Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

SHBA në ndjekje aktive të një cisternë tjetër nafte pranë Venezuelës, rriten tensionet në rajon

Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara ndodhet në “ndjekje aktive” të një anijeje tjetër në ujëra ndërkombëtare pranë Venezuelës, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë për CBS News.

Sipas një zyrtari amerikan, anija në ndjekje është pjesë e ashtuquajturës “flotë e errët” të Venezuelës, e cila dyshohet se përdoret për shmangien e sanksioneve ndërkombëtare.

Zyrtari ka deklaruar se cisterna po lundronte nën flamur të rremë dhe ishte objekt i një urdhri gjyqësor për sekuestrim, shkruan BBC.

Autoritetet amerikane kanë sekuestruar tashmë dy cisterna nafte gjatë këtij muaji, njëra prej tyre të shtunën, kur një anije me flamur panamez u mornën kontroll nga një njësi taktike e specializuar në ujëra ndërkombëtare. Edhe pse kjo anije nuk figuronte në listën zyrtare të sanksioneve të Thesarit amerikan, SHBA-të kanë deklaruar se ajo po transportonte naftë të sanksionuar të kompanisë shtetërore venezueliane PDVSA.

Qeveria amerikane ka akuzuar Venezuelën se po përdor të ardhurat nga nafta për të financuar krime të lidhura me trafikun e drogës.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi një “bllokadë” ndaj cisternave të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Ky vend, që zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, e ka akuzuar administratën Trump se po përpiqet t’i grabisë burimet natyrore.

Ndërkohë, prania ushtarake amerikane në Detin e Karaibeve është shtuar ndjeshëm. Në javët e fundit, SHBA-të kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve që i kanë cilësuar si të përfshira në kontrabandë droge, duke shkaktuar rreth 100 viktima.

Izraeli miraton ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun e okupuar Perëndimor, një lëvizje që sipas ministrit izraelit të Financave synon të ndalojë themelimin e një shteti palestinez.

Vendimi bën që numri i përgjithshëm i vendbanimeve të miratuara në tre vjetët e fundit të arrijë në 69, sipas ministrit të ekstremit të djathtë që udhëheq Ministrinë e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich.

Ky vendim po ashtu vjen disa ditë pasi Kombet e Bashkuara thanë se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndim – që konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – ka arritur në nivel rekord që nga viti 2017.

“Propozimi i ministrit të Financave, Bezalel Smotrich dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz për të shpallur dhe formalizuar 19 vendbanime të reja në Jude dhe Samari është miratuar nga kabineti”, thuhet në deklaratë, pa specifikuar se kur është marrë vendimi.

Smotrich është një përkrahës i zëshëm i zgjerimit të vendbanimeve dhe edhe vetë një kolon.

“Në terren, ne po e pengojmë krijimin e një shteti palestinez terrorist”, tha ai në deklaratë.

“Do të vazhdojmë të zhvillojmë, të ndërtojmë dhe të vendosemi në tokën e stërgjyshërve tanë, me besim në drejtësinë e rrugës sonë”, shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, së voni ka dënuar atë që e përshkroi si zgjerim “të pareshtur” nga Izraeli të vendbanimeve në Bregun e okupuar Perëndimor.

Kjo, sipas tij, “vazhdon të nxisë tensionet, të pengojë qasjen e palestinezëve në tokën e tyre dhe rrezikon paqëndrueshmërinë e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, demokratik, të pandarë dhe sovran”, tha ai më herët gjatë këtij muaji.

Që nga fillimi i luftës në Gazë më 2023, thirrjet për themelimin e një shteti palestinez janë shtuar, me disa vende evropiane, Kanadanë dhe Australinë që së fundi kanë lëvizur drejt njohjes formale të një shteti të tillë, duke nxitur reagime dhe qortime nga Izraeli.

Sipas një raporti të OKB-së për zgjerimin e vendbanimeve tha se zgjerimi i tyre ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2017, kur OKB-ja nisi të mblidhte të dhëna për këtë çështje.

“Këto zhvillime po e forcojnë më tej okupimin e paligjshëm izraelit, po shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe po minojnë të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje2.

Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, i cili u okupua dhe u aneksua nga Izraeli në vitin 1967, më shumë se 500.000 izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, së bashku me afër 3 milionë banorë palestinezë.

