Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Mbretëria e Bashkuar do t’i ribashkohet skemës studentore “Erasmus”

Mbretëria e Bashkuar do të ribashkohet me skemën e studimit “Erasmus” nga viti 2027, gjashtë vjet pasi njoftoi se do t’i jepte fund pjesëmarrjes së saj – si pjesë e një marrëveshjeje për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Britanikët do të jenë në gjendje të kalojnë një vit duke studiuar në universitetet evropiane, si pjesë e kurseve të tyre të diplomës në Mbretërinë e Bashkuar pa paguar tarifa shtesë, dhe anasjelltas për studentët evropianë, shkruan BBC-si.

Mbretëria e Bashkuar e kishte zëvendësuar “Erasmus”-in me skemën e vet “Turing” në vitin 2021, e cila financon vendosje të ngjashme në të gjithë botën.

Sipas marrëveshjes së re, Mbretëria e Bashkuar do të paguajë 570 milionë paundë për t’u bashkuar me një skemë të zgjeruar “Erasmus +” në vitin 2027, të cilën qeveria tha se përfaqësonte një zbritje prej 30%.

Ministri Nick Thomas-Symonds tha se marrëveshja vërtetoi se “partneriteti i ri i qeverisë me BE-në po funksionon”.

Trump urdhëron bllokimin e cisternave të naftës, të sanksionuara brenda dhe jashtë Venezuelës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se po urdhëron një bllokadë të plotë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara, që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Në një postim në Truth Social, ai tha se qeveria e udhëheqësit venezuelian, Nicolás Maduro, ishte shpallur një organizatë terroriste e huaj dhe e akuzoi atë për vjedhjen e aseteve amerikane, si edhe për “terrorizëm, kontrabandë droge dhe trafikim qeniesh njerëzore”, shkruan BBC-si.

“Prandaj, sot, po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, shtoi ai.

Komentet e tij erdhën një javë pasi SHBA-ja sekuestroi një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës. Në një deklaratë, Qeveria e Venezuelës tha se e hodhi poshtë “kërcënimin grotesk” të Trumpit.

Rusia e shpall ‘Deutsche Welle’-n ‘organizatë të padëshirueshme’

Rusia e ka etiketuar “Deutsche Welle”-n si një “organizatë të padëshirueshme”, në atë që transmetuesi ndërkombëtar gjerman e quajti një përpjekje për të shtypur raportimin e pavarur.

Rusia i cilëson rregullisht subjektet që thotë se dëmtojnë rendin e saj kushtetues ose sigurinë kombëtare si “të padëshirueshme”, shkruan “Reuters”

Drejtoresha e përgjithshme e “DW”-së, Barbara Massing, ka thënë në një deklaratë me video se transmetuesi nuk do të dekurajohet.

“Kjo përpjekje e fundit për të heshtur median e lirë nxjerr në pah shpërfilljen e hapur të regjimit rus për lirinë e shtypit dhe ekspozon frikën e tij nga informacioni i pavarur”, ka thënë ajo.

Massing ka thënë se shërbimi në gjuhën ruse i “DW”-së, pavarësisht censurës dhe bllokimit, po arrinte një audiencë më të madhe se kurrë më parë

Trump ngre padi ndaj BBC-së për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë

Donald Trump ka paditur BBC-në, duke kërkuar deri në 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, për shkak të montimit të një fjalimi që ai mbajti më 6 janar 2021 para mbështetësve të tij në Uashington, pak para sulmit ndaj Kapitolit.

Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Federale të Floridës, Trump pretendon se BBC-ja ka redaktuar “me qëllim, keqdashje dhe në mënyrë mashtruese” fjalimin e tij në një episod të emisionit Panorama, duke bashkuar pjesë të thëna gati një orë larg njëra-tjetrës, për të krijuar përshtypjen se ai nxiti dhunë, shkruan TheGuardian.

Sipas The Guardian, ai kërkon nga 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpifje dhe për shkelje të ligjit të Floridës për praktika mashtruese tregtare.

