Enj. Pri 2nd, 2026

Lajme nga Bota

Protesta në Iran, 116 të vdekur dhe mbi 2,600 të arrestuar

Midis viktimave, 7 janë të mitur, 37 anëtarë të forcave të armatosura.

Numri i personave të vrarë në protestat në Iran pothuajse është dyfishuar brenda pak orësh, nga 65 në të paktën 116, sipas përditësimit të fundit nga Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA.

Sky Neës raporton këtë, duke shtuar se shtatë nga viktimat janë të mitur.

Shumica e njerëzve u vranë nga municione të vërteta ose me plumba, kryesisht nga afër, pretendon OJQ-ja.

Tridhjetë e shtatë nga viktimat ishin anëtarë të forcave të armatosura ose të forcave të sigurisë, përfshirë një prokuror. HRANA raportoi gjithashtu se 2,638 persona ishin arrestuar.

Irani në vemëndjen e mbarë botës, shpërthejnë protestat kundër regjimit! Të përhapura në dhjetëra qytete

Protestat kundër autoriteteve iraniane po intensifikohen, me mijëra qytetarë që kanë dalë në rrugë në Teheran dhe në disa qytete të tjera të vendit, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë masa kufizuese, përfshirë ndërprerjen e internetit.

Demonstratat paqësore u zhvilluan mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet dhe në Mashhad, qytetin e dytë më të madh të Iranit, sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale. Pas tubimeve, një grup monitorimi raportoi për një ndërprerje të Internetit në të gjithë vendin.

Në pamjet filmike, protestuesit dëgjohen duke bërë thirrje për rrëzimin e udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe për rikthimin e Reza Pahlavit, djalit në mërgim të ish-shahut të ndjerë të Iranit, i cili më herët kishte ftuar mbështetësit e tij të dilnin në rrugë.

Protestat shënojnë ditën e 12-të radhazi të trazirave, të nxitura nga zemërimi për rënien e monedhës iraniane. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, demonstratat janë përhapur në mbi 100 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e vendit.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, njofton se të paktën 34 persona kanë humbur jetën, përfshirë pesë fëmijë dhe tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa 2,270 protestues janë arrestuar.

Qeveria venezueliane gati të lirojë të burgosurit politik

Presidenti i Kongresit venezuelian, Jorge Rodriguez, tha se qeveria ka vendosur të lirojë një “numër të konsiderueshëm” të burgosurish politikë në orët në vijim, si venezuelianë ashtu edhe të huaj, me qëllim që të “kontribuojë në përpjekjet për unitet kombëtar”.

Lirimet, një kërkesë e përsëritur nga opozita e vendit, përbëjnë një gjest paqeje, tha Rodriguez, duke shtuar se veprimi është i njëanshëm dhe nuk është rënë dakord me asnjë palë tjetër.

“Qeveria, së bashku me institucionet shtetërore, ka vendosur të lirojë një numër të konsiderueshëm venezuelianësh dhe të huajsh, dhe këto procese lirimi po ndodhin tani”, tha Rodriguez në një video të transmetuar në kanalin publik lokal TeleSur. Ai tha se lirimi ishte një “gjest i qeverisë, me një qëllim për të ndjekur paqen”.

Anëtarët e administratës Trump u kanë thënë ligjvënësve amerikanë se ia kanë bërë të qartë Venezuelës se duhet të lirojë të burgosurit politikë.

Gjermania pritet të goditet nga stuhia dimërore “Elli”

Gjermania po përgatitet për reshje të mëdha dëbore këtë fundjavë duke çuar në mbylljen e shkollave dhe vonesa të fluturimeve.

Shërbimi Gjerman i Motit DWD ka parashikuar stuhi të forta dëbore që do të godasin vendin gjatë natës, veçanërisht në Gjermaninë lindore dhe qendrore, si dhe midis qyteteve veriore të Bremenit dhe Hamburgut.

Një meteorolog i DWD-së e përshkroi motin si “ekstrem”, me trashësinë e borës që pritet të arrijë deri në 20 centimetra në disa pjesë të Gjermanisë.

Ndërsa disa pjesë të Gjermanisë janë mbuluar nga dëbora dhe akulli për ditë të tëra, shërbimi i motit paralajmëroi se “kombinimi i erës dhe dëborës” që po vjen mund të shkaktojë kaos dhe të çojë në ndërprerje të trafikut.

Stuhia “Elli” pritet të godasë nesër vendin, përpara se të humbasë forcën dhe të lëvizë në lindje drejt Republikës Çeke të shtunën.

Partia qeverisëse e Kristiandemokratëve (CDU) anuloi takimin e parë të madh të partisë për këtë vit – për shkak të përkeqësimit të motit.

Rreth 350 pjesëmarrës, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe rreth 100 përfaqësues të medias, do të mblidheshin në konferencën dyditore të partisë në Mainz, në dalje të Frankfurtit.

Merz tha se udhëheqja e partisë ka planifikuar ta zhvillojë takimin online dhe të miratojë disa rezoluta

1 milion ukrainas pa ngrohje dhe ujë pas sulmeve ruse

Sulmet ruse i lanë rajonet juglindore të Ukrainës, Dnipropetrovsk dhe Zaporizhzhia, pothuajse tërësisht pa energji, tha Ministria e Energjisë e vendit të mërkurën në mbrëmje.

Infrastruktura kritike “po funksiononte me energji rezervë”, shtoi ministria në një deklaratë në Telegram-in, ndërsa zyrtarët thanë se furnizimi me ujë dhe Interneti ishin gjithashtu të ndërprera, raporton BBC-i.

Rusia kohët e fundit ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, me qëllim paralizimin e furnizimit me energji gjatë një dimri të ashpër.

“Sistemi energjetik i Ukrainës është nën sulme armike çdo ditë dhe punonjësit e energjisë po punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira për t’u siguruar njerëzve dritë dhe ngrohje”, shkroi kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, në Telegram.

Iran: Eskalojnë protestat antiqeveritare, shkaktohen përleshje të dhunshme

Të mërkurën pati përleshje të dhunshme midis protestuesve antiqeveritarë dhe forcave të sigurisë në disa vende në Iran, teksa një valë trazirash e shkaktuar nga kriza ekonomike e vendit vazhdoi për të 11-ën ditë.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit, e cila është e afërt me Gardën Revolucionare, tha se dy policë u qëlluan dhe u vranë nga individë të armatosur në qytetin jugperëndimor të Lordeganit.

Videot e postuara në mediat sociale shfaqin përleshje të tensionuara midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, me tinguj armësh në sfond, shkruan BBC-i, .

Në pamjet filmike nga disa zona të tjera, forcat e sigurisë duket se qëllojnë me armë dhe gaz lotsjellës drejt turmave të protestuesve, disa prej të cilëve po hedhin gurë.

Protestat deri tani janë përhapur në 111 qytete dhe qyteza në të 31 provincat, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA.

Është raportuar se të paktën 34 protestues dhe katër anëtarë të personelit të sigurisë janë vrarë gjatë trazirave dhe se 2,200 protestues janë arrestuar.

Protestat filluan më 28 dhjetor, kur dyqanxhinjtë dolën në rrugët e kryeqytetit, Teheran, për të shprehur zemërimin e tyre për një rënie tjetër të ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur