Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Macron dënon kufizimet e vizave të SHBA-së: Janë akte frikësimi dhe shtrëngimi

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar masat e kufizimit të vizave të vendosura nga SHBA-ja ndaj ish-komisionerit të BE-së, Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane, duke i quajtur ato akte “frikësimi dhe shtrëngimi”.

“Franca dënon masat e kufizimit të vizave nga SHBA-ja kundër Thierry Bretonit dhe katër figurave të tjera evropiane. Këto masa përbëjnë frikësim dhe shtrëngim që synojnë minimin e sovranitetit digjital evropian”, tha Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Macron theksoi se rregullat digjitale të BE-së u miratuan përmes një “procesi demokratik dhe sovran” nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian dhe ato zbatohen brenda Evropës për të siguruar konkurrencë të drejtë midis platformave digjitale.

Ai tha se rregulloret nuk shënjestrojnë asnjë vend të tretë dhe janë hartuar për të garantuar që ajo që është e paligjshme jashtë Internetit është e paligjshme edhe në Internet.

“Rregullat që qeverisin hapësirën digjitale të BE-së nuk kanë për qëllim të përcaktohen jashtë Evropës”, tha Macron.

Presidenti francez tha se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë për të mbrojtur sovranitetin digjital dhe autonominë rregullatore të bllokut.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja vendosi kufizime vizash për pesë individë të akuzuar për udhëheqjen e përpjekjeve të organizuara për të detyruar platformat të censurojnë “pikëpamjet amerikane”.

Shpërthim në Moskë, vdesin dy oficerë policie

Tre persona, përfshirë dy oficerë policie, janë vrarë në një shpërthim në Moskë.

Kështu deklaruan autoritetet ruse, shkruan BBC.

“Dy oficerë të policisë rrugore panë një “person të dyshimtë” pranë një makine policie në rrugën Yeletskaya të qytetit dhe, kur iu afruan të dyshuarit për ta ndaluar, u shpërtheu një pajisje shpërthyese”, tha Komiteti Hetues i Rusisë.

Dy oficerët e policisë vdiqën nga plagët e marra, së bashku me një qytetar rasti që ndodhej aty pranë.

Sulmi vjen dy ditë pasi një gjeneral i lartë rus u vra në një shpërthim me makinë-bombë, po në Moskë.

Gjenerallejtnant Fanil Sarvarov vdiq pasi një pajisje shpërthyese, e cila ishte vendosur nën një makinë, shpërtheu.

Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, tha në një deklaratë në Telegram se një çështje penale po hetohej në Moskë “lidhur me një përpjekje për të vrarë oficerët e policisë së trafikut”.

Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në Samitin e G20-ës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ka zhvilluar nga një bisedë telefonike me presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit, Kassym-Jomart Tokayev dhe Shavkat Mirziyoyev, duke i ftuar ata të marrin pjesë si të ftuar në Samitin e G20-ës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Miami, Florida.

Në një postim në rrjetin e tij social “Truth”, Trump theksoi se gjatë bisedave është diskutuar rëndësia e paqes në konfliktet e vazhdueshme, si dhe rritja e tregtisë dhe bashkëpunimit mes vendeve.

“Samiti i G20 vitin e ardhshëm do të mbahet në Shtetet e Bashkuara dhe ne do të ftojmë të dy këta liderë të na bashkohen si të ftuar,” shkroi Trump.

Ky njoftim vjen pas dy telefonatave që ai i përshkroi si “të mrekullueshme” me presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit, duke sinjalizuar një hap drejt forcimit të marrëdhënieve të SHBA-së me vendet e Azisë Qendrore.

Shefi i ushtrisë së Libisë vdes në një aksident ajror në Turqi

Shefi i ushtrisë libiane ka vdekur pas në një përplasjeje ajrore në Turqi, tha kryeministri libian.

Gjenerali Mohammed Ali Ahmed al-Haddad dhe katër të tjerë ishin në bordin e një avioni Falcon 50 që fluturonte nga kryeqyteti turk, Ankara.

Në një postim në X, ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, tha se sinjali me avionin e biznesit humbi në orën 20:52 sipas orës lokale.

Avioni që po udhëtonte drejt Tripolit kishte lëshuar një kërkesë për ulje emergjente përpara se të humbiste kontaktin.

Trump ofron 3,000 dollarë për emigrantët që vetëdeportohen

Administrata Trump po u ofron migrantëve pa dokumente 3,000 dollarë për t’u larguar vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara para fundit të vitit.

Kushdo që dëshiron të përfitojë nga kjo mundësi mund të regjistrohet në një aplikacion të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe të japë informacionin e tij për të përfituar udhëtimin falas, shkruan ANSA.

Ata pa dokumente “duhet të përfitojnë nga kjo dhuratë dhe të vetë-deportohen”.

Trumpi shkarkon gati 30 diplomatë karriere nga pozicionet e ambasadorëve

Administrata Trump po tërheq gati 30 diplomatë karriere nga postet ambasadoriale dhe të tjera të larta në ambasada, ndërsa po riformëson qëndrimin diplomatik të SHBA-së jashtë vendit me personel që konsiderohet se mbështet plotësisht prioritetet “Amerika e Para” të presidentit Trump.

Shefat e misioneve në të paktën 29 vende u informuan javën e kaluar se mandatet e tyre do të përfundonin në janar, sipas dy zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, të cilët folën në kushte anonimiteti për AP-në.

Të gjithë ata kishin marrë postet e tyre në administratën Biden, por i kishin mbijetuar një spastrimi fillestar në muajt e parë të mandatit të dytë të Trumpit që synonte kryesisht të emëruarit politikë.

Kjo ndryshoi të mërkurën kur ata filluan të merrnin njoftime nga zyrtarët në Uashington për largimet e tyre që do të ndodhnin shumë shpejt.

Ambasadorët shërbejnë sipas dëshirës së presidentit, megjithëse zakonisht qëndrojnë në postet e tyre për tre deri në katër vjet. Ata që preken nga riorganizimi nuk po humbasin vendet e tyre të punës në shërbimin e jashtëm, por do të kthehen në Uashington për detyra të tjera nëse dëshirojnë t’i marrin ato, kanë thënë zyrtarët.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë mbi numrat specifikë ose ambasadorët e prekur, por mbrojti ndryshimet, duke i quajtur ato “një proces standard në çdo administratë”.

Afrika është kontinenti më i prekur nga largimet, me ambasadorë nga 13 vende që largohen: Burundi, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Gaboni, Bregu i Fildishtë, Madagaskari, Mauritiusi, Nigeri, Nigeria, Ruanda, Senegali, Somalia dhe Uganda.

E dyta është Azia, me ndryshime ambasadorësh në gjashtë vende: Fixhi, Laosi, Ishujt Marshall, Papua Guinea e Re, Filipinet dhe Vietnami.

Katër vende në Evropë (Armenia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sllovakia) janë të prekura, si dhe nga dy në Lindjen e Mesme (Algjeria dhe Egjipti), Azia Jugore dhe Qendrore (Nepali dhe Sri Lanka), dhe Hemisfera Perëndimore (Guatemala dhe Surinami).