BBC-i ka pranuar më herët se redaktimi ishte një “gabim gjykimi” dhe i është kërkuar falje Trumpit, por ka theksuar se nuk ka bazë ligjore për pretendime për shpifje.

Pas kësaj çështjeje, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha e BBC News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar, në mes të kritikave për probleme serioze në mbulimin editorial.

Trump argumenton se gjykata e Floridës ka juridiksion, pasi BBC-ja zhvillon aktivitet biznesi në SHBA përmes faqes së saj dhe platformës BritBox. Edhe pse episodi i Panorama nuk u transmetua në SHBA, ekipi ligjor i Trumpit thotë se redaktimi, i transmetuar pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, përbënte përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.

Padia kundër BBC-së vjen pas disa fitoreve ligjore të Trumpit ndaj mediave amerikane. Ai ka arritur marrëveshje milionëshe me ABC-në dhe Paramount/CBS për padi të ngjashme lidhur me shpifje dhe redaktim intervistash.

Trump vazhdon të mohojë përgjegjësinë për ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe, pas rikthimit në detyrë këtë vit, ka falur qindra persona të përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit. Ndërkohë, organizata për lirinë e medias i kanë bërë thirrje BBC-së të qëndrojë e fortë dhe ta kundërshtojë padinë, duke e cilësuar kërkesën për 10 miliardë dollarë si të pajustifikuar dhe absurde.

Sot mblidhen ministrat e BE-së në Bruksel

Ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel do të diskutojnë, në kuadër të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme (GAC), përfundimet mbi politikën e zgjerimit të BE-së.

Fokus i veçantë i diskutimeve do të jetë Serbia, së cilës i përcillet mesazhi i qartë se ritmi i afrimit me Bashkimin Evropian varet drejtpërdrejt nga përparimi në sundimin e ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Në këtë takim pritet të miratohen përfundimet e përgatitura mbi bazën e raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e secilit vend kandidat. Këto përfundime më pas do të konfirmohen zyrtarisht në Samitin e BE-së më 18 dhe 19 dhjetor.

Në draft-dokumentin, të cilin Radio Evropa e Lirë (RSE) e ka siguruar, vendet kandidate ftohen të shfrytëzojnë mundësinë dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Theksohet se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës, parimet e vendosura dhe metodologjia ekzistuese, ndërsa përparimi i vendeve do të vlerësohet sipas meritave individuale.

Këshilli pret që të gjitha vendet kandidate ta harmonizojnë plotësisht politikën e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat kufizuese.

Nga Serbia kërkohet që të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të zbatojë në mënyrë konsekuente ligjet për mediat dhe Listën e Unifikuar të Zgjedhësve. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e klasterit negociues 3 për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, por Këshilli i BE-së do t’i rikthehet kësaj çështjeje varësisht nga progresi i mëtejshëm i Serbisë, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Në draft-dokument, BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e polarizimit të thellë në shoqërinë serbe. Shprehet keqardhje për prapakthimin në lirinë e shprehjes dhe të mediave dhe kërkohen reforma konkrete dhe të prekshme në sundimin e ligjit. Nga Beogradi dhe Prishtina pritet zbatim i plotë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri i vitit 2023.

Këshilli shpreh shqetësim për përshpejtimin e lëshimit të pasaportave serbe për shtetas rusë, duke e vlerësuar këtë si një kërcënim potencial për sigurinë e BE-së. Megjithatë, BE-ja mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet interes strategjik i Serbisë, por pret që kjo të dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe reformave reale.

Theksohet se liria e tubimit duhet të mbrohet, siguria e gazetarëve të garantohet dhe çdo dhunë apo përdorim i tepruar i forcës gjatë protestave të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme. Serbia ftohet të deeskalojë tensionet dhe të kapërcejë polarizimin përmes dialogut gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile.

