Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Çfarë do të thotë kapja e Maduros për Rusinë?

Për Kremlinin, rezultati më i dukshëm i kapjes nga Shtetet e Bashkuara të Nicolas Maduros të Venezuelës është se kjo përbën një goditje ndaj ndikimit rajonal të Rusisë dhe ndaj krenarisë së Vladimir Putinit: një aleat i rëndësishëm i cili në maj kishte nënshkruar një marrëveshje të “partneritetit strategjik” me presdientin rus, papritur u rrëzua nga pushteti dhe ndodhet në një burg në Qytetin e Nju Jorkut.

Kapja e Maduros ndodhi pak më shumë se një vit pas rënies së Bashar al-Assadit, udhëheqësit sirian i cili i kishte siguruar Rusisë një pozicion të fortë në Lindjen e Mesme në këmbim të mbështetjes vendimtare në luftën kundër kundërshtarëve të tij – një tjetër goditje e madhe për përpjekjet e Putinit për të ringjallur praninë e Moskës në botë pas tërheqjes që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Jo vetëm kaq, por bastisja e SHBA-së në Venezuelë më 3 janar arriti brenda pak orësh diçka që Rusia nuk ka mundur ta bëjë në gati katër vjet që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe që shihej si një nga qëllimet e tij kryesore: largimin e një udhëheqësi shteti.

Por, përqendrimi i Rusisë në luftën kundër Ukrainës nënkupton se mbrojtja e Maduros nuk do të ishte realiste edhe nëse Moska do të donte ta bënte këtë, dhe dobia e Venezuelës për Rusinë ka rënë, të paktën në aspektin ekonomik, për shkak të sanksioneve dhe faktorëve të tjerë që kanë ulur prodhimin e naftës, një sektor ku Rusia ka interesa të mëdha.

Për Rusinë ka edhe anë pozitive. Moska mund ta përdorë operacionin amerikan si dëshmi se Uashingtoni kërkon t’u imponojë vullnetin e tij vendeve të tjera dhe shkel të drejtën ndërkombëtare kur i leverdis – një argument që për disa është bindës, pavarësisht luftës së Moskës kundër Ukrainës.

Në një deklaratë më 3 janar, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për atë që e cilësoi si “akt të armatosur agresioni kundër Venezuelës” dhe i bëri thirrje SHBA-së “të lirojë presidentin e zgjedhur ligjërisht të një shteti sovran, dhe bashkëshorten e tij”.

Por, ajo që është edhe më e rëndësishme për Kremlinin sesa forcimi i këtij portretizimi të SHBA-së, thonë analistët, është shpresa se veprimet e Uashingtonit në Venezuelë dhe përqendrimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në hemisferën perëndimore do t’i japin Moskës më shumë hapësirë manovrimi – si moralisht ashtu edhe ushtarakisht – për të vepruar, sipas dëshirës, në atë që e konsideron sferën e vet të ndikimit, veçanërisht në Ukrainë.

“Pavarësisht nga vendimet që merr Vladimir Putini në Ukrainë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që disa veprime të dënohen vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, i tha Radios Evropa e Lirë analistja politike me seli në Berlin, Alexandra Sitenko, e cila është eksperte për raportet e Rusisë me Amerikën Latine dhe rajone të tjera.

“Çfarë bëjnë fuqitë e mëdha”
Perceptimi i gjerë se operacioni amerikan e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare “nuk është aspak i keq për narrativin më të gjerë rus”, tha Mark Galeotti, analist për Rusinë dhe profesor nderi në Shkollën e Studimeve Sllave dhe Evropës Lindore të Kolegjin e Londrës, në podkastin e tij më 4 janar.

“Tek e fundit, këndvështrimi i Putinit në thelb është ajo se çfarë bëjnë fuqitë e mëdha dhe fuqitë e mëdha kanë sfera ndikimi. Dhe, nëse do t’i lejojmë Amerikës të ketë sferën e saj të ndikimit në Amerikën Latine, atëherë për rrjedhojë ne duhet të lejohemi të kemi sferën tonën sllave”, tha Galeotti.

Ndërkaq Sam Greene, profesor në Institutin e Rusisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës shtoi: “Çdo zhgënjim nga fakti që Maduro u largua nga Uashingtoni do të zbutet nga një premtim për bashkëdominim global, në të cilin Moska do të fitonte të drejtën të bënte të njëjtën gjë në fqinjësinë e saj”.

