Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Rusia sulmon veriun e Ukrainës, një i vdekur dhe 10 të plagosur

Një grua 80-vjeçare ka humbur jetën sot në Çernihiv, qytet në veri të Ukrainës, si pasojë e goditjes së një droni rus mbi një ndërtesë pesëkatëshe.

Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre tre fëmijë. Kështu shkruan Ukrinform, duke cituar Policinë Kombëtare.

“Është ngritur një strehë pranë vendit të sulmit armik, ku banorët lokalë mund të ngrohen. Punonjësit e policisë po mbledhin denoncime për dëmet në prona”, thuhet në raport.

Në vendngjarje po punojnë ekipet hetimore të policisë, ekspertët mjeko-ligjorë dhe të gjitha shërbimet e emergjencës.

Gjermania hartëzon vullkanët “e fjetur”, eksperimenti më i madh sizmologjik në vend

Një nga sistemet vullkanike më komplekse dhe më pak të njohura të Evropës është studiuar për herë të parë me detaje nën relievet e Eifelit, në Gjermaninë perëndimore. Zona përfshin qindra vullkane që sot duken të fjetur dhe i përkasin të ashtuquajturave “fusha vullkanike të shpërndara”, një formë vullkanizmi brenda pllakës tokësore, ende pak e studiuar por me rreziqe të mundshme.

Midis shtatorit 2022 dhe gushtit 2023, një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Qendra Helmholtz për Gjeoshkencat (GFZ) realizoi eksperimentin më të madh sizmologjik të zhvilluar ndonjëherë në Gjermani mbi vullkanet.

Studimi, i njohur si Eifel Large-N, përdori mbi 500 stacione sizmike të përkohshme dhe një teknologji inovative me fibër optike 64 kilometra, e cila lejon zbulimin e dridhjeve shumë të vogla nëntokësore.Falë këtij rrjeti, shkencëtarët krijuan hartën më të detajuar deri më sot të sistemit magmatik që shkaktoi shpërthimin e madh të Liqenit Laach, rreth 13 mijë vjet më parë.

Kjo ngjarje shumë shpërthyese, që zgjati vetëm disa ditë, mbuloi zona të gjera të Evropës qendrore me hi dhe rrjedha piroklastike, duke lënë depozita qartë të dukshme pranë Mendig, në jug të liqenit.

Rezultatet tregojnë se rezervuari i magmës ndodhet deri në 10 kilometra thellësi, më poshtë dhe me orientim të pjerrët, ndryshe nga sa mendohej më parë.

Studimi zbuloi gjithashtu mbi 1 000 mikrotërmete në vetëm një vit, duke sugjeruar prani fluidesh të nxehta ose procese aktive në thellësi.

Rezultatet e eksperimentit Eifel Large-N janë botuar në revistat Seismica, Journal of Geophysical Research: Solid Earth dhe Geophysical Journal International dhe ndihmojnë në vlerësimin më të saktë të rrezikut vullkanik në të ardhmen.

Furnizimi me naftë bllokohet/ Maqedonia e Veriut në gjendje krize energjetike

Kompania ia atribuoi ndërprerjet bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike.

ESM tha se deklarata e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar mjaftueshëm energji derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet ESM që përdorin linjit dhe naftë.

Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.

Oferta u komunikua gjatë një telefonate midis Ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev dhe homologut të tij maqedonas Timço Mucunski, sipas raportimeve

BE dënon ndalimin e vizave nga SHBA: Presion dhe intimidim ndaj Evropës

Liderë evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur ndalim vizash ndaj pesë figurave evropiane të përfshira në hartimin dhe zbatimin e rregullave për kontrollin e platformave digjitale amerikane.

Sanksionet u vendosën ndaj ish-komisionerit evropian Thierry Breton – një nga arkitektët kryesorë të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) – si dhe ndaj katër aktivistëve kundër dezinformimit: Imran Ahmed (Britani), Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon (Gjermani), si dhe Clare Melford (MB).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, justifikoi vendimin duke thënë se “për një kohë të gjatë, ideologë në Evropë kanë ushtruar presion mbi platformat amerikane për të ndëshkuar pikëpamje që nuk u pëlqejnë”, duke e cilësuar këtë si “censurë ekstraterritoriale”.

Reagime të ashpra nga Evropa

Reagimi nga kryeqytetet evropiane ishte i menjëhershëm. Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi vendimin si “intimidim dhe shantazh politik”, duke theksuar se rregullat digjitale të BE-së janë miratuar në mënyrë demokratike dhe kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve evropianë.

