Mër. Pri 1st, 2026

Lajme nga Bota

Shkon në 40 numri i të vdekurve në aksidentin hekurudhor në Spanjë

Numri i personave të vdekur nga dalja nga shinat e trenit në Adamuz është rritur me një në 40, sipas shërbimeve lokale të emergjencës.

Pas aksidentit të djeshëm, 41 persona janë ende në spital – 37 të rritur dhe katër fëmijë.

Dymbëdhjetë nga të rriturit dhe një nga fëmijët janë në kujdes intensiv, por asnjëri nuk thuhet se është në gjendje kritike.

Trump lidh mosmarrëveshjen për Grenlandën me mosmarrjen e çmimit “Nobel” për paqen

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen pasi nuk mori çmimin “Nobel” për paqen, ndërsa përsëriti kërkesën e tij për kontrollin e Grenlandës.

Në një mesazh drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Trump fajësoi vendin që nuk ia dha çmimin, shkruan BBC-i.

“Duke marrë parasysh që vendi juaj vendosi të mos më japë çmimin “Nobel” për paqen për ndalimin e 8 luftërave PLUS, nuk ndiej më detyrim të mendoj thjesht për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e përshtatshme për SHBA-në”, tha Trump në mesazhin e siguruar nga mediat amerikane.

“Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Grenlandës”, shtoi ai.

Kërcënimet e Trump për Groenlandën, BE kërkon të marrë hak ndaj SHBA-së me 93 miliardë euro tarifa

Bashkimi Evropian po diskuton një kundërpërgjigje të ashpër ndaj deklaratave dhe kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me Groenlandën.

Sipas raportimeve të Financial Times, Brukseli po shqyrton mundësinë e vendosjes së një pakete tarifash në vlerën e 93 miliardë eurove, si masë hakmarrëse ndaj njoftimeve amerikane, si dhe opsionin e kufizimit ose përjashtimit të kompanive amerikane nga tregu i BE-së.

Burime të përfshira në përgatitjen e masave bëjnë me dije se këto instrumente synojnë t’u japin liderëve evropianë më shumë ndikim në takimet vendimtare me presidentin amerikan, të parashikuara të zhvillohen këtë javë gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Lista e tarifave është hartuar që vitin e kaluar, por zbatimi i saj ishte pezulluar deri më 6 shkurt, me qëllim shmangien e një përshkallëzimi në një luftë të plotë tregtare mes dy palëve.

Riivënia në diskutim e kësaj pakete është shqyrtuar nga 27 ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, së bashku me përdorimin e të ashtuquajturit “instrument anti-konkurrues”, i cili mund të kufizojë aksesin e kompanive amerikane në tregun e brendshëm evropian. Vendimi përfundimtar pritet të varet nga zhvillimet diplomatike dhe nga qëndrimi që do të mbajë Uashingtoni në ditët në vijim.

Starmer telefonon Trump: Vendosja e tarifave ndaj aleatëve të NATO-s është e gabuar

Kryeministri britanik, Keir Starmer pati sot një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump ku i shprehu kreut të Shtëpisë së Bardhë se vendosja e tarifave për shkak të çështjes së Groenlandës ishte e gabuar, sipas një zëdhënësi të kryeministrit.

“Kryeministri përsëriti qëndrimin e tij për Groenlandën. Ai tha se siguria në Veriun e Epërm është një përparësi për të gjithë aleatët e NATO-s me qëllim mbrojtjen e interesave euroatlantike”, tha zëdhënësi i kryeministrit.

“Ai tha gjithashtu se zbatimi i tarifave ndaj aleatëve për ndjekjen e sigurisë kolektive të aleatëve të NATO-s është i gabuar”, shtoi ai.

Zëdhënësi shtoi se Starmer foli gjithashtu sot me Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

BE përgatit masa ndëshkuese ndaj SHBA-së për Grenlandën

Bashkimi Europian po përgatit një paketë masash ndëshkuese me vlerë rreth 93 miliardë euro, që përfshin tarifa tregtare dhe kufizime të mundshme për aksesin e kompanive amerikane në tregun europian.

Lëvizja vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve të ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Grenlandën.

Sipas burimeve europiane, këto masa synojnë të shërbejnë si mjet presioni përpara takimeve të planifikuara me Trump në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që mbahet në Davos.

Kryeministri i Grenlandës iu bashkohet protestave kundër tarifave të Trumpit

Kryeministri i Grenlandës, Jens‑Frederik Nielsen, iu bashkua protestave pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kanë dërguar trupa në ishullin Arktik.

Trump njoftoi se do të vendosë tarifa prej 10% për mallrat e eksportuara nga vendet e NATO-s – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Norvegjinë, Suedinë, Holandën dhe Finlandën – duke rritur normën në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.

Në një postim në Truth Social, Trump akuzoi këto vende se “kanë udhëtuar drejt Grenlandës për qëllime të panjohura” dhe e cilësoi situatën “shumë të rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit tonë”.

Ai shtoi gjithashtu se Kina dhe Rusia synojnë Grenlandën dhe se “Danimarka nuk mund të bëjë asgjë në lidhje me këtë”.

Kryeministri i Grenlandës reagoi duke u bashkuar me protestat kundër kërcënimeve të SHBA-së, duke shprehur shqetësim për tensionet dhe pasojat që këto masa mund të kenë për ishullin dhe popullsinë lokale.