Ka prova se Rusia ka kërkuar një marrëveshje të tillë që shumë kohë përpara se të niste luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Gjatë një mosmarrëveshjeje në të cilën Rusia ndihmoi në mbrojtjen e Maduros përballë përpjekjeve të një udhëheqësi opozitar të mbështetur nga SHBA-ja për ta rrëzuar atë, “rusët… po sinjalizonin shumë fuqishëm se donin disi të bënin një marrëveshje shumë të çuditshme këmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, i tha një komiteti të Kongresit në tetor të vitit 2019 Fiona Hill, e cila ishte këshilltarja kryesore për Rusinë dhe Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trumpit nga prilli i vitit 2017 deri në korrik të vitit 2019.

Thelbi i mesazhit rus ishte: “Ju doni që ne të largohemi nga oborri juaj. Epo, ne kemi versionin tonë të kësaj. Ju jeni në oborrin tonë në Ukrainë”, u shpreh hill.

Faktori Ukrainë
Këtë herë, qasja e Rusisë dhe reagimi i saj relativisht i zbehtë ndaj kapjes së Maduros janë pjesë e një sërë zhvillimesh që tregojnë “se deri në çfarë mase dëshira e Rusisë për ta nënshtruar Ukrainën e dikton pjesën tjetër të politikës së saj të jashtme”, shkroi në X, Hanna Notte, drejtoreshë për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes.

“Putini shmangu bashkëpunimin me [ish-presidentin amerikan Joe] Biden në përpjekje për ta detyruar atë të heqë dorë nga Ukraina. Gjatë vitit të kaluar, ai është përpjekur të jetë në anën e mirë të Trumpit, këtë herë për ta joshur që të marrë anën e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Notte.

“Qoftë duke ushtruar presion apo duke lavdëruar një udhëheqës amerikan, qëllimi përfundimtar i Rusisë mbeti i njëjtë: të krijojë një përçarje mes SHBA-së dhe Ukrainës”.

Përderisa toni dhe përmbajtja e diplomacisë mbi Ukrainën mund të ndryshojnë shpejt, deri tani nuk ka pasur ndonjë sinjal të një ndryshimi të madh në qëndrimin e SHBA-së që nga kapja e Maduros, e cila ndodhi ndërsa zhvilloheshin një sërë rundesh bisedimesh mes SHBA-së, Ukrainës, Evropës dhe Rusisë në konfigurime të ndryshme, teksa administrata e Trumpit po synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës.

Në një konferencë për media disa orë pas operacionit në Karakas, Trump tha se nuk ishte “i kënaqur me Putinin. Ai po vret shumë njerëz”.

Më 4 janar, ai përsëriti përfundimin e CIA-s dhe tha se nuk besonte se Ukraina kishte shënjestruar një nga rezidencat e Putinit në një sulm me dron muajin e kaluar, pasi më parë dukej se kishte pranuar pretendimin që, sipas tij, presidenti rus kishte shprehur në një bisedë telefonike.

“A do të thotë fokusi mbi Venezuelën dhe hemisferën perëndimore se Shtetet e Bashkuara do të shpërqendrohen?”, pyeti Galeotti.

Përgjigja e tij: “Sigurisht që mund të lindin pyetje se si pretendimi se do të drejtojë Venezuelën mund të vihet në praktikë. Por, nga ana tjetër, një superfuqi mund të ecë dhe të përtypë njëherësh çamçakëz. Nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë ndikim të veçantë mbi atë që ndodh me Ukrainën”.

Greene sugjeroi se nëse Kremlini shpreson për një marrëveshje të gjerë midis fuqive të mëdha dhe liri të plotë për të vepruar në Ukrainë, ai do të zhgënjehet.

“Përveç nëse u jepet në mënyrë të menjëhershme një e drejtë e plotë për të vepruar në Ukrainë, Moska do ta konsiderojë këtë si hipokrizi tipike amerikane, gjë që ka të ngjarë të prishë koalicionin e supozuar të hegjemonisë globale midis Putinit, Trumpit dhe [presidentit kinez] Xi [Jinping]”, shkroi ai.

“Jam një i burgosur lufte”/ Nicolas Maduro la sallën mes lotëve, çfarë nuk u pa nga gjyqi i presidentit venezuelian

I shoqëruar nga zhurma e prangave në këmbë, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u shfaq për herë të parë në një sallë gjyqi federale në Nju Jork, në një seancë që zgjati rreth 40 minuta dhe u ndoq me interes të lartë nga mediat ndërkombëtare.

Sapo hyri në sallën e mbushur me gazetarë dhe publik, Maduro deklaroi se ishte “rrëmbyer” dhe se ndodhej në SHBA kundër vullnetit të tij. Ai e cilësoi veten si “një i burgosur lufte”.

