Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

SHBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një Memorandum Presidencial me të cilin urdhërohet tërheqja e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare, të cilat, sipas Shtëpisë së Bardhë, “nuk i shërbejnë më interesave amerikane”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në platformën X, nën sloganin “America First”.

Sipas njoftimit, vendimi përfshin 35 organizata ndërkombëtare jashtë sistemit të OKB-së, si dhe 31 entitete të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në deklaratë nuk janë bërë publike emrat konkretë të organizatave nga të cilat SHBA-ja do të tërhiqet, ndërsa theksohet se masa synon rishikimin e angazhimeve ndërkombëtare në përputhje me interesat kombëtare të vendit.

Ky vendim pritet të ngjallë reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht brenda institucioneve multilaterale, ku SHBA-ja ka pasur rol kyç për dekada me radhë.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës e shkarkon gjeneralin që e drejtonte mbrojtjen e Maduros

Gjenerali që e udhëhiqte rojën presidenciale të nderit të Venezuelës, Javier Marcano Tabata, është shkarkuar disa ditë pasi presidenti tashmë i rrëzuar, Nicolas Maduro, u kap nga forcat amerikane gjatë një operacioni në Karakas dhe u dërgua në Nju-Jork për t’u gjykuar nën akuzat për narko-terrorizëm.

Roja presidenciale e nderit është forcë ushtarake që përgatit truproja të ngarkuara me detyrën e mbrojtjes së kreut të shtetit, raporton televizioni BBC. Përderisa Qeveria ende nuk ka ofruar të dhëna të hollësishme për të vrarët, mendohet se pjesëtarë të rojës presidenciale janë në mesin e dhjetëra të vrarëve gjatë operacionit amerikan për kapjen e Maduros.

Urdhri për zëvendësimin e gjeneralit Marcano Tabata u lëshua nga presidentja e re, e përkohshme, Decly Rodriguez. Ajo u betua të hënën në postin më të lartë me miratimin e Asamblesë Kombëtare, ku mbizotërojnë figurat besnike ndaj pushtetit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se zonja Rodriguez do të ballafaqohet “me një fat më të keq se të Maduros”, nëse nuk i respekton kërkesat e Uashingtonit, përfshirë ato për naftën. Venezuela i ka rezervat e vërtetura të naftës më të mëdha në botë.

Të martën, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Venezuela “do të dorëzojë” deri në 50 milionë fuçi nafte në ShBA, por Qeveria e përkohshme venezuelase ende nuk e ka komentuar deklaratën e tij. Presidentja e përkohshme e ka quajtur kapjen e Maduros “rrëmbim ilegal”, por gjithashtu ka thënë se qeveria e saj “e ka ftuar qeverinë amerikane për të punuar së bashku në një agjendë të bashkëpunimit”./Nacionale

Shtëpia e Bardhë s’e përjashton mundësinë e blerjes së Grenlandës

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka diskutuar “një sërë opsionesh” për të blerë Grenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë.

Në një deklarim për BBC-në, Shtëpia e Bardhë pohoi se blerja e Grenlandës, një rajon gjysmautonom i Danimarkës, ishte një “prioritet i sigurisë kombëtare”.

Deklarata erdhi disa orë pasi udhëheqësit evropianë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke mbështetur Danimarkën, e cila ka kundërshtuar ambiciet e Trumpit, për ishullin arktik.

Trumpi përsëriti se SHBA-ja “kishte nevojë” për Grenlandën, për arsye sigurie.

Shtëpia e Bardhë tha të martën: “Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm”.

Të martën, gjashtë aleatë evropianë shprehën mbështetje për Danimarkën.

“Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”, thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës.

Ata gjithashtu bënë thirrje për “mbrojtjen e parimeve të Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”.

Vance flet për operacionin që çoi në kapjen e Maduros

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se fillimisht dyshonte se SHBA-të mund ta realizonin operacionin për të kapur udhëheqësin venezuelas Nicolás Maduro, pa viktima amerikane.