Në dokument shprehet keqardhje për regresin në lirinë e mediave dhe nënvizohet rëndësia e mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave. Edhe pse përshëndetet miratimi i ligjeve për media, theksohet nevoja për zbatim të plotë të tyre, përfshirë përfundimin e shpejtë të emërimit të anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Këshilli vlerëson se në gjyqësor nuk është shënuar përparim i dukshëm, ndërsa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është arritur progres i kufizuar. Serbia ftohet të përshpejtojë reformat dhe të arrijë rezultate konkrete, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24.

Sa i përket dialogut Beograd–Prishtinë, Këshilli i BE-së thekson se përparimi në integrimet evropiane varet nga zbatimi i plotë dhe pa vonesa i të gjitha obligimeve të marra. Serbia ftohet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2023 dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, theksohet nevoja për reintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe policinë.

Në përfundim, Këshilli i BE-së shpreh shqetësim të thellë që Serbia nuk i ka përmbushur pritshmëritë lidhur me përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar reagim të plotë, hetim serioz dhe respektim të procedurave në kuadër të dialogut për drejtësinë

Familja e Ahmed al-Ahmed zbulon se pse ai rrezikoi jetën për të çarmatosur të dyshuarin, në Sydney

Kur Ahmed al-Ahmed ia rrëmbeu armën një personi të dyshuar si autor i një sulmi në plazhin Bondi, ai thjesht po mendonte se “nuk mund ta duronte dot të shihte njerëz duke vdekur”, thotë kushëriri i tij.

Më pak se një ditë më vonë, Al-Ahmed mbetet në një gjendje kritike, por të qëndrueshme në spitalin St George në Sydney. Që nga sulmi, babai 43-vjeçar i dy vajzave të vogla është katapultuar në famë ndërkombëtare dhe është cilësuar si hero nga kryeministri australian, kryeministri i New South Wales dhe presidenti i SHBA-së.

Anthony Albanese e veçoi Al-Ahmedin në një konferencë për shtyp të hënën, duke i dhënë homazh veprimeve të tij si një shembull të “bashkimit të australianëve”.

“Ahmed al-Ahmedia hoqi armën autorit të krimit duke rrezikuar shumë veten dhe pësoi lëndime serioze si pasojë e kësaj dhe aktualisht po u nënshtrohet operacioneve sot në spital”, tha Albanese.

Të paktën 16 persona, përfshirë një nga personat e dyshuar të armatosur, u vranë në të shtënat masive gjatë një festimi të Hanukës të dielën në mbrëmje, raporton The Guardian

Pamjet e jashtëzakonshme të skenës tregojnë Al-Ahmedin, duke u nxituar drejt njërit prej autorëve të krimit, duke kërcyer mbi të dhe duke ia marrë armën nga duart.

Jozay, një kushëri i Al-Ahmedit, tha se po shërohej nga operacioni i tij i parë dhe kishte edhe dy të tjerë që do të vinin. “Ai mori shumë ilaçe, nuk mund të flasë mirë”, tha Jozay pasi doli nga spitali të hënën në mbrëmje.

Një kushëri tjetër, Mustafa al-Asaadit, i tha rrjetit televiziv Al Araby se al-Ahmedi ndërhyri si një “akt humanitar”. “Kur pa njerëz që vdisnin dhe familjet e tyre qëlloheshin, nuk mund ta duronte dot të shihte njerëz që vdisnin”, tha ai. “Ishte një akt humanitar, më shumë se çdo gjë tjetër. Ishte çështje ndërgjegjeje. Ai është shumë krenar që shpëtoi qoftë edhe një jetë. “Kur pa këtë skenë, njerëz që vdisnin nga të shtënat me armë zjarri, më tha: ‘Nuk mund ta duroja këtë. Zoti më dha forcë. Besoj se do ta ndaloj këtë person të vrasë njerëz’.”

Al-Asaad tha se kushëriri i tij ishte një shtetas australian me origjinë siriane, nga qyteti i Idlibit. Pasi kaloi një orë me të të hënën në mëngjes, ai tha se kushëriri i tij i tha “Zoti më dha guxim” dhe se nuk pendohej për veprimet e tij.