Gjatë seancës, gjyqtari Alvin Hellerstein i kërkoi Madurros të konfirmonte identitetin për të nisur procedurat. Duke folur qetësisht në spanjisht, ai u shpreh: “Unë jam Nicolás Maduro, president i Republikës së Venezuelës dhe jam këtu i rrëmbyer që prej 3 janarit. U kapa në shtëpinë time në Karakas.”

Gjatë seancës, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzat që lidhen me drogën dhe armët. “Jam i pafajshëm. Jam një njeri i ndershëm”, tha Maduro, ndërsa Flores shtoi se ishte “plotësisht e pafajshme”.

Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij u transferuan në një burg të Nju Jorkut pasi u arrestuan të shtunën nga forcat amerikane në kompleksin e tyre në Venezuelë, gjatë një operacioni të papritur gjatë natës, i cili u shoqërua edhe me goditje ndaj bazave ushtarake.

Të veshur me uniforma burgu blu dhe portokalli, si dhe pantallona ngjyrë kaki, të dy mbanin kufje për të ndjekur përkthimin në spanjisht gjatë seancës, me një avokat të ulur mes tyre. Maduro mbante shënime të hollësishme në një bllok shënimesh të verdhë dhe i kërkoi gjyqtarit leje që ta mbante me vete edhe pas përfundimit të seancës.

Kur hyri në sallë — e njëjta sallë gjyqi ku vetëm disa muaj më parë u gjykua dhe u dënua Sean “Diddy” Combs — Maduro u kthye për të përshëndetur disa persona në publik me një tundje koke. Ai ruajti një qëndrim të qetë dhe pa shprehje gjatë gjithë procedurës, edhe në momentin kur një person nga publiku bërtiti se Maduro do të “paguante për krimet e tij”.

“Jam president dhe i burgosur lufte”, bërtiti Maduro në spanjisht drejt tij, ndërsa ai u shoqërua jashtë sallës mes lotësh, shkruan BBC.

Seanca ishte emocionale edhe për të tjerë të pranishëm. Gazetarja venezueliane Maibort Petit deklaroi se goditjet raketore amerikane gjatë arrestimit të Maduros kishin dëmtuar shtëpinë e familjes së saj pranë Fuerte Tiuna në Karakas, duke e cilësuar surreal momentin kur pa ish-presidentin e saj të shoqëruar në gjykatë nga marshallët amerikanë.

Bashkëshortja e Maduros, Cilia Flores, u shfaq më e rezervuar, me fasha pranë syve dhe ballit për shkak të dëmtimeve që, sipas avokatëve, i ka pësuar gjatë arrestimit. Avokatët kërkuan që ajo të marrë trajtim mjekësor të plotë, përfshirë ekzaminime për dëmtime të brinjëve dhe fraktura të mundshme.

Maduro dhe Flores nuk kërkuan lirimin me kusht gjatë kësaj seance, por kanë të drejtë ta bëjnë këtë në një fazë të mëvonshme, çka do të thotë se do të qëndrojnë në paraburgim federal.

Autoritetet amerikane e akuzojnë Maduron për komplot për narkoterrorizëm, trafik kokaine, posedim armësh automatike dhe mjete shpërthyese, si dhe komplot për posedimin e tyre. Ai është akuzuar së bashku me bashkëshorten, djalin e tij dhe disa persona të tjerë.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për datën 17 mars.

Venezuela urdhëron arrestimin e kujtdo që mbështet sulmin amerikan

Qeveria e Venezuelës publikoi të hënën dekretin e Gjendjes së Trazirës së Jashtme, i cili i jep kompetenca të gjera presidencës dhe urdhëron forcat e sigurisë të kapin “çdo person të përfshirë në promovimin ose mbështetjen” e sulmit të Shteteve të Bashkuara kundër vendit të Amerikës së Jugut.

Dokumenti, që sipas CNN mban datën 3 janar, është nënshkruar nga presidenti tashmë i rrëzuar Nicolás Maduro, i cili u kap atë mëngjes nga forcat ushtarake amerikane dhe aktualisht ndodhet i burgosur në New York.

“Agjencitë e policisë kombëtare, shtetërore dhe komunale duhet menjëherë të ndërmarrin kërkimin dhe kapjen në gjithë territorin kombëtar të çdo personi të përfshirë në promovimin ose mbështetjen e sulmit të armatosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër territorit të Republikës (…) me synim ndjekjen e tyre penale”, thuhet në tekstin e dekretit, i miratuar nga presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez.

Dekreti ishte përgatitur dhe shpallur në fund të shtatorit, javë pas nisjes së dislokimit të flotës amerikane në Karaibe, por përmbajtja e tij ishte e panjohur, duke u përditësuar me ngjarjet e fundjavës. Masa ka fuqinë e ligjit dhe do të mbetet në fuqi për 90 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe për 90 ditë të tjera.