“Mendoj se të gjithë ne ishim disi skeptikë”, tha Vance për “The Scott Jennings Show”, duke kujtuar informimin e tij mbi planin disa javë më parë.

“A mund ta bësh vërtet këtë – të shkosh në një vend të huaj, të mos kthesh asnjë amerikan të vdekur dhe në fakt, e di, të marrësh këtë narkoterrorist të akuzuar”, shtoi ai.

Vance i tha Jennings se misioni u ekzekutua “në përsosmëri” dhe parashikoi se rrëzimi i Maduros do të çojë në gaz dhe energji më të lirë për amerikanët.

“Më e rëndësishmja, kjo do të thotë që ne kemi më shumë kontroll mbi burimet e energjisë që ekzistojnë në botë, për të arritur rezultate më të mira ekonomike për popullin tonë dhe për t’i përdorur ato burime energjie si levë për të arritur paqe dhe prosperitet më të madh”, tha ai.

Të paktën 24 oficerë sigurie venezuelas u vranë gjatë bastisjes ushtarake amerikane të kryer të premten vonë në mbrëmje dhe deri të shtunën në mëngjes, të quajtur “Operacioni Absolute Resolve”, për të kapur Maduron dhe për ta sjellë atë në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për drogë, thanë zyrtarët të martën.

Gruaja e Maduros, Celia Flores, u kap gjithashtu dhe u soll në Amerikë. Maduro dhe Flores u deklaruan të pafajshëm të hënën për akuzat federale për trafik droge, gjatë paraqitjes së tyre të parë në gjykatë që kur u kapën nga shtëpia e tyre në Karakas në një operacion ushtarak amerikan të shtunën.

Prokurori i Përgjithshëm Venezuelës, Tarek William Saab, tha se “dhjetëra” zyrtarë dhe civilë vdiqën në sulm dhe u zotua të hetojë atë që ai e quajti një “krim lufte”, megjithëse nuk sqaroi nëse vlerësimi i tij i referohej vetëm venezuelasve.

Qeveria e Kubës tha të dielën se 32 oficerë ushtarakë dhe policorë kubanë të stacionuar në Venezuelë u vranë gjithashtu. Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, tha të hënën se zyrtarët amerikanë besojnë se Kuba po i nënvlerëson humbjet e saj. Pentagoni tha se gati 200 personel amerikan morën pjesë në operacion. Disa u plagosën, por asnjë nuk u vra, dhe zyrtarët nuk kanë dhënë detaje mbi lëndimet.

Nëse arrihet armëpushimi, Franca dhe Britania do të dërgojnë trupa në Ukrainë

Britania e Madhe dhe Franca do të dërgojnë trupa në Ukrainë – në rast të një marrëveshjeje armëpushimi.

Kështu deklaroi kryeministri britanik, Keir Starmer, pas bisedimeve në Paris.

Starmer thotë se një deklaratë qëllimi, e nënshkruar sot në Paris, “hap rrugën për një kuadër ligjor sipas të cilit forcat britanike, franceze dhe partnere mund të veprojnë në tokën ukrainase”.

Ai thotë se Britania e Madhe dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Udhëheqësit nga i ashtuquajturi “Koalicion i të Vullnetshmëve” ishin takuar në Paris për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, në rast të një armëpushimi me Rusinë.

“Kjo është një pjesë jetësore e angazhimit tonë të palëkundur për të qëndruar me Ukrainën për një kohë të gjatë”, deklaroi Starmer.

“Kjo hap rrugën për kuadrin ligjor sipas të cilit forcat britanike, franceze dhe partnere mund të veprojnë në tokën e Ukrainës, duke siguruar qiellin dhe detet e Ukrainës dhe duke rigjeneruar forcat e armatosura të Ukrainës për të ardhmen” shtoi ai.

