Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Treni përplaset me autobusin në Hamburg, një i vdekur dhe dhjetë të plagosur

Një përplasje midis një autobusi dhe një treni vrau një person dhe plagosi dhjetë të tjerë në zonën e portit të Hamburgut këtë të premte, tha shërbimi zjarrfikës për AFP.

Të gjithë të plagosurit ishin brenda autobusit, përveç burrit që u vra. Ndërkohë, zëdhënës i shërbimit zjarrfikës për AFP tha se dy persona janë plagosur rëndë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur lehtë.

Disa nga të plagosurit morën ndihmën e parë në vend, ndërsa disa të tjerë u dërguan menjëherë në spital. Shoferi i autobusit “ishte i fundit që u lirua, sepse ishte i bllokuar”, sipas të njëjtit burim.

Aksidenti ndodhi në qendër të zonës së madhe portuale të Hamburgut, në një kalim të pambrojtur, “për arsye që ende nuk janë sqaruar”, njoftoi policia, duke shtuar se burri që u vra “vdiq nga plagët e marra në vendngjarje”.

Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, ndërsa departamenti i mjekësisë ligjore i policisë është mobilizuar për të marrë pjesë në hetim.

Sakaq, një zonë pritjeje për të afërmit e viktimave është ngritur në stacionin më të afërt të autobusëve. /euronewsal

Kërcënimet e Trumpit për pushtimin e Grenlandës, ligjvënësit amerikanë zbarkojnë në Danimarkë

Një delegacion i ligjvënësve amerikanë do të takohet me udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës të premten për t’i siguruar ata për mbështetjen e Kongresit pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të pushtuar ishullin Arktik.

Trump ka thënë se Grenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe furnizimit të madh me minerale dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë atë.

Kombet evropiane këtë javë dërguan një numër të vogël personeli ushtarak në ishull me kërkesë të Danimarkës, raporton Reuters.

Delegacioni amerikan prej 11 anëtarësh, i udhëhequr nga senatori demokrat Chris Coons, është planifikuar të takohet me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe homologun e saj të Grenlandës Jens-Frederik Nielsen, sipas zyrës së Frederiksen.

“Në një kohë të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare në rritje, ne duhet të afrohemi më shumë me aleatët tanë, jo t’i largojmë ata”, tha Coons në një njoftim për shtyp më parë këtë javë, duke shtuar se delegacioni do të dërgonte “një mesazh të qartë se Kongresi është i përkushtuar ndaj NATO-s”. Delegacioni përfshin senatorët republikanë Thom Tillis dhe Lisa Murkoëski, megjithëse përbëhet kryesisht nga ligjvënës demokratë.

Udhëheqësja e opozitës venezueliane takohet me Trumpin dhe i dorëzon Nobelin për Paqe – ende nuk dihet nëse e pranoi

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, deklaroi për gazetarët se gjatë një takimi privat në Shtëpinë e Bardhë, të enjten, i kishte paraqitur Çmimin Nobel për Paqe presidentit amerikan Donald Trump, pa sqaruar nëse ai e kishte pranuar apo jo.

“Besoj se sot është një ditë historike për ne venezuelianët”, tha Machado pas takimit me Trumpin, i cili shënon herën e parë që ata janë takuar ballë për ballë.

Në javët që pasuan kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga forcat amerikane në Karakas, Trump ka refuzuar të shprehë mbështetje për Machado-n, lëvizja e së cilës pretendoi fitore në zgjedhjet e vitit 2024, të kontestuara gjerësisht.

Në vend të kësaj, administrata amerikane po bashkëpunon me kryetaren e përkohshme të shtetit, Delcy Rodríguez, ish-nënpresidente e Maduros.

Kujtojmë se Donald Trump priti këtë të enjte, 15 ajanr, María Corina Machado, udhëheqësen e opozitës venezueliane dhe fituese të Çmimit Nobel për Paqe 2025, në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të nivelit të lartë mbi të ardhmen e vendit të pasur me naftë pas kapjes së Nicolás Maduro-s nga SHBA.

SHBA-ja nis shitjen e naftës venezueliane

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar shitjen e parë të naftës venezueliane, me vlerë 500 milionë dollarë, sipas një zyrtari të administratës.