“Rregullat tona nuk diktohen nga jashtë. Ne do të mbrojmë sovranitetin digjital dhe lirinë e evropianëve,” shkroi Macron në rrjetet sociale.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE do të reagojë “shpejt dhe me vendosmëri” ndaj çdo mase që cenon autonominë e saj rregullatore.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, theksoi se “popujt e Evropës janë sovranë dhe nuk pranojnë që rregullat për hapësirën digjitale t’u imponohen nga jashtë”.

Përplasja SHBA–BE për lirinë e shprehjes

Uashingtoni e konsideron Aktin për Shërbimet Digjitale si një mjet që kufizon lirinë e shprehjes dhe dëmton kompanitë amerikane të teknologjisë. Nga ana tjetër, BE këmbëngul se ligji synon të luftojë përmbajtjen e paligjshme, gjuhën e urrejtjes dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Ish-komisioneri Thierry Breton reagoi ashpër, duke e krahasuar situatën me një “gjueti shtrigash”, ndërsa kujtoi se DSA është miratuar njëzëri nga të 27 shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

Edhe Gjermania dhe Spanja dolën në mbështetje të zyrtarëve të sanksionuar, duke e cilësuar vendimin amerikan të papranueshëm. Ministria gjermane e Drejtësisë deklaroi se mbështet plotësisht organizatat që luftojnë gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

Përplasja vjen në një moment kur marrëdhëniet transatlantike janë gjithnjë e më të tensionuara, veçanërisht për shkak të teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe rolit të platformave digjitale në demokraci.

Eurodeputeti francez Raphaël Glucksmann reagoi ashpër ndaj Uashingtonit, duke thënë se “Evropa nuk duhet të përkulet më” dhe se “koha ka ardhur që të mbrojë interesat dhe vlerat e saj”./TheGuardian

Itali: Sekuestrohen 435 kilogramë kokainë të fshehur në qese me kikirikë

Në portin e Gioia Tauro në jug të Italisë është sekuestruar më shumë se 435 kilogramë kokainë e pastër, sipas “La Stampa”.

Një “pako” e bukur Krishtlindjesh u kap nga Guardia di Finanza (Policia Financiare Italiane), e cila sekuestroi një tjetër ngarkesë të konsiderueshme me kokainë që kalonte në portin e Gioia Tauro në prag të Krishtlindjeve.

Pakoja me 435 kilogramë kokainë të pastër, një nga ngarkesat më të mëdha të viteve të fundit, e fshehur në një ngarkesë prej afërsisht 1,000 qesesh me kikirikë të dërguara nga Amerika Latine dhe të destinuara, të paktën sipas dokumenteve tregtare që shoqëronin produktin, për në Evropën Lindore.

“Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj të ardhurave të organizatave kriminale, pasi porti vazhdon të jetë një pikë “kyçe” për trafikimin ndërkombëtar të drogës në Evropë”, tha policia.

Nëse do të dilte në treg, kokaina e sekuestruar do t’u kishte sjellë organizatave kriminale mbi 70 milionë euro.

Sekuestrimi vjen në kuadër të inspektimeve të intensifikuara të fundvitit në një nga portet më të ngarkuara të Evropës dhe përbën një nga rastet më të bujshme vitet e fundit në Gioia Tauro.

Kina teston për herë të parë dronin ‘fantazmë’, arrin shpejtësinë 925 km/orë

Kina ka ndërmarrë një tjetër hap në lidhje me zhvillimin e mjeteve ajrore pa pilot, ndësa autoritetet njoftojnë se ka përfunduar me sukses fluturimi e parë provë të CH-7.

Bëhet fjalë për një dron të padukshëm me shpejtësi të lartë, i aftë të arrijë 925 kilometra në orë, që konsiderohet si një nga programet më ambicioze të zbulimit ajror të vendit.

Sipas mediave , fluturimi u zhvillua në një aeroport në veriperëndim të vendit dhe kishte për qëllim kryesisht konfirmimin e projektimit dhe funksionimit aerodinamik të sistemeve të kontrollit.

Rezultatet u konsideruan plotësisht të suksesshme duke hapur rrugën për fazat e ardhshme të testimit.

Ky sukses, siç raportojnë ekspertët e huaj e forcon pozicionin e Kinës në fushën e dronëve me rreze të gjatë veprimi , ku konkurrenca me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera ushtarake është e fortë.