Gjashtë të vdekur nga moti i keq në Evropë, akulli dhe temperaturat e ulëta shkaktojnë kaos

Gjashtë persona kanë vdekur nga moti i keq, ndërsa bora, akulli dhe temperaturat e ulëta vazhdojnë të shkaktojnë kaos në vendet e Evropës Qendrore dhe Jugore.

Autoritetet në rajonin Landes të Francës jugperëndimore thanë se tre persona kishin vdekur dhe 15 u plagosën në aksidente rrugore më parë, ndërsa dy të tjerë u vranë në aksidente në rajonin e Parisit.

Në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, një grua vdiq dje kur një degë peme e mbuluar nga bora i ra mbi kokë.

Parisi u zgjua sot me një shtresë bore mbi çatitë dhe monumentet, ndërsa reshjet e dendura të borës detyruan mbylljen e gjashtë aeroporteve në Francën veriore dhe perëndimore.

Kaos në Holandë në stacionet e trenave dhe aeroportet

Në Holandë, qindra fluturime u anuluan në Aeroportin Schiphol të Amsterdamit, ndërsa stafi punonte për të pastruar pistat dhe për të shkrirë akullin e aeroplanëve. Pasagjerët e trenave në vend u përballën me kaos pasi shërbimet e brendshme u pezulluan herët të martën për shkak të një ndërprerjeje të sistemit të teknologjisë së informacionit, duke përkeqësuar ndërprerjet e shkaktuara nga moti, raporon tch.

Temperaturat në Gjermaninë Jugore dhe lindore bien në -10 gradë

Temperaturat e ngrirjes kanë goditur pjesën më të madhe të Evropës, me temperatura që kanë rënë shumë nën -10°C (14°F) në Gjermaninë jugore dhe lindore të martën në mëngjes. Meteorologët gjermanë kanë parashikuar një stuhi në vend të premten, me reshje të dendura dëbore që priten në veri dhe lindje.

Gjithçka është ngrirë edhe në Britani dhe Itali

Në Britani, temperaturat ranë në -12.5°C gjatë natës, me borën që prishi transportin hekurudhor, rrugor dhe ajror dhe detyroi mbylljen e qindra shkollave në rajonet veriore.

Temperaturat në ultësirat e Italisë veriore ranë nën zero gradë, ndërsa reshje dëbore priten në rajonet me lartësi të mesme dhe të ulët të Emilia-Romagna-s, Marche-s dhe Toskanës të martën.

Italia Qendrore dhe Jugore po përballet me erëra të lehta që po sjellin shira të rrëmbyeshëm. Shiu i pandërprerë në Romë ka fryrë brigjet e lumit Tiber, duke ngadalësuar bekimin e Epifanisë nga Papa Leo në sheshin “Shën Pjetri”, i cili ishte mbushur vetëm pjesërisht ndërsa disa mijëra njerëz u mblodhën nën çadra.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, lëshoi ​​një dekret të martën që kufizon aksesin e publikut në parqe dhe zona të tjera në rrezik nga rënia e pemëve dhe përmbytjet. Dy pisha të mëdha kanë rënë ditët e fundit për shkak të motit të keq në kryeqytetin italian – njëra në Via dei Fori Imperiali, pranë Koloseut, dhe tjetra në Via Appia Nuova.

Probleme edhe në Ballkan

Reshje të dendura dëbore dhe shira të rrëmbyeshëm kanë përfshirë vendet e Ballkanit, duke shkaktuar dalje nga shtrati të lumenjve dhe bllokime të trafikut, si dhe probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë.

Në Serbi, disa autoritete lokale në perëndim të vendit kanë futur masa emergjente për shkak të motit të keq, ndërsa i paralajmërojnë shoferët të jenë të kujdesshëm pasi shumë prej tyre shkojnë në qendrat e skive ose diku tjetër për Krishtlindjet ortodokse të mërkurën dhe fundjavën e ardhshme.

Erëra të forta dhe det i stuhishëm po godasin brigjet e Adriatikut të Kroacisë dhe Malit të Zi.