njofton se rreth 18,000 kamionë me ushqime kanë hyrë në Gaza që nga nisja e armëpushimit, duke përbërë rreth 70% të ndihmave totale të futura në territor gjatë kësaj periudhe.

Sipas këtyre të dhënave, së bashku me artikujt jo-ushqimorë (si çadrat, ilaçet dhe pajisje të tjera), numri total i kamionëve të ndihmave arrin në rreth 25,700 – shumë më pak se 33,600 kamionë, aq sa duhej të kishin hyrë deri të dielën sipas kushteve të marrëveshjes.

Në reagim ndaj analizës së AP, COGAT këmbënguli se numri i vërtetë ditor i kamionëve është “mbi 600”, por nuk dha të dhëna të detajuara për të shpjeguar mospërputhjet. Organizata ka ndaluar publikimin e shifrave ditore që nga nisja e armëpushimit, një vendim që grupet e të drejtave e kritikojnë, duke theksuar se Izraeli zotëron të vetmin akses zyrtar për monitorimin e hyrjes së ndihmave dhe mallrave komerciale.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara thonë se shifrat reale janë shumë më të ulëta. Sipas bazës së të dhënave të OKB-së, vetëm 6,545 kamionë janë shkarkuar në pikat hyrëse të Gazës midis armëpushimit dhe 7 dhjetorit – rreth 113 kamionë në ditë. Këto shifra nuk përfshijnë kamionët e organizatave që nuk operojnë përmes sistemit të OKB-së.

Një dokument i Hamasit i siguruar nga AP vlerëson se nga nisja e armëpushimit e deri të shtunën kanë hyrë 7,333 kamionë ndihmash.

Zyra e OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) paralajmëroi këtë javë për një nevojë “tejet të rëndë dhe urgjente” për më shumë ndihma, duke theksuar se kufizimet izraelite po bllokojnë përpjekjet e rimëkëmbjes.

Ushqimi mbetet i pakët, situata humanitare përkeqësohet

Organizatat humanitare raportojnë se mungesat e ndihmave po godasin fort banorët e zhvendosur të Gazës. Ushqimi mbetet tepër i pakët, ndërsa territori ende po përpiqet të dalë nga uria e përhapur gjatë muajve të luftës.

Një raport i UNICEF tregon se nëna të uritura po lindin foshnja të kequshqyera, disa prej të cilave kanë humbur jetën në spitale. Me intensifikimin e reshjeve të dimrit, mijëra familje që jetojnë në çadra janë ekspozuar ndaj të ftohtit dhe përmbytjeve, pa pajisje për t’u mbrojtur.

“Nevojat tejkalojnë shumë kapacitetet e komunitetit humanitar për t’u përgjigjur, për shkak të pengesave të vazhdueshme,” thuhet në raport. Mes pengesave përmenden mungesa e sigurisë, vonesat në doganë, refuzimi i ngarkesave dhe kufizimet në lëvizjen e ndihmave brenda Gazës.

Izraeli ka ndalur hyrjen e ndihmave të paktën njëherë gjatë armëpushimit, duke akuzuar Hamasin se nuk ka dorëzuar trupat e pengjeve brenda afatit të përcaktuar. Ndërkohë, Hamas thotë se ka hasur vështirësi në gjetjen e trupave për shkak të shkatërrimit masiv në Gaza.

Hamas akuzon gjithashtu Izraelin se po shkel marrëveshjen me ritmin e ulët të ndihmave, mbylljen e vazhdueshme të pikës kufitare Rafah dhe sulmet e vazhdueshme ajrore.

Gazanët mbështeten në dru zjarri për ngrohje

Që nga nisja e armëpushimit më 10 tetor, çmimi i një bombule gazi 12 kilogramëshe është rritur në 1,314 shekelë (406 dollarë) – rreth 18 herë më shumë se para luftës.

Kjo ka detyruar shumë familje të përdorin dru zjarri për gatim dhe ngrohje, përfshirë familjen 23-anëtarëshe Abed në Jabaliya të veriut.

“Jetojmë nën rrënoja dhe flemë mbi mbetje këpucësh dhe çarçafë të grisur. Mbledhim pak dru dhe presim sfungjerë për të ndezur zjarr,” tha 62-vjeçari Marwan Abed për AP. “Ky është i vetmi mënyrë për të mbajtur fëmijët ngrohtë dhe për të gatuar kafenë.”

Zelensky: Marrëveshja për t’i dhënë fund gjakderdhjes mund të arrihet këtë javë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lënë të kuptohet se një marrëveshje paqeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës mund të finalizohet brenda kësaj jave. Në një postim në Telegram, ai konfirmoi se zyrtarët ukrainas do të zhvillojnë sot bisedime me Shtetet e Bashkuara për një draft-plan paqeje.

Këto negociata do të pasohen nesër nga një takim virtual i të ashtuquajturit “koalicioni i vullnetarëve” të vendeve evropiane, që po punojnë ngushtë me Kievin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Jemi në fazën përfundimtare të 20 pikave të një dokumenti themelor që mund të përcaktojë parametrat e përfundimit të luftës, dhe presim t’ua dorëzojmë këtë dokument Shteteve të Bashkuara së shpejti, pas punës së përbashkët me ekipin e presidentit Trump dhe partnerët tanë në Evropë”, shkroi Zelensky, raporton “Metro”, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se puna me “Koalicionin e Vullnetarëve” po vijon në mënyrë shumë produktive, me synim garantimin e sigurisë së të ardhmes dhe shmangien e çdo agresioni të ri rus. “Kjo javë mund të sjellë lajme për të gjithë ne dhe t’i japë fund gjakderdhjes”, u shpreh presidenti ukrainas.

Deklarata e tij vjen pasi u raportua se Donald Trump i ka dhënë Zelenskyt afat deri në Krishtlindje për të pranuar një marrëveshje paqeje. Ultimatumi thuhet se iu komunikua presidentit ukrainas javën e kaluar gjatë një bisede dyorëshe telefonike nga të dërguarit amerikanë për paqen, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.

Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu liderët evropianë, duke i quajtur “të dobët” për dështimin në arritjen e një marrëveshjeje paqeje, gjatë një interviste për “Politico” të hënën.

Zelensky tha mbrëmë se po punon “shumë aktivisht” me aleatët evropianë për hartimin e një propozimi të ri paqeje. Edhe Britania konfirmoi se procesi i paqes ka hyrë në një “moment kritik”, pasi kryeministri britanik ka zhvilluar biseda me Trumpin dhe udhëheqësit e Francës e Gjermanisë.

Sipas Zelenskyt, drafti i ri përmban 20 pika – nga 28 që ishin fillimisht – pasi disa “pika qartësisht anti-ukrainase janë hequr”. Ai theksoi se ende nuk ka marrëveshje për dorëzimin e territorit, një kërkesë që Trump e sheh si të domosdoshme për paqen, por që Ukraina dhe vendet evropiane e kundërshtojnë prej kohësh