Shitje të tjera të naftës priten në ditët dhe javët në vijim, shtoi zyrtari.

Në ditët që kur Shtetet e Bashkuara sulmuan Venezuelën dhe kapën presidentin e saj, Nicolás Maduro, në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se planifikon të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës së vendit.

Trump tha të premten se industria e naftës do të investojë të paktën 100 miliardë dollarë për të rindërtuar sektorin e energjisë të dëmtuar të Venezuelës – megjithëse nuk është e qartë se nga erdhi ky numër.

Planet e administratës për të përfituar nga nafta e Venezuelës, u pritën me skepticizëm nga drejtuesit e energjisë amerikane në Shtëpinë e Bardhë të premten.

“Është e painvesueshme”, u tha zyrtarëve CEO i ExxonMobil, Darren Woods, kur diskutuan pengesat për të bërë biznes në Venezuelë.

“Ekzistojnë një numër kornizash ligjore dhe tregtare që do të duhej të krijoheshin për të kuptuar edhe se çfarë lloj kthimesh do të merrnim nga investimi”, shtoi ai.

Disa drejtues të tjerë shprehën gjithashtu ngurrim për të bërë biznes në vendin e Amerikës Latine të sforcuar.

Pas një takimi të gjatë në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë kishin dalë pa ndonjë angazhim të madh nga kompanitë për të investuar miliarda dollarë në vend.

Detajet rreth shitjes së parë të naftës ishin të paqarta të mërkurën, por në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, tha se “ekipi i presidentit Trump po lehtëson diskutime pozitive dhe të vazhdueshme me kompanitë e naftës që janë të gatshme dhe të vullnetshme të bëjnë investime të papara për të rivendosur infrastrukturën e naftës së Venezuelës”.

Të mërkurën, Reuters raportoi se nafta bruto e Venezuelës po ofrohej me një zbritje për tregtarët, krahasuar me naftën konkurruese nga vende të tjera, të tilla si Kanadaja.

Zelensky shpall emergjencë energjetike në Ukrainë pas sulmeve ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shpallur gjendje emergjente në sektorin energjetik, pasi sulmet e vazhdueshme ruse kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe kanë lënë mijëra banesa pa energji elektrike dhe ngrohje, në mes të temperaturave që kanë zbritur deri në -19°C.

Në Kiev, qindra ndërtesa mbetën pa ngrohje edhe disa ditë pas një sulmi masiv, ndërsa autoritetet po punojnë për riparime emergjente dhe rritjen e importeve të energjisë. Kryebashkiaku Vitali Klitschko paralajmëroi se situata është kritike për kryeqytetin.

Zelensky tha se ekipet e emergjencës po punojnë 24 orë në ditë, ndërsa qeveria po shqyrton lehtësimin e masave si ora policore për shkak të të ftohtit ekstrem. Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike mbeten një nga elementët kryesorë të luftës, duke thelluar krizën humanitare në vend.

Irani rihap hapësirën ajrore pas mbylljes së përkohshme mes tensioneve me ShBA-në

Irani ka rihapur hapësirën e tij ajrore pasi e kishte mbyllur për disa orë për shumicën e fluturimeve komerciale, në mes të kërcënimeve për një sulm të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit të ShBA-së, ndalimi u zbatua gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, me fluturime të lejuara vetëm me miratim paraprak nga autoritetet iraniane, shkruan Aljazeera.

Të dhënat e “FlightRadar” treguan një rënie drastike të trafikut ajror mbi Iran, ndërsa shumë avionë shmangën hapësirën ajrore të vendit. Vendimi u mor në një klimë tensionesh të shtuara, pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për veprime ushtarake kundër Teheranit.

Mbyllja e hapësirës ajrore u shoqërua me tërheqjen e një pjese të forcave amerikane dhe britanike nga baza Al Udeid në Katar dhe me paralajmërime sigurie për qytetarët e huaj në rajon. Organizatat e sigurisë ajrore paralajmëruan për rreziqe të shtuara për aviacionin civil, duke kujtuar rrëzimin e një avioni pasagjerësh në Iran në vitin 2020.