Zyra e Smotrichit tha se 19 vendbanimet e sapomiratuara ndodhen në zona që i përshkroi si “tejet strategjike”, duke shtuar se dy prej tyre – Ganim dhe Kadim në veri të Bregut Perëndimor – do të rivendosen pasi ishin zhbërë dy dekada më parë.

Pesë nga 19 vendbanimet ekzistojnë tashmë, por deri më tani nuk kishin marrë status ligjor sipas ligjit izraelit, u tha në njoftim.

Ndërsa të gjitha vendbanimet izraelite në territorin palestinez konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, disa poste të ngritura në mënyrë të paligjshme janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit.

Megjithatë, shumë prej tyre më vonë legalizohen nga autoritetet izraelite, duke nxitur frikën për një aneksim të mundshëm të territorit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.

“Izraeli do të humbiste të gjithë mbështetjen nga SHBA-ja nëse kjo ndodh”, tha Trump në një intervistë dhënë së voni për revistën Time.

Izraeli e ka okupuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe dhuna atje është rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023, pas sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit. /REL

Zelensky: SHBA-ja propozon bisedime direkte me Rusinë

Gjatë bisedimeve në Majami për fundin e luftës në Ukrainë, sipas të dhënave ukrainase, SHBA-ja ka propozuar një format të ri bisedimesh. Ushingtoni synon të ulë në një tryezë përfaqësues nga Kievi dhe Moska.

Për herë të parë që prej gjashtë muajsh sërish mund të ketë bisedime direkte ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë për një armëpushim të mundshëm në luftën e agresionit rus ndaj Ukrainës. “SHBA propozon një takim trilateral të këshilltarëve sigurisë kombëtare: Amerikë, Ukrainë, Rusi”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski në Kiev.

Ai vuri kushte për bisedimet direkte me përfaqësuesit e Moskës. “Nëse mund të zhvillohet një takim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit ose për mundësuar një marrëveshje lidhur me takimin tripalësh të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, ne do t’i mbështesim këto propozime”, tha Zelenski. “Të shohim si do të zhvillohen gjërat.”

Bisedimet në Majami

Të premten (19.12.2025) në Majami në shteti federal të Floridës në SHBA kanë filluar bisedime ndërmjet përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Europës. Pjesëmarrës janë kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Andrij Hnatov, i dërguari i posaçëm i SHBA-së Steven Witkoff dhe Jared Kushner si dhe përfaqësues të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Për Gjermaninë është në bisedime këshilltari i kancelarit për politikën e jashtme, Günter Sautter.

Ndërmjetësuesit e SHBA-së do të vazhdojnë bisedime të veçanta me palën ruse. Kirill Dmitrijev, këshilltari i presidentit të Rusisë konfirmoi pjesëmarrjen në bisedimet në Florida. Në platformën X ai shkruan, se po udhëton për në Majami. Në mesazhin e tij ai publikon edhe një një emoji me një pëllumb paqeje.

Nëse do të arrihet në fund në një takim trilateral ndërmjet përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe atyre ukrainas, kjo deri tani mbetet e hapur.

Bisedimet e fundit direkte kanë qenë në Stamboll

Së fundi delegacionet ukrainase dhe ruse janë takuar zyrtarisht për bisedime direkte në korrik në Stamboll. Në valën e këtyre bisedimeve u ra dakord për shkëmbimin e të burgosurve, por nuk pati asnjë përparim konkret.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, i hodhi poshtë njoftimet, që linin të kuptohej, se qeveria e tij do t’i imponojë Ukrainës të pranojë marrëveshjen e paqes me Rusinë. “Ne nuk mund t’ia imponojmë Ukrainës një marrëveshje. Ne nuk mund t’ia imponojmë Rusisë një marrëveshje. Ato duhet ta duan vet një marrëveshje, tha Rubio. Të enjten (18.12.2025) presidenti i SHBA-së Donald Trump sërish i bëri thirrje Kievit që të “lëvizë” më shpejt drejt marrëveshjes. /DW

Edhe një dron rus bie në Turqi

Presidenti rus, Vladimir Putin duket se po teston durimin e homologut turk, Recep Tayyip Erdogan.

Një UAV i paidentifikuar është rrëzuar në një fushë të zbrazët në distriktin Manyas të Balıkesir-it, Turqi.

Droni është dërguar në Ankara për analizë teknike.

Ndërkohë po hetohet origjina ruse e tij (përfshirë Orlan-10), pas një aksidenti të ngjashëm në İzmit një ditë më parë.