Kushtetuta e Venezuelës përcakton se, në gjendje emergjence, një dekret i garanton presidentit pothuajse pushtet të plotë politik, ekonomik dhe social mbi vendin. Kjo është hera e parë që ky dispozitiv është përdorur që nga miratimi i Kushtetutës aktuale në vitin 1999, e cila parashikon se mund të shpallet në rast konflikti që “rrezikon seriozisht sigurinë e kombit, qytetarëve ose institucioneve të tij.”

32 kubanezë u vranë gjatë aksionit për arrestimin e Maduros

Rreth 32 shtetas kubanë janë vrarë gjatë sulmeve amerikane për të kapur presidentin venezuelian Nicolás Maduro.

Venezuela u ka bërë homazhe viktimave, duke thënë se ata “dhanë jetën e tyre në krye të detyrës”.

“Ky personel vepronte brenda kuadrit të bashkëpunimit midis shteteve sovrane dhe kryente detyra mbrojtjeje institucionale. Veprimet e tyre u dalluan nga guximi, disiplina dhe angazhimi i palëkundur për paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Venezuelës në një deklaratë të hënën.

Qeveria e Venezuelës u qëndron pranë Forcave të Armatosura Revolucionare Kubane “dhe familjeve të luftëtarëve të rënë, sakrifica e të cilëve forcon lidhjet historike të vëllazërisë, sovranitetit dhe luftës së përbashkët midis kombeve tona”, tha ministria.

Të dielën, Qeveria kubaneze tha se qytetarët e saj u vranë “në veprime luftarake, duke kryer misione në emër të Forcave të Armatosura Revolucionare dhe Ministrisë së Brendshme, me kërkesë të homologëve të vendit të Amerikës së Jugut”.

Zvicra shpall 9 janarin ditë zie pas zjarrit vdekjeprurës

Pas zjarrit të natës së 31 dhjetorit në Crans-Montana, Zvicra e ka shpallur të premten, 9 janar, ditë zie.

“Në këtë moment uniteti, çdo person në Zvicër do të jetë në gjendje të reflektojë personalisht mbi viktimat e katastrofës”, tha presidenti i konfederatës, Guy Parmelin.

Ai konfirmoi se vetë do të marrë pjesë në ceremoninë në Crans-Montana, së bashku me një delegacion nga Këshilli Federal dhe autoritetet e kantonit Valais.

Parmelin shtoi se ende nuk ka informacion se cilat delegacione të huaja do të jenë të pranishme.

Pas zjarrit, shumë krerë shtetesh dhe qeverish të huaja e telefonuan personalisht për t’i ofruar mbështetje konkrete, përfshirë dërgimin e ekspertëve mjekësorë.

Gjykata e Lartë e Venezuelës: Rodriguez, presidente në detyrë

Gjykata e Lartë e Venezuelës ka shpallur se zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez do të marrë përsipër detyrat dhe fuqitë e Presidentit në mënyrë të përkohshme, shkruan ANSA, transmeton ATSH.

Vendimi vjen pas situatës së tensionuar politike dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit.

Sipas vendimit të gjykatës, Rodríguez do të udhëheqë vendin derisa të sigurohet një tranzicion i rregullt dhe i qëndrueshëm dhe të kthehet funksionimi normal i institucioneve.

Ajo ka marrë fuqinë e plotë ekzekutive dhe do të përfaqësojë Venezuelën në çdo marrëveshje dhe çështje ndërkombëtare gjatë periudhës në detyrë.

Ky veprim vjen në një moment të ndjeshëm, pasi presidenti Nicolas Maduro u kap nga trupat amerikane dhe u largua nga vendi në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të forcave amerikane.

Gjykata e Venezuelës e ka konsideruar të domosdoshme emërimin e një lidershipi të përkohshëm për të ruajtur stabilitetin.

Ndërkohë, qytetarët dhe organizatat ndërkombëtare po ndjekin me vëmendje situatën, duke shprehur shqetësim për mundësinë e konflikteve të brendshme dhe për ndikimin mbi ekonominë dhe mirëqenien e popullit.

Vendimi i gjykatës ka nxitur reagime të ndryshme ndërkombëtare.

Disa vende e kanë pranuar emërimin e Rodriguez si një hap të nevojshëm për ruajtjen e qeverisjes dhe rendit, ndërsa të tjerë e shohin si një zhvillim të diskutueshëm që mund të komplikojë më tej situatën politike.

Në përfundim, Rodriguez do të kryejë funksionet e presidentit deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike, ndërsa komuniteti ndërkombëtar dhe qytetarët mbeten të vëmendshëm për çdo zhvillim të ri që mund të ndikojë në të ardhmen e Venezuelës.