Kujtojmë se edhe gjatë ditës së djeshme ka rënë në shtetin turk një dron i prodhimit rus, raportojnë mediat.

Ndryshe, fluturakja është identifikuar si një dron i zbulimit rus Merlin-VR – një platformë ISR (Intelligence, Surveillance, Reconnaissance) me rreze të gjatë dhe me nivel të ulët zhurme.

Ky dron ka aftësinë të mbulojë distanca deri në 600 kilometra dhe ka autonomi fluturimi prej rreth 10 orësh, duke e bërë një mjet të efektshëm për mbledhjen e informacionit në distanca të largëta.

Merlin-VR lëshohet përmes një katapulte dhe rikuperohet duke përdorur një parashutë, gjë që e bën të përshtatshëm për operacione të ndryshme dhe terrene të vështira.

Ai është i pajisur me sensorë elektro-optikë (EO) që mund të mbajnë deri në 7 kilogramë pajisje, duke mundësuar mbikëqyrje dhe mbledhje informacioni me saktësi të lartë.

Që nga viti 2022, ky dron ka pësuar humbje të shumta nga mbrojtja ajrore ukrainase dhe interceptues FPV, duke treguar sfidat që has në mjedise të mbrojtura.

Një dron i tillë ka një vlerë rreth 300 mijë dollarë, gjë që e bën humbjen e tij një kosto të konsiderueshme.

BREAKING: An unidentified UAV crashed in an empty field in Türkiye’s Balıkesir’s Manyas district.

The drone has been sent to Ankara for technical analysis.

While Russian origin (incl. Orlan-10) is being examined, following a similar crash in İzmit a day earlier. pic.twitter.com/hx2o96RluO

— Clash Report (@clashreport) December 20, 2025

Trump pezullon lotarinë amerikane “Green card”

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar programin e vizave amerikane për lotarinë e “Green card”-eve pas një sulmi me armë në universitetin “Brown” javën e kaluar, ku u vranë dy persona.

I dyshuari, një shtetas portugez i cili u gjet i vdekur të enjten, kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave për diversitet (DV1) në vitin 2017 dhe ishte pajisur me “Green card”, shkruan BBC-si.

Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, tha se ka pezulluar këtë program nën udhëzimin e Trumpit për të “siguruar që të mos dëmtohen më amerikanë nga ky program katastrofik”.

Zyrtarët amerikanë besojnë se i dyshuari, 48-vjeçari Claudio Neves Valente, gjithashtu vrau këtë javë profesorin portugez të Massachusetts Institute of Technology (MIT), Nuno Loureiro.

Programi i lotarisë ofron deri në 50,000 viza çdo vit përmes një procesi të përzgjedhjes së rastësishme për vendet me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, shkruan BBC-si.

Noem shkroi në rrjetet sociale se Trump kishte luftuar më parë për të ndalur këtë program në vitin 2017, pas një sulmi me kamion në New York ku u vranë tetë persona. Sipas saj, autorë të sulmeve të mëparshme, si Sayfullo Saipov nga Uzbekistani, i mbështetës i Shtetit Islamik, kishin hyrë në SHBA përmes këtij programi.

Komentet e saj vijnë disa orë pasi Neves Valente u gjet i vdekur në një depo në Salem, New Hampshire, nga një plagë vetë-shkaktuar me armë zjarri, sipas policisë.

Policia tha se video dhe informacione nga publiku çuan hetuesit tek një agjenci qiraje makinash, ku u gjet emri i të dyshuarit dhe u konfirmua identiteti i tij pas një gjurmimi 6-ditor ndër-shtetëror. Ai u gjet i vdekur me një çantë dhe dy armë zjarri, ndërsa prova në një makinë pranë vendit të ngjarjes përputhej me vendin e krimit në Brown University, sipas prokurorit të Rhode Island, Peter Neronha.

Presidentja e Brown, Christina Paxson, tha se Neves Valente kishte qenë student në këtë universitet nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e vitit 2001, duke studiuar për doktoraturë në fizikë, dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje aktive me universitetin.

Zyrtarët besojnë se Neves Valente vrau profesorin e MIT, Nuno F Gomes Loureiro, 47 vjeç, në shtëpinë e tij në Brookline të hënën, rreth 80 km nga Providence. Të dytë kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990-të.

Rasti u lidh pasi makina e të dyshuarit u identifikua nga kamerat CCTV dhe një dëshmitar në Brown University, dhe e njëjta makinë u pa pranë vendit të vrasjes së profesorit, vetëm dy ditë më vonë.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një motiv të dyshuar për sulmet.

Dy studentë u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën kur sulmuesi hyri në ndërtesën e inxhinierisë së Brown, më 13 dhjetor gjatë provimeve përfundimtare. Viktimat janë identifikuar si Ella Cook, 19 vjeçe nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, nga Uzbekistani.

SHBA-ja ndalon importin e gomave nga fabrika kineze në Serbi

Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e Shteteve të Bashkuara (CBP) njoftoi të enjten se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e importit të gomave të automjeteve të prodhuara në fabrikën kineze Linglong në Serbi, për shkak të pretendimeve se ato janë prodhuar përmes punës me detyrim.

“Zyrtarët e CBP-së do t’i ndalojnë në të gjitha pikat hyrëse në SHBA dërgesat e këtyre gomave, për shkak të provave që tregojnë përdorimin e punës me detyrim në prodhimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Në njoftim u tha se urdhri lidhet me gomat e prodhuara në fabrikën e Linglong-ut në veri të Serbisë, dhe është rezultat i një hetimi dhe analize të informacionit që tregon se gomat e automjeteve janë prodhuar duke përdorur punë me detyrim – përfshirë deklarata të punëtorëve, fotografi, kontrata pune, shënime nga terreni të fokus-grupeve, pamje të mesazheve tekstuale, raporte të organizatave joqeveritare, raportime mediatike dhe hulumtime akademike.

Sipas Doganës amerikane, këto prova kanë treguar se punëtorët në Linglong janë ekspozuar ndaj nëntë treguesve të punës me detyrim sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës: mbajtja e dokumenteve personale, frikësimi dhe kërcënimet, izolimi, orët e tepërta të punës, mohimi i pagave, skllavëria përmes borxhit, kushte abuzive të jetesës dhe punës, mashtrimi dhe abuzim të cenueshmërisë.

“Mesazhi është i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë punën me detyrim në zinxhirët e furnizimit”, tha komisionari i Doganës amerikane, Rodney S. Scott.

Ushtruesja e detyrës së ndihmëskomisonares ekzekutive, Susan S. Thomas, nga Zyra për Tregti e CBP-së, tha se “amerikanët nuk duhet të konkurrojnë me produkte të krijuara përmes shfrytëzimit”.

“Duke parandaluar hyrjen e mallrave të prodhuara me punë me detyrim në tregun amerikan, CBP-ja ndihmon që punëtorët dhe bizneset amerikane të veprojnë në kushte të barabarta”, tha Thomas përmes një njoftimi, ku u shtua se sipas të dhënave të Doganës, gomat nga fabrika kineze në Serbi po importohen ose ka gjasa që të importohen në SHBA.

Dogana amerikane shtoi se importuesit e dërgesave të ndaluara mund të kërkojnë shkatërrimin ose eksportimin e dërgesave të tyre, ose të përpiqen të dëshmojnë se mallrat nuk janë prodhuar përmes punës me detyrim.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për fabrikën Linglong në Zrenjanin dhe për pretendimet për abuzim të punëtorëve dhe shkelje të të drejtave të punës.

Në fillim të vitit 2024, organizata joqeveritare Astra paraqiti kallëzim penal në emër të 11 punëtorëve nga India, nën dyshimet për trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim në punë.

Disa vite më parë, kishte dyshime edhe për shfrytëzimin e disa qindra punëtorëve nga Vietnami, të cilët në atë kohë ishin të angazhuar në ndërtimin e fabrikës në Zrenjanin, shkruan REL.

Parlamenti Evropian, me një rezolutë të vitit 2021, i kërkoi Serbisë të hetonte rastin e “skllavërisë moderne”, megjithatë ai rast u mbyll pa nisur procedura, me kthimin e punëtorëve në Vietnam.

Linglong hodhi poshtë përgjegjësinë, duke pretenduar se punëtorët ishin angazhuar nga një prej nënkontraktorëve të kompanisë.

Për shkak të pretendimeve për punë me detyrim, Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2024, deklaroi se “Qeveria e Republikës së Serbisë nuk i ka hetuar plotësisht akuzat e besueshme për punë me detyrim, përfshirë konfiskimin e pasaportave, kushtet çnjerëzore të punës dhe jetesës, por ka vazhduar të pretendojë se punëtorët vietnamezë dhe indianë nuk